Njohja e vlerës dhe pozitës së dijetarëve

April 20, 2026

Është detyrë për çdo musliman t’iu njohë vlerën dhe pozitën e lartë dijetarëve, ngase Allahu e ka lartësuar pozitën e tyre duke i bërë trashëgimtarë të profetëve.

Ata kryejnë misionin e profetëve sepse i ftojnë njerëzit për tek feja e Allahut të Madhëruar.

  • Dijetarët janë si yje që ndriçojnë dhe si planetë që vezullojnë. “Ata ruajnë për umetin themelet dhe bazat e fesë, i mbrojnë burimet e saj të pastra nga çdo ndryshim e mjegullim.

Ata i ftojnë të humburit drejt udhës së drejtë dhe me durim përballojnë prej tyre çdo sprovë. Me Librin e Allahut i gjallërojnë zemrat e vdekura dhe me dritën e Tij u japin shikim atyre që janë në verbëri.

Sa shumë prej atyre që Iblisi i kishte mposhtur i kanë kthyer në jetë, dhe sa shumë të humbur e të hutuar i kanë udhëzuar në udhën e drejtë.

(Shkëputur nga fjala e imamit Ahmed bin Hanbel (v. 241 H) në librin e tij “Er rad ala el xhehmije” fq. 55.)

  •  Ata janë stolia e tokës dhe pishtarët e dritës në errësirat e thella. Janë për njerëzit si dielli për botën dhe si shiu për tokën e tharë.

Allahu i ka dalluar mbi njerëzit, ashtu siç dallohet hëna në natën e plotë mbi të gjithë yjet e tjerë.

Sehl bin Abdullah Testuri (v. 283 H) ka thënë: “Kush dëshiron të shohë si kanë qenë mexhliset (tubimet) e profetëve, le të shikojë mexhliset e dijetarëve. Respektojini ato mexhlise dhe dijuani vlerën!”

(Transmeton Ibën Adul Berr, “El fekih uel mutefekih” 1/149.)

  • Dijetarët  janë si shitësi i miskut (parfumit); ose ai të dhuron aromë të këndshme, ose do të blesh parfum prej tij. Në shoqërimin me ta gjithmonë je i fituar, ashtu siç ka ardhur në hadith.
  • Allahu i ka bërë ata dëshmitarë mbi më të madhen dëshmi sepse dëshmuan për Njëshmërinë e Tij. Ai thotë:

شَهِدَ اللَّهُ أَنَّهُ لَا إِلَهَ إِلَّا هُوَ وَالْمَلَائِكَةُ وَأُولُو الْعِلْمِ قَائِمًا بِالْقِسْطِ لَا إِلَهَ إِلَّا هُوَ الْعَزِيزُ الْحَكِيم

“Allahu dëshmon, po ashtu edhe engjëjt dhe njerëzit e dijes; se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Tij, duke mbajtur drejtësinë. S’ka zot tjetër përveç Atij, të Plotfuqishmit, të Urtit.” | Al Imran: 18.

Ky ajet shërben si dëshmi nga Allahu i Madhëruar që na tregon për integritetin dhe fisnikërinë e tyre. Ata janë njerëzit më të ndershëm, dhe janë referencë për njerëzit kur këta kanë nevojë t’i qartësojnë dhe t’i njohin çështjet e fesë.

Allahu i Madhëruar thotë:

وَمَا أَرْسَلْنَا مِنْ قَبْلِكَ إِلَّا رِجَالًا نُوحِي إِلَيْهِمْ فَاسْأَلُوا أَهْلَ الذِّكْرِ إِنْ كُنْتُمْ لَا تَعْلَمُونَ

“Ne edhe para teje kemi dërguar vetëm njerëz të cilëve u kemi dhënë shpallje. Andaj pyetni dijetarët e Librit nëse nuk keni dijeni.” | En Nahl: 43.

Gjithashu, Allahu i Madhëruar thotë:

وَإِذَا جَاءَهُمْ أَمْرٌ مِنَ الْأَمْنِ أَوِ الْخَوْفِ أَذَاعُوا بِهِ وَلَوْ رَدُّوهُ إِلَى الرَّسُولِ وَإِلَى أُولِي الْأَمْرِ مِنْهُمْ لَعَلِمَهُ الَّذِينَ يَسْتَنْبِطُونَهُ مِنْهُمْ وَلَوْلَا فَضْلُ اللَّهِ عَلَيْكُمْ وَرَحْمَتُهُ لَاتَّبَعْتُمُ الشَّيْطَانَ إِلَّا قَلِيلًا

“Kur atyre u vjen ndonjë lajm i rëndësishëm që ka të bëjë me sigurinë ose frikën, ata e përhapin (pa e vërtetuar mirë). Por në qoftë se këtë lajm do t’ia përcillnin (për shqyrtim) të Dërguarit dhe parisë (të diturve), hulumtuesit do ta merrnin vesh prej tyre (se çfarë lajmi duhet përhapur e çfarë jo). Sikur të mos ishte mirësia e Allahut dhe mëshira e Tij, ju të gjithë do ndiqnit djallin përveç një numri të vogël.” | En Nisa: 83.

Imam Ibën Kajimi (v. 751 H) ka thënë: “Dijetarët e Islamit, të cilët ua sqarojnë njerëzve çështjet e fesë dhe që dituria e tyre ka gjetur pranim në popull, janë specializuar për nxjerrjen e gjykimeve fetare dhe qartësimin e kufijve të së lejuarës dhe të ndaluarës. Të tillët janë në tokë si yjet në qiell.

Prej tyre udhëzohen të hutuarit në errësira, dhe nevoja e njerëzve për ta është më e madhe se ajo për ushqim dhe ujë. Bindja ndaj tyre është më obliguese se bindja ndaj prindërve, siç kuptohet qartë nga Libri i Allahut.

Allahu i Madhëruar thotë:

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَطِيعُوا اللَّهَ وَأَطِيعُوا الرَّسُولَ وَأُولِي الْأَمْرِ مِنْكُمْ فَإِنْ تَنَازَعْتُمْ فِي شَيْءٍ فَرُدُّوهُ إِلَى اللَّهِ وَالرَّسُولِ إِنْ كُنْتُمْ تُؤْمِنُونَ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ ذَلِكَ خَيْرٌ وَأَحْسَنُ تَأْوِيلًا

“O besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja. Nëse nuk pajtoheni në ndonjë çështje, drejtojuni Allahut dhe të Dërguarit nëse besoni Allahun dhe ditën e Kiametit. Kjo për ju është më e mira dhe shpjegimi më i bukur.” | En Nisa: 59.

Abdullah ibën Abasi thotë – sipas njërit prej transmetimeve të tij -, Xhabir ibën Abdullah, Hasan Basriu, Ebu Alijah Rijahi, Ata’ ibën Ebi Rabah, Dahaku dhe Muxhahidi në njërin nga transmetimet e tij, kanë thënë se: Ulul emri (ata që drejtojnë punët tuaja) janë dijetarët. Ky është gjithashtu njëri prej dy transmetimeve nga imam Ahmedi.

Ndërsa Ebu Hurejra dhe Abdullah ibn Abasi, sipas transmetimit tjetër nga ai, si dhe Zejd ibën Eslemi, Suddi dhe Mukatili kanë thënë se; Ulul emri janë prijësit.

Ky është gjithashtu transmetimi i dytë nga Ahmed ibën Hanbeli, i cili ka thënë: “Mendimi më i saktë është se bindja ndaj prijësit është e detyrueshme vetëm kur urdhërojnë në përputhje me dijen (sheriatike). Prandaj bindja ndaj tyre vjen si rrjedhojë e bindjes ndaj dijetarëve.”

Këtu përfundon fjala e Ibën Kajimit, shkëputur nga libri i tij “A’lam el muveki’in” (1/14).

  • Dijetarët janë njerëzit më të përkushtuar dhe që i frikësohen më së shumti Allahut.

Allahu i Madhëruar thotë:

إِنَّمَا يَخْشَى اللَّهَ مِنْ عِبَادِهِ الْعُلَمَاءُ

”Vërtet, ata që i frikësohen më shumë Allahut nga robërit e Tij janë dijetarët…” | Fatir: 28.

Po ashtu thotë:

ذَلِكَ لِمَنْ خَشِيَ رَبَّهُ

“Kjo është (mirësi) për ata që e kanë frikë Zotin e vet.” | El Bejineh: 8.

Në një ajet tjetër thotë:

أُولَئِكَ هُمْ خَيْرُ الْبَرِيَّةِ

“… ata janë krijesat më të mira.” | El Bejineh: 7.

Hafidh Bedrudin ibën Xhema’ah (v. 733 H) ka thënë: Dy ajetet: “Vërtet, ata që i frikësohen më shumë Allahut nga robërit e Tij janë dijetarët”, dhe ‘… ata janë krijesat më të mira”, tregojnë se ata që i frikësohen Allahut të Lartësuar janë krijesat më të mira. Si rrjedhojë, përfitohet se dijetarët janë krijesat më të mira pasi janë njerëzit që më së shumti i frikësohen Allahut.”  (“Tedhkirat es Sami”, fq. 6.)

  • Allahu i Lartësuar e ka ngritur pozitën e dijetarëve në këtë botë dhe në botën tjetër.

Allahu i Madhëruar thotë:

يَرْفَعِ اللَّهُ الَّذِينَ آمَنُوا مِنْكُمْ وَالَّذِينَ أُوتُوا الْعِلْمَ دَرَجَاتٍ

”Allahu do t’i ngrejë në shkallë të larta ata midis jush që besojnë dhe që u është dhënë dija…” | El Muxhadele: 11.

Askush nuk mund të barazohet me ta në gradën dhe pozitën e tyre.

Allahu i Madhëruar thotë:

قُلْ هَلْ يَسْتَوِي الَّذِينَ يَعْلَمُونَ وَالَّذِينَ لَا يَعْلَمُونَ إِنَّمَا يَتَذَكَّرُ أُولُو الْأَلْبَابِ

“Thuaj: A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?! Vetëm të zotët e mendjes i pranojnë këshillat!” | Ez Zumer: 9.

  • Allahu i ka dalluar ata duke i pajisur me aftësinë për të kuptuar nga qëllimi i fjalëve atë që të tjerët nuk e arrijnë dot ta kuptojnë, dhe për të perceptuar kuptime që të tjerët nuk i arrijnë.

وَتِلْكَ الْأَمْثَالُ نَضْرِبُهَا لِلنَّاسِ وَمَا يَعْقِلُهَا إِلَّا الْعَالِمُونَ

”Këta shembuj Ne ua paraqesim njerëzve, por ata nuk i kupton kush përveç dijetarëve.” | El Ankebut: 43.

وَالرَّاسِخُونَ فِي الْعِلْمِ يَقُولُونَ آمَنَّا بِهِ كُلٌّ مِنْ عِنْدِ رَبِّنَا

“Ndërsa ata që janë thelluar në dijeni, thonë: Ne i besojmë (Kuranit). Të gjitha këto vargje janë nga Zoti ynë!” | Al Imran: 7.

لَكِنِ الرَّاسِخُونَ فِي الْعِلْمِ مِنْهُمْ وَالْمُؤْمِنُونَ يُؤْمِنُونَ بِمَا أُنْزِلَ إِلَيْكَ وَمَا أُنْزِلَ مِنْ قَبْلِك

“Mirëpo të thelluarit në dituri prej tyre (hebrenjve) dhe besimtarët besojnë në atë që të është shpallur ty (o Muhamed), dhe në atë që është shpallur para teje.” | En Nisa: 162.

وَلِيَعْلَمَ الَّذِينَ أُوتُوا الْعِلْمَ أَنَّهُ الْحَقُّ مِنْ رَبِّكَ فَيُؤْمِنُوا بِهِ فَتُخْبِتَ لَهُ قُلُوبُهُمْ

“… dhe që ata të cilëve u është dhënë dituria, ta kuptojnë se ai (Kurani) është e Vërteta nga Zoti yt dhe ta besojnë atë, dhe zemrat e tyre të binden e të qetësohen me të.” | El Haxh: 54.

وَيَرَى الَّذِينَ أُوتُوا الْعِلْمَ الَّذِي أُنْزِلَ إِلَيْكَ مِنْ رَبِّكَ هُوَ الْحَقَّ

“Ata të cilëve u është dhënë dituria, e shohin se ajo që të është zbritur nga Zoti yt është e vërteta…” | Sebe: 6.

بَلْ هُوَ آيَاتٌ بَيِّنَاتٌ فِي صُدُورِ الَّذِينَ أُوتُوا الْعِلْمَ

“Ai (Kurani) është shpallje e qartë në zemrat e atyre të cilëve u është dhënë dija…” | El Ankebut: 49.

  • Dijetarët janë njerëzit më të mprehtë në dallimin e së keqes dhe rrugëve të saj, si dhe të pavërtetës, hyrjeve dhe daljeve të saj. Ata shohin me dritën e Allahut të Madhëruar.

Allahu i Lartësuar thotë:

قَالَ الَّذِينَ أُوتُوا الْعِلْمَ إِنَّ الْخِزْيَ الْيَوْمَ وَالسُّوءَ عَلَى الْكَافِرِينَ

“Ata të cilëve u është dhënë dituria, do të thonë: Me të vërtetë, sot poshtërimi dhe dënimi do të bjerë mbi mosbesimtarët…” | En Nahl: 27.

Po ashtu, Allahu i Madhëruar thotë:

وَقَالَ الَّذِينَ أُوتُوا الْعِلْمَ وَيْلَكُمْ ثَوَابُ اللَّهِ خَيْرٌ لِمَنْ آمَنَ وَعَمِلَ صَالِحًا

“Ndërsa njerëzit e dijshëm thoshin: Të mjerët ju! Shpërblimi i Allahut është më i mirë…” | El Kasas: 80.

Imam ibën Kajimi thotë: “Dijetarit që është i rrënjosur thellë në dije, nëse do t’i vinin dyshime sa valët e detit, ato nuk do t’ia trondisnin aspak bindjen dhe nuk do t’i ngjallnin asnjë mëdyshje në zemër. Kjo, sepse ai është thellësisht i rrënjosur në dije dhe i palëkundur në të. Prandaj dyshimet nuk arrijnë ta lëkundin, por ai i zmbraps dhe i mposht sa herë që i paraqiten. Dija e mbron atë, ndërsa fuqia e saj i zmbraps dhe i mposht dyshimet.” (“Miftah dar es seadeh” 1/394)

  • Dijetarët për umetin Islam janë një prej mirësive tepër të  mëdha të Allahut të Madhëruar. Ndaj është detyrë për njerëzit ta ruajnë këtë mirësi që Allahu u ka dhuruar, dhe të tregojnë falënderim ndaj Allahut për begatitë e Tij.

Dijetari Bika‘i (v. 885) ka thënë: “Refuzimi i dijes së dijetarëve dhe mosndjekja e tyre nënkupton mohimin e mirësisë së Allahut të Lartësuar.” Prandaj, është e domosdoshme që njerëzit ta vlerësojnë dhe ta falënderojnë këtë mirësi; praninë e dijetarëve në ummet.

  • Dijetarët njihen për vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë e tyre në kohët e sprovave dhe dyshimeve, atëherë kur mendjet devijojnë dhe këmbët rrëshqasin.

Abdullah bin Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Mos merrni për shëmbulltyrë të gjallët, por merrni për shëmbulltyrë ata që kanë vdekur, sepse për të gjallin ekziston frika e sprovës (fitnes).”

(Transmeton Ebu Daudi, “Ez Zuhd” fq. 132.)

  • Dijetarët gjithashtu njihen për frikën e tyre ndaj Allahut, për përulësinë dhe drojën, si dhe për vetëdijen e vazhdueshme se Allahu i vëzhgon në çdo çast.

Allahu i Lartësuar thotë:

الَّذِينَ يُبَلِّغُونَ رِسَالَاتِ اللَّهِ وَيَخْشَوْنَهُ وَلَا يَخْشَوْنَ أَحَدًا إِلَّا اللَّهَ وَكَفَى بِاللَّهِ حَسِيبًا

“Ata ua kumtojnë njerëzve shpalljet e Allahut dhe i frikësohen Atij e askujt tjetër përveç Tij. Allahu mjafton si llogaritës.” | El Ahzab: 39.

Gjithashtu thotë:

إِنَّمَا يَخْشَى اللَّهَ مِنْ عِبَادِهِ الْعُلَمَاءُ

”Vërtet, ata që i frikësohen më shumë Allahut nga robërit e Tij janë dijetarët.” | Fatir: 28.

  • Dijetarët janë të dashurit e Allahut të Lartësuar, sikurse Allahu thotë:

أَلَا إِنَّ أَوْلِيَاءَ اللَّهِ لَا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلَا هُمْ يَحْزَنُونَ * الَّذِينَ آمَنُوا وَكَانُوا يَتَّقُونَ

“Pa dyshim se të dashurit e Allahut (evliatë) nuk do kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar. (Të tillë janë) Ata që besojnë dhe që i frikësohen (Allahut).” | Junus: 62-63.

Profeti ﷺ ka thënë se Allahu i Madhëruar, në hadithin kudsij thotë: “Kushdo që armiqëson një të dashurin Tim, Unë atij i kam shpallur luftë.” (Buhariu)

Imam Shafiu, Muhamed ibën Idrisi (v. 204 H) ka thënë: “Nëse dijetarët  që punojnë me dijen e tyre nuk janë miqtë e Allahut, atëherë nuk di se kush tjetër mund të jetë.” (“El bidaje uen nihaje” 17/171.)

Mjafton për të kuptuar vlerën e dijetarëve fakti se engjëjt i shtrijnë krahët e tyre për ta, në shenjë kënaqësie e respekti për atë që bëjnë. Për ta kërkojnë falje banorët e qiejve dhe të tokës, madje edhe peshqit në det dhe milingonat në foletë e tyre.

Pse? Sepse u mësojnë njerëzve të mirën.

Në të vërtetë, prania e dijetarëve në realitetin e umetit është një begati e madhe; ekzistenca e tyre është mirësi dhe fitore, ndërsa vdekja e tyre është zbrazëti dhe fatkeqësi e rëndë.

Profeti ﷺ ka thënë: “Vërtet, Allahu nuk e merr dijen duke e shkulur atë nga njerëzit, por e merr dijen duke marrë dijetarët (me vdekjen e tyre). Derisa kur të mos mbetet më asnjë dijetar njerëzit do marrin për prijës të paditurit. Ata do pyeten dhe do japin fetva pa dije, duke humbur vetë dhe duke i humbur edhe të tjerët.” (Buhariu dhe Muslimi)

Në të vërtetë, dijetarët mbeten të gjallë në mesin e njerëzve nëpërmjet përmendjes së tyre të mirë dhe ndikimit të madh që lënë pas, edhe pse trupat e tyre prehen në varre.

Profeti ﷺ ka thënë: “Kur vdes biri i Ademit i ndërpriten veprat e tij, përveç tri gjërave: sadakaja e vazhdueshme, dituria nga e cila përfitohet, dhe një fëmijë i mirë që lutet për të.” (Muslimi)

Pa dyshim se dijetarët kanë lënë pas një trashëgimi të begatë dhe dobi të vazhdueshme për këtë umet. Shumë prej tyre kanë ndërruar jetë prej shekujsh, por përmendja e tyre mbetet e gjallë dhe ndikimi i tyre vazhdon të jetojë përmes veprave, shkrimeve dhe librave që lanë pas.

Nderimi u takon njerëzve të dijes,
ata janë udhërrëfyes për kë udhëzimin kërkon.
I padituri përpiqet t’ia zbehë vlerën dijetarit,
por vlera e tij shtohet nga thesari që ai posedon.

Diturinë kërko — në jetë do t’gjesh lumturi,
njerëzit vdesin, por dija mbetet përgjithmonë.

  • Dijetarët gëzojnë një nder dhe pozitë që njerëzit duhet ta njohin dhe ta respektojnë, duke mos munguar kurrë dashuria, respekti, bashkimi i zemrave rreth tyre dhe përmendja me mirësi. Ata janë trashëgimtarët e profetëve, paqja dhe bekimet qofshin mbi ta!

Profeti ﷺ ka thënë: “Nuk është prej nesh ai që nuk respekton të madhin tonë, nuk mëshiron të voglin tonë, dhe nuk i njeh të drejtën dijetarit tonë.” (Transmeton Ahmedi, Tahavi dhe Hakimi, dhe e ka konsideruar shejh Albani si hadith hasen.)

Imam Tahavi (v. 321 H) thotë: “Dijetarët e selefit, të parët dhe pasuesit e tyre prej tabiinëve, njerëzit e së mirës dhe transmetimit, si dhe njerëzit e fikhut dhe mendimit, nuk përmenden ndryshe vetëm se për mirë. Ndërsa kush i përmend me të keq, ai është jashtë udhës së drejtë.” (“Akide Tahavije” fq. 82)

Hafidh Ibën Asakir (v. 571 H) ka thënë: “Dije o vëlla, Allahu na udhëzoftë mua dhe ty drejt veprave që e kënaqin Atë, dhe na bëftë prej atyre që i frikësohen dhe i ruhen Atij ashtu siç duhet! Vërtet, mishi i dijetarëve (përgojimi i tyre) është i helmuar, dhe Allahu shpesh e nxjerr në pah ligësinë e atyre që i ulin dhe i nënçmojnë. Sepse të flasësh kundër tyre me shpifje dhe akuza është një çështje shumë e rëndë. Cënimi i nderit të tyre me gënjeshtra e trillime është një rrugë pa krye me përfundim të keq, ndërsa të kundërshtohen ata që Allahu i ka zgjedhur për ta përhapur dijen, është një sjellje e shëmtuar.” (“Tebjin kedhib el mufteri” fq. 29)

Allahu i Madhëruar thotë:

وَالَّذِينَ يُؤْذُونَ الْمُؤْمِنِينَ وَالْمُؤْمِنَاتِ بِغَيْرِ مَا اكْتَسَبُوا فَقَدِ احْتَمَلُوا بُهْتَانًا وَإِثْمًا مُبِينًا

“Ata që i lëndojnë besimtarët dhe besimtaret duke i akuzuar për diçka që nuk e kanë bërë, në të vërtetë, i kanë ngarkuar vetes fajin për shpifje dhe një gjynah të pakontestueshëm.” | El Ahzab: 58.

Nëse përmendja e keqe e besimtarëve dhe besimtareve e ngarkon njeriun me shpifje të madhe, çfarë mund të thuhet për fyerjen dhe lëndimin e dijetarëve të devotshëm?

Shejhul Islam Ibn Tejmije (v. 728H) thotë: “Është obligim për muslimanët, pas dashurisë për Allahun dhe të Dërguarin e Tij, të duan besimtarët ashtu siç jemi urdhëruar në Kuran, e veçanërisht dijetarët, trashëgimtarët e profetëve. Allahu i ka ngritur ata në pozitën e yjeve me të cilët njerëzit udhëzohen në errësirat e tokës dhe të detit. Muslimanët janë të bashkuar në mendimin se; dijetarët e tyre janë njerëzit më të udhëzuar e më të ditur.

Çdo popull para dërgimit të Profetit ﷺ i kishte dijetarët e devijuar ndër njerëzit më të këqinj të popullit të vet, përveç muslimanëve ku dijetarët e tyre janë më të mirët e njerëzve.

Ata janë zëvendësit e të Dërguarit ﷺ në umetin e tij, dhe ringjallin atë që është harruar nga Suneti i tij.” (“Mexhmu’ul fetaua” 20/231)

Nuk ka dyshim se të shëtiturit në kopshtet e dijes dhe dijetarëve, në kopshtet e tyre të lulëzuara e të begata sjell dobi të shumta, përfitime të mëdha dhe bekime të larmishme.

Lusim Allahun të na bëjë prej atyre që i duan dijetarët dhe i vlerësojnë për pozitën që Allahu u ka dhënë, dhe të na mundësojë të përfitojmë nga dija dhe përvoja e tyre!

 

Shkëputur nga ligjërata e shejhut të nderuar: Dr. Ferhan bin Aziz el Anezi.

Përktheu: Edmond Ajdini

Korrektoi: Dr. Fatmir Strumi

Dosje:

Loading...