Leximi i Fatihasë në çdo rekat, sepse ajo është bazë e namazit.

December 1, 2015

Leximi i Fatihasë në çdo rekat, sepse ajo është bazë e namazit.

Kjo duke u bazuar në hadithin e Abdullah bin Es-Samit se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Nuk ka namaz për atë që nuk lexon çelësën e librit (fatihanë)”[1]

Në një transmetim tjetër thotë: “Nuk pranohet namazi në të cilin njeriu nuk lexon çelësen e librit[2]

Transmetohet nga Ebu Hurejra -radiallahu anhu- se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Kush fal një namaz pa lexuar në të nënën e kuranit (FATIHANË), ai është i mangët –tre herë- jo i plotë[3]

Profeti -alejhi selam- ka urdhëruar atë që falte keq namazin ta lexojë Fatihanë në namaz.[4]

Transmetohet nga Ebu Said El-Khudrij -radiallahu anhu- se ka thënë: “Jemi urdhëruar të lexojmë çelësën e librit dhe ç’mundemi veç saj”[5]

E përmendëm më lart se në hadithin e atij që falte keq namazin profeti -alejhi selam- i tha: “Bëje këtë gjë gjatë gjithë namazit tënd[6] dhe në një transmetim tjetër: “në çdo rekat[7]

* Mirësitë e Sures EL Fatiha

Transmetohet Ebu Hurejra -radiallahu anhu- se Profeti -alejhi selam- tregon se Allahu ka thënë:“E kam ndarë namazin mes meje dhe robit Tim në dy pjesë, dhe ai (robi) do ta fitojë atë për të cilën është lutur. Kur robi thotë: El hamdu lil-lahi rabbil-alemin, All-llahu thotë: Robi im më lëvdoi. Kur robi thotë: Er-rahmanir-rahim, All-llahu thotë: Robi im më lartësoi. Kur robi thotë: Maliki jeumid-din. All-llahu thotë: Robi im më madhëroi (një herë tjetër ka thënë: ma dorëzoi robi im çështjen e tij). Kur robi thotë: Ijjake na’budu ue ijake nestein, Ai thotë: Kjo është mes meje dhe robit tim dhe ai do ta fitojë atë për të cilën është lutur. Kur robi thotë: Ihdinas-siratal mustekim, siratal-ledhine en’amte alejhim, gajril-magdubi alejhim ue led-dalin, Ai thotë: Kjo është për robin Tim, dhe ai do ta ketë atë që e ka kërkuar[8]

Ai Profeti -alejhi selam- gjithashtu thoshte: “Nuk ka zbritur Allahu i madhëruar në Teurat dhe as Inxhil si nëna e kuranit. Ajo është shtatë ajetshja që përsëritet[9] dhe Kurani i madh që më është dhënë[10]

* A ngrihet zëri kur lexohet Bismilahirr-Rrahmanirr-Rrahim?

Transmetohet nga Enesi -radiallahu anhu- se “Profeti -alejhi selam- Ebu Bekri dhe Omeri -radiallahu anhuma- e fillonin namzin me El-Hamdulilahi rabil-alemin”[11]

Buhariu i ka vënë këtij hadithi një temë: [Tema: Çfarë thuhet pas tekbirit] çka tregon se nuk ngrihet zëri me të (Bismilahin)!

Po ashtu edhe Neveviu fjalës së Enesit i ka venë një temë: [Tema: argumenti i atij që thotë se nuk ngrihet zëri me Bismilahirr-Rrahmanirr-Rrahim].

Transmetohet  nga Enesi gjithashtu se ka thënë: “Jam falur me Profetin -alejhi selam- Ebu Bekrin, Omerin dhe Othmanin dhe nuk kam dëgjuar asnjërin prej tyre të lexojë (me zë): Bismilahirr-Rrahmanirr-Rrahim”[12]

Neveviu në shpjegimin e Muslimit thotë: Medhhebi i Shafiut dhe një grupi prej selefëve dhe atyre që kanë ardhur pas tyre është se [Bismilahirr-Rrahmanirr-Rrahim] është ajet i fatihasë dhe duhet të ngrihet zëri kur lexohet siç ngrihet gjatë fatihasë.

Sheikhu islam Ibn Tejmije –Allahu e mëshiroftë- në fetvatë e tij thotë: “Për sa i përket fjalës [Bismilahirr-Rrahmanirr-Rrahim] ska dyshim se ka pasur prej sahabëve që e ngrinin zërin në leximin e saj dhe ka pasur mes tyre që nuk e ngrinin zërin dhe e lexonin me zë të ulët ose nuk e lexonin fare. Ata që e ngrinin zërin gjatë leximit të saj shumica e tyre nganjëherë e ngrinin zërin dhe nganjëherë e ulnin sepse dhikri prej synetit është që të bëhet me zë të ulët dhe ngrihet zëri me të për ndonjë dobi të konsiderueshme si psh: mësimi i të tjerëve sepse është saktësuar se Ibn Abasi e ka ngritur zërin në xhenaze për ti mësuar të tjerët se fatihaja është synet”.

Ai gjithashtu thotë: “Është saktësuar se Omer bin El-Khattabi thoshte: Allahu Ekber. Subhaneke Allahumme, ue bihamdik, ue tebareke ismuk, ue teala xhedduk, ue la ilahe gajruk” duke ngrejtur shpesh herë zërin me të.

Dijetarët janë dakord se ngrejtja e zërit me këtë dua nuk është synet i përhershëm dhe është bërë  për ti mësuar të tjerët prandaj është transmetuar nga disa sahabe se e ngrinin nganjëherë zërin me fjalën [eudhu bil-lah..]. Dhe nëse ka pas prej sahabeve që e ka ngritur zërin me duanë e çeljes, me fjalën [eudhu bil-lah…] dhe sahabet e kanë pohuar këtë gjë atëherë ngritja e zërit me fjalën [bismilah..] është më parësore të jetë kështu dhe të lejohet ngritja e zërit nganjëherë për një dobi të konsiderueshme.

Por nuk ka mospajtim nga dijetyrët e hadithit se profeti -alejhi selam- nuk ka e ngritur zërin me duanë e çeljes dhe as me fjalën [eudhu bil-lah..] madje është saktësuar se Ebu Hurejra i ka thënë: o i dërguari i Allahut! Në heshtjen që bën mes tekbirit dhe leximit çfarë thua? Ai i thotë: “Unë them: Allahumme ba’id bejnij ue bejne khatajaja kema be’adte bejnel-meshriki uel-magribi, Allahumme nekkini min khatajaje kema junekkath-theubul-ebjedu mined-denesi, Allahumme igsilnij min khatajaje, bil-mai ueth-thelxhi uel-berad”.

Në librat e sunetit gjendet gjithashtu se Profetit -alejhi selam- thoshte fjalën [eudhu bil-lah..] në namaz para leximit dhe ngritja e zërit me fjalën [bismilah..] është çështje më e fortë sesa ngritja e zërit me fjalën [eudhu bil-lah..] sepse ajo është ajet nga libri i Allahut dhe mes dijetarëve ka debat në lidhje me qenien e saj vaxhib edhe pse debat ka edhe në lidhje me qenien vaxhib të duasë së çeljes dhe të fjalës  [eudhu bil-lah..] dhe këtu ka dy mendime në medhhebin e Ahmedit dhe të tjerëve por ama debati i tyre në lidhje me të është më i dobët se debati për qenien vaxhib të fjalës [bismilah..].

Ata dijetarë që thonë se ajo është vaxhib janë më të mëdhenj dhe më shumë në numër por ama nuk është saktësuar se profeti -alejhi selam- ka pas ngritur zërin me të dhe nuk ka as te librat e saktë dhe as te synenet ndonjë hadith të saktë dhe të qartë në lidhje me ngritjen e zërit dhe hadithet e qarta në lidhje me të që të gjitha janë të dobëta bile të trilluara, prandaj dhe kur Darakutnij kur ka shkruajtur një libër në lidhje me këtë çështje është pyetur: a ka në lidhje me të ndonjë hadith të saktë? Ai është përgjigjur: Nga fjalët e profetit -alejhi selam- jo ndërsa nga sahabët ka edhe të saktë edhe të dobtë.

Nëse Profeti -alejhi selam- e ngrente zërin gjithmonë, sahabet do ta kishin transmetuar atë dhe halifët pas tij do ta kishin praktikuar dhe nuk do të kishin njerëzit nevojë të pyesnin Enes bi Malik pas përfundimit të kohës së halifëve dhe nuk do të ishin halifët e parë të drejtë, pastaj halifët emevi, pastaj halifët abasi që të gjithë të një mendimi në lënien ngritjes së zërit dhe nuk do të ishin banorët e Medinës të cilët janë njerëzit më të ditur -në lidhje me sunetin e profetit- prej atyre që e mohojnë absolutisht leximin e saj si me zë të ultë ashtu dhe me zë të lartë ndërkohë që hadithet e sakta tregojnë se ajo është ajet prej librit të Allahut dhe jo nga fatihaja dhe as nga tjetër sure”.

Ibn El-Kajimi –Allahu e mëshiroftë- thotë: “Ai e ngrente zërin kur me fjalën [bismilahirr-Rrahmanirr-Rrahim] nganjëherë dhe e ulte në shumicën e rasteve. Nuk ka dyshim se ai nuk e ka pas ngrejtur zërin gjithmonë në çdo ditë dhe natë në pesë namazet përherë në udhtim dhe qëndrim dhe nga ana tjetër të mos e dinin halifët e drejtë dhe shumica e sahabeve dhe banorët e qytetit të tij në kohën e artë. Kjo është gjëja më e pamundur që ska nevojë të kapesh prej disa fjalëve të përgjithshme dhe disa haditheve të rëndomta sepse ato hadithe që janë të sakta nuk janë të qarta dhe ato që janë të qarta nuk janë të sakta dhe kjo çështje ka nevojë për një libër voluminoz”.

Sheikhu ynë Albani –Allahu e ruajt- në librin Tamam El-Mineh thotë: “E vërteta është se nuk ka në lidhje me ngrejtjen e zërit me fjalën [bismilah..] asnjë hadith të qartë dhe të saktë bile është saktësuar ulja e zërit me të nëpërmjet hadithit të Enesit dhe i kam gjetur atij dhjetë rrugë transmetimi të cilat i kam përmendur në librin tim Sifetus-Salatin-Nebij -alejhi selam- dhe shumica prej tyre janë me zinxhirë të saktë transmetimi dhe në disa kontekste të tyre ka qartësim se ai nuk e ngrente zërin me të dhe zinxhirët e tyre janë sakta sipas kushteve të Muslimit.  Ky është medhhebi i shumicës së dijetarëve të fikhut dhe shumicës së dijetarëve të hadithit dhe kjo është e vërteta që s’ka dyshim në të”.

“Enciklopedia e Fikhut” Husejn el Auajsheh

Përktheu Teuta Xeka

 

[1] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[2]E transmeton Darakutni dhe e saktëson Ibn Hibbani.

[3] E transmeton Muslimi dhe të tjerë.

[4] E transmeton Buhariu jashtë librit të saktë dhe e saktëson sheikh Albani.

[5]E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson hafiz Ibn Haxheri dhe sheikh Albani.

[6] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[7] E transmeton Ahmedi me zinxhirë të mirë siç thotë sheikh Albani në Sifetus-Salat.

[8]E transmeton Muslimi.

[9] El-Baxhi thotë: Profeti -alejhi selam- ka pasur për qëllim fjalën e Allahut: “Ne të kemi dhënë një shtatëshe që përsëritet dhe kuranin e madh” suretu El-Hixhr: 87. Ajo quhet shtatëshe sepse është me shtatë ajete. Është quajtur [që përsëritet] sepse përseritet në çdo rekat. Është quajtur kurani i madh si veçim për të edhe pse çdo pjesë e kuranit është kuran i madh siç quhet qabja shtëpia e Allahut edhe pse të gjitha shtëpitë janë të Allahut por ama në mënyrë veçimi dhe madhërimi.

[10] E transmeton Nesai, Hakimi dhe e saktëson Dhehebiu dhe sheikh Albani.

[11]E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[12] E transmeton Muslimi.

Loading...