Përputhja mes dy ajeteve që duket sikur kundërshtojnë njëri-tjetrin dhe sqarimi i disa besimeve të kota

September 26, 2017

Kjo është një pyetje e rëndësishme dhe ajo ka ndikim të madh në historinë e diturisë. Për mua, kjo çështje – pas studimit dhe analizës – është një prej shkaqeve kryesore të devijimit në teuhidin uluhijeh (njësimi i Allahut në adhurim). Prej pasojave të saj të rrezikshme është se ajo është shkak për bashkimin deri në shkrirje dhe përputhje të plotë mes esharive dhe sufive, dhe gati gjithmonë – madje gjithmonë – esharitë janë sufi. Ky është një realitet që merr trajta të ndryshme, e kësaj rradhe pyetja na ka ardhur në këtë formë ku një vëlla pyet për mënyrën se si bashkohen dy ajete.

Ai thotë :

Ka thënë Allahu i Lartësuar: “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen.” (Al Imran: 185) Kush është ai që i merr shpirtrat? Engjëlli i vdekjes. Ka përmendur Hatib el Bagdadi në mesin e atyre që kanë transmetuar prej imam Malikut, në librin e tij që është i humbur, por ajo që është gjendur është përmbledhja që i ka bërë atij Ibnul Attar. Aty ka përmendur në jetëshkrimin e disa prej transmetuesve se e ka pyetur Imam Malikun: A ua merr shpirtrat insekteve engjëlli i vdekjes? Maliku iu përgjigj: Eja në një kohë tjetër. – Kur i shkoi përsëri, imam Maliku e pyeti: A kanë shpirt insektet? Nxënësi iu përgjigj: Po. – Atëherë Imam Maliku i tha: Allahu i Madhëruar thotë: “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen”. – dhe Engjëlli i vdekjes ua merr shpirtrat.

Pra ai pyet: “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen” dhe në lidhje me dëshmorët Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ti mos i mendo të vdekur ata që janë vrarë në rrugë të Allahut. Përkundrazi, ata janë të gjallë tek Zoti i tyre furnizohen.” (Al Imran: 169) Si mund të përputhen këto dy ajete?

Përgjigja: Në rregull, unë po i shtoj këtij problemi akoma më shumë vështirësi. Allahu i Lartësuar thotë: “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen” dhe Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – thotë: “Profetët janë të gjallë në varret e tyre falin namaz”

A kanë dalë këta nga rregulli i përgjithshëm që përcakton fjala e Allahut të Lartësuar: “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen”? Përgjigja është: Jo. Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen në kuptimin që do të dalë, do të largohet nga kjo jetë e kësaj bote dhe do të zhvendoset në një jetë tjetër të ndërmjetme (berzah, mes dynjasë dhe ahiretit).

Është një grup njerëzish që sheriati ka pohuar se janë të gjallë megjithëse ka treguar po ashtu se shpirti ka dalë nga trupat e tyre, dhe ata janë dëshmorët dhe profetët. Ata e kanë shijuar vdekjen në kuptimin që e kanë lënë këtë botë, në kuptimin që shpirtrat kanë dalë nga trupat e tyre. Por kur kanë shkuar në botën e berzahut sheriati pohoi se ata kanë një jetë që është e veçantë për ta, kështu që ata kanë vdekur. Allahu i thotë Profetit të Tij: “S’ka dyshim se ti je i vdekur (do të vdesësh) dhe ata janë të vdekur (do të vdesin).Pra Profeti ka vdekur? Po ka vdekur. Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – pas vdekjes së tij a është si të gjithë njerëzit? Jo. Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – ka jetë. Dëshmori pas vdekjes së tij ka jetë. Me daljen e shpirtit prej tij ai e ka shijuar vdekjen, sepse “Çdo njeri do ta shijojë vdekjen”. Prandaj Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – i thoshte Aishes duke dhënë shpirt – siç ka ardhur në hadith sahih: “La ilahe il lall llah. Me të vërtetë vdekja ka agoni (dhimbje).” Pra, Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – ndjeu dhimbjet e vdekjes.

Imam Nesaij ka një temë të gjatë tek libri i tij “Es sunenul kubra” me titull: “Kapitulli: Vdekja e Profetit – sal lall llahu alejhi ue sel lem”. Prandaj Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – siç thotë Allahu i Lartësuar: “Çdo njeri do ta shijojë vdekjen”, edhe ai e shijoi vdekjen. Po shehidi, a e ka shijuar vdekjen? Po, e ka shijuar vdekjen.    

Ti që pyet për këtë problem hollësia e përgjigjes tënde gjendet tek fjala e të Lartësuarit, te pjesa e ajetit: “… tek Zoti i tyre”. Kështu, sheriati pohoi se dëshmorët kanë jetë megjithëse pohoi se ata kanë vdekur, por jetën që ai ua atribuoi atyre e kufizoi me fjalën e Tij: “… tek Zoti i tyre” prandaj jeta e tyre është në berzah.     

Esharitë hyjnë në tema të besimit të mbushura me ecejake dhe shprehje filozofike, dhe thonë: Profetësia është cilësi dhe cilësia nuk mund të qëndrojë vetëm. Për shembull: ngjyra është cilësi. Thonë: Ka diçka që quhet cilësi dhe ka diçka që quhet thelb. Thelbi është qënia, ndërsa cilësia është ajo që nuk mund të qëndrojë e vetme por ka nevojë për diçka me të cilin lidhet. Prandaj kur ikën qënia (thelbi) ikën edhe cilësia e tij natyrshëm. Thonë: Pejgamberllëku është cilësi, kështu që kur Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – vdiq u largua pejgamberllëku prej tij! Kështu që Muhamedi në varrin e tij nuk është më profet! Dhe këto fjalë janë mosbesim (kufr)! Këto fjalë janë shumë të rrezikshme!

Këtë besim të esh’arive e ka përcjellë Ebu Xhafer es Simnanij, siç e citon këtë Ibn Hazmi në librin e tij “El fisal”.

Kur esh’aritë e analizuan më mirë këtë fjalë të tyren u lëkundën. Kjo fjalë në fakt, sipas meje, pas gjurmimit të saj (nëpër librat e tyre) nuk është fjala e drejtpëdrejtë e tyre por është rezultat i fjalëve të tyre. Rezultati i fjalëve të dikujt nuk konsiderohet mendimi i tij (Lazimul kauli lejse bi kaul) sipas besimit sonë (ehli sunetit). Kështu që (u detyruan) të pohojnë një lloj jete për profetët dhe dëshmorët dhe e zbatuan këtë rregull edhe për evlijatë (të dashurit e Allahut) një jetë reale, njësoj si jeta që kishin para vdekjes. Jetë në të cilën ka lëvizje (zhvendosje nga një vend në tjetrin), ngrënie, pirje! Jetë në të cilën kanë mundësi të ndihmojnë të tjerët, t’i shpëtojnë ata!!! Kështu ata besuan se profetët, dëshmorët dhe evlijatë jetojnë realisht në berzah (jetën pas vdekjes) njësoj si jeta e dynjasë, prandaj lexo librat e sufijve ku flasin për shujuhët e tyre. Ata besojnë se shujuhët e tyre kur janë në berzah kanë fuqi të dalin nga varri, të shpëtojnë njerëzit, dhe se kush u lutet atyre ata u përgjigjen dhe i ndihmojnë!!!

Në këtë mënyrë ata ranë në dy ekstreme dhe dy gabime të ndryshme. Ata që në fillim kur thanë se profetësia është ‘cilësi’ janë gabimtarë. Dhe janë gabimtarë edhe pas reagimit ndaj këtij besimi (pra kur thanë se ata nuk kanë vdekur por janë të gjallë njësoj si në këtë dynja – fjalë të cilën e thanë si kundërpeshë për besimin e tyre të lartpërmendur që të mos u ikte cilësia e pejgamberllëkut, e shehidllëkut dhe e të qënit evlija!)

Cila është e vërteta?

E vërteta është se profetët dhe dëshmorët kanë një jetë të veçantë në berzah, jetë që nuk ka lidhje me dynjanë.

Mund të thotë dikush: A nuk ka thënë Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem: “Shtojeni salavatin mbi mua sepse një engjëll ma përcjell mua salavatin tuaj”? I themi: Ky hadith është argument për ne e jo për ju. Ky hadith përforcon atë që thamë. Sikur të ishte jeta e Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – siç thonë esh’aritë se jeta e tij në varr është si jeta e tij në dynja, përse i vjen engjëlli dhe ia përcjell atij (edhe selamin e atij që është pranë tij edhe të atij që është larg)?! Ekzistenca e engjëllit ndërmjetës i cili përcjell selamet mes profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – dhe muslimanëve që i çojnë salavat atij, çfarë tregon kjo? Se ai është në berzah. Çfarë do të thotë berzah? Berzah është pengesa që ndalon takimin mes dy palëve. Prandaj ekzistenca e një engjëlli që i përcjell selamin Profetit kur ai është në varrin e tij, kjo është argument se kur ti i dërgon selam (salavate) ai nuk të dëgjon.

Për këtë arsye, shprehja e përhapur në mesin e njerëzve: “M’i bëj selam Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -“, që ua ngarkojnë haxhilerëve dhe atyre që bëjnë umre është një fjalë e kotë. Nëse ti i dërgon salavat Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – duke qenë përpara varrit të tij apo duke qenë në vendin tënd, në të dyja rastet është njësoj. Përse? Sepse ai që ia përcjell Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – selamin tënd, në të dyja rastet është një engjëll, edhe këtu edhe atje.

Historia e Ahmed er Rifait kur ai shkoi para varrit të Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – dhe Profeti u kënaq me Ahmed er Rifain, dhe Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – nxorri dorën e tij nga varri dhe Ahmed er Rifaiu ia puthi dorën!!! Kjo është e gjitha gënjeshtër dhe mitologji. Shejkhu ynë Muhamed Nesib er Rifai ka një libërth ku e hedh poshtë këtë përrallë, dhe thotë: Sikur kjo histori të ishte e vërtetë unë do të isha njeriu më i lumtur me vërtetësinë e saj, sepse unë jam nga pasardhësit e tij dhe jam i afërt me Ahmed er Rifain. Jemi të dy nga i njëjti fis, Rifaij. Kjo histori është e kotë dhe që në themel është e ndërtuar mbi një besim të pasaktë. Prandaj, gjithmonë sufitë përmendin prej vlerave të shujuhëve të tyre gjëra që nuk mund të imagjinohen. Madje disa prej tyre kanë deklaruar – njëri prej tyre është edhe Rijafij në librin e tij ‘Reudatur rejjahin” – ka deklaruar se; jeta e evlijave në varret e tyre është më e fortë se jeta e tyre në dynja, dhe kanë fuqi për të lëvizur, për të ndihmuar dhe shpëtuar si ato nëpër përralla dhe mitologji. Pra siç thonë sot; me fuqitë e ‘supermen’-it, apo heronjtë e mitologjive. Supermeni nuk është gjendur vetëm në kohën tonë, ai ka ekzistuar tek sufijtë prej kohësh! Ka ekzistuar tek shujuhët e tyre! (Sigurisht që shejh Mesh’huri me këto fjalë është duke bërë shaka me besimet e tyre të kota, Allahu i udhëzoftë!)”

 

Shejh Mesh’hur Hasen – Allahu e ruajtë dhe u bëftë dobi mbarë muslimanëve me diturinë e tij!

Loading...