Fragmente nga jeta e të parëve tanë të mirë, në kërkimin e diturisë

March 3, 2017

Kështu ishte  brezi i rrallë, shembull për ata që do të vinin pas tyre në përpjekjet për diturinë dhe shtimin e saj, prandaj ecni në gjurmët e tyre, dhe pasoni hapat e tyre. Disa prej këtyre shembujve janë si më poshtë:

Studentët e Ibn Mes’udit – radijallahu anhu – në Kufe (Irak) : Alkameh, Esuedi dhe të tjerë, kur dëgjonin hadithin dhe diturinë nga shejkhu (mësuesi) i tyre (shoku i Profetit saus), etja e madhe që kishin për dituri nuk i linte të mjaftoheshin me aq, por udhëtonin drejt Medines duke kërkuar lartësinë (afërsinë me burimin) e për tu siguruar më shumë në diturinë që merrnin, për tu thelluar më tepër në të e për të marrë edhe më tepër nga gojët e dijetarëve.[1]

Jahja ibn Seid el Kahtanij thoshte: “Nuk kam parë hafiz më të madh se ai (kishte për qëllim Sufjan eth Theurin v. 161). Kur e pyesja për ndonjë çështje apo ndonjë hadith që nuk e dinte e vinte e rëndë”[2]

Dijetarët nuk kanë ndaluar së kërkuari diturinë në ndonjë kufi të caktuar, përkundrazi ata përpiqeshin me sa fuqi të kishin dhe na lanë shembujt më të çuditshëm, jetëshkrimet më të habitshme.

Ka thënë El A’mesh: “Muxhahidi nuk dëgjonte ndonjë gjë të çuditshme veçse shkonte për ta parë atë! Shkoi deri në Hadrameut (Jemen) për të parë pusin ‘Berhut’dhe shkoi në Babil dhe i tha administratorit të qytetit: A më tregon vendin ku qëndronin Haruti dhe Maruti?”[3]

Ibn Hazmi tregon për Jahja ibn Muxhahid ez Zahid (asketi) se ka thënë: “Merrja një pjesë nga çdo dituri, sepse që të dëgjojë njeriu disa njerëz të flasin (në një fushë të caktuar) dhe ai nuk e di se çfarë po thonë është fatkeqësi e madhe” apo fjalë me këtë kuptim. Pastaj Ebu Muhammedi (dmth Ibn Hazmi) shton: “Të vërtetën ka thënë, Allahu e mëshiroftë!”[4]

Imam Darakutni (v.385) – Allahu e mëshiroftë – me gjithë thellimin e tij në diturinë e hadithit, të fikhut dhe të kiraeteve (shkenca e leximeve të Kuranit), ai ishte po ashtu hafiz i madh (dinte përmendësh shumë) rrëfenja dhe histori të rralla e të çuditshme.

Thotë Zuhriu: “Darakutni ishte i zgjuar, kur përmendej  diçka prej diturisë ( në çdo lloj fushe) ai kishte dituri të shumta mbi atë çështje. Një herë Muhammed ibn Talhah këpucari më tregoi se ishte me Darakutnin në një gosti dhe u përmendën hamësit (llupësit), atëherë Darakutni filloi të tregonte histori të rralla rreth hamësve me të cilat kaloi pjesa më e madhe e asaj darke”[5]

Imam Muhammed ibn Abdulbakij el Ensarij (v.535) tregon për veten e tij: “E mësova Kuranin përmendësh kur isha 7 vjeç dhe nuk ka ndonjë dituri në tokën e Allahut veçse unë i kam hedhur vështrimin dhe kam marrë prej saj një pjesë apo të gjithën”[6]

Kur ra në duart e romakëve, ata e lidhën dhe i vunë një hallkë në qafën e tij e i kërkuan që të shprehte fjalë mosbesimi por ai nuk e bëri. Pastaj mësoi prej tyre të shkruante shkrimin romak.

Jetëshkrimi i Ibn Hazmit (v.456), dijetarit të Islamit Ibn Tejmijes (v.728) dhe e Ibnul Uezirit (v.840) nuk janë larg nesh. Ajo që ata kanë lënë pas vetes prej kësaj trashëgimie është dëshmia më e madhe për këtë.

Merr për shembull diçka që tregon për shfletimin e habitshëm të Shejkhul Islamit. Thotë Safediu – nxënësi i tij: “Më ka treguar El Meula Alaud-din Alij ibnul Amidij – i cili ishte prej llogaritarëve më të  mëdhenj, thotë: ‘Hyra një ditë tek ai unë dhe Esh Shemsun Nefis, përgjegjësi i thesarit të shtetit. Në atë kohë nuk kishte njëri më të ditur se ai. Filloi shejkh Tekijuddini (Ibn Tejmija – Allahu e mëshiroftë) ta pyeste për (koncepte dhe terma që lidhen me matematikën)…..

dhe për ndonjërën ai përgjigjej, ndërsa për ndonjërën heshtte, dhe e pyeste për shpjegimin e saj. Derisa ai ia shpjegonte dhe ia qartësonte. Tha: Kur dolëm prej tij En Nefis më tha: ‘Pasha Allahun sot mësova prej tij gjëra që nuk i dija!’ – Mbaroi fjala e Alaud-dinit”[7]

Shikoje përshkrimin që i bën atij dikush prej dijetarëve, që të arrish të perceptosh deri diku sasinë e librave të shfletuar prej tij. Sekhauij përcjell në “El Xheuahir ued durar”[8] (Xhevahiret dhe perlat) prej gjykatësit Shemsuddin ibnud Dejrij (apo Dijrij) i cili thotë: “Kam dëgjuar shejkh Alaud-din el Bustamij në Bejtul Makdis duke thënë – pasi u pyet: A e ke parë shejkh Tekijuddin ibn Tejmijen? – Tha: Po. – i thashë – Si mund ta përshkruash atë? – Tha – A e ke parë ‘Kupolën e shkëmbit’ (sh.p.: xhamia pranë Bejtul Makdisit me një kupolë të madhe ngjyrë ari) – i thashë: Po. – tha – Ai ishte si ‘Kupola e shkëmbit’ e mbushur plotë me libra,  me një gjuhë që flet!”

Dhe s’ka dyshim se kjo llojshmëri njohurish nuk ka ardhur duke ndenjur kot, pa punë, përkundrazi ajo është grumbulluar duke ndenjur pa gjumë deri vonë netë të tëra mbi libra, duke shfrytëzuar ashtu siç duhet çastet e jetës[9], duke kaluar kohë me librat dhe duke u tërhequr prej shokëve dhe të dashurve.

Përktheu Emin Bilali

[1] Dhe shiko edhe më shumë shembuj të tillë tek libri i lartëpërmendur i Khatib el Baghdadit dhe “Sunen ed Darimij” (149-151/1) dhe tek “Fet’hul Barij” (231-232/1).

[2] “Tedhkiratul huffadh” (204/1) (sh.p.: I vinte rëndë sepse mendonte: ‘Si të mos e di unë këtë hadith të Profetit saus? Si nuk kam arritur ta mësoj këtë çështje?’. Ishte shumë kërkues ndaj vetes në këtë aspekt).

[3] Ibid 62/1.

[4] “Rasail Ibn Hazm el Endeluzij” (72/4) (Veprat e Ibn Hazm spanjollit, vepra: “Meratibul ulum” (Gradat e diturive).

[5] “Tedhkiretul huffadh” (Kujtimet e hafizëve të mëdhenj) (994/1)

[6] “Edh dhejl ala tabekatil hanabileh” (194/1).

[7] “El uafij” aty shiko “Jetëshkrimi i Shejkhul Islamit” fq. 310.

[8] (117/1).

[9] Sh.p.: Në një artikull shumë motivues të titulluar: “Ti mund të lexosh 200 libra në vit” një i ri amerikan thotë – pasi e ka provuar vet një gjë të tillë – se mund të duket vërtetë shumë por po të bësh disa llogari, zbret në realitet dhe bindesh. Ai bën disa llogari të thjeshta dhe thotë: Për të lexuar 200 libra në vit, duhen afërsisht 417 orë! Koha që ne shpenzojmë kot përpara kohë-humbësve, siç thotë autori  i këtij libri – Allahu e ruajtë – është tmerrësisht më shumë se kaq sa duhen për të lexuar librat. Njerëzit harxhojnë 608 orë në vit afërsisht në mediat sociale (facebook, internet, twitter etj.) dhe plot 1642 orë përpara tv i cili u bënë lavazh papushim trurit të njerëzve. Ndërsa librat u hapin sytë e mendjes dhe i bëjnë të kuptojnë se çfarë ndodh realisht.  I bie 2250 orë të hedhura në kosh të plehërave. Nëse këto orë do të ishin shfrytëzuar mirë ti mund të lexosh 1000 libra në vit! Zgjedhja është e jotja!

Loading...