Pyetje-përgjigje rreth namazit

July 1, 2017

Pyetja 1: Cila është shtylla mbajtëse e fesë?

Përgjigja 1: Falja e namazit.

Pyetja 2: Plotëso hadithin: I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Shenja dalluese mes nesh dhe atyre (jomuslimanëve) është namazi…”

Përgjigja 2: “…prandaj kush e braktis atë, ka mohuar.”[1]

Pyetja 3: Cili është përkufizimi i namazit?

Përgjigja 3: Namazi është adhurimi i Allahut me fjalë dhe veprime të caktuara. Fillon me tekbir (thënien Allahu ekber) dhe përfundon me teslim (thënien Esselamu alejkum ue rahmetullah).

Pyetja 4: Sa është numri i namazeve të obligueshme të cilat muslimani duhet t’i falë gjatë një ditë-nate (njëzet e katër orëve), dhe sa rekatë ka secili namaz?

Përgjigja 4: Gjatë një ditë-nate (çdo njëzet e katër orë) muslimani obligohet të falë pesë namaze:

Namazin e mëngjesit (Sabahun) dy rekate.

Namazin e drekës (Ylenë) katër rekate.

Namazin e pasdites (Ikindinë) katër rekate.

Namazin e mbrëmjes (Akshamin) tre rekate.

Namazin e darkës (Jacinë) katër rekate.

Pyetja 5: Cilat janë kriteret që duhet të plotësohen për të qenë namazi i saktë?

Përgjigja 5:

– Ai që falet duhet të jetë musliman.

– Të jetë i saktë mendërisht.

– Të jetë rritur aq sa është i aftë të kuptojë.

– Të ketë hyrë koha e namazit.

– Të largojë çdo papastërti nga trupi, rrobat dhe vendi i faljes.

– Të jetë i pastër (me abdes).

– Të mbulojë auretin (pjesët e trupit që duhen mbuluar).

– Të drejtohet nga Kibla (Qabeja).

– Të bëjë nijet faljen e namazit.

Pyetja 6: Cilat janë farzet (obligimet) e abdesit?

Përgjigja 6:

– Larja e fytyrës, ku bën pjesë dhe shpëlarja e gojës dhe e hundës.

– Larja e duarve dhe parakrahëve, duke përfshirë dhe bërrylat.

– Fërkimi i kokës një herë me duar të lagura.

– Larja e këmbëve duke përfshirë dhe kyçet.

– Ruajtja e radhitjes së veprimeve gjatë larjes së pjesëve të abdesit.

– Vijueshmëria. Të mos e vonojë larjen e ndonjë gjymtyre aq sa të mund të konsiderohet si ndërprerje e marrjes së abdesit.

Pyetja 7: Çfarë e prish abdesin?

Përgjigja 7:

– Çdo gjë që del nga organi gjenital dhe anusi, siç janë; urina, jashtëqitja, gazrat etj.

– Humbja e vetëdijes për shkak të gjumit të thellë apo gjendjes së të fiktit.

– Ngrënia e mishit të devesë.

– Çdo gjë që e bën të obligueshëm marrjen e gusulit[2] natyrisht që prish edhe abdesin.

Pyetja 8: Plotëso hadithin: I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kush merr abdes dhe pastaj thotë: Esh-hedu en la ilahe il-lall-llah uahdehu la sherike lehu…”

Përgjigja 8: ”… ue esh-hedu en-ne Muhameden abduhu ue resuluhu’, do t’i hapen tetë dyert e Xhenetit që të hyjë nga cila derë të dëshirojë.”[3]

Pyetja 9: Cila sure duhet të lexohet patjetër në namaz?

Përgjigja 9: Surja El Fatiha (Elhamdulilahi Rabbil alemin…).

Pyetja 10: Çfarë themi gjatë namazit kur qëndrojmë në ruku?

Përgjigja 10: “Subhane Rabijel-adhim.”

(I Dlirë nga çdo e metë është Allahu, Zoti im i Madhërishëm.)

Pyetja 11: Çfarë themi gjatë qëndrimit në sexhde?

Përgjigja 11: “Subhane Rabijel-ala.”

(I Dlirë nga çdo e metë është Allahu, Zoti im i Lartësuar.)

Pyetja 12: Çfarë themi gjatë pushimit midis dy sexhdeve?

Përgjigja 12: “Rabi-gfirli, Rabi-gfirli.”

(O Zot më fal mua! O Zot më fal mua!)

Pyetja 13: Çfarë themi gjatë qëndrimit ulur në teshehud?

Përgjigja 13: Themi Et-Tehijatin; “Et-tehijatu lilahi, ues salavatu uet-tajibatu. Ues selamu alen-Nebij ue rahmetullahi ue beraketuh. Es-selamu alejna ue ala ibadilahi salihin. Esh-hedu en la ilahe il-lall-llah, uahdehu la sherike leh. Ue esh-hedu en-ne Muhameden abduhu ue resuluhu.”[4]

Pyetja 14: Çfarë themi pas Et-tehijatit?

Përgjigja 14: Pas Et-Tehijatit themi ‘Salavatet Ibrahimijeh’ :

“Allahume sal-li ala Muhamedin ue ala ali Muhamed, kema sal-lejte ala Ibrahime ue ala ali Ibrahim. Inneke hamidun mexhid. Allahume barik ala Muhamedin ue ala ali Muhamed, kema berakte ala Ibrahime ue ala ali Ibrahim. Inneke hamidun mexhid.”[5]

Pyetja 15: Cilat janë ato katër gjëra prej të cilave besimtari i kërkon mbrojtje Allahut të Madhëruar në mbyllje të namazit, para se të japë selam?

Përgjigja 15: I kërkon mbrojtje Allahut duke thënë: “Allahume ini eudhu bike min adhabi xhehenem, ue min adhabil kabr, ue min fitnetil mah-ja uel memat, ue min sherri fitnetil mesihi dexhal!”[6]

Pyetja 16: Plotëso hadithin: I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Çdo muslimani i cili fal për Allahun e Madhëruar përveç farzeve edhe dymbëdhjetë rekate sunet…”

Përgjigja 16: ”… Allahu do t’i ndërtojë një shtëpi në Xhenet.”[7]

Pyetja 17: Cilat janë dymbëdhjetë rekatet sunet të rëndësishme (rauatib)?

Përgjigja 17: Ato janë:

2 rekate para namazit të sabahut,

4 rekate para namazit të drekës,

2 rekate pas namazit të drekës,

2 rekate pas namazit të akshamit,

2 rekate pas namazit të jacisë.

 

Autor: Salim bin Sead Tauil

Përktheu: Edmond Ajdini

——————————————————-

[1] E transmeton Tirmidhiu me nr. 2623 dhe Ibën Maxheh me nr. 1079, nga Burejdeh (Allahu qoftë i kënaqur prej tij). Shejh Albani e ka vlerësuar këtë hadith  si të saktë, ashtu siç gjendet në librin e tij “Sahihu tergib uet Terhib” me nr. 564.

[2] Gusuli është larja e gjithë trupit për shkak të ejakulimit dhe kryerjes së marrëdhënieve intime.

[3] E transmeton Muslimi me nr. 234.

[4] E transmeton Buhariu me nr. 6230 dhe Muslimi me nr. 402, nga Ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij).

[5] E transmeton Buhariu me nr. 3370 dhe Muslimi me nr. 406, nga Keab bin Uxhrah (Allahu qoftë i kënaqur prej tij).

[6] E transmeton Muslimi me nr. 588.

[7] E transmeton Muslimi me nr. 768, nga Umu Habibeh (Allahu qoftë i kënaqur prej saj).

Loading...