Historia e Musait dhe agjërimi i ditës së ashures

December 13, 2010

Gjithë falënderimet dhe lavdërimet janë për Allahun! Atë falënderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë!

Prej ditëve madhështore dhe të mira është dita e Ashures, që është dita e dhjetë e muajit të Allahut “El-Muharram”. Që është një ditë e mirë dhe madhështore, për të cilën kanë ardhur hadithe nga pejgamberi bujar (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të). Aq sa ai ka nxitur dhe kurajuar për agjërimin e kësaj dite, madje ai dhe shokët e tij e agjëruan këtë ditë. Ka ardhur në hadith se pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Agjërimi i ditës së Ashures, kërkoj që Allahu të falë vitin që ishte para tij.”

O robër të Allahut! Dita e Ashures është një ditë madhështore në të cilën njerëzit u begatuan dhe Allahu në këtë ditë shpëtoi Musain bashkë me ata që ishin me të, si dhe mbyti Faraonin bashkë me ata që ishin me të. Pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) kur erdhi në Medine pa se çifutët e agjëronin këtë ditë dhe tha: Çfarë është kjo? Ata thanë: Kjo është një ditë e mirë (në një transmetim: Kjo është një ditë madhështore) në të cilën Allahu shpëtoi Musain bashkë me ata që ishin me të dhe mbyti Faraonin bashkë me ata që ishin me të. Këtë ditë e agjëroi Musai duke falënderuar Allahun, kështu edhe ne e agjërojmë. Pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) tha: Ne jemi më parësor për Musain se ju dhe e agjëroi këtë ditë, si dhe urdhëroi shokët e tij të nderuar ta agjëronin këtë ditë.

Në fillim të Islamit agjërimi i ditës së Ashures ishte një obligim i formës së prerë, por më pas kur zbriti obligimi i agjërimit të Ramazanit u shndërrua në mustehab (i pëlqyeshëm). Pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Dita e Ashures është një ditë nga ditët e Allahut. Kush dëshiron prej jush të agjëroj dhe kush dëshiron të mos agjëroj.” Ose siç ka thënë pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të). Agjërimi i kësaj dite është i pëlqyeshëm për muslimanët si shenjë falënderimi ndaj Allahut për atë begati madhështore si dhe duke kërkuar atë që u premtoi Allahu agjëruesve të kësaj dite.

O robër të Allahut! Agjërimi është një bindje madhështore dhe ka shpërblim madhështor tek Allahu. Ka ardhur në hadith të saktë se pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kush agjëron një ditë në rrugë të Allahut, Allahu ia largon me të fytyrën nga zjarri shtatëdhjetë vjeshta.”

Sunneti është që ditën e Ashures muslimani ta agjëroj me një ditë para. Ka ardhur në hadith të saktë se sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta) i thanë pejgamberit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) se çifutët e agjërojnë këtë ditë, e festojnë dhe e madhërojnë atë. Atëherë ai u tha: “Nëse do të jem në vitin e ardhshëm do të agjëroj edhe ditën e nëntë.” (D.m.th. bashkë me ditën e dhjetë)

Pra Sunneti është që muslimani ta agjëroj ditën e Ashures duke kërkuar këtë shpërblim madhështor dhe të agjëroj bashkë me të ditën e nëntë, duke kundërshtuar kështu çifutët dhe duke pasuar pejgamberin tonë (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të).

O robër të Allahut! Siç thamë se në këtë ditë ka ndodhur një ngjarje madhështore që përmban mësim mbresëlënës, fakt të dukshëm dhe argument të habitshëm. Të gjitha këto dëshmojnë për përsosmërinë e fuqisë së Allahut dhe madhështinë e shpagimit të Tij në këtë ditë, në të cilën Allahu i Lartmadhëruar përmbyti Faraonin dhe popullin e tij. Ai e ka përmendur në vende të shumta të Kur’anit historinë e Faraonit të detajuar. Ai ka njoftuar se Faraoni u tregua arrogant në tokë, duke i kapërcyer kufijtë ndaj robëve të Allahut me arrogancën, mendjemadhësinë dhe kryeneçësinë e tij. Më pas Allahu i Lartmadhëruar e urdhëroi dhe e lejoi Musain bashkë me ata që ishin me të që të iknin natën në drejtim të detit të kuq. Më pas Musai bashkë me bijtë e Israilit dolën natën për në drejtim të detit të kuq, ndërsa Faraoni urdhëroi që të grumbulloheshin njerëzit dhe të përgatitej ushtria. Allahu i Lartmadhëruar thotë:

وأوحينا إلى موسى أن أسر بعبادي إنكم متبعون فأرسل فرعون في المداءن حاشرين إن هؤلاء لشرذمة قليلون و إنهم

لنا لغائذون و إنا لجميع حاذرون فأخرجناهم من جنات وعيون وكنوز و مقام كريم كذلك و أورثناها بني إسرائيل فأتبعوهم مشرقين فلما ترءى الجمعان قال أصحاب موسى إنا لمدركون قال كلا إن معي ربي سيهدين فأوحينا إلى موسى أن اضرب بعصاك البحر فانفلق فكان كل فرق كالطود العظيم وأزلفنا ثم الأخرين وأنجينا موسى و من معه أجمعين ثم أغرقنا الأخرين إن في ذلك لأية و ما كان أكثرهم مؤمنين و إن ربك لهو العزيز الرحيم (الشعراء 52-68

“Dhe Ne e frymëzuam Musain duke i thënë: Largoji robët e Mi natën, vërtet që do të ndiqeni. Pastaj Faraoni çoi thirrës në gjithë qytetet. (Duke thënë) Vërtet që ata s’janë veçse një bandë e vogël. Dhe sigurisht që ata kanë bërë atë që na kanë tërbuar ne. Por ne siç jemi të gjithë të grumbulluar, jemi shumë të paralajmëruar. Në këtë mënyrë, Ne i përzumë ata nga kopshtet dhe nga burimet. Nga thesaret dhe nga çdo vend tjetër i nderuar. Kësisoj (Ne e nxorrëm jashtë popullin e Faraonit) dhe bëmë që t’i trashëgojnë ato bijtë e Israilit. Kështu ata i ndoqën bijtë e Israilit në mëngjes, me lindjen e diellit. Dhe kur dy ushtritë panë njëra-tjetrën, njerëzit e Musait i thanë: Padyshim që do të kapemi. (Musai) tha: Jo, kurrë! Sigurisht që me mua është Zoti im, Ai do të më udhëzoj mua. Pastaj Ne i shpallëm Musait (dhe i thamë): Bjeri detit me shkopin tënd. Dhe ai (deti) u hap dhe secila anë (e ujit që u ça) u bë si një masë mali e palëvizshme. Pastaj Ne i sollëm pranë atij vendi të tjerët (njerëzit e Faraonit). Dhe Ne e shpëtuam Musain dhe të gjithë ata (që ishin) me të. Pastaj Ne i fundosëm të tjerët. Vërtet që këtu ka një shenjë treguese, megjithatë shumica e tyre nuk janë besimtarë. Dhe vërtet që Zoti yt, Ai është i Gjithëfuqishmi, Mëshirëploti,” (Esh-Shuara 52-68)

Njerëzit e Musait kur arritën pranë  detit dhe kur pas tyre kishin Faraonin dhe ushtrinë e tij u frikësuan se mos shkatërroheshin, ndërsa Musai me besim të palëkundur, me zemër të qetë dhe duke patur siguri tek Allahu Madhështor u tha atyre. Jo, ata nuk do të na arrijnë kurrë! Sigurisht që me mua është Zoti im, Ai do të më udhëzoj mua.

Allahu i Lartmadhëruar i shpalli dhe i lejoi folësit të Tij, Musait (paqja qoftë mbi të) që të godasë me shkopin e tij detin. Ndërkohë deti u hap në disa anë dhe u bënë dymbëdhjetë anë, ku çdo anë ishte si një mal madhështor.

O besimtarë! Kjo është një dëshmi e qartë që argumenton për përsosmërinë e fuqisë së Allahut Të Lartmadhëruar. Se si e shndërroi ujin e rrjedhshëm në formë të maleve të mëdhenj. Aq sa edhe toka mbi të cilën kaloi Musai me njerëzit e tij pasi ishte e lagur dhe e njomë, Allahu i Madhëruar e shndërroi në të thatë. Rrugët u hapën pasi ata ishin të izoluar duke patur para tyre detin dhe pas Faraonin me ushtrinë e tij. Pas vështirësisë u erdhi lehtësia dhe pas brengës u erdhi rrugëdalja. Kështu që Musai bashkë me ata që ishin me të ecën të sigurt me shpejtësi nëpër ato rrugë që ua lehtësoi Allahu në det permes ujërave. Ata ecën dhe ujërat qëndronin në krahë të tyre mbi tokën e thatë. Sa argument madhështor! Kur mbërriti Faraoni me ushtarët e tij dhe kur Musai bashkë me ata që ishin me të kishin dalë në rrugët e tjera, Musai dëshiroi të godiste detin me shkopin e tij, që të mos hynte Faraoni dhe ta arrinte. Por Allahu i Lartmadhëruar i tha:

(واترك البحر رهوا إنهم جند مغرقون)

“Dhe lëre detin siç është. Sigurisht që ata janë një ushtri që do të mbyten.” (Ed-Dukhan 24)

Kur Faraoni mbërriti tek deti iu shtua edhe më tepër mendjemadhësia dhe arroganca, u kthye drejt popullit të tij dhe u tha tërë arrogancë: Unë jam ai që e kapa ujin për të kapur këtë bandë të vogël dhe këtë grup që ka dalë. Populli i tij humbi dhe e ndoqi pas atë. Në librat e historisë është përmendur se numri i kuajve që ishin me ta arrinte në njëqindë mijë. Kështu ata siç ishin hynë që të gjithë dhe deti vërshoi mbi ta dhe ata u mbytën që të gjithë, nga i pari deri tek i fundit, ku mes tyre ishte edhe armiku i Allahut Faraoni.

Musai (paqja qoftë mbi të) e agjëroi këtë ditë, ditën e Ashuras në shenjë falënderimi ndaj Allahut për atë begati madhështore. Edhe ne -populli i Islamit- e agjërojmë këtë ditë duke falënderuar Allahun për atë begati.

I them këto fjalë dhe kërkoj falje nga Allahu për veten time, për ju dhe për të gjithë muslimanët kudo që janë. Dhe ju kërkojini falje Allahut, se Ai është Falësi, Mëshiruesi.

Gjithë falëderimet dhe lavdërimet janë vetëm për Allahu. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi atë pas të cilit nuk ka pejgamber tjetër, familjen dhe mbi gjithë shokët e tij.

O robër të Allahut! Nga sa përmendëm mësuam se është e ligjshme që muslimanët ta agjërojnë ditën e Ashures në shenjë falënderimi ndaj Allahut të Lartmadhëruar dhe duke kërkuar premtimin e Allahut për agjëruesit. Ai që ka më shumë shpërblim nga agjëruesit është ai që e përmend më shumë Allahun.

O robër të Allahut! Deshi Allahu i Lartmadhëruar që në këtë ditë të ndodhte një ngjarje e madhe. Kjo ndodhi në vitin gjashtëdhjetë e një sipas Hixhretit. Në këtë ditë u vra Husejn ibën Ali (Allahu qoftë i kënaqur me të). Ai u vra padrejtësisht, pandershmërisht dhe anësisht. Vdekja e tij konsiderohet si fatkeqësi dhe tragjedi tepër e madhe për mbarë besimtarët. Mirëpo besimtari është i urdhëruar që në çdo fatkeqësi të durojë, të kërkoj shpërblim nga Allahu, të thotë: Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi dhe ta drejtoj çështjen e tij tek Allahu. Allahu i Lartmadhëruar thotë:

(و بشر الصابرين الذين إذا أصبتهم مصيبة قالوا إنا لله و إنا إليه راجعون)

“Përgëzoji të duruarit. Të cilët kur u bie fatkeqësi thonë: Vërtet të Allahut jemi dhe padyshim tek Ai do të kthehemi.” (El-Bekareh 155-156)

Para Husejnit janë vrarë ata që janë më të mirë se Husejni. U vra babai i tij Ali ibën Ebi Talib, u vra Uthman ibën Affani, u vra Umer ibën El-Khattabi (Allahu qoftë i kënaqur me ta). Madje u vranë edhe ata që janë më të mirë se këta, u vranë pejgamberët e Allahut të Lartmadhëruar.

Pas vdekjes së Husejnit, dolën dy grupe të deformuara. Grupi i parë e konsideron këtë ditë ditë zie, hidhërimi dhe dëshpërimi. Të gjitha këto që bëjnë ata nuk janë prej Islamit.

Ndërsa grupi tjetër është e kundërta e grupit të parë dhe shfaqin armiqësi për Alil-bejt (familjen e pejgamberit -paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të-) dhe e konsiderojnë këtë ditë ditë gëzimi dhe lumturimi. Ata këtë ditë e kanë festë, në të cilën shpenzojnë për fëmijët, përgatisin ushqime të mira dhe shkëmbejnë dhurata me njëri-tjetrin. Prandaj edhe ky grup konsiderohet i humbur. Të dyja këto grupe janë të humbura dhe në të kotën.

Feja e Allahut është mesatare midis ekzagjërimit dhe nënvlerësimit, midis ekstremit dhe shpërfilljes. Ne o robër të Allahut duhet t’u njohim Alil-Bejtit të drejtat e tyre pa e ekzagjëruar dhe pa neglizhuar. Allahu e mëshiroftë dhe qoftë i kënaqur me Husejnin. Ai bashkë me Hasenin janë zotërinjtë e të rinjve të Xhennetit, siç ka ardhur në hadith të saktë nga pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të).

Bëni salavat për Muhammedin të birin e Abdullahit siç ju urdhëroi Allahu në Librin e Tij….

Hytbe e mbajtur në Delvinë më 4 Muharram 1432 H.

Dosje:

Loading...