Pasuesit e drejtë të Isait deri në kohën e Muhamedit

December 24, 2021

Vijimi i pasuesve të drejtë të Isait -alejhi selam- deri në kohën e Muhamedit -alejhi selam-.

Profeti Muhamed -alejhi selam- na ka treguar se një grup i shpëtuar siç ka qenë tek Beni Israilët ka qenë edhe tek të krishterët, kur ka thënë: “Janë përçarë hebrenjtë në shtatëdhjetë e një grupe, një do të jetë në Xhenet dhe shtatëdhjetë të tjerët në zjarr. Janë përçarë të krishterët në shtatëdhjetë e dy grupe, shtatëdhjetë e një do të jenë në zjarr dhe një në Xhenet.” E transmeton Ibn Maxhe dhe e saktëson shejh Albani.

Shpëtimi i përmendur në këtë hadith lidhet me besimin e drejtë, dhe mbajtësit e tij kanë vazhduar të jenë deri në kohën e profetit Muhamed -alejhi selam-. Ja dy shembuj prej tyre:

I pari: Murgu Behira.

Behira është një murg i Shamit i cili e ka parë profetin Muhamed -alejhi selam- në moshë të vogël para se atij t’i vinte shpallja, dhe e ka dalluar se do të jetë profeti i ardhshëm dhe i pritur i njerëzimit.

Ebu Musa El-Esharij -radiallahu anhu- tregon: “Ebu Talibi u nis njëherë për në Sham bashkë me Profetin -alejhi selam- dhe disa fisnikë të Kurejshëve. Kur kaluan nga murgu (i asaj zone), ata zbritën pranë tij dhe filluan të lirojnë devetë. Murgu, i cili më përpara as nuk u dilte dhe as nuk u fliste, doli drejt tyre dhe kur ata po zgjidhnin devetë hyri dhe e kapi Profetin -alejhi selam- për dore dhe u tha: Ky është zotëria i botëve! Ky është i dërguari i Zotit të botëve! Këtë do t’a dërgojë Allahu rahmet për botët!

Disa nga fisnikët kurejshitë i thanë: Nga e di ti këtë gjë?

Murgu u tha: Kur u ngjitët në kodër nuk mbeti pemë e as gur veçse i ranë atij në sexhde, dhe ato nuk bien në sexhde veçse për ndonjë profet. Pastaj unë e njoh atë me vulën e profetësisë poshtë shpatullave nëformën e një molle.” E transmeton Ibn Ebi Shejbe dhe Tirmidhiu, dhe e saktëson shejh Albani.

I dyti: Priftërinjtë me të cilët është takuar Selman El-Farisij -radiallahu anhu-.

Selmani -radiallahu anhu- ka lindur në Persi dhe është prej atyre njerëzve të cilët para dërgimit të profetit Muhamed -alejhi selam- ishin në kërkim të fesë së drejtë. Ai tregon se një herë në Persi i pa të krishterët duke u falur në faltoret e tyre dhe e pëlqeu atë veprim. Ai i pyeti se ku e ka origjinën feja e tyre, dhe ata i thanë se e ka në Sham. Pasi e mësoi origjinën e kësaj feje ai u largua nga Persia në ndjekje të gjurmëve të saj, dhe kështu arriti në Sham ku gjeti një prift për të cilin thotë: Nuk kam parë njeri që fal pesë kohët e namazit më të mirë se ai, as më shumë asket dhe të dhënë pas Ahiretit.

Pastaj Selmani tregon se prifti para se të vdiste i tregoi për një tjetër si ai në Mosil, pastaj ky për një tjetër në Nasibin, pastaj ky për një tjetër në Amurije (të gjitha këto qendra të asaj kohe në kufi me Shamin).[1] Ky i fundit i tha: “O bir! Pasha Allahun, nuk di njeri tjetër të ketë mbetur si ne që të shkosh, por është afruar koha e ardhjes së një profeti i cili do të dërgohet me fenë e Ibrahimit (alejhi selam). Ai ka për të dalë prej tokës Arabe dhe ka për të emigruar në një vend mes dy gurishteve të zeza në të cilën ka palma. Ai ka disa shenja të dallueshme; pranon dhuratën, nuk ha prej sadakasë, dhe mes dy shpatullave ka vulën e profetësisë.” E transmeton imam Ahmedi dhe e saktëson shejh Albani.

Nga këto përshkrime rezulton si më poshtë:

1- Mes pasuesve të Isait -alejhi selam- ka patur besimtarë të drejtë në Sham dhe jashtë tij, deri në kohën e profetit Muhamed -alejhi selam-.

2- Këta besimtarë të drejtë pasues të Isait -alejhi selam- kishin detaje të hollësishme rreth profetit Muhamed -alejhi selam-. Ata e dinin se prej kujt rrjedh, vendin ku do të shfaqet, vendin ku do të emigrojë, karakterin e tij dhe shenjat fizike.

3- Numri i këtyre besimtarëve në kohën e dërgimit të profetit Muhamed -alejhi selam- ka qenë i pakët, dhe kjo për shkak se mes Isait -alejhi selam- dhe Muhamedit janë gjashtëqind vjet. Tre qind prej tyre janë pas kalimit të Romakëve në krishtërim[2], ata të cilët e përzien fenë e tij me idhujtari.

————————————-

[1] Këto qendra janë disa qytete të njohura të asaj kohe: Mosili është në Irak, Amurija është në Azinë e vogël d.m.th. Tuqia sot, ndërsa Nasibini mes të dyjave dhe që sot gjithashtu i përket Turqisë.
[2] Shih librin e Shejh El-Islam Ibn Tejmije ‘El-Xheuab Es-Sahih’: 4/380.

Dosje:

Loading...