Çështja e dytë:
A merret në konsideratë vërtetimi i hyrjes së muajit nëpërmjet llogaritjeve astronomike?
Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se ai ka thënë: Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Agjëroni kur ta shihni atë (hënën e Ramazanit) dhe bëni iftar (mbylleni muajin e agjërimit) kur ta shihni atë (hënën e Sheualit). Nëse nuk e shihni dot (për shkak të mjegullës ose reve) atëherë plotësojeni muajin e Shabanit duke e konsideruar atë 30 ditë”. E kanë transmetuar dy shejhat[1].
Dobi: Në Fet’hul Barij 4/121 (Ibn Haxheri) ka thënë: Ka mospajtim mes dijetarëve rreth kësaj shtese në hadithin e Ebu Hurejres. Buhariu siç e sheh e ka transmetuar me tekstin: “plotësojeni muajin e Shabanit duke e konsideruar atë 30 ditë”, kurse ky është transmetim që shprehet më qartë në këtë aspekt. Është thënë se shejhu i Ademit është veçuar me këtë transmetim sepse shumica e transmetimeve nga Shubeh kanë thënë në transmetimet e tyre: “llogariteni 30 ditë”, këtë e ka shprehur Ismailiu, kështu është transmetuar tek Muslimi e të tjerët. Tha (Ismailiu): Mund të ketë ndodhur që Ademi e ka transmetuar hadithin së bashku me fjalën komentuese që dikush tjetër i bëri hadithit. Thashë (Ibn Haxheri): Mendimi i Ismailiut është i saktë sepse Bejhakiu e ka transmetuar nëpërmjet Ibrahim bin Jezidit nga Ademi me tekstin: “Nëse nuk e shihni dot, llogariteni 30 ditë” domethënë: konsiderojeni muajin e Shabanit të plotë 30 ditë, kështu pra është përzier komenti i transmetuesit brenda në tekstin që e ka transmetuar Buhariu. E përforcon këtë, transmetimi i Ebu Selemes nga Ebu Hurejra me tekstin e mëposhtëm: “Mos i paraprini Ramazanit me agjërim, duke agjëruar një ditë para tij ose dy”, ky tekst të lë të kuptosh se muaji që duhet të llogaritet dhe të numërohen ditët e tij është muaji Shaban.
Muslimi e ka transmetuar nëpërmjet Rabiul bin Muslimi nga Muhamed bin Zejdi me tekstin e mëposhtëm: “Plotësojeni numrin (30 ditë)”, ky tekst është i përgjithshëm që përfshin të gjithë muajt, e ndër to edhe muajin Shaban.
Transmetohet nga Ibn Umeri radiAllahu anhu i cili tha: E kam dëgjuar Profetin salallahu alejhi ue selem duke thënë: “Kur ta shihni atë (hënën) agjëroni dhe kur ta shihni bëni iftar (mbylleni muajin e agjërimit). Nëse ju pengohet pamja (nuk e shihni dot) atëherë përcaktojeni atë (duke llogaritur ditët)”, e kanë transmetuar dy Shejhat. Në një transmetim tjetër të tyre thuhet: Profeti salallahu alejhi ue selem përmendi Ramazanin dhe tha: “Mos agjëroni derisa ta shihni atë, nëse ju pengohet pamja përcaktojeni atë”, në një transmetim tjetër të tyre thuhet: “Muaji është 29 netë prandaj mos (filloni të) agjëroni derisa ta shihni atë (hënën). Nëse ju pengohet pamja atëherë plotësojeni numrin 30 ditë”[2].
Këto dy hadithe tregojnë se nuk merret fare parasysh përllogaritja astronomike sepse Profeti salallahu alejhi ue selem e lidhi gjykimin e agjërimit dhe të iftarit me shikimin e hënës, gjithashtu tregojnë se nëse ndodh pengesë në shikimin e hënës, Profeti salallahu alejhi ue selem e lidhi gjykimin e kësaj situate me plotësimin e numrit maksimal të një muaji, numër i cili është 30 ditë.
Mënyra e të argumentuarit me hadithet është: se Profeti salallahu alejhi ue selem e lidhi gjykimin e agjërimit dhe iftarit me shikimin e hënës dhe jo me ekzistencën e saj në realitet.
Dy hadithet tregojnë qartë se hyrja e muajit të Ramazanit vërtetohet me njërën nga këto dy mënyra:
- 1. Shikimi i hënës
- 2. Plotësimi i ditëve të muajit Shaban, 30 ditë, kjo nëse ndodh pengesë në shikimin e hënës dhe nuk arrihet të shikohet.
Ky është kuptimi i fjalës së Profetit salallahu alejhi ue selem : “përcaktojeni atë” siç e shpjegojnë qartë transmetimet e tjera: “përcaktojeni atë tridhjetë”, “plotësojeni numrin tridhjetë”, “plotësojeni numrin e ditëve të Shabanit tridhjetë”. Këtë mendim kanë shumica e dijetarëve[3].
Ahmed bin Hanbeli është i mendimit se kuptimi i hadithit: “përcaktojeni atë” është ashtu siç është transmetuar mendimi nga Ibn Umeri radijAllahu anhu se: nëse natën e tridhjetë të muajit Shaban nuk shihet hëna dhe qielli është i kthjellët pa re ose mjegull atëherë njerëzit nuk do agjërojnë atë ditë, do gdhihen muftirin (joagjërueshëm). Ndërsa në qoftë se atë natë në qiell ka re ose mjegull, atëherë njerëzit do gdhihen agjërueshëm dhe konsiderohen se e kanë kryer obligimin edhe nëse vërtetohet më pas se Ramazani ka hyrë më vonë se sa dita në të cilën ata e filluan agjërimin dhe se muaji ishte 29 ditë.
Ky mendim, të cilin Ibn Umeri e zgjodhi, është transmetuar nga Esma bint Ebi Bekr radijallahu anha dhe nga Aishja radijallahu anha dhe është pasuar gjithashtu nga Tausi rahimehullah [4].
Ibn Kudameh rahimehullah ka thënë: Kuptimi i fjalës së Profetit salallahu alejhi ue selem : “Ukduru lehu”[5] do të thotë: ngushtojani numrin muajit, duke e marrë këtë kuptim nga ajeti Kuranor ku përmendet e njëjta folje me kuptimin: ngushto.
Allahu ka thënë: “e atij që i është ngushtuar furnizimi le të japë sipas asaj që Allahu i ka dhënë” (Talak 7)., dhe ajeti tjetër: “Allahu ia zgjeron furnizimin (me bollëk) atij që do dhe ia ngushton (ia kufizon) atij që do” (Rrad 26).
Pra, me ngushtimin në hadith është për qëllim të konsiderohet muaji Shaban me 29 ditë.
Ibn Umeri radijAllahu anhu kështu e komentoi hadithin me veprimin e tij dhe duke qenë se ai është transmetuesi i këtij hadithi dhe e njeh më mirë se kushdo tjetër kuptimin e tij, është detyrë që të kthehemi dhe bazohemi tek shpjegimi që ai i bëri hadithit[6].
Thashë (autori): I përafërt me këtë mendim është mendimi i cili i jep hadithit kuptimin: Ukduru lehu, domethënë, përcaktojeni atë (hënën) të fshehur pas reve.
Ekziston një mendim i tretë rreth kuptimit të hadithit: Ukduru lehu, domethënë, përcaktojeni atë nëpërmjet përllogaritjeve. Ky mendim është i transmetuar nga Mutarrif bin Abdilah dhe e ka zgjedhur këtë mendim Ebul Abas bin Surejxh dhe Ibn Kutejbeh, e të tjerë[7].
Pra, në bazë të gjithë kësaj që thamë, nxjerrrim përfundimin se rreth kuptimit të këtij hadithi ekzistojnë tre mendimet e renditura më poshtë:
- 1. Ukduru lehu; domethënë, plotësojeni numrin e ditëve të muajit Shaban 30 ditë.
- 2. Ukduru lehu: domethënë, konsiderojeni hënën të fshehur pas reve dhe ngushtojeni muajin Shaban duke e konsideruar atë 29 ditë.
- 3. Ukduru lehu: domethënë, përcaktojeni atë nëpërmjet përllogaritjeve astronomike.
Thashë: Mendimi që mua më duket i sakti –Uallahu ealem- është mendimi i parë, të cilin e ka zgjedhur gjithashtu shumica e dijetarëve.
Kjo zgjedhje bazohet në argumentimet e mëposhtme:
- 1. Përcaktimi i përmendur në këtë hadith ka për qëllim plotësimin e numrit të ditëve siç transmetohet nga Profeti salallahu alejhi ue selem se ai ka thënë: “Plotësojeni numrin e ditëve” dhe qëllimi me këtë është plotësimi i ditëve të muajit në të cilin nuk u arrit të shihet hëna. Kjo është transmetuar qartë në hadithin e saktë të cilin e ka transmetuar Buhariu, ku thuhet: “Plotësojeni numrin e ditëve të Shabanit” dhe në hadithin tjetër: “Mos agjëroni derisa ta shihni atë (hënën e Ramazanit), nëse ju pengohet shikimi i saj atëherë plotësojeni numrin e ditëve”, pra jemi të urdhëruar për të plotësuar numrin e ditëve të atij muaji në të cilin nuk arrihet të shihet hëna, qoftë ajo hëna për të filluar muajin e agjërimit apo për të bërë fitr (për të mbyllur muajin e agjërimit).
Akoma më i qartë është hadithi në të cilin Profeti salallahu alejhi ue selem thotë: “Muaji është njëzet e nëntë ditë prandaj mos agjëroni derisa ta shihni atë (hënën) nëse ju pengohet shikimi, atëherë plotësojeni numrin e ditëve”. Ky hadith me tekstin e tij të shprehur ka të bëjë me fillimin e muajit ndërsa me kuptimin e tij ka të bëjë me fundin e muajit dhe nuk lejohet të lihet mënjanë ajo çfarë tregohet nga teksti i shprehur qartë me fjalët e tij dhe të merret në konsideratë ajo që nxirret nga hadithi nëpërmjet të kuptuarit[8].
- 2. E përforcon këtë zgjedhje fakti se shpjegimi i përcaktimit (të përmendur në hadith) me ngushtimin në numrin e ditëve (duke e konsideruar muajin të mangët, 29 ditë) sjell si rrjedhojë lejimin e agjërimit të ditës së dyshimtë[9] dhe siç dihet është vërtetuar në Sunet ndalimi nga agjërimi i kësaj dite[10].
- 3. Sepse mendimi që thotë për të agjëruar ditën e 30 të muajit Shaban, për siguri, është i pasaktë sepse siguria e vërtetë dhe e plotë është në praktikimin e Sunetit të Profetit salallahu alejhi ue selem, zbatimin e urdhërave të tij dhe largimin nga ato që ai ka ndaluar. Pra, siguria qëndron në pasimin e përpiktë dhe me vendosmëri të Sunetit, të rrugës së Profetit salallahu alejhi ue selem dhe të shokëve të tij, por pa gulu (teprim dhe tejkalim të kufinjve) dhe pa mangësi e neglizhencë. Kjo është siguria me të cilën Allahu është i kënaqur, po ashtu dhe i Dërguari i Tij[11].
- 4. Sepse agjërimi i ditës së dyshimtë për siguri, sjell rrjedhime të atilla që e bëjnë të pavlefshëm këtë agjërim. Ibn Abdulberri rahimehullah ka thënë: Ky parim (i pretenduar) –domethënë: nëse nuk shihet hëna natën e tridhjetë të Shabanit dhe në qiell ka re ose mjegull, atëherë njerëzit duhet të gdhihen agjërueshëm- nuk është i qëndrueshëm dhe ai që e ka shprehur këtë parim do bjerë në kontradiktë sepse nëse nuk shihet hëna e Ramazanit dhe ai agjëron duke u bazuar në veprimin e Ibn Umerit dhe pastaj përsëri nuk arrin ta shohë hënën e Sheualit (pasi të mbushen tridhjetë ditët e agjërimit) atëherë ai do veprojë njërë nga këto dy zgjedhje: Ose do të zbatojë parimin e tij të sigurisë nga frika se mos do lërë pa agjëruar një ditë nga Ramazani ose nuk do ta zbatojë parimin e sigurisë. Nëse nuk e praktikon parimin e tij të sigurisë kjo vërteton pasaktësinë e tij, ndërsa nëse e zbaton parimin e tij të sigurisë do agjërojë 31 ditë, gjë e cila me unanimitet është në kundërshtim me atë që Allahu ka urdhëruar[12] [13].
- 5. Bazohemi në rregullin: E sigurta nuk hidhet poshtë me dyshim (el jekinu la jezulu bish- shek). Origjina në rastin tonë është vazhdimësia e muajit Shaban derisa të plotësohen të gjitha ditët e tij, kjo është e sigurta në këtë çështje. Nëse natën e tridhjetë të Shabanit nuk shihet hëna e Ramazanit, origjina është vazhdimësia e muajit Shaban dhe mos marrja parasysh e dyshimit (për hyrjen e muajit të Ramazanit)[14].
- 6. Nuk është me vend të zbatohet (nga pala tjetër) në këtë çështje rregulli: Transmetuesi e di më mirë kuptimin e asaj që ai vetë ka transmetuar, ndaj i jepet përparësi shpjegimit që ai i bën atij teksti ndaj shpjegimit të të tjerëve.
Kjo sepse shtjellimi i këtij rregulli është si mëposhtë: Nëse transmetuesi (nga sahabët) thotë një mendim në një çështje të caktuar, ka dy alternativa: ose do të shprehet qartë se ky mendim i tij është kuptimi i hadithit të cilin ai e transmeton ose nuk shprehet me këtë. Në rast se nuk shprehet se mendimi i tij është i marrë nga kuptimi i hadithit të cilin ai e transmeton atëherë ose do të jetë mendimi i tij në përputhje me atë që ka transmetuar ose do të jetë në kundërshtim me çfarë ka transmetuar. Nëse mendimi i tij bie ndesh me atë që ai vetë ka tranmsetuar atëherë do merret në konsideratë ajo që është transmetuar (nga Profeti salallahu alejhi ue selem ) dhe nuk merret parasysh mendimi i tij[15]. Ndërsa në qoftë se mendimi i tij nuk bie në kundërshtim me atë që vetë ai ka transmetuar, në këtë rast i jepet përparësi mendimit dhe shpjegimit të tij rreth hadithit ndaj shpjegimit të dikujt tjetër sepse këtu është me vend të përdoret rregulli: Transmetuesi e di më mirë kuptimin e asaj që ai vetë ka transmetuar se sa dikush tjetër. Pra, si përfundim mund të themi se marrja në konsideratë e shpjegimit të transmetuesit ndodh në dy raste:
- Nëse transmetuesi shprehet qartë se ky shpjegim është i marrë nga ajo çfarë ka transmetuar.
- Nëse shpjegimi dhe mendimi i tij nuk bien ndesh me atë që ai ka transmetuar.
Në çështjen tonë për të cilën po flasim asnjëra nga këto dy situata nuk ekziston sepse Ibn Umeri me këtë mendimin e tij ka rënë në kundërshtim me një grup hadithesh që ndalojnë nga agjërimi i ditëve të fundit të muajit Shaban. Pra si mund të jetë shpjegimi i tij mendimi më i zgjedhur?! Përkundrazi ky shpjegim dhe mendim i tij bien në kundërshtim me mendimin e shumicës së sahabëve prandaj nuk ngelet arsye për ata që argumentohen me veprimin e tij për të zgjedhur atë mendim, e duke qenë kështu, si mund të konsiderohet mendimi i tij shmangës i teksteve nga kuptimi i qartë i dukshëm i tyre?!
Në këtë rast nuk ka vend as për rregullin: Marrja në konsideratë e ihtilafit (mendimit tjetër) sepse pala tjetër ka rënë në kundërshtim të qartë me një sunet të saktë. El Hejthemiju rahimehullah ka thënë: Ndalimi nga agjërimi i ditë së dyshimtë nuk bën dallim mes asaj dite në natën e së cilës ka re apo jo, prandaj nuk u mor në konsideratë mendimi i Ahmedit i cili thotë për obligueshmërinë e agjërimit të ditës me re sepse ky mendim ka rënë në kundërshtim me sunetin e saktë [16]. Sheukani rahimehullah ka thënë: Ajo që është transmetuar në këtë sheriat është se agjërimi (farz) fillohet nëse shihet hëna ose plotësohet numri i ditëve të muajit. Këtë e bëri akoma më të qartë Profeti salallahu alejhi ue selem duke thënë: “Nëse nuk e shihni dot atëherë plotësojeni muajin e Shabanit tridhjetë ditë”. Sikur vetëm ky hadith të ishte, mjafton për të treguar se është e ndaluar të agjërohet dita e dyshimtë, por ç’mund të themi më tepër kur dihet se ka dhe hadithe të tjera që përforcojnë këtë fakt, si për shembull hadithi i transmetuar në dy Sahihët [17], etj, në të cilat tregohet qartë ndalimi që Profeti salallahu alejhi ue selem i bëri umetit të tij nga paraprirja e Ramazanit me agjërim, një ditë ose dy para tij. Nëse dikush thotë se nga këto hadithe nuk përfitohet ndalimi nga agjërimi i ditës së dyshimtë atëherë ne qenkemi nga ata që nuk e kuptojmë arabishten, as në shprehjet e qarta e as të paqartat e saj. Të gjithë këtyre fakteve i shtohet dhe haditihi që transmetohet nga Ahmedi ku thuhet: “Kush agjëron ditën e dyshimit e ka kundërshtuar Ebul Kasimin (Profetin)”. E kanë transmetuar të katër Sunetet, e kanë saktësuar Tirmidhiu, Ibn Huzejmeh dhe Ibn Hibani, e ka transmetuar gjithashtu Buhariu mualek [18]. Ibn Abdulberri rahimehullah ka thënë: Nuk ka kundërshtim mes tyre se ky hadith është i transmetuar me zinxhir të plotë, pa shkëputje në të [19]
- 7. Shpjegimi i hadithit: “fekduru lehu” me përcaktimin sipas përllogaritjeve astronomike është mendim i shpikur në fe, që bie ndesh me tekstet e shumta dhe që nuk është thënë nga askush prej selefëve. Ibn Abdulberri rah ka thënë: Askush nga fukahatë e muslimanëve –me aq sa di unë- nuk e ka lidhur vërtetimin e hënës së muajit me përllogaritjet.
Ky mendim është transmetuar nga Mutarrif bin esh-Shihir, por ky transmetim nga ai nuk është i saktë –uallahu ealem- por edhe sikur të jetë transmetim i saktë nuk do ishte detyrë pasimi i tij sepse u veçua me këtë mendim të dobët dhe sepse bie në kundërshtim me argumentin. Dikush nga fukahatë e Basras e ka komentuar hadithin (e mësipërm) me diçka të përafërt (me mendimin e Mutarrifit), mirëpo përgjigjia jonë ndaj tij është e njëjtë me përgjigjen e mëparshme. Ibn Kutejbeh rahimehullah në lidhje me kuptimin e hadithit ka thënë: “fekduru lehu”, përcaktojeni lëvizjen e hënës. Siç e thamë më heret ky është mendim i dobët të cilin dijetarët e kanë kundërshtuar.
Ibn Kutejbeh nuk e ka zakon diçka të tillë (të zgjedhë mendime të dobëta) por as nuk është nga ata që iu meret fjala për bazë në këtë fushë[20].
- 8. Mendimi që merr për bazë përllogaritjen astronomike bie ndesh me fjalën e Profetit salallahu alejhi ue selem ku thotë: “Ne jemi popull analfabet, as nuk shkruajmë e as nuk dimë të bëjmë llogari [21]. Muaji është kaq dhe aq”, domethënë herë është 29 ditë dhe herë 30 ditë (duke i treguar me gishta) e kanë transmetuar dy Shejhat[22]. Fjala e Profetit salallahu alejhi ue selem : “Ne jemi popull analfabet” nuk ishte arsyetim i gjykimit që kishte të bënte me muajin por ishte pasqyrim i realitetit ekzistues, pra fjala e tij në këtë rast ishte thjesht cilësi zbuluese[23] që nuk mbart me vete kushtëzimin me atë cilësi[24].
Prandaj nuk mund të thuhet se sot është zhdukur analfabetizmi dhe njerëzt në përgjithësi dinë të shkruajnë dhe të bëjnë llogari ndaj dhe gjykimi duhet të ndryshojë, kjo nuk mund të pranohet të thuhet! Jahja ibn Hubejrah rahimehullah ka thënë: Dijetarët kanë rënë dakort se nuk merren në konsideratë përllogaritjet dhe të dhënat astronomike për vërtetimin e hyrjes së muajit të agjërimit, qoftë për atë person që di t’i bëjë përllogaritjet apo për atë që nuk di të përllogarisë. Ka kundërshtuar në këtë çështje Ibn Surejxhi nga shafiitë.
(Më poshtë tha): Ibn Surejxhi e tha këtë duke menduar se kjo është më e sigurtë për ibadetin por ky mendim i tij është i dobët dhe që bie ndesh me sigurinë e vërtetë për ibadetin sepse me këtë mendim i jep mundësinë falltorëve të yjeve që të përzihen në ibadetet e muslimanëve ndërkohë që Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Agjëroni kur ta shihni atë (hënën) dhë bëni iftar (mbylleni muajin e agjërimit) kur ta shihni atë (hënën e Sheualit)” dhe nuk tha: agjëroni në bazë të përllogaritjeve dhe mbylleni agjërimin sipas tyre, përkundrazi fillimi dhe mbarimi i agjërimit bazohet në shikim të hënës ose në plotësim të ditëve të muajit[25]. Fakti se fjala e Profetit salallahu alejhi ue selem tha : “Nuk dimë të shkruajmë e as të bëjmë llogari” nuk ishte arsyetim i gjykimit, përforcohet në disa aspekte:
Së pari: Njohja e shkrimit dhe e llogarive nuk do të thotë domosdoshmërisht njohje e përllogaritjeve astronomike, pra thjesht zhdukja e analfabetizmit nga ky umet dhe të qënurit e shumicës së tij që shkruajnë dhe dinë të bëjnë llogari nuk do të thotë njohjen e aftësisë së kryerjes së përllogaritjeve astronomike.
Së dyti: Fjala e Profetit salallahu alejhi ue selem : “Muaji është aq (ashtu) dhe kaq (kështu)” domethënë: muaji është herë me 29 ditë dhe herë me 30 ditë dhe nuk mund të përcaktohet në mënyrë të prerë se sa do jetë secili muaj veçse nëpërmjet shikimit të hënës ose plotësimit të muajit 30 ditë, gjë e cila bie ndesh me përllogaritjet astronomike të cilat shprehen duke e përcaktuar prerazi numrin e ditëve të çdo muaji që para se të vijë ai muaj, madje e përcaktojnë për vite të shumta të ardhshme!!!
Së treti: Po të ishte i saktë mendimi i atyre që bazohen në përllogaritjet atëherë duhej që Profeti salallahu alejhi ue selem ta bënte të qartë duke thënë: Muaji është aq ose kaq ose pyesni ata që dinë të përllogarisin, por Profeti salallahu alejhi ue selem nuk e tha diçka të tillë ndaj kjo tregon pavlefshmërinë e të bazuarit në përllogaritjet astronomike për të vërtetuar hyrjen e muajit[26].
- 9. Mendimi që thotë për t’u bazuar në përllogaritjet astronomike ua ngushton njerëzve mundësinë e njohjes së fillimit të muajit dhe ua vështirëson atyre këtë gjë sepse ata që janë në gjendje të përcaktojnë nëpërmjet përllogaritjeve, janë një numër shumë i kufizuar njerëzish në kryeqendrat e vendbanimeve kryesore[27] ndërkohë që sheriati e ka përcaktuar vërtetimin e hyrjes së muajit me shikimin e hënës ose me plotësimin e muajit të Shabanit 30 ditë nëse nuk shihet hëna në mënyrë që të jetë e përcaktuar dhe që nuk ndodh gabim në të. Ndryshe nga përllogaritjet astronomike të cilat nuk i di përveçse një numri i vogël njerëzish dhe në këto përllogaritje shpesh herë ndodhin gabime për shkak se përllogaritësi nuk është aq i aftë në fushën e tij ose sepse disa nga faktorët në të cilat ai mbështetet mund të jenë të bazuara në hamendje e supozime, ose janë faktorë të ndryshueshëm, etj. Ndaj Allahu me urtësinë e Tij në këtë sheriat të qartë e të lehtë dëshiroi që t’ua lehtësojë robërve duke i lidhur dispozitat e sheriatit me gjëra të dukshme, të qarta dhe të mundshme për të gjithë njerëzit siç është shikimi i hënës ose plotësimi i muajit 30 ditë[28].
[1] Transmeton Buhariu në Librin e agjërimit, kapitulli rreth fjalës së Profetit salallahu alejhi ue selem : “Kur ta shihni hënën (e Ramazanit) agjëroni, hadithi nr.1909 dhe Muslimi në librin e agjërimit të Ramazanit sipas shikimit të hënës, hadithi nr.1081.
[2] E ka transmetuar Buhariu në disa pjesë të librit të tij, p.sh.: në librin e agjërimit, kapitulli: A duhet të thuhet Ramazan apo muaji i Ramazanit, hadith nr.1900, e në kapitujt e tjerë si p.sh.: hadithi nr.1906,1907 dhe Muslimi në Librin e agjërimit, kapitulli: Obligueshmëriua e agjërimit të Ramazanit sipas shikimit të hënës, hadithi nr.1080.
[3] Et-Temhid 14/352, el Kafij fq 119, el Ifsah 1/236, el Bedaiu 2/80, el Ihtijar 1/128 dhe el Mexhmu 6/270.
[4] Et-Temhid 14/347, el Mubdi 3/4, el Insaf 3/269.
[5] Sh.P.: Folja kadera, jukadiru, vjen me disa kuptime, ndër to: përcaktoj (kuptim të cilin merr ky hadith sipas mendimit të parë), ngushtoj (kuptim të cilin e merr ky hadith sipas mendimit të dytë). Muxhem mekajis el-lugah, për më tepër rreth kuptimit të kësaj fjale shiko: Lisanul arab 11/57 fq 846.
[6] El Mugnij 3/90.
[7] Et-Temhid 14/350, el Mexhmu 6/270.
[8] Kjo është marrë nga libri Zadul Mead 2/39.
[9] Dita e dyshimtë është dita e fundit e muajit Shaban. U quajt e dyshimtë ose dita e dyshimit sepse në natën që i paraprin asaj njerëzit janë në dilemë dhe dyshim, a do të jetë nesër dita e parë e Ramazanit apo do jetë dita e fundit e Shabanit?
[10] Hadithet që ndalojnë nga kjo gjë mund t`i lexosh në librin Xhamiul Usul të Ibnul Ethirit 6/350-351, 354-357.
[11] Për të qenë akoma më i qartë rreth kuptimit të veprimit të asaj që është më e sigurta dhe dallimin mes saj dhe vesveses, shiko në librin er-Ruh të Ibn Kajimit fq 364.
[12] Sh.p: Sepse nuk ka muaj hënor me 31 ditë dhe Allahu ka urdhëruar të agjërohet i plotë muaji i Ramazanit i cili kurrë nuk mund të jetë mbi 30 ditë
[13] Et-Temhid 14/349-350.
[14] Et-Temhid 2/39, el Hauij el kebir 3/407.
[15] Ibn Kajim el Xheuzijeh ka thënë: Ajo të cilën ne e besojmë si fe të Allahut dhe që nuk na lejohet të zgjedhim tjetër veç saj, të cilën kishim për qëllim ta sqarojmë në këtë kapitull, është se: Nëse vërtetohet hadithi i thënë nga Profeti salallahu alejhi ue selem dhe nuk vërtetohet ndonjë hadith tjetër i cili e anullon të parin atëherë e kemi detyrë ne dhe i gjithë umeti që të kapemi pas hadithit të Profetit salallahu alejhi ue selem dhe të lëmë mënjanë mendimin e çdokujt që bie ndesh me të. Nuk heqim dorë nga hadithi për mospajtimin e dikujt me të, qoftë ai vetë transmetuesi i atij hadithi apo dikush tjetër sepse është diçka e mundshme që transmetuesi ta harrojë atë që vetë ka transmetuar ose nuk i kujtohet në momentin kur jep fetva ose nuk i shkon mendja ta nxjerë gjykimin e asaj çështjeje nga kuptimi i hadithit ose e komenton hadithin me një shpjegim që nuk është ai i zgjedhuri dhe në bazë të atij komentimi hadithi bie në mospërputhje me diçka tjetër –sipas mendimit të tij- edhe pse në të vërtetë nuk ka mospërputhje ose pason (taklid) dikë tjetër nga sahabët në fetvanë e tij e cila nuk përputhet me hadithin duke besuar se sahabiu tjetër është më i ditur dhe se ai dha fetva të kundërt me hadithin për shkak të një argument tjetër më të fortë. Nëse e zëmë se asnjëra nga supozimet e mësipërme nuk ka ndodhur – gjë e cila është e pamundur për ne ta dimë – ngelet të themi se transmetuesi (nga sahabët) nuk është i pagabueshëm. Rënia ndesh e mendimit të tij me atë që ka transmetuar nuk ia hedh poshtë adaletin e tij përveç nëse të këqijat e tij janë më të shumta se të mirat e tij, ndërsa vetëm me kundërshtimin e këtij hadithi atij nuk i ndodh diçka e tillë. (Marrë nga Ilamul muekiin 3/40).
[16] Marrë nga libri i tij: It-hafu ehlil islam bi hususijati es-sijam fq 311.
[17] Buhariu në Librin e agjërimit, kapitulli: Nuk i paraprihet Ramazanit me agjërim duke agjëruar një ditë ose dy para tij, hadithi nr.1914; Muslimi në librin e agjërimit, kapitulli Mos i paraprini Ramazanit me agjërim duke agjëruar një ditë ose dy para tij, hadithi nr.1082, shiko gjithashtu në librin Xhamiul Usul 6/354.
[18] Hadithi është i saktë: Transmeton Darimiu në Sunenin e tij, Libri i agjërimi, kapitulli rreth ndalimit nga agjërimi i ditës së dyshimtë 2/2, Ebu Daudi, libri i agjërimi, kapitulli: Urrejtja e agjërimit të ditës së dyshimtë 4/153, Ibn Maxheh, Libri i agjërimi, kapitulli: çfarë është transmetuar rreth agjërimit të ditës së dyshimtë, hadithi nr.1645, Ibn Huzejmeh 3/204-205, Ibn Hibani: el Ihsan 8/351, 361, hadithi nr.3585, 3596, Tirmidhiu për këtë hadith tha: hasen sahih. E ka saktësuar Ibn Huzejmeh, Ibn Hibani dhe verifikuesi i Xhamiul Usul 6/351 dhe Albani në Sahih Suneni Ebi Daud 2/444 dhe verifikuesi i el Ihsan.
[19] Es-Sejlul Xherrar 2/115.
[20] Et-Temhid 14/352.
[21] Domethënë : Nuk dimë të bëjmë llogari të jashtëzakonshe ndërsa llogaritë e thjeshta për shitblerje i dinin.
[22] E tranmsmeton Buhariu në librin e agjërimit, kapitulli rreth fjalës së Profetit salallahu alejhi ue selem : Nuk shkruajmë e as nuk bëjmë llogari, hadithi nr. 1913, Muslimi libri i agjërimit, kapitulli: obligueshmëria e agjërimit të Ramazanit sipas shikimit të hënës, hadithi nr. 1080. Shiko gjithashtu librin Xhamiul Usul 6/379-381.
[23] Cilësia zbuluese (treguese) është shprehje që nuk mbart me vete kuptimin e kundërt të saj.
[24] Hadithi nuk ka për qëllim të ndalojë nga mësimi i të shkruarit dhe llogarive dhe as nuk ka për qëllim nënvlerësimin e tyre. Nga libri: el Ilmu el Menshur fq.16.
[25] El Ifsah 1/236-237.
[26] Marrë nga Fet-hul Barij 4/127.
[27] El Mexhmu sherhul muhedheb 6/270.
[28] El Mualim bi feuaidi muslim 2/29, El ilmul menshur fq 6.
Të Ngjashme
- Kur je duke u falur me xhemat! Udha e Besimtarëve
- Kush e fal namazin e sabahut është nën mbrojtjen e Allahut Udha e Besimtarëve
- Vlera e faljes së namazit vullnetar në shtëpi Udha e Besimtarëve
- Dobitë e dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes Udha e Besimtarëve
- Një dijetar si Ibn Tejmije Udha e Besimtarëve