Çfarë ndodh pas daljes së shpirtit?
1– Shpirti i besimtarit del lehtësisht ndërsa shpirti i jobesimtarit dënohet me vështirësi në daljen e tij. *
2– Shpirti i besimtarit del me erë si misku më i mirë që ekziston, ndërsa shpirti i jobesimtarit del me erën më të keqe të ndonjë ngordhësire që mund të ekzistojë. *
3– Besimtarit i del shpirti ndërkohë që ai falënderon Allahun e Lartësuar.
Pejgamberi, salAllahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Shpirti i besimtarit del nga brendësia e tij, derisa ai është duke e falënderuar Allahun.”[1]
4- Kur merret shpirti sytë e ndjekin atë, kjo bazuar në fjalën e Pejgamberit salAllahu alejhi ve sel-lem i cili ka thënë: “Kur merret shpirti sytë e ndjekin atë.”[2]
5- Engjëjt i hapin të gjitha dyert e qiejve njëri pas tjetrit për shpirtin e besimtarit, dhe të gjitha dyert i hapen atij. *
6- Dyert e qiellit nuk hapen për jobesimtarët. *
7- Allahu i Lartësuar urdhëron që shpirti i besimtarit të kthehet përsëri në tokë pasi libri i tij të jetë regjistruar në Ilijjin (vendin e lartë). *
8- Shpirti i jobesimtarit hidhet përsëri nga qielli derisa të bier në trupin e tij, pasi libri i tij të jetë regjistruar në sixhin (vendin më të ulët).
9- I vdekuri e ndien praninë ngushëlluese të njerëzve të mirë tek varri i tij gjatë varrosjes, për një periudhë kohore të barabartë me kohën e nevojshme sa për të therur një deve dhe për të shpërndarë mishin e saj.
Siç transmetohet se Amër Ibën el Asi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka thënë: “Kur të më varrosni qëndroni rreth varrit tim për kohën që do të duhet për të bërë kurban një deve dhe për të shpërndarë mishin e saj, në mënyrë që të ngushëllohem nga prania juaj dhe të shoh se si do t’u përgjigjem të dërguarve të Zotit tim.”[3]
10- Shtrëngimit të varrit askush nuk do t’i shpëtojë.
Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej të dyve, transmeton se i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nëse dikush do shpëtonte nga shtrëngimi i varrit ai do të ishte Sead bin Muadhi, por edhe ai u shtrëngua në varrin e tij e pastaj u lëshua.”[4]
11- Aftësitë mendore do t’u rikthehen të vdekurve në varr.
Abdullah Ibën Umeri, Allahu qoftë i kënaqur prej të dyve, tregon se në momentin kur i dërguari i Allahut salAllahu alejhi ve sel-lem përmendi engjëjt sprovues të varrit, Umeri pyeti: “A do na rikthehen aftësitë tona mendore o i Dërguar i Allahut? I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ve sel-lem i tha: Po, ashtu siç janë tani. Umeri tha:(Engjëllit) Do t’i vë një gur në gojë!”[5]
12- I vdekuri i dëgjon hapat e shokëve të tij kur largohen prej tij. *
13- Kur merret në pyetje i vdekuri? Marrja në pyetje fillon menjëherë pas varrimit. Profeti salAllahu alejhi ve sel-lem sa herë që varroste dikë, qëndronte tek varri dhe u thoshte njerëzve: “Kërkojini Allahut që t’a falë vëllain tuaj dhe kërkojini Atij që t’i japë forcë, sepse ai po merret në pyetje pikërisht tani.”[6]
14- Dy engjëj vijnë për të pyetur (të ndjerin).
15- Emrat dhe përshkrimi i dy engjëjve që vijnë për t’a pyetur (të ndjerin).
Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmeton se i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur të varroset i vdekuri do t’i vijnë dy engjëj me ngjyrë të zezë dhe blu. Njëri quhet Munker dhe tjetri Nekir. Ata do t’a pyesin: Çfarë ke thënë për këtë njeri? Ai do të thotë: Atë që thoshte vetë ai: “Ai është rob dhe i dërguari i Allahut. Unë dëshmoj se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.” Ata do të thonë: “Ne e dinim se këtë do të thoje…”[7]
16- Allahu do t’i ndihmojë dhe forcojë besimtarët në varr.
I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: Kur besimtari të ulet në varrin e tij ai do të dëshmojë se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Ky është dhe kuptimi i ajetit: “Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër.”[8] |Ibrahim: 27|
17- Besimtari do të përgjigjet ndërsa jobesimtarit do t’i merret goja.
18- I drejti (i miri) para se të pyetet do qëndrojë pa frikë në varrin e tij, ndërsa njeriu i keq do qëndrojë në varrin e tij i tmerruar para se të merret në pyetje.
Aishja, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, thotë: “Një grua hebreje erdhi dhe kërkoi ushqim në pragun e shtëpisë sime, duke thënë: Më ushqeni, Allahu ju ruajtë nga sprova e Dexhalit dhe sprova e dënimit të varrit! Aishja tha: E mbajta këtë grua aty derisa erdhi i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ve sel-lem të cilin e pyeta: O i Dërguar i Allahut, çfarë po thotë kjo grua hebreje?
Ai më tha: çfarë është duke thënë? – Unë i thashë: Ajo thotë: Allahu ju ruajtë nga sprova e Dexhalit dhe nga sprova e dënimit të varrit! Aishja tha: I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ve se-lem u ngrit dhe çoi duart e tij (në lutje) duke kërkuar strehim tek Allahu nga sprova e Dexhalit dhe sprova e dënimit të varrit, pastaj tha: Sa i përket sprovës së Dexhalit nuk ka patur asnjë Pejgamber që nuk i ka tërhequr vërejtjen popullit të tij kundër tij. Por unë do t’ju tregoj diçka për të cilën asnjë Pejgamber nuk e ka paralajmëruar popullin e tij më parë. Ai (Dexhali) është me një sy e Allahu nuk është me një sy. Mes syve të tij është e shkruar [fjala] ‘Kafir’ të cilën do t’a lexojë çdo besimtar. Sa i përket sprovës së varrit (i vdekuri) do të sprovohet me mua dhe do të pyetet për mua.
Nëse ishte njeri i mirë ai do të vendoset në varrin e tij pa patur frikë e as tmerr, pastaj do pyetet: Çfarë thoje për Islamin? Kush ishte ky njeri që erdhi mes jush? Ai do të thotë: Ai ishte Muhamedi i Dërguari i Allahut i cili solli argumentet e qarta nga Allahu, prandaj ne i besuam atij.
Atij do t’i hapet një çarje përmes së cilës do të shohë zjarrin e Xhehenemit ku pjesët e tij gllabërojnë njëra-tjetrën. Atij do t’i thuhet: Shiko nga çfarë të ka shpëtuar Allahu. Pastaj do të hapet një e çarë përmes së cilës ai do të shohë Xhenetin me të gjitha bukuritë e tij. Atij do t’i thuhet: Ky është vendi yt ku do të qëndrosh. Do t’i thuhet: Ti pate besim të fortë dhe ke vdekur me këtë besim të fortë, dhe do të ringjallesh me besim të fortë në dashtë Allahu.
Nëse ishte njeri i keq do të vendoset në varrin e tij plot frikë dhe tmerr, dhe do t’a pyesin: Çfarë ke thënë? Ai do të thotë: Kam dëgjuar njerëzit duke thënë fjalë dhe ashtu thashë edhe unë. Atij do t’i hapet një e çarë përmes së cilës do të shohë Xhenetin me të gjitha kënaqësitë e tij, dhe do t’i thuhet: Shiko atë që të hoqi Allahu. Pastaj i hapet një e çarë përmes së cilës do shikojë zjarrin e Xhehenemit pjesët e të cilit gllabërojnë njëra-tjetrën. Atij do t’i thuhet: Ky është vendi yt ku do qëndrosh. Ti dyshoje sa ishe gjallë, në dyshim ndërrove jetë dhe do ringjallesh në dyshim në dashtë Allahu. Pastaj ai do të dënohet.”[9]
19- Besimtarit do t’i hapet një derë nga varri i tij ku të shikojë Xhenetin. *
20- Jobesimtarit do t’i hapet një derë nga varri i tij ku të shikojë zjarrin. *
21- Besimtari do t’a shohë vendin e tij në Xhenet kurse jobesimtari do t’a shohë vendin e tij në zjarrin e xhehenemit. *
22- Besimtarit do t’i zgjerohet varri aq sa sheh syri, ndërsa jobesimtarit do t’i ngushtohet varri. *
23- Veprat e mira do vijnë në formën e një burri të pashëm të veshur mirë, me parfum të këndshëm i cili do t’i sjellë lajme të gëzuara. Ndërsa veprat e këqija do vijnë në formën e një njeriu të veshur keq që mban erë të keqe, i cili do t’i sjellë lajme që do t’a shqetësojnë. *
24- Jobesimtari do goditet me zinxhir hekuri derisa të bëhet pluhur. *
Autor: Husejn el Auajshe
Shkëputur nga libri: “Jeta pas vdekjes”.
Përktheu: Fatjon Isufi
————————————-——–
[1] ”Sahih el Xhami” me nr. 1927.
[2] Pjesë e një hadithi të cilin e transmeton Muslimi etj.
[3] E përcjell Muslimi.
[4] ”Sahih el Xhami” me nr. 5182.
[5] ”Sahih tergib ve terhijb” vëll. 4, me sened të mirë. Ndërsa kuptimi i fjalës së Umerit kur tha: “Engjëllit do t’i vendos një gur në gojë”, e tha duke u nisur nga mendimi pozitiv për Allahun e Lartësuar për përgjigjen e mirë që do u jepte atyre (engjëjve).
[6] E përcjell Ebu Daudi. Hadithi gjendet edhe tek ”Sahih el Xhami” me nr. 958.
[7] Pjesë e një hadithi që përcjell Tirmidhiu. Në “Sahih el Xhami” me nr. 737 ka thënë se hadithi është i mirë.
[8] E përcjell Buhariu.
[9] E përcjell Ahmedi me sened të saktë. Hadithi gjithashtu është i përmendur në ”Sahih tergib ve terhib”.