Tekbiri i Përgjithshëm dhe Tekbiri i Kufizuar

June 5, 2025

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve! Paqja dhe bekimi qofshin mbi Profetin tonë Muhamed, mbi familjen dhe shokët e tij!

*Tekbiri i përgjithshëm (el Mutlak): është tekbiri që thuhet në çdo kohë gjatë dhjetë ditëve të Dhul Hixhes dhe nuk është i kushtëzuar me përfundimin e namazeve farz.

Kjo bazohet në transmetimin nga Ibn Umeri dhe Ebu Hurejra, (Allahu qoftë i kënaqur me ta), të cilët dilnin në treg gjatë këtyre dhjetë ditëve dhe bënin tekbir, duke mos shkuar atje për asnjë qëllim tjetër përveç këtij, dhe njerëzit i pasonin me tekbiret e tyre.

(E ka transmetuar Fakihi në “Ahbar Meke” dhe El Mervezi në “El Idejn”; zinxhiri i transmetimit është i mirë).

*Ndërsa tekbiri i kufizuar (el Mukajjed): është tekbiri që thuhet pas namazeve farz.

Koha e tij fillon nga sabahu i ditës së Arafatit dhe zgjat deri në ikindinë e ditës së fundit të Teshrikut (dita e tretë pas ditës së Bajramit).

Argument për këtë janë:

  1. Transmetimi nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ai bënte tekbir nga sabahu i ditës së Arafatit deri në ikindinë e ditës së fundit të Teshrikut (përfshirë edhe pas namazit të ikindisë).

(E transmeton Ahmedi, Ibn Mundhiri dhe Mehamili; hadithi është i pranueshëm – hasen li gajrihi).

Imam Ahmedi ka thënë: Ky është tekbiri i Aliut dhe ne punojmë me të.” (Mesail Abdullah, 2/432)

  1. Transmetohet nga Ibn Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ai bënte tekbir nga mëngjesi i ditës së Arafatit deri në ditën e fundit të Teshrikut, me përjashtim të namazit të akshamit. (E transmeton Ibn Ebi Shejbe, Ibn Mundhiri dhe Mehamili; zinxhiri i tij është i saktë – sahih).
  2. Transmetohet nga Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të)se ai bënte tekbir në Mina pas namazeve në çadrën e tij, si dhe gjatë ecjes. (E transmeton Ibn Mundhiri dhe Fakihi; zinxhiri i tij është i saktë – sahih li gajrihi).

📌 Vërejtje të Rëndësishme:

1️⃣ Për johaxhilerët: Tekbiri i kufizuar fillon nga sabahu i ditës së Arafatit deri në ikindinë e ditës së fundit të Teshrikut, siç përmendet në transmetimin nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të).

2️⃣ Për haxhilerët: Tekbiri i kufizuar fillon nga dreka e ditës së Kurban Bajramit deri në ikindinë e ditës së fundit të Teshrikut.

3️⃣ Bashkimi i tekbirit dhe telbijes për atë  që  kryen haxhin: Haxhiu mund të bashkojë tekbirin dhe telbijen në ditën e Arafatit.

Transmetohet nga Muhamed ibn Ebu Bekri se ai e pyeti Enes ibn Malikun: “Si vepronit në këtë ditë me të Dërguarin e Allahut ﷺ?” Enesi u përgjigj: “Disa prej nesh bënin telbije dhe askush nuk i kundërshtonte, ndërsa disa të tjerë bënin tekbir dhe askush nuk i kundërshtonte.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi).

4️⃣ Renditja: Tekbiri i kushtëzuar që thuhet pas namazeve farz, a thuhet para istigfarit (Estagfirullah … Allahumme Entes Selam …) apo pas tij?

Dijetarët që mendojnë se tekbiri bëhet menjëherë pas selamit thonë: Është transmetuar nga sahabët se ata bënin tekbir menjëherë pas namazit, pa ndonjë ndarje në mes. Po të kishte ndarje, kjo do të ishte transmetuar.

Si edhe për shkak se tekbiri është simboli i veçantë i këtyre ditëve,ndaj ai ka përparësi, dhe thuhet para istigfarit.

Disa dijetarë të tjerë mendojnë se istigfari duhet të vijë para tekbirit, duke u bazuar në hadithin e Theubanit (Allahu qoftë i kënaqur me të): “I Dërguari i Allahut ﷺ, kur përfundonte namazin, kërkonte falje (bënte istigfar) tri herë…” (Transmeton Muslimi)

Mendimi i parë konsiderohet më parësor për shkak të veçantësisë dhe specifikës që ka tekbiri në këto ditë, dhe Allahu e di më së miri!

Përgatiti: Prof. Dr. Abdulbari bin Hamad el Ansari

Përktheu: Dr. Fatmir Strumi

Dosje:

Loading...