Rregullat në lidhje me thirrjen dhe thirrësit për tek Allahu nga Libri i Allahut të Madhëruar
– Pjesa e dytë –
Rregulli i tetë: Thirrësi duhet të punojë me atë që thotë.
Allahu i Madhëruar thotë: “O besimtarë, përse thoni atë që nuk e bëni? Është shumë e urryer për Allahun të thoni atë që nuk e veproni!” Es-Saf: 2-3.
“Unë nuk dëshiroj të veproj atë që ua ndaloj juve. Unë dëshiroj vetëm të përmirësoj aq sa mundem.” Hud: 88.
“A i urdhëroni njerëzit për punë të mira ndërsa veten tuaj e harroni, ndërkohë që ju lexoni edhe Librin (Teuratin)? A nuk logjikoni?” El-Bekare: 44.
Rregulli i nëntë: Thirrësit nuk kërkojnë shpërblim nga njerëzit për thirrjen e tyre.
I Madhëruari thotë: “O populli im! Unë për këtë nuk kërkoj nga ju kurrfarë pasurie. Mua më shpërblen vetëm Allahu.” Hud: 29.
“O populli im! Unë nuk kërkoj nga ju shpërblim për këtë. Mua më shpërblen vetëm Ai që më ka krijuar. A nuk kuptoni?” Hud: 51.
Nuk ka patur ndonjë të dërguar veçse ai i ka thënë popullit të tij: “Për këtë unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi. Mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i botëve.” Esh-Shuara: 109.
Rregulli i dhjetë: Përmbajtja nga sharja (fyerja).
I Madhëruari thotë: “Mos i shani idhujt që ata i adhurojnë në vend të Allahut, në mënyrë që ata të mos e shajnë Allahun armiqësisht nga padija. Kështu Ne ia paraqesim të bukura çdo populli veprat e veta. Pastaj, ata do të kthehen te Zoti i tyre i Cili do t’i lajmërojë për gjithçka që kanë punuar.” El-Enam: 109.
Rregulli i njëmbëdhjetë: Mbështetja vetëm në Allahun e Lartësuar gjatë thirrjes për tek Ai.
I Madhëruari thotë: “Mbështetu në të Përjetshmin i Cili nuk vdes, dhe madhëroje Atë me falënderim! Ai i di mjaft mirë gjynahet e robërve të Vet.” El-Furkan: 58.
I Madhëruari në gjuhën e Shuajbit (alejhi selam) thotë: “Ndërsa suksesi im varet vetëm nga Allahu. Tek Ai mbështetem dhe Atij i drejtohem.” Hud: 88.
I Madhëruari në gjuhën e Hudit (alejhis-selam) thotë: “Unë kam dëshmitar Allahun, por dëshmoni edhe ju se unë jam larg nga idhujt që i adhuroni në vend të Tij. Të gjithë ju bëni komplot kundër meje dhe mos më jepni afat aspak. Unë mbështetem tek Allahu, Zoti im dhe Zoti juaj. S’ka asnjë gjallesë që të mos jetë nën pushtetin e Tij. Me të vërtetë, Zoti im është në rrugë të drejtë.” Hud: 54-56.
“Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai.” Et-Talak: 3.
“A nuk i mjafton Allahu robit të Vet?!” Ez-Zumer: 36.
Rregulli i dymbëdhjetë: Butësia gjatë thirrjes.
I Madhëruari thotë: “Shkoni te Faraoni! Ai, me të vërtetë, i ka shkelur të gjithë kufijtë. Flitini atij fjalë të buta se ndoshta kujtohet a frikësohet!” Ta-ha: 43-44.
“Në sajë të mëshirës nga Allahu ti (o Muhamed) u solle butë me ta.[1] E sikur të kishe qenë i vrazhdë e zemërgur ata do të largoheshin prej teje.[2] Prandaj falua atyre gabimin, kërkoi falje Allahut dhe konsultohu me ta për çështjet.[3] Dhe kur të vendosësh për diçka mbështetju Allahut.[4] Vërtet, Allahu i do ata që i mbështeten Atij.[5]” Al-Imran: 159.
“Por nëse shmangesh nga ata (kur nuk ke asgjë për të dhënë) duke shpresuar në mëshirën e Zotit tënd, atëherë thuaju atyre fjalë të buta.” El-Isra: 28.
Vijon…
“Es-Sebil fi fik’hi ed-daueh.”
Përktheu: Unejs Sheme
————————————————-
[1] Me ndjekësit dhe shokët e tu të cilëve u pëlqyen moralet dhe sjelljet e tua. Edhe nëse dikush prej tyre të mundonte apo të dëmtonte ti e duroje dhe përmbaheshe në të gjitha rastet, përveç nëse bëhej fjalë për shkeljen e ligjeve të Allahut.
[2] Dhe nuk do të ndiqnin ty dhe as atë që t’u shpall, por Allahu i mëshiroi ata dhe ty bashkë me ta, dhe në sajë të mëshirës së Allahut ishe i butë me ta.
[3] Që kanë nevojë për konsultim dhe diskutim, sepse konsultimi ka dobi të panumërta për të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër, siç është; afrimi tek Allahu me zbatimin e këtij urdhri të Tij, kënaqja e të gjithëve me marrjen e mendimit të secilit dhe eliminimi i cytjeve e mendimeve që fut shejtani në zemrat e njerëzve në raste të ndryshme lufte apo në ndodhi të tjera, zhvillimi dhe zbardhja e mendimeve nga të gjithë pjesëmarrësit, përfundimi dhe vendimi i marrë pas konsultimit është më i qëlluar dhe më i saktë se vendimi i marrë nga një mendje e vetme. Sigurisht që Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) i vinte shpallja nga Allahu dhe nuk kishte nevojë për marrjen e mendimit të njerëzve, por Allahu kërkon me këtë gjë që të vendosë rregulla dhe të mësojë muslimanët sesi të veprojnë pas vdekjes së Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe pas ndërprerjes së shpalljes nga qielli.
[4] Mbështetu te fuqia e Allahut dhe vullneti i Tij dhe jo te fuqia dhe vullneti yt, dhe zbato atë që vendose pas konsultimit ashtu si të urdhëruam Ne. Mbështetju Allahu në të gjitha çështjet.
[5] Ata të cilët janë të kënaqur me caktimin e Allahut dhe i dorëzohen gjykimit të Tij, u pëlqen apo nuk u pëlqen atyre dhe dëshirave të tyre.
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve