Qëndrimet e namazliut para Zotit të Lartësuar.
Namazi ka një pozitë të shenjtë, e cila qëndron mes namazliut dhe Zotit të tij të vërtetë të Cilin e adhuron. Brenda namazit ai përsërit zotimet, detyrimet dhe pohimet që mishërohen në dëshminë e shehadetit: La ilahe il-lAllah, Muhamedun Resulullah (Nuk ka të adhuruar të vërtetë përpos Allahut dhe Muhamedi është i dërguari i Allahut), me realizimin e së cilës njeriu bëhet musliman.
Të gjitha këto zotime, detyrime dhe pohime, mund të lidhen me anën e brendshme të besimit ose me fjalët apo me veprat. Për ta sqaruar më shumë këtë themi:
Së pari: Tekbiri (fjala Allahu Ekber) është vetëpranim me të cilin namazliu detyrohet që me anë të fjalëve dhe besimit të ketë bindje se Allahu është më i Madh se çdo gjë tjetër, në Qënien, atributet dhe në të drejtat e Tij.
Pjesë e të drejtave të Allahut është zbatimi i udhërave dhe largimi nga ndalesat, qofshin ato në besim, adhurim, moral, sjellje, apo në të gjitha rastet e tjera. Ky vetëpranim depërton në të gjitha lëvizjet e namazliut; kur është në këmbë, në ruku apo në sexhde, kudo ai e pranon me fjalë dhe pastaj me nënshtrim praktik.
Si rrjedhojë atij nuk i vardiset shkujdesje dhe nuk mbetet asgjë në zemrën e tij që të cënojë të drejtat e Allahut sa i takon madhërimit, respektit, dashurisë, frikës, shpresës dhe bindjes. Askush tjetër, as shpirti, as pasuria, as udhëhqësi, as familja dhe as fëmija.
Së dyti: Rukuja: Konsiderohet detyrim praktik. Aty namazliu ul kokën dhe shpinën e tij në shenjë bindjeje, nënshtrimi dhe përulësie ndaj të adhuruarit (Allahut). Me këtë ai jep premtimin që ta vazhdojë bindjen, të vendosë në jetë urdhërat e të adhuruarit (Allahut) dhe tu largohet ndalesave të Tij. Të zbatojë legjislacionin në rast gëzimi dhe hidhërimi. Ai e përsërit këtë zotim dhe këtë zbatim sa herë që shkon në ruku gjatë namazeve të obliguara ose sunete (vullnetare). Cilido që e kërrus shpinën e tij në namaz në shenjë nënshtrimi ndaj Allahut, dhe pastaj heq dorë nga disa prej urdhërave të Tij ose guxon të marë pjesë në ndalesat e Tij i nxitur nga epshi dhe dëshira, ai me këtë e prish zotimin për aq sa përkeqëson veprën e tij.
Së treti: Tesbihu (Lavdërimi i Allahut): Kur namazliu thotë gjatë rukusë ‘Subhane Rabijel Adhijm’ (I Lartësuar qoftë Zoti im, Më i Madhi), dhe gjatë sexhdes ‘Subhane Rajel Ala’ (I Lartësuar qoftë Zoti im, Më i Larti). Ky është një detyrim gojor me të cilin namazliu e dlirëson të Adhuruarin e tij të vërtetë e të Lartësuar nga çdo mangësi, në cilësitë, veprimet apo të drejtat e Tij. Tek të drejtat bën pjesë madhërimi i Tij në çdo situatë dhe prioriteti i bindjes ndaj Tij para bindjes ndaj nefsit, prindërve, udhëheqësve etj. Kushdo që e madhëron Allahun në rukunë dhe sexhden e tij dhe jashtë namazit guxon ta kundërshtojë, ai e ka cënuar madhërimin e të adhuruarit në përpjestim me ligësinë që ai bën.
Së katërti: Sexhdeja: Pozicioni i kulmit të përulësisë, sepse aty namazliu vendos gjymtyrën më të nderuar dhe më të pastër mbi dheun e tokës. Sexhdeja është zotim praktik dhe detyrim për bindje të pakufishme ndaj të adhuruarit të vërtetë në të gjitha situatat. Aty nuk veçohet ndonjë rast epshi apo dëshire nefsi. Kushdo që prek fytyrën mbi dhe duke u përulur në sexhde në maksimum, dhe pasi të dalë nga namazi i kthehet bindjes ndaj epshit duke kundërshtuar Allahun dhe u bindet krijesave duke kundështuar Krijuesin dhe ndjek dëshirat në kundështim me Allahun, ai në fakt ka përgënjeshtruar veten me duart e tij për aq sa ka rënë në mëkat. Kushdo që vepron kështu duhet të nxitojë për t’u penduar, sepse i dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ves-selam) ka thënë: “Të gjithë bijtë e Ademit janë mëkatarë, por më i miri i mëkatarëve është ai që pendohet.”[1]
Së pesti:
Lidhja e duarve gjatë qëndrimit në këmbë: Është shfaqje e përuljes dhe thyerjes para Allahut të adhuruarit të vërtetë. Prej kuptimeve të saj është dorëzimi para urdhrave hyjnore, në mënyrë që të mos bëjë asnjë lëvizje pa qenë i urdhëruar dhe as të pushojë pa qenë përsëri i urdhëruar. Prandaj, Ai që qetësohet në këtë qëndrim adhurimi për disa çaste dhe pas tij i lëshon frerët e nefsit dhe humb rrugën duke rënë në gjëra të rënda, ai në fakt ka rënë viktimë e një pjese të vetëmashtrimit.
Së gjashti: Përulësia: Përfshirja e të gjithë qënies para të Adhuruarit të vërtetë, rehatia e zemrës dhe gjymtyrëve duke mos bërë hapin pa u urdhëruar dhe duke mos ndenjur pa iu dhënë urdhër. Ky është detyrim praktik për vazhdimësinë e adhurimit dhe braktisjen e mëkatit për Allahun, të Adhuruarin e vërtetë. Prandaj, kush e vë në jetë këtë angazhim gjatë namazit dhe jashtë namazit e thyen atë, ai e ka shembur dhe e ka kundërshtuar atë në përpjestim me mëkatin që ka kryer.
Së shtati: çfarë përsëritet në çdo rekat prej detyrimeve dhe zotimeve gojore siç është përsëritja e falenderimit, kërkimi i udhëzimit në rrugën e drejtë, rrugën e atyre që Allahu i ka begatuar dhe jo në të atyre me të cilët Allahu është zemëruar (Hebrejve) dhe të ngjashmëve me ta, e as në rrugën e të humburve (të krishterëve) dhe të ngjashmit me ta. Apo teshehudi e shumë gjëra të tjera që përmbajnë kuptime, ajete dhe lutje.
Për ta përmbledhur: Cdo lëvizje dhe çdo qëndrim, çdo fjalë dhe çdo veprim i namazit është detyrim ose zotim, është pohim ose pranim nga namazliu para Krijuesit dhe Adhuruesit të vërtetë, të cilin ai e përsërit në çdo rekat, në namazet e obliguara apo nafile (vullnetare). Duke vepruar kështu, asnjë ortak nuk mbetet në zemrën e namazliut, asnjë ortak me Allahun nuk mbetet në gjuhën apo në gjymtyrët e tij. Ai është musliman i vërtetë, i dorëzuar ndaj Allahut, që jep për Të dhe merr për hir të Tij, vepron për të dhe lë për hir të Tij, do për hir të Allahut dhe urren për hir të Tij.
Argumenti i kësaj të vërtete është fjala e Allahut të Lartësuar që thotë: “Dhe fale namazin! Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar.”[2]
Si dhe fjala e Profetit më të madh (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) që thotë: “Shembulli i faljes së pesë namazeve është si shembulli i një lumi që kalon tek dera e ndonjërit prej jush, në të cilin lahet pesë herë në ditë.”[3]
Prandaj, mësoje lexues i dashur vlerën e namazit tënd dhe fale atë siç duhet falur, sepse kështu do të lumturohesh siç ka dashur Allahu për ty. I lutem Allahut që të na japë sukses të gjithëve! Vërtet, Ai e dëgjon lutjen dhe i përgjigjet lutësit.[4]
Përktheu: Fatjon Isufi
——————————————-
[1] E përcjell Tirmidhiu me nr. (2501), Ibn Maxheh me nr. (4251), Darimiu (2/303), Ahmedi (3/198) me sened të mirë nga Enes bin Malik.
[2] Suretu el Ankebut: 45.
[3] E përcjell Muslimi me nr. (668) nga Xhabiri.
[4] E sjellë shkurtimisht nga libri “Mexhmuatu fevaid Muhimeh” (13-18) i Urjanit.
Dosje: Tesbih