Haxhi dhe disa rregulla në lidhje me të

September 1, 2014

Falënderimi i takon vetëm Allahut. Vetëm Atë falënderojmë, Atij i kërkojmë ndihmë dhe falje të gjynaheve tona. I kërkojmë mbrojtje Allahut prej të keqes së veteve tona dhe punëve tona të këqia. Atë të cilin e udhëzon Allahu nuk ka kush e humb dhe atë të cilin e humbet Allahu, nuk ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një e i pa-shok dhe dëshmoj se Muhamedi – paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të – është rob dhe i Dërguari i Tij.

Kushtet që e bëjnë obligim kryerjen e haxhit

Kushti i parëIslami

Pra, personi i cili do të kryejë haxhin duhet të jetë musliman, ngase jobesimtari nuk e ka detyrë haxhin para pranimit të Islamit, por ai urdhërohet në fillim të pranojë Islamin e pas ngarkohet me detyrat e tij. Argument për këtë është fjala e Allahut të Madhëruar: “O ju që keni besuar! Vërtetë që mushrikët (politeistët, paganët, mohuesit e njësisë së Allahut) janë ‘nexhes’ (të ndyrë), prandaj pas këtij viti, mos i lejoni t’i afrohen xhamisë së shenjtë (Kabës në Mekë). [Et Teube: 28]

Kushti i dytë: Logjika

Ndërsa për të çmendurin nuk është detyrë kryerja e haxhit dhe nuk është i saktë haxhi i tij nëse ai e kryen. Për arsye se për kryerjen e tij duhet nijeti, ndërsa tek i çmenduri nuk ekziston mundësia e pasjes së nijetit. Argument për këtë është fjala e të Dërguarit të Allahut  – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -: “Është ngritur lapsi nga tri persona: Nga ai i cili është në gjumë derisa të zgjohet, nga fëmija derisa të arrijë moshën e pjekurisë dhe nga i çmenduri derisa të kthjellohet “(të vijë në vete) {Sahih, Iruaul galil}

Kushti i tretë: Pjekuria

Argument për këtë është fjala e të Dërguarit të Allahut  – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -: “Është ngritur lapsi nga tri persona:… nga fëmija derisa të arrijë moshën e pjekurisë”

Kushti i katërt: Liria (të jetë njeri i lirë)

Argument për këtë është fjala e të Dërguarit të Allahut  – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -: “… nëse robi e kryen haxhin pastaj i jepet liria e ka detyrë edhe njëherë haxhin.”

Kushti i pestë: Të ketë mundësi për kryerjen e haxhit.

Argument për këtë është Fjala e Allahut të Madhëruar: “Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo.” [Al Imran: 97].

Kushti i gjashtë (i veçantë për gruan): Ekzistenca e shoqëruesit, mahremit (përgjegjësi për të: i cili mund të jetë burri, babai, gjyshi, vëllai apo fëmija i saj të cilët kanë arritur moshën madhore).

Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut  – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Nuk i lejohet një gruaje e cila beson Allahun dhe në Ditën e Fundit, që të udhëtojë në distancën e një ditë-nate, veçse në shoqërinë e një të afërmi të saj (me burrin ose me dikë me të cilin nuk i lejohet martesa). Ndërsa në transmetimin e Buhariut thuhet: “Nuk i lejohet asaj të udhëtojë në distancën e një dite (rrugë) veçse e shoqëruar me një të afërm të saj.”[1]

Kush i plotëson këto kushte e ka detyrë që ta kryejë haxhin menjëherë dhe nuk i lejohet atij ta vonojë, duke u bazuar në hadithin të cilin e transmeton Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy ata!) se ka thënë: I Dërguari i Allahut  – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Nxitoni në bërjen e haxhin, – d.m.th. haxhin që e ka detyrë  -, sepse asnjëri prej jush nuk e di se çfarë mund t’i ndodhë atij” (E ka bërë hasen imam Albani në Irvaul galil 4/168)

Vëlla haxhì!

Nëse dëshiron që haxhi yt të jetë i pranuar, atëherë ai duhet të jetë i ndërtuar mbi dy kushte:

Kushti i parë: Sinqeriteti me Allahun e Madhëruar. Pra, të kesh për qëllim me kryerjen e haxhit Fytyrën e Allahut të Madhëruar, (arritjen e kënaqësisë së Tij) shpërblimin e Tij dhe çfarë Ai të ka premtuar ty prej mirësive në Xhenetin e Tij.

Kushti i dytë: Të jetë haxhi yt ashtu siç e ka kërkuar (ligjëruar) Allahu dhe në përputhje me sunetin e të Dërguarit të Tij  – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -. Pra, të bësh haxh me dije dhe me të gjithë rregullat e përcaktuara për haxh. I Dërguari i Allahut  – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Merrni prej meje ritualin e haxhit.”[2] Pra, marrja e rregullave të haxhit nga i Dërguari i Allahut  – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – dhe kryerja e tij sipas mënyrës që ai e ka kryer.

Nëse bashkon dritën e sinqeritetit me nijetin e pastër, atëherë haxhi yt ka për të qenë i pranuar – me lejen e Allahut –  dhe nuk ke shpërblim tjetër për të përveç Xhenetit.

1. Kur është bërë detyrë haxhi?

Dijetarët kanë rënë në kundërshtim në lidhje me vitin në të cilin është bërë detyrë haxhi. Thuhet është bërë në vitin e pestë (5), thuhet në vitin e gjashtë (6), thuhet në vitin e nëntë (9) e po ashtu thuhet në vitin e dhjetë (10). Porse mendimet më të afërta dhe më të sakta janë dy të fundit, se haxhi është bërë detyrë në vitin e nëntë (9) dhe të dhjetë (10). Allahu e di më së miri! {Lexhnetu ed daimeh vëll. 11}

2. Cili është gjykimi për haxhin?

Haxhi është shtyllë prej shtyllave të Islamit. Kush e mohon dhe e urren atë – pasi i është bërë e qarta e vërteta- ai është jobesimtar, dhe kërkohet prej tij të pendohet, e nëse nuk pendohet vritet. Është detyrë për personin i cili ka mundësi që të shpejtojë në kryerjen e haxhit, duke u bazuar te fjala e Allahut të Madhëruar: “dhe vizita (për haxh) e kësaj Faltoreje është detyrë për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën. E kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd.”[3]{Lexhnetu ed daimeh vëll. 11}

3. A është i saktë haxhi nëse kryhet me pasuri haram?

Nëse pasuria me të cilën kryhet haxhin është haram, haxhi është i saktë ndërsa për personin është detyrë të pendohen nga kjo gjë. {Lexhnetu ed daimeh vëll. 11}

4. A është i saktë haxhi i personin nëse e kryen para martesës?

Haxhi i djaloshit para se të martohet është i saktë, dhe për këtë nuk ka kundërshtim ndërmjet dijetarëve me sa dimë. {Lexhnetu ed daimeh vëll. 11}

5. A është i saktë haxhi i personave që e kryejnë atë me pasurinë e dhënë nga udhëheqësi?

Këtyre personave u lejohet kjo gjë, pra, kryerja e haxhit me pasuri të dhënë nga udhëheqësi, dhe haxhi i tyre është i saktë, duke u bazuar në argumentet e përgjithshme. {Lexhnetu ed daimeh vëll. 11}

6. A i lejohet personit të kryejë umran në fillim para haxhit?
Po, i lejohet personit të bëjë umran para bërjes së haxhit, ngase Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe shokët e tij, kanë bërë umran para se të bënin haxhin. {Lexhnetu ed daimeh vëll. 11}

7. A lejohet kryerja e umras më shumë se një herë në të njëjtin vit?
E sakta në lidhje me këtë është se: lejohet bërja e umras më shumë se një herë në të njëjtin vit. Duke u bazuar në fjalën e Profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) që thotë: “Umra nga umra është fshirje gjynahesh për atë që është në mes tyre. Ndërsa haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër vetëm se Xhenetin.” {Lexhnetu ed daimeh vëll. 11}

8. A lejohet të bëhet ‘telbijeh’ bashkërisht, pra, njëri e thotë para ndërsa të tjerët e pasojnë?

Një gjë e tillë nuk lejohet për shkak se nuk ka argument nga Profeti (Paqja dhe bekimi Allahut qofshin mbi të!) edhe as nga udhëheqësit e tij të drejt-udhëzuar (Allahu qoftë i kënaqur me ta!). Porse një veprim i tillë është bidat. {Lexhnetu ed daimeh vëll. 11}

9. Cili është gjykimi për personin i cili ka mundësi për kryerjen e haxhit porse e vonon atë duke mos pasur asnjë arsye?

Kush ka mundësi ta kryejë haxhin porse nuk e kryen atë dhe e vonon pa pasur ndonjë arsye, ai vetëm se ka vepruar një të munker (vepër të urryer) të madhe si dhe shkelje, prandaj është detyrë që ai të pendohet tek Allahu për këtë vepër dhe të shpejtojë në kryerjen e haxhit. Kjo duke u bazuar në fjalën e Allahut të Lartmadhëruar: “Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo, e kush nuk e beson (dhe nuk e viziton); Allahu nuk është i nevojshëm për (adhurimet që bëjnë) njerëzit.” [Al Imran, 97]

Si dhe në fjalën e Profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ku thotë: : “Feja Islame është ndërtuar mbi pesë  shtylla: Dëshmia se s’ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut e se Muhamedi është i Dërguari Allahut, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i muajit të Ramazanit si dhe kryerja e haxhit në Kabe.” {Mexhmu’u fetava e shejh Ibën Bazit vëll.16}

10. Një person e bëri haxhin, e pas kryerjes së tij ai e la namazin. Pastaj ai u pendua nga ky veprim dhe e filloi përsëri namazin. A është detyrë për të që ta kryejë edhe njëherë haxhin?

Haxhi i tij është i saktë dhe nuk e ka për detyrë të bëj haxh tjetër, ngase veprat e mira fshihen nëse personi vdes në kufër. {Mexhmu’u fetava e shejh Ibën Bazit vëll.16}

11. A është babai i burrit ‘mahrem’ (kujdestar) për gruan e tij (djalit) për kryerjen e umras?

Babai i burrit është mahrem për gruan e birit të tij si në haxh ashtu edhe në gjëra të tjera. {Mexhmu’u fetaua e shejh Ibën Bazit vëll.16}

12. A lejohet që unë të paguaj një person – i cili e ka kryer haxhin – ta kryejë haxhin për babain tim, ngase unë nuk e kam kryer atë (haxhin)? Dhe a më lejohet mua që ta kryej haxhin në të njëjtin vit kur personi do ta kryejë atë për babain tim?

Nuk ka asgjë për ty që të paguash ndonjë person ta kryejë haxhin për babain tënd. Ndërsa ty nuk të takon që ta kryesh haxhin për babain tënd, ngase ti nuk e ke kryer haxhin për vete, vetëm nëse ti e kryen në fillim haxhin për vete. Si dhe nuk përbën asnjë lloj problemi që personi të kryejë haxhin për babain tënd – nëse ai e ka kryer për vete – po në të njëjtin vit kur do ta kryesh edhe ti. {Mexhmu’u fetava e shejh Ibën Bazit vëll.16}

13. Kur e vesh haxhiu ihramin për kryerjen e haxhit ditën e teruijes dhe nga cili vend?

Haxhiu e vesh ihramin e tij ditën e teruijes, dhe ajo është dita e tetë (8) e dhul-hixhes, nga vendi ku ai është vendosur. Ai e vesh ihramin në kohën e duhasë (paradites) e më pas niset për në Mina dhe falë drekën dhe ikindinë, akshamin, jacinë si dhe sabahun. {Mexhmu’u Fetava ve Rasail, Ibën Uthejmini vëll. 23}

14. A e ka për detyrë muhrimi që ditën e teruijes të bëjë tavaf rreth Kabes apo që ta veshë ihramin në Kabe?

Nuk e ka për detyrë që të bëjë tauaf rreth Kabes as ta veshë ihramin. Për shkak se sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) – të cilët e kryen umran bashkë me Profetin  – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -, e veshën ihramin te vendi ku ishin dhe nuk i urdhëroi Profeti  – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – që të shkonin në Kabe e ta vishnin ihramin atje, apo që të bënin tauaf para se të vishnin ihramin. {Mexhmu’u Fetava ve Rasail, Ibën Uthejmini vëll. 23}

15. Ditën e teruijes (dita e tetë e dhul-hixhes) i fala farzet nga katër rekate dhe akshamin tre rekate. Porse njëri nga vëllezërit më bëri me dije se duhet patjetër që ta shkurtoj namazin. Cili është gjykimi në lidhje me këtë? Si dhe cili është gjykimi i qëndrimit në Mina natën e Arafatit?

Namazi yt është i saktë, porse suneti për udhëtarin është që ta shkurtojë namazin katër rekate në dy rekate. Por edhe nëse ai e plotëson namazin e tij, namazi i tij nuk është i pasaktë…Ndërsa qëndrimi në Mina natën e Arafatit është sunet dhe nuk është detyrë. {Mexhmu’u Fetava ve Rasail, Ibën Uthejmini vëll. 23}

16. Cili është gjykimi në lidhje me qëndrimin e haxhiut në ‘Nemirah’ para se ai të hyjë në Arafat?

Për sa i përket qëndrimit të haxhiut në ‘Nemirah’, dijetarët janë në kundërshtim në lidhje me këtë. A është ky sunet apo  është qëndrim për tu çlodhur? Ky veprim është sunet, nëse të lehtësohet kjo gjë, e nëse jo nuk ka asnjë problem për haxhiun nëse nuk vendoset në ‘Nemirah’. {Mexhmu’u Fetava ve Rasail, Ibën Uthejmini vëll. 23}

17. Nëse personi mbërrin në Meke ditën e Arafatit pas darke, a është më mirë për të që të shkojë në Kabe dhe të bëjë tauafin e mbërritjes ‘kudum’, të kryej ‘sa’jin’ e haxhit (ecjen mes kodrës ‘Safa’ dhe ‘Merua’ në afërsi të Qabes), e më pas të dalë e të niset për në Arafat? Apo është më mirë që ai të shkojë menjëherë për në Arafat?

Më e mira është që ai të shkojë menjëherë në Arafat, sepse kjo ditë është dita e Arafatit dhe nuk është dita për kryerjen e tauafit. {Mexhmu’u Fetava ve Rasail, Ibën Uthejmini vëll. 23}

18. Personi i cili shkon në Arafat pas perëndimit të diellit, a llogaritet se e ka arritur haxhin?

Po, derisa ai vjen para lindjes së agimit së ditës së festës. {Mexhmu’u Fetava ve Rasail, Ibën Uthejmini vëll. 23}

19. Cili është suneti për sa i përket haxhiut në lidhje me namazin e drekës dhe të ikindisë ditën e Arafatit.

Është sunet për haxhiun në ditën e Arafatit, që namazin e drekës dhe të ikindisë ta shkurtojë dhe ta bashkojë bashkim takdim (t’i falë në kohën e drekës). {Mexhmu’u Fetava ve Rasail, Ibën Uthejmini vëll. 23}

20. Dikush prej haxhinjve vdiq pas qëndrimit në Arafat. A duhet që për këtë person të plotësohet haxhi apo duhet që të kryhet haxhi për të dhe njëherë tjetër nga e para?

Nuk duhet që të bëhet haxhi për të, sepse ky e bërë atë që kishte për detyrë. {Mexhmu’u Fetava ve Rasail, Ibën Uthejmini vëll. 23}

21. Cili është gjykimi në lidhje me emërtimin e malit të Arafatit me emrin ‘mali i mëshirës’? A ka bazë ky emërtim ?
Nuk di që për këtë emërtim të ketë bazë në sunet, pra, që mali që ndodhet në Arafat dhe në të cilin ka qëndruar Profeti  – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -, të quhet mali i mëshirës. E nëse për këtë (emërtim) nuk ka aspak bazë në sunet, atëherë nuk duhet të emërtohet me këtë emër. {Mexhmu’u Fetava ve Rasail, Ibën Uthejmini vëll. 23}

22. Cili është gjykimi i vizitës së malit të Arafatit para dhe pas haxhit? Si dhe cili është gjykimi i faljes së namazit në të?
Gjykimi i kësaj (vepre) – ashtu siç edhe e dini rregullin e sheriatit – është se: “Çdo gjë me anë të së cilës adhurohet Allahu, dhe ajo nuk është e ligjëruar prej Tij, atëherë ajo është bidat.” Dhe nga kjo përfitohet se: synimi i  këtij mali për faljen e namazit në të apo tek ai, si dhe kërkimi i bereqetit nga ai, e gjëra të tjera të ngjashme me këto – të cilat i veprojnë shumica e njerëzve – janë bidat (shtesa në fe) dhe këto vepra janë të urryera. Atij personit i thuhet: ‘Ky mal nuk ka asnjë gjë të veçantë, vetëm se është prej sunetit qëndrimi në të ditën e Arafatit tek gurët, ashtu siç ka qëndruar Profeti  – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. {Mexhmu’u Fetava ve Rasail, Ibën Uthejmini vëll. 23}

23. Qëndruam larg nga kufiri i Muzdelifes përafërsisht 400 metra dhe nuk e dinim dhe këtë gjë e vumë re vetëm në mëngjes. Si është gjykimi për ne?
Për ju është detyrë ‘fidjeh’, dhe ky është mendimi i dijetarëve. Pra, të therni dele dhe ta shpërndani mishin e saj për të varfërit e Mekes, për shkak se ju keni lënë mangët një detyrë prej detyrave të haxhit. {Mexhmu’u Fetava ve Rasail, Ibën Uthejmini vëll. 23}

24. A është e ligjëruar për haxhiun që ta kalojë natën e festës duke lexuar Kuran dhe me përmendje të Allahut?

Prej sunetit është që duhet fjetur. Në “Sahihun” e Muslimit prej hadithit të Xhabirit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se Profeti  – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – kur arriti në Muzdelifeh, fali në të akshamin dhe jacinë me një ezan të vetëm e me dy ikamete si dhe nuk bëri dhikër (tesbihët etj) ndërmjet tyre dy namazeve. E më pas u shtri dhe fjeti derisa lindi agimi.{Mexhmu’u Fetava ve Rasail, Ibën Uthejmini vëll. 23}

25. Cili është gjykimi për atë person i cili nuk qëndron në Muzdelifeh?

Ai i cili nuk qëndron në Muzdelifeh ka kundërshtuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij, duke u bazuar në Fjalën e Tij: “E kur të ktheheni nga Arafati, përmendni Allahun në vendet e shenjta!”

“El Mesharul Haram” (tek ajeti) është për qëllim: Muzdelifeja…Për personin (që nuk qëndron në Muzdelifeh), dijetarët thonë, se është detyrë ‘fidjeh’ (kompensimi) dmth të therë kurban në Meke dhe mishin e tij tua shpërndajë të varfërve. {Mexhmu’u Fetava ve Rasail, Ibën Uthejmini vëll. 23}

26. A i lejohet gruas të caktojë ndokënd që të gjuajë guralecët në vend të saj, sidomos kur ka shumë njerëz?

Nuk i lejohet gruas dhe askujt tjetër që të caktojë ndokënd që të gjuajë guralecët për të, sepse gjuatja e guralecave është prej punëve të haxhit…Ndërsa për sa i përket ngjeshjes kjo nuk është arsye. {Mexhmu’u Fetava ve Rasail, Ibën Uthejmini vëll. 23}

27. Pasi gjuajta guralecët e rruajta kokën e më pas shkova tek vendi i pushimit në Mina, e më pas thera kurbanin. Por disa njerëz më thanë: Nuk lejohet rruajtja e kokës para se të therësh. A është e saktë kjo fjalë?

Rruajtja e kokës para therjes nuk ka asgjë dhe nuk përbën problem. Dhe për ty nuk është detyrë asgjë, sepse Profeti  – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – është pyetur për këtë gjë dhe tha: “Nuk ka problem.” Haxhiu ditën e festës vepron si më poshtë: Gjuan guralecët, ther kurbanin, rruan kokën e më pas bën tauafin dhe sa’jin …E nëse disa nga këto i bën para disave, kjo nuk ka asnjë problem. {Mexhmu’u Fetava ve Rasail, Ibën Uthejmini vëll. 23}

28. Cili është gjykimi për personin i cili kryen marrëdhënie me gruan e tij duke qenë në haxh ditën e festës?

Nëse personi kryen marrëdhënie intime me gruan e tij në haxh ditën e festës, duke qenë se ai e ka kryer gjuajtjen e guralecëve, rruajtjen e kokës, bërjen e tauafit si dhe bërjen e sa’jit, nëse ai i ka bërë këto të katërta, i lejohet atij t’i afrohet gruas së tij. {Mexhmu’u Fetava ve Rasail, Ibën Uthejmini vëll. 23}

29. Një person ditën e festës bëri sa’jin por jo tauafin, dhe e shtyu bërjen e tauafit për në ditën e 13 duke u argumentuar me fjalën e Profetit  – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -: “Bëje se nuk ka problem.” A është ky veprim i tij i saktë?

Veprimi i tij është i saktë, sepse kur Profeti  – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – u pyet dhe personi i tha atij “E bëra sa’jin para se të bëja tauafin” (Profeti) tha: “Nuk ka problem.” {Mexhmu’u Fetava ve Rasail, Ibën Uthejmini vëll. 23}

30. Gruas i erdhën menstruacionet dhe nuk e bëri ‘tauaful ifadah’ ajo nuk mundet që të qëndrojë në Meke. A i lejohet asaj që të kthehet për në vendin e saj, dhe ai është jashtë ‘el mevakit’ (vendet e përcaktuara për veshjen e ihramit), dhe kur të pastrohet të kthehet përsëri në Meke që të kryejë ‘tauaful ifadah’?

Nëse gruaja është me menstruacione dhe nuk mundet që të rrijë e të presë derisa të pastrohet në Meke, atëherë nuk ka problem që ajo të shkojë në vendin e saj dhe pasi të pastrohet të kthehet. Porse gjatë kësaj kohe, duke qenë ajo në këtë gjendje, nuk i lejohet  burri t’i afrohet asaj, nëse ajo është e martuar. Kjo për faktin se ajo nuk ka dalë nga lejimi i dytë.{Mexhmu’u Fetaua ue rasail, Ibën Uthejmini vëll. 23}

31. A është sunet pirja e ujit të zemzemit pas mbarimit të tauafit?

Vërtetohet se i Dërguari i Allahut  – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – pasi kreu tauafin el ifadah ditën e festës piu nga uji i zemzemit[6]. Duke u nisur nga kjo, disa prej dijetarëve janë të mendimit se është e pëlqyeshme të pish nga uji i zemzemit pas mbarimit të tauafit el ifadah. {Mexhmu’u Fetava ve Rasail, Ibën Uthejmini vëll. 23}

32. Cili është gjykimi për marrjen e ujit të zemzemit me vete jashtë Mekes?

Përsa i përket marrjes së ujit të zemzemit Tirmidhiu transmeton nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se ajo merrte nga uji i zemzemit. Po ashtu na lajmëron se Profeti  – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të –  merrte me vete nga ky ujë. Për më shumë shih fq. 572, vëll. 2 prej haditheve të sakta të Albanit. {Mexhmu’u Fetaua ue Rasail, Ibën Uthejmini vëll. 23}

Mblodhi dhe përktheu: Unejs Sheme

 

Dosje:

Loading...