Disa adhurime dhe rregulla të veçanta të këtij 10 ditëshi

Në fjalët e lartpërmendura të Profetit (alejhi selam) ka një vlerësim të përgjithshëm të punëve të mira dhe rëndësisë së tyre në këtë dhjetë ditësh, mirëpo disa punë të mira janë më të veçanta. Prej tyre janë veçuar:

1- Tekbiri (fjala ALLAHU EKBER), tehlili (fjala LA ILAHE IL-LALLAH) dhe tahmidi (fjala EL-HAMDULILAH).
Ibn Umeri (radiallahu anhu) tregon se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Nuk ka ndonjë ditë më të madhe te Allahu dhe as punët e mira të jenë më të dashura për të sesa këto dhjetë ditë. Prandaj shpeshtojeni në to tehlilin, tekbrin dhe tahmidin.” E transmeton Imam Ahmedi.
Hadithi i Ibn i Umerit nuk është edhe aq i saktë por e përforcon atë puna e disa sahabëve dhe tabiinëve.
Imam Buhariu thotë: “Ibn Umeri dhe Ebu Hurejra (radiallahu anhuma) dilnin në treg në këto dhjetë ditë dhe bënin tekbire dhe njerëzit përcillnin tekbirin e tyre.”
Jezid bin Ebu Jezid thotë: “Kam parë Said bin Xhubeirin, Abdurrahman bin Ebu Lejla, Muxhahidin dhe të tjerë prej fukahave duke thënë në këto dhjetë ditë: ALLAUHU EKBER, ALLAHU EKBER, LA ILAHE IL-LALLAH, ALLAHU EKBER, ALLAHU EKBER, UE LILAHIL-HAMD.” E transmeton El-Firaberi.
Këto tekbire bëhen akoma më të forta kur të vijnë dy ditët e fundit, e nënta dhe e dhjeta, sepse ato janë edhe pjesë e festës siç tregon Ukbe bin Amir se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Dita e Arafatit, dita e kurbanit dhe tre ditët e teshrikut (janë quajtur kështu se në kohet e hershme në këto ditë thanin në diell mishin e kurbanit) janë festat tona, për ne pasuesit e islamit.” E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson shejh Albani.

2- Agjërimi i këtij dhjetëditëshi me përjashtim të ditës së dhjetë që është dita e kurbanit.
Disa prej grave të Profetit (alejhi selam) kanë thënë: “Profeti (alejhi selam) agjëronte nëntë ditët e Dhul-hixhes, ditën e Ashures, tre ditë në çdo muaj, të hënën e parë të çdo muaji dhe të enjten.” E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheih Albani.
Ky agjërim bëhet akoma më i fortë për ata që nuk janë në haxh kur vjen dita e Arafatit, siç tregon Ebu Katade El-Ensari (radiallahu anhu) se profeti (alejhi selam) është pyetur për agjërimin e ditës së Arafatit dhe ka thënë: “Ai fshin gjynahet e vitit të kaluar dhe të ardhshëm.” E transmeton Muslimi.
Agjërimin e këtyre dhjetë ditëve me përjashtim të ditës së nëntë ditës së Arafatit e ka pas mohuar Aisha (radiallahu anha) duke thënë: “Nuk e kam parë kurrë të dërguarin e Allahut agjërueshëm në dhjetë-ditëshin e Dhul-hixhes.” E transmeton Muslimi.
Komentuesit e haditheve thonë se hadithi i Aishes nuk e hedh poshtë hadithin tjetër për njërën nga këto tre arsye:
E para: Hadithi i Aishes e mohon kurse hadithi tjetër e pohon, dhe pohuesi është argument për mohuesin.
Imam Bejhakiu thotë: “Ai që pohon ka më shumë përparësi se ai që e mohon duke qenë se përkrahet nga hadithi i Ibn Abasit”. Me fjalën e tij [hadithi i Ibn Abasit] ka për qëllim hadithin: “Puna e mirë nuk është më me vlerë në ndonjë ditë sesa në këto ditë.”
E dyta: Hadithi i Aishes (radiallahu anha) mohon vetëm agjërimin e të gjithë ditëve dhe nuk mohon agjërimin e disa ditëve.
Imam Neveviu thotë: “Dijetarët e interpretojnë këtë hadith duke thënë: Fakti se ajo nuk e ka parë nuk do të thotë patjetër se ai nuk ka agjëruar, sepse Profeti -alejhi selam- qëndronte te ajo një ditë nga nëntë ditët dhe të tjerat te nënat e tjera të besimtarëve. Ose ndoshta ai agjëronte nganjëherë disa prej tyre dhe nganjëherë të gjitha, dhe nganjëherë linte disa prej tyre për shkak të ndonjë udhëtimi apo sëmundje, dhe kështu bashkohet mes haditheve.”
E treta: Profeti (alejhi selam) e linte nganjëherë punën nga frika se mos bëhet detyrim, siç tregon vetë Aisha në një hadith tjetër: “Profeti (alejhi selam) e linte punën edhe pse donte ta bënte, nga frika se mos do e bëjnë njerëzit dhe më pas t’ju bëhej detyrë.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

3- Kurbani ditën e dhjetë, ditën e fundit të këtij dhjetëditëshi.
Kurbanet për Allahun janë një formë tjetër e adhurimit të tij dhe shpeshherë janë përmendur me namazin, si në ajetin: “Falu për hir të Zotit dhe bëj kurban.” Suratu El-Keuther: 3.

Kur vjen dita e dhjetë e Dhul-Hixhes ka akoma më shumë vlerë sepse ka një domethënie tjetër veç faktit se ato ditë janë formë adhurimi, dhe ajo është; ndjekja e gjurmëve të profetit Ibrahim -alejhi selam- si simbol i adhurimit të Allahut Një dhe sakrificës për të.
Profeti (alejhi selam) thoshte: “O ju njerëz, për çdo familje në çdo vit duhet një kurban.” E transmeton Ebu Daudi, Tirmidhiu, Ibn Maxhe dhe e saktëson sheih Albani.
Gjithashtu, është transmetuar se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Kush ka pasuri dhe nuk bën kurban, të mos i afrohet vendit të faljes së Bajramit.” E transmeton Ahmedi, Ibn Maxhe, Hakimi, dhe e saktëson sheih Albani.
Shumë dijetarë mendojnë se kurbani i Bajramit është detyrë për atë që ka mundësi dhe kjo është më e sakta, sepse hadithet vijnë në formën urdhërore.

4- Haxhi (vizita e shtëpisë së Allahut) për atë që ka mundësi.
Haxhi është puna më e mirë që mund të kryejë njeriu në këto dhjetë ditë, sepse vlera e tyre ka ardhur pikërisht nga haxhi.
Ibn Abasi -radiallahu anhu- tregon: “Ka ligjëruar një herë Profeti -alejhi selam- dhe na ka thënë: O njerëz! Allahu ua ka bërë detyrë haxhin prandaj bëni haxh! Një burrë pyeti: Në çdo vit o i dërguar i Allahut? Profeti -alejhi selam- heshti dhe burri e përsëriti pyetjen tre herë. Atëherë Profeti -alejhi selam- i tha: Sikur të thoja ‘po’ do të bëhej detyrë. E nëse do të bëhej detyrë dhe nuk do ta bënit, e nëse nuk e bëni do të dënoheshit. Ai është detyrë një herë, dhe nëse shton është punë vullnetare.” E transmeton Muslimi, Ebu Daudi, Ibn Maxhe, Nesai etj.
Fjala e tij [sikur të thoja ‘po’ do të bëhej detyrë] tregon se përgjigja mund të ishte edhe me “Po”. Por ajo që e ka detyruar Profetin -alejhi selam- të thotë “Jo” është fakti që të mos rëndonte kjo gjë mbi umetin e tij. Ky hadith tregon se për mirësinë e përsëritjes së haxhit, aq më tepër kur kjo gjë është saktësuar edhe në hadithe të tjera si hadithi i Abdullah bin Mesudit -radiallahu anhu- i cili tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Pasojeni haxhin me umre dhe umren me haxh, sepse ato të dyja i fshijnë varfërinë dhe gjynahet siç fshin farka pisllëkun e hekurit, floririt dhe sermit. Haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër veç Xhenetit.” E transmeton Nesai, Tirmidhiu, Ibn Maxhe dhe e saktëson sheih Albani.
Kjo punë duhej të ishte përmendur e para por e vonuam sepse haxhi është punë që kërkon mundësi të mëdha shëndetësore dhe financiare, dhe ato mund të mos jenë të mundshme për të gjithë njerëzit. Madje shpeshherë edhe nëse është njëra nuk është tjetra dhe kështu nuk realizohet haxhi. Për të gjithë ata që kanë mundësi ta kryejnë këtë ibadet Profeti -alejhi selam- ka përmendur një kufi që nuk është mirë të kalohet, dhe thotë: “Allahu i Madhëruar thotë: Ai rob të cilit i kam dhënë shëndet në trupin e tij dhe ia kam lehtësuar jetesën, pastaj i kalojnë pesë vjet dhe nuk vjen tek Unë si vizitor, atij i është penguar mirësia.” E transmeton Ebu Jala, Taberanij, Bejhakiu, dhe e saktëson sheih Albani.

Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli