Zullumi; Rrënuesi i Popujve dhe Shoqërive

June 8, 2026

Allahu i Lartësuar ka urdhëruar për drejtësi dhe ka ndaluar rreptësisht padrejtësinë, kundër kujtdo qoftë ajo.

Padrejtësia më e madhe është që njeriu të adhurojë dikë tjetër veç Allahut të Lartësuar, i Cili e ka krijuar, e furnizon dhe i ka dhënë gjithçka që i nevojitet.

Gjithashtu, prej gjynaheve më të mëdha, të cilat kanë kosto fatale në këtë botë dhe në botën tjetër, është padrejtësia ndaj njerëzve, e aq më tepër nëse bëhet në kurriz të një mase të madhe njerëzish.

Në ajete të shumta kuranore tregohen pasojat e padrejtësisë, ku ndër to përmenden:

  • Largimi i sigurisë dhe stabilitetit:

Sa më shumë shtohen mëkatet dhe padrejtësia në një shoqëri, aq më shumë humbet siguria kolektive. Shpeshherë, zullumqari jeton në ankth e frikë nga hakmarrja e të shtypurve, si dhe nga ndëshkimi i Allahut, që është Akoma më i rëndë.

Allahu i Lartësuar thotë:

(الَّذِينَ آمَنُوا وَلَمْ يَلْبِسُوا إِيمَانَهُمْ بِظُلْمٍ أُولَٰئِكَ لَهُمُ الْأَمْنُ وَهُمْ مُهْتَدُونَ)

“Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e ngatërruan me padrejtësi, atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë në rrugë të drejtë.” (el En’am, 82)

  • Përhapja e frikës, varfërisë dhe urisë:

Kur një popull tregon mosmirënjohje dhe zhytet në padrejtësi, Allahu ia ndryshon gjendjen duke ia kthyer sigurinë në frikë, dhe bollëkun në uri e varfëri, si ndëshkim për veprat e tyre.

Allahu tregon për një nga popujt e mëparshëm, duke thënë:

(وَضَرَبَ اللَّهُ مَثَلًا قَرْيَةً كَانَتْ آمِنَةً مُّطْمَئِنَّةً يَأْتِيهَا رِزْقُهَا رَغَدًا مِّن كُلِّ مَكَانٍ فَكَفَرَتْ بِأَنْعُمِ اللَّهِ فَأَذَاقَهَا اللَّهُ لِبَاسَ الْجُوعِ وَالْخَوْفِ بِمَا كَانُوا يَصْنَعُونَ)

“Allahu sjell si shembull një vendbanim që ishte i sigurt dhe i qetë, të cilit i vinte furnizimi nga të gjitha anët me bollëk, kurse ata i përbuzën të mirat e Allahut. Atëherë Allahu, për shkak të veprave të tyre, ua veshi petkun e urisë dhe të frikës.” (en Nahl, 112)

  • Privimi nga udhëzimi dhe shpëtimi:

Zullumqarët nuk gjejnë shpëtim dhe sukses, as në këtë botë e as në tjetrën, sikurse Allahu i Madhërishëm thotë:

(كَيْفَ يَهْدِي اللَّهُ قَوْمًا كَفَرُوا بَعْدَ إِيمَانِهِمْ وَشَهِدُوا أَنَّ الرَّسُولَ حَقٌّ وَجَاءَهُمُ الْبَيِّنَاتُ ۚ وَاللَّهُ لَا يَهْدِي الْقَوْمَ الظَّالِمِينَ)

E si t’i udhëzojë Allahu në rrugë të drejtë njerëzit që u bënë mohues, pasi më parë patën besuar e dëshmuar se i Dërguari është i vërtetë dhe u kishin ardhur provat e qarta?! Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë ata që janë zullumqarë.” (Ali Imran, 86)

Vendosja dhe sundimi i zullumqarëve mbi njëri-tjetrin:

Prej drejtësisë së Allahut është që, si ndëshkim për zullumqarët, Ai vë në krye të tyre zullumqarë të tjerë që t’i sundojnë, t’i poshtërojnë dhe t’i shkatërrojnë.

Për këtë tregon fjala e Allahut:

(وَكَذَٰلِكَ نُوَلِّي بَعْضَ الظَّالِمِينَ بَعْضًا بِمَا كَانُوا يَكْسِبُونَ)

E kështu, Ne u japim pushtet disa zullumqarëve mbi të tjerët, si dënim për veprat e tyre të këqija.” (el En’am, 129)

  • Rrëzimi i pushtetit të padrejtësisë:

Dënimi i Allahut mbi popujt e mëparshëm tregon se çdo shtet, komunitet apo qytetërim që ngrihet mbi tirani, shtypje dhe padrejtësi, do të përballet me një dënim shfarosës, të dhimbshëm dhe të pashmangshëm.

 (فَانْظُرْ كَيْفَ كَانَ عَاقِبَةُ مَكْرِهِمْ أَنَّا دَمَّرْنَاهُمْ وَقَوْمَهُمْ أَجْمَعِينَ* فَتِلْكَ بُيُوتُهُمْ خَاوِيَةً بِمَا ظَلَمُوا ۗ إِنَّ فِي ذَٰلِكَ لَآيَةً لِقَوْمٍ يَعْلَمُونَ)

Vështro se çfarë ishte përfundimi i dredhisë së tyre. Në të vërtetë, Ne zhdukëm të gjithë ata dhe popullin e tyre. 

E këto janë shtëpitë e tyre të mbetura shkret për shkak të zullumit të tyre. E nuk ka dyshim se në këtë (rrënim) për një popull që kupton ka argument.” (en Neml, 51 – 52)

Dhe thotë gjithashtu:

(ذَٰلِكَ مِنْ أَنْبَاءِ الْقُرَىٰ نَقُصُّهُ عَلَيْكَ ۖ مِنْهَا قَائِمٌ وَحَصِيدٌ * وَمَا ظَلَمْنَاهُمْ وَلَٰكِنْ ظَلَمُوا أَنْفُسَهُمْ ۖ فَمَا أَغْنَتْ عَنْهُمْ آلِهَتُهُمُ الَّتِي يَدْعُونَ مِنْ دُونِ اللَّهِ مِنْ شَيْءٍ لَمَّا جَاءَ أَمْرُ رَبِّكَ ۖ وَمَا زَادُوهُمْ غَيْرَ تَتْبِيبٍ * وَكَذَٰلِكَ أَخْذُ رَبِّكَ إِذَا أَخَذَ الْقُرَىٰ وَهِيَ ظَالِمَةٌ ۚ إِنَّ أَخْذَهُ أَلِيمٌ شَدِيدٌ)

“Këto janë disa nga lajmet e vendeve që po t’i rrëfejmë ty; disa prej tyre ekzistojnë ende, e disa janë shkatërruar. Ne nuk u bëmë padrejtë atyre, por ata vetvetes i bënë padrejtë. E kur erdhi urdhri i Zotit tënd, atyre nuk u ndihmuan asgjë zotat e tyre, të cilëve u luteshin pos Allahut, dhe nuk fituan tjetër pos shkatërrim. Ja, kështu është ndëshkimi i Zotit tënd, kur dënon vendet që janë zullumqare. Vërtet, ndëshkimi i Tij është i dhembshëm, e i ashpër.” (Hud, 100 – 102)

Të gjitha këto që përmendëm janë vetëm disa nga pasojat e padrejtësisë në këtë botë, kurse Ditën e Gjykimit ato do të jenë akoma më të mëdha!

Në këtë aspekt, padrejtësia më e madhe mes njerëzve është ajo e udhëheqësve ndaj popujve të tyre, sepse ata që preken nga këto zullume nuk janë as një, as dhjetë e as një qind persona, por mijëra apo miliona njerëz.

I Dërguari i Allahut ﷺ thotë: “Çdo udhëheqës që mashtron popullin e tij, ai do të jetë prej banorëve të zjarrit.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Në një tjetër transmetim, i Dërguari i Allahut ﷺ thotë: “Këdo që Allahu e ka bërë përgjegjës mbi të tjerët, dhe ai vdes ndërkohë që e ka mashtuar popullin e tij, Allahu ia ndalon atij hyrjen në Xhenet.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

E thotë gjithashtu: “Çdonjëri prej jush është përgjegjës, e do të merret në llogari për ata që ka nën përgjegjësinë e tij.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Auf bin Malik tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Prijësit tuaj më të këqij janë ata që i urreni dhe ju urrejnë, i mallkoni dhe ju mallkojnë.” (Transmeton Muslimi)

Muslimani nuk duhet të jetë indiferent ndaj asaj që ndodh në shoqërinë dhe rrethin ku jeton.

Ai nuk duhet të qëndrojë pasiv ndaj çështjeve që cenojnë fenë dhe besimin e tij, ndaj shtypjes, grabitjes së të drejtave, korrupsionit, shkatërrimit të familjes apo dëmeve morale që i bëhen shoqërisë. Cenimi i tyre prek jetën e çdo personi, ndaj interesimi dhe shqetësimi në raste të tilla është i kërkuar, madje obligim.

I Dërguari ﷺ ka thënë: “Kush prej jush sheh një të keqe, le ta ndryshojë me dorën e tij; nëse nuk mundet, atëherë me gjuhën e tij; e nëse nuk mundet, atëherë me zemrën e tij.” (Transmeton Muslimi)

Qëndrimi pasiv ndaj padrejtësisë nuk është parim islam e as qëndrimi i duhur i një besimtari musliman.

Xherir bin Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur me të!)  tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Nuk veprohen gjynahet në mesin e një populli, dhe ata kanë mundësi t’i ndryshojnë (t’i ndalojnë) e nuk e bëjnë këtë, veçse Allahu do t’i godasë me dënim përpara se të vdesin.” (Transmeton Ebu Daudi, Ibn Maxheh, Ahmedi dhe Ibn Hibbani)

Ndërhyrja e besimtarit për të ndaluar padrejtësinë është e kërkuar në të gjitha rrethanat, qoftë i padrejti mik apo armik i joni, i afërt apo i largët.

Allahu i Lartësuar thotë:

(يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُونُوا قَوَّامِينَ بِالْقِسْطِ شُهَدَاءَ لِلَّهِ وَلَوْ عَلَى أَنْفُسِكُمْ أَوِ الْوَالِدَيْنِ وَالْأَقْرَبِينَ)

“O besimtarë! Bëhuni zbatues të palëkundur të drejtësisë, duke dëshmuar në emër të Allahut, qoftë edhe kundër jush ose kundër prindërve dhe të afërmve tuaj.” (En Nisa, 135)

Dhe thotë gjithashtu:

(يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُونُوا قَوَّامِينَ لِلَّهِ شُهَدَاءَ بِالْقِسْطِ وَلَا يَجْرِمَنَّكُمْ شَنَآنُ قَوْمٍ عَلَى أَلَّا تَعْدِلُوا اعْدِلُوا هُوَ أَقْرَبُ لِلتَّقْوَى وَاتَّقُوا اللَّهَ إِنَّ اللَّهَ خَبِيرٌ بِمَا تَعْمَلُونَ)

“O ju që besuat! Bëhuni plotësisht të vendosur për hir të Allahut, duke dëshmuar të drejtën, dhe të mos u shtyjë urrejtja ndaj një populli e t’i shmangeni drejtësisë; bëhuni të drejtë, sepse ajo është më afër devotshmërisë.” (El En’am, 6)

Enes bin Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të!)  tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Ndihmoje vëllanë tënd, qoftë ai duke bërë padrejtësi (dëmtues) apo i dëmtuar (mbi të cilin po bëhet padrejtësi)!”

Një burrë pyeti: “O i Dërguari i Allahut, e ndihmoj nëse është i dëmtuar, po nëse është  duke bërë padrejtësi, si ta ndihmoj?”

Ai tha: “Ta ndalosh atë nga padrejtësia. Kjo është ndihma ndaj tij.” (Transmeton Buhariu)

Ajo që kërkohet nga muslimani është që të kontribuojë në ndalimin e zullumit që sheh, sipas mundësisë që ka; të shprehë pakënaqësinë dhe zemërimin e tij karshi padrejtësisë dhe cenimit të të drejtave – edhe nëse nuk preket direkt prej saj.

Ai duhet ta ndalojë të keqen me dorën e tij nëse mundet, e nëse nuk mundet me gjuhën e tij, e nëse përsëri nuk mundet, duke e urryer atë me zemrën e tij, gjë që është pika më e dobët e imanit, sikurse ka përmendur Profeti ﷺ.

Mënyra më efikase e ndryshimit të së keqes varet nga rrethanat, dobitë dhe dëmet që mund të sjellë një veprim ose kundërveprim i caktuar.

Njëkohësisht, jo çdo debat publik është gjithmonë i dobishëm; ndonjëherë hyrja në polemika të ashpra, nxitja e urrejtjes ose përhapja e lajmeve të paverifikuara mund ta përkeqësojë gjendjen edhe më shumë.

Prandaj, nuk është e saktë të thuhet se muslimani duhet të izolohet dhe të mos përfshihet në asnjë çështje publike.

Po ashtu, nuk është e saktë të pretendohet se nëse muslimani nuk merr pjesë në një protestë që ngrihet në emër të një kauze të drejtë, ai është bërë palë me të padrejtin, aq më tepër që shpeshherë në protesta ka manipulim dhe shfytëzim nga grupe të ndryshme për interesa të ngushta, si dhe përzierje me ideologji që bien ndesh me Islamin, ose mund të ketë në to në disa raste thirrje kundër fesë.

Gjithashtu, shfaqja e kundërshtimit dhe pakënaqësisë mund të realizohet në forma të ndryshme, si përmes këshillës, edukimit, aktiviteteve shoqërore, ndjekjes së rrugëve ligjore, dialogut, pjesëmarrjes konstruktive në jetën publike, si dhe përmes reformimit gradual të shoqërisë.

Qëndrimi që kërkohet nga muslimani është që të mbështetet e drejta dhe të kundërshtohet padrejtësia, por duke peshuar me kujdes mjetet, pasojat dhe duke mos rënë ndesh me parimet islame.

Dhe Allahu e di më së miri.

Dosje: ,

Loading...