Metodologjia e adhuruesve dhe sqarimi i rregullave të fesë (5)

March 21, 2015

Kujt i ikën namazi e ka detyrë ta fal atë menjëherë dhe sipas rradhës. Nëse harron rradhitjen, apo nga mosdija,[3] apo nga frika e daljes së kohës së namazit, bie rradhitja mes tij dhe namazit aktual.[4]

Po ashtu prej kushteve të tij është: Mbulimi i auretit[5] me rrobe të lejuar[6] e cila nuk është e tejdukshme dhe përshkruese e auretit.[7] Aureti është tre llojesh:

1. Mugaledhah. Ai është aureti i gruas së lirë dhe të rritur. I gjithë trupi i saj është auret në namaz përveç fytyrës së saj.[8]

2. Mukhafefeh. Ai është aureti i fëmijës 7-10 vjeç. Në të bën futen pjesët e turpshme (organi gjenital dhe pjesa mbrapa).

3. Muteuesitah. Ai është aureti që përfshinë, përveç atyre që u përmendën më sipër, kërthizën deri të gjunjtë. Allahu i Madhëruar thotë: “O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz”.

Prej kushteve të namazit është dhe: Drejtimi kah Kibla.[9] Allahu i Madhëruar thotë:

وَمِنْ حَيْثُ خَرَجْتَ فَوَلِّ وَجْهَكَ شَطْرَ الْمَسْجِدِ الْحَرَامِ

Ngado që të dalësh, ktheje fytyrën nga Xhamia e Shenjtë (Kabja)”. El Bekare, 149

Nëse personi nuk e ka të mundur të drejtohet kah Kibla për shkak të sëmundjes apo diçka tjetër, ai shkarkohet nga kjo gjë[10] ashtu siç bien të gjitha obligimet kur nuk është mundësia e kryerjes së tyre. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe frikësojuni Allahut aq sa të mundeni”.

Dhe

وَكَانَ النَّبِيُّ يُصّلِّي فِي السَّفَر النافلةَ على راحلته حيث توجهت به

Profeti falte namaz nafile (vullnetar) kur ishte në udhëtim mbi kafshën e tij dhe kthehej ngado që ajo të drejtohej”. Mutefekun alejhi.[11]

Në një transmetim tjetër: “Ai nuk i ka falur namazet e obliguara mbi kafshë”.[12]

Prej kushteve të namazit është dhe: Qëllimi.[13]

Namazi është i saktë në çdo vend përveç vendeve të pista, apo në tokën (apo me rrobet) e marrë padrejtësisht,[14] apo në varreza, apo në banjo,[15] apo në vathën e deveve.[16] Transmetohet në “Sunenu” Et Tirmidhi merfuan:

الأرض كلها مسجد إلا المقبرة والحمام

E gjithë Toka është xhami, përveç varrezave dhe banjove”. [17]

Tema: Forma e namazit

Pëlqehet që personi të shkoj me qetësi dhe me sjellje të mirë për faljen e namazit. Kur të futet në xhami të thotë:

بِاسْمِ اَللَّهِ, وَالصَّلَاةُ وَالسَّلَامُ عَلَى رَسُولِ اَللَّهِ, اَللَّهُمَّ اِغْفِرْ لِي ذُنُوبِي وَافْتَحْ لِي أَبْوَابَ رَحْمَتِكَ

Bismil-lah ues salatu ues selam ala rasulilah. Allahumme gfirli dhunubi ue ftahli ebuabe rahmetike”[18]

Futet në xhami me këmbën e djathtë dhe del prej saj me këmbën e majtë duke thënë lutjen e lartpërmendur[19] dhe thotë:

وَافْتَحْ لِي أَبُوَابَ فَضْلِكَ

Ue ftahli ebuabe fadlike – e m’i hap mua dyert e mirësisë Tënde”.

Kur të ngrihet për faljen e namazit, thotë: “Allahu Ekber”[20] dhe i ngre duart e tij deri në lartësinë e supeve apo deri në lartësinë e të butave të veshëve,[21] e kjo në katër vende:

1. Në tekbrin fillestar.

2. Kur shkon në ruku.

3. Kur ngrihesh nga rukuja.

4. Kur ngrihesh nga teshehudi i parë. Siç saktësohet në lidhje me to hadithet e transmetuar nga Profeti .[22]

Dhe e vendos dorën e tij të djathtë mbi dorën e majtë[23] sipër kërthizës, ose poshtë saj,[24] ose mbi gjoksin e tij dhe thotë:

سُبْحَانَكَ اَللَّهُمَّ وَبِحَمْدِكَ, وَتَبَارَكَ اِسْمُكَ, وَتَعَالَى جَدُّكَ, وَلَا إِلَهَ غَيْرُكَ

Subhaneke Allahumme ue bihamdik, ue tebarakesmuk, ue teala xheduk, ue la ilahe gajruk – I patëmeta je o Allah dhe i Lavdëruar, i begatë është emri Yt dhe e lartë është madhështia Jote dhe pushteti Yt dhe nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Teje”.

Ose dua të tjera të cilat transmetohen nga Profeti ﷺ. Pastaj të thotë: “Eudhu bil lahi minesh shejtanirr rraxhim[25] e pastaj “Bismil-lahi rrahmanirr rrahim” dhe lexon suren “El Fatiha”.[26] E bashkë me të lexon në dy rekatet e parë të namazit me katër rekate dhe tre rekate një sure.[27] Në namazin e sabahut[28] të jetë prej sureve të gjata el mufassali,[29]në namazin e akshamit të jenë sure të shkurtra (kisarul mufassali)[30] dhe në namazet e tjera të jenë prej sureve mesatare. Leximi bëhet me zë në namazet e natës (sabahu, dy rekatet e para të akshamit dhe dy rekatet e para të jacisë) dhe pa zë në namazet e ditës (dreka dhe ikindia). Përveç namazit të xhumasë, namazit të festave (fitër dhe kurban bajramit), namazit të eklipsit dhe namazit për kërkimin e shiut, në këto namaze lexohet me zë.

Pastaj merr tekbir duke thënë “Allahu Ekber[31] për shkuarjen në ruku dhe i vendos duart mbi kupat e gjurit ndërsa kokën e tij e mban në një drejtim me shpinën[32] dhe thotë:

سُبْحَانَ رَبِّيَ اَلْعَظِيمِ

Subhane rabijel adhim – I Lartësuar dhe pa të meta është Zoti im i Madhëruar” duke e përsëritur këtë.[33]

Nëse thotë në ruku dhe në sexhden e tij:[34]

سبحانك اللهم ربنا وبحمدك اللهم اغفر لي

Subhaneke Allahumme rabbena ue bihamdik, Allahumme igfirli – që do të thotë: Larg të metave je Ti O Zoti dhe Krijuesi ynë. Ty të takon falenderimi. O Zoti im, më fal mua[35] është akoma më mirë. Mutefekun alejhi.

Pastaj e ngre kokën e tij (ngrihet prej rukusë) duke thënë:

سَمِعَ اللهُ لِمَنْ حَمِدَهُ

SemiAllahu limen hamideh – Allahu e dëgjon atë që e fëalënderon atë[36] kur është imam dhe kur falet vetëm.

Dhe secili prej tyre[37] thotë:[38]

رَبَّنَا وَلَكَ اَلْحَمْدُ حَمْدًا كَثِيرًا طَيِّبًا مُبَارَكًا فِيهِ, مِلْءَ اَلسَّمَاءِ, وَمِلْءَ اَلْأَرْضِ, وَمِلْءَ مَا شِئْتَ مِنْ شَيْءٍ بَعْدُ

Rabena ue lekel hamdu Hamden kethiran tajjiben mubaraken fih, mil’es semavati ue mil’el ardi ue mil’e ma shi’te min shej’in bead”.

Menhexhus Salikin ue teudihul fikhi fid din

Shejh Abdurrahman es Sadij

Përktheu: Unejs Sheme

Fusnotat:

[3] Nëse njeriu nga mosdija fillon me namazin e ikindisë para namazit të drekës e pastaj me namazin e akshamit në këtë rast nuk ka gjë për të për shkak të mosdijes së tij.

[4] Si rasti personi që kujton se ka namaz pa falur dhe ka mbetur pak kohë nga lindja e diellit sa për të falur namazin e sabahut, ai fillon me faljen e namazit të momentit që është namazi i sabahut.

[5] Ibën Abdulberr (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Dijetarët janë të një mendimi se namazi i personit që falet lakuriq duke pasur mundësi të mbulohet është i prishur”.

[6] Me kusht që që rroba e cila mbulon auretin të jetë e lejuar dhe jo haram. Disa dijetarë janë të mendimit se namazi i falur me rrobe të ndaluar është i saktë, por ai është mëkatar. Kjo është dhe fjala më e saktë.

[7] Prej kushte që autori nuk e ka përmendur është që “rrobet të jenë të pastërta”. Nëse ato janë të papastërta, namazi i falur me to nuk saktësohet.

[8] Është detyrë për gruan që t’i mbulojë flokët e saj kur falet.

[9] Ebu Hurejra radijAllahu anhu transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur të ngrihesh për t’u falur, plotësoje mirë abdesin, pastaj kthehu në drejtim të Kibles dhe thuaj tekbirin “Allahu Ekber”.” Mutefekun alejhi.

[10] Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) thotë: Shkarkohet nga të drejtuarit kah Kibla personi që nuk ka mundësi siç është i sëmuri, ai që ndodhet në anije, apo makinë e në aeroplan. “Sifetus Salah

[11] Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) thotë: Gjithashtu shkarkohet nga të drejtuarit kah Kibla dhe personi që fal namaz vullnetar apo namazin e vitrit duke qenë hipur mbi kafshë apo mbi ndonjë mjet tjetër udhëtimi. Në këtë rast është e preferuar për personin nëse ka mundësi të drejtohet kah Kibla në momentin kur merr tekbirin fillestar dhe më pas nuk ka problem nëse drejtohet andej nga e drejton kafsha e udhëtimit. “Sifetus Salah

[12] Buhariu (955), (1047) dhe Muslimi (700) dhe teksti i hadithit është i tij.

[13] Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Personi që falet duhet patjetër që të bëjë nijetin për namazin që do fal, duke e përcaktuar atë me zemrën e tij. Nijeti është kusht ose shtyllë e namazit, ndërsa shqiptimi i tij me gjuhë është bidat.”

Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë) po ashtu thotë: Hadithi qartëson se Profeti salAllahu alejhi ue selem nuk e fillonte namazin me fjalët e tyre (siç veprojnë njerëzit sot): “Bëra nijet të fal…” Përkundrazi, kjo është prej bidateve për të cilën ka konsensus. Mirëpo janë kundërshtuar nëse kjo vepër është prej bidateve të mira apo të këqija. Ne themi: “Me të vërtetë çdo bidat në adhurim është humbje. Bazuar në përgjithësimin e fjalës së tij ﷺ:E çdo bidat është humbje dhe çdo humbje e ka vendin në zjarr.” “El meusuah el fikhijeh” vëll. 2.

[14] E sakta është se namazi është i saktë, sepse ndalimi i saj (tokës, rrobes etj) ka të bëj me çështje jashtë namazit.

[15] Hadith autentik. Tirmidhiu (317), “El Mishkat” (737), “Sahihul Xhami” (2767).

[16]Profeti ﷺu pyet për namazin në stallën e deveve dhe tha: “Mos u falni në të, sepse ato (stallat) janë prej (vendeve të) shejtanëve”. Pastaj u pyet për namazin në stanin e deleve dhe ai tha: “Faluni në të, sepse ai është i begatë”. Hadith autentik. Ebu Daudi (184).

[17] Ebu Merthed el Ganavi radijAllahu anhu thotë: I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Mos u falni te varret dhe mos u ulni mbi to!” Hadith autentik.

[18] Këtë dua që ka përmendur autori (Allahu e mëshiroftë!) nuk saktësohet (është daif). Por e sakta ëhstë ajo që transmeton imam Muslimi: “Bismil-lah ues salatu ues selam ala rasulilah. Allahumme ftahli ebuabe rahmetike – Me merin e Allahut. Salavatet dhe selamet qofshin për të dërguarin e Allahut. O Zoti im, m’I hap dyert e mëshirës Tënde”.

[19]Bismil-lah ues salatu ues selam ala rasulilah. Allahumme…”

[20] Ali bin Ebi Talib radijAllahu anhu transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Çelësi i namazit është pastrimi, ndalimi i tij është tekbiri fillestar dhe lirimi prej tij është dhënia e selamit”. Hadith hasen sahih. “Sahihul Xhami” (5885). Tirmidhiu thotë: “Ky është hadithi më i saktë dhe më i mirë në këtë temë”.

[21] Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) thotë: Ndërsa prekja e të butave të veshëve me gishtin e madh, gjatë marrjes së tekbir, nuk ka bazë në Sunet. “Sifatus Salah

[22] Ibën Umeri radijAllahu anhu thotë: “Kur i Dërguari i Allahut ngrihej për t’u falur, ai i ngrinte duart deri në drejtim të supeve, pastaj thoshte tekbirin. Kur binte në ruku, i ngrinte përsëri në këtë mënyrë, dhe kur ngrihej nga rukuja, i ngrinte po ashtu dhe thoshte: “SemiAllahu limen hamideh, rabbena ue lekel hamd” Mutefekun alejhi.

[23] Uail bin Haxher radijAllahu anhu transmeton se: “Ai e ka parë të Dërguarin e Allahut të ngrinte duart kur filloi namazin dhe tha “Allahu Ekber”, pastaj u mbështoll me rrobën e tij dhe vendosi dorën e djathtë mbi të majtën…” Ahmedi dhe Muslimi.

[24] Transmetohet nga Aliu radijAllahu anhu se ai ka thënë: “Prej sunetit është që në namaz të vendoset pëllëmba mbi pëllëmbë, nën kërthizë”. E transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi. Kjo nuk saktësohet. “Irvaul Galil” (353).

[25] Allahu i Madhëruar thotë: “Kur të lexosh Kuranin, kërkoi mbrojtje Allahut nga djalli i mallkuar!” En Nahl, 98.

Shumica e dijetarëve thonë se kjo është Sunet. Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) thotë se është vaxhib dhe lënësi i saj është gjynahqar. “Sifetus Salah

Ibnul Mundhir thotë: “Është përcjellë se i Dërguari i Allahut , para leximit të Kuranit në namaz, thoshte: “Eudhu bilahi minesh shejtani rraxhim.” Autentik. “Irvaul Galil” (342).

Po ashtu mund të thuhet dhe në formë tjettër, bazuar në hadithin ku Ebu Seid el Hudri radijAllahu anhu transmeton se: Kur i Dërguari i Allahut ﷺ ngrihej për t’u falur, bënte lutjen e fillimit të namazit, pastaj thoshte: “Eudhu bilahi essemij’il alim minesh-shejtani-rraxhim, min hemzihi ue nefkhihi ue nefthih – I kërkoj mbrojtje Allahut, Gjithëdëgjuesit, të Gjithëdijshmit, nga shejtani i mallkuar: nga ngacmimi i tij, fryrja e tij dhe fryma e tij!” Hadith autentik. Ebu Daudi (775) dhe Tirmidhiu (242).

[26] I Dërguari i Allahut ﷺ kur lexonte suren “El Fatiha”, ajetet i këndonte një nga një. Pra, lexonte një ajet, ndalonte dhe pastaj vazhdonte me ajetin tjetër. Kështu vepronte deri në fund të sures.

Transmetohet se Katade ka thënë: “E pyetën Enesin se si ishte leximi i të Dërguarit të Allahut ﷺ në namaz, e ai tha: “Ishte i zgjatur. Pastaj lexonte “Bismilahirr Rrahmanirr Rrahim”, duke e zgjatur fjalën “Bismilah”, po kështu fjalën: eRrahman dhe eRrahim” . Buhariu.

Ibën Xhurejxh transmeton nga Abdullah bin Ebi Mulejke, ky nga Ummu Seleme, se atë e kishin pyetur rreth leximit të të Dërguarit të Allahut ﷺ në namaz, ajo u përgjigj: “E ndërpriste leximin ajet pas ajeti: “Bismilahirr Rrahmani Rrahim… Elhamdulilahi Rabbil alemin, Err Rrahmanirr Rrahim, Maliki jeumi-din…” Hadith autentik. Ebu Daudi (4001).

Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Ky është sunet i cili është lënë pas dore (harruar) nga shumica e imamëve në këtë kohë. E mos të përmendim këtu të tjerët!” Sifetus salah en nebij”, vëll. 1.

Kurse, sot një pjesë e mirë e imamëve bëjnë të kundërtën e asaj që vepronte i Dërguari i Allahut ﷺ. I gjen ata duke lexuar një pjesë të ajeteve pa u ndalur. E akoma më keq, ku disa e lexojnë të gjithë suren “El Fatiha” me një frymë, thuajse janë duke bërë diçka të madhe, por thjesht e ngopin veten me lugën bosh.

Shejh Mesh’ur Al Selman (Allahu e ruajttë!) thotë: “Ajo që bëjnë disa vëllezër të cilët i përsërisin e i përsërisin ajetet e sures “El Fatiha” në namaz, kjo nuk është transmetuar nga Profetit ﷺ. Transmetohet se Profeti ﷺ përsëriste ajetet e tjera nga Kurani. Ajo që bënte ishte se ai ndalonte pas çdo ajeti të sures “El Fatiha”. Prandaj, këndo një ajet dhe ndalo. Ndjeje në vete se po i drejtohesh Allahut me ato Fjalë dhe se Allahu i Lartmadhëruar të drejtohet ty me Fjalët: “Më falënderoi robi Im. Më lavdëroi robi Im. Më madhëroi robi Im. Çështjen e tij e ktheu tek Unë robi im…”

[27] Transmetohet nga Ebu Katade radijAllahu anha se: “I Dërguari i Allahut në namazin e drekës, në dy rekatet e para lexonte suren Fatiha dhe dy sure të tjera, kurse në dy rekatet e tjera vetëm suren Fatiha. Ndonjëherë lëshonte pak zë që ne e dëgjonim. Rekatin e parë e zgjaste më shumë se i dyti. Po kështu vepronte në namazin e ikindisë dhe në atë të sabahut”. Mutefekun alejhi.

[28] Saktësohet se Profeti ﷺ ka lexuar në namazin e sabahut suren Kaf. Muslimi

[29] Fillon prej sures “Kaf” deri tek surja “En Nebe”

[30]Fillon prej sures “Ed Duha” deri te surja “En Nas”.

[31] Është vaxhib.

[32] Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) thotë: Koka nuk ulet dhe as nuk ngrihet por mbahet në një nivel me trupin, ndërsa bërrylat i largon nga ijet (nuk i mban ngjitur me to).“Sifetus Salah”.

[33] Tre herë ose më shumë. Një herë është vaxhib.

[34] Aisha radijAllahu anha transmeton se: I Dërguari i Allahut kur binte në ruku dhe në sexhde thoshte: “Subbuhun kuddusun rabbul melaiketi uerr rruh”. Hadith autentik. Ahmedi, Muslimi, Ebu Daudi dhe En Nesai.

[35] Mutefekun alejhi

[36] Kjo është prej vaxhibeve të namazit.

[37] Imami, xhemati dhe ai që falet vetëm.

[38] Shejh Ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë!) është pyetur: “A është më mirë që personi pas fjalës së imamit “Semi Allahu limen hamideh, – سمع اللَّه لمن حمده” të thotë:

Allahumme rabbena ue lekel hamd – اللهم ربنا ولك الحمد”,

apo “Allahumme rabbena lekel hamd – اللهم ربنا لك الحمد”,

apo“Rabbena ue lekel hamd – ربنا ولك الحمد”,

apo “Rabbena lekel hamd – ربنا لك الحمد?”

Ai (Allahu e mëshiroftë!) u përgjigj: “(Të gjitha) Këto transmetime saktësohen nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Prandaj, cila do që thuhet nga këto, lejohet”. “Suvalat Ibën Uehf li Shejh el Islam el Muxheddid Abdulaziz bin Baz”.

Loading...