A e ndalon Islami njeriun nga të menduarit?

February 17, 2021

Kam lexuar në disa faqe interneti (ateiste) se Islami nuk e lejon njeriun të mendojë. A është e vërtetë kjo?

Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut!

Së pari: Muslimani duhet t’a ruajë besimin dhe fenë e tij, duhet të tregojë kujdes në ruajtjen e natyrshmërisë së shëndoshë dhe mendimeve që mban. Ai duhet të strehohet me fenë dhe zemrën e tij larg dyshimeve dhe konfuzioneve, sepse zemrat janë të dobëta dhe dyshimet mund të jenë tërheqëse për shkak të mënyrës se si ato paraqiten nga ithtarët e bidatit dhe devijiuesit, paçka se bazohen në fakte të dobëta.

Leximi i librave që promovojnë risitë dhe devijimet, librave që promovojnë shirkun (idhujtarinë) dhe legjendat, apo librat e feve të tjera që duart e shtrembërimit i kanë arritur, ose librat e shkruar nga ateistët dhe hipokritët si dhe shikimi në faqet e internetit që promovojnë këto ide devijuese dhe përhapin dyshime të kota, nuk është e lejueshme. Përveçse për atë që është i aftë në njohuritë Islame dhe që përmes këtij leximi synon t’u kundërpërgjigjet dhe t’i hedhë poshtë ato, por me kushtin që të ketë aftësinë për ta bërë këtë ose që është i kualifikuar për të marrë përsipër këtë detyrë.

Ndërsa ai që nuk ka njohuri Islame, duke parë apo lexuar një material të tillë, ka më shumë të ngjarë të arrijë në një lloj konfuzioni duke e minuar kështu besimin në zemrën e tij dhe duke e lëkundur atë për shkak të dyshimeve me të cilat përballet.

Kjo u ka ndodhur shumë muslimanëve të thjeshtë madje edhe disa kërkuesve të dijes që nuk ishin të kualifikuar për t’u marrë me materiale të tilla, deri në atë masë saqë në disa raste kanë përfunduar në lajthitje dhe humbje – Zoti na ruajtë.

Në shumë raste, ai që i shikon këta libra mund të mashtrohet nga mendimi se posedon besim të fortë dhe se zemra e tij është më e fortë se dyshimet që hidhen, por papritmas ai zbulon – duke lexuar shumë – se dyshimet kanë filluar të hedhin rrënjë në zemrën e tij në një mënyrë që nuk i kishte shkuar kurrë në mendje.

Prandaj këshilla e dijetarëve dhe e brezave të hershëm ishte ndalimi i leximit apo shikimit në libra të tillë.

Së dyti: Është thelbësore që Islami të mësohet nga burimet e tij, ku më i madhi burim është Kurani dhe Suneti.

Islami e ka theksuar rëndësinë e arsyes dhe të të menduarit e cila pasqyrohet në shumë ajete. Ka fraza që përsëriten dhjetëra herë në Kuran, si p.sh.:

“Kështu Allahu i bën të qarta për ju ajetet e Tij që të mund të përdorni arsyen.” [El-Bekare 2: 242]

“Për një popull që mendon.” [Junus 10:24]

“Për një popull që kupton.” [El-En’am 6:98]

Allahu na bën thirrje që të mendojmë në Kuran, kur thotë:

“[Ky] është një Libër i bekuar, të cilin Ne ta kemi shpallur ty [O Muhamed] që të reflektojnë në vargjet e tij dhe që ata që kanë mend të kujtohen.” [Saad 38:29].

Allahu i Lartësuar duke na ftuar që të reflektojmë mbi krijimin e Tij thotë:

“Vallë, a nuk mendojnë ata në vetvete? Allahu ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe ato që gjenden në mes tyre me qëllim dhe afat të caktuar. Me të vërtetë, shumica e njerëzve nuk besojnë në takimin me Zotin e tyre.” [Rum 30: 8]

Nga ana tjetër, Allahu i Lartësuar i ka qortuar banorët e Xhehenemit duke treguar se ata nuk përfituan nga arsyeja e tyre duke thënë:

“Dhe ata do të thonë: ”Sikur të kishim dëgjuar ose arsyetuar ne nuk do të ishim në mesin e banorëve të Zjarrit.” [El-Mulk 67:10]

“Pra, a nuk kanë udhëtuar ata nëpër tokë dhe të kenë zemra për të arsyetuar dhe veshë për të dëgjuar? Me të vërtetë, nuk janë sytë që verbohen por verbohen zemrat që janë brenda kraharorëve.“ [El-Haxh 22:46].

Të menduarit është një akt adhurimi të cilin Allahu e thekson në ajetet e Tij, duke thënë:

“Në krijimin e qiejve dhe të tokës dhe në ndryshimin e natës e të ditës ka argumente të qarta për ata që kanë dije dhe urtësi. Janë ata që e përmendin Allahun kur janë në këmbë, kur janë ulur dhe kur janë shtrirë. Ata thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve dhe të tokës (duke thënë): “Zoti ynë! Këtë nuk e ke krijuar kot, larg çdo të mete je Ti! Na ruaj prej dënimit të Zjarrit!” [Al Imran 3: 190-191].

Shejh Sadi ka thënë: Ky ajet është nxitje për adhuruesit që të mendojnë thellë rreth këtyre shenjave madhështore, siç është krijimi i qiejve dhe i tokës dhe shenja të tjera. Në këtë ajet, fjala ‘ajat’ (argumente) është në trajtën e pashquar, domethënë nuk është përcaktuar se për çfarë drejtimi shërbejnë këto argumente. Kjo është bërë për të treguar se argumentet e përfituara nga vrojtimi dhe meditimi mbi krijimin e qiejve dhe të tokës janë të shumta, si dhe për të treguar se ato argumente janë gjithëpërfshirëse e jo vetëm për një lëmi të caktuar dijesh.

Është e vërtetë se shenjat që shfaqen në qiej dhe në tokë mrekullojnë çdo shikues. Ato janë bindëse për ata që mendojnë thellë rreth tyre dhe janë tërheqëse e kënaqësi për zemrën e çdo njeriu të sinqertë. Ato udhëzojnë mendjet e ndritura rreth qëllimeve dhe të vërtetave hyjnore. Krijesat mund të shohin në këto shenja aq sa u ka mundësuar i Urti, ndërsa për sa u përket imtësive që fshihen brenda tyre krijesat nuk mund t’a konceptojnë plotësisht, pasi të kuptuarit dhe njohuritë e tyre janë shumë të kufizuara. Megjithatë, diçka është shumë e qartë; madhësia dhe gjerësia e qiejve dhe e tokës, rregulli i përpiktë i çdo lëvizjeje të vendosur në të dëshmojnë qartë për madhështinë e Krijuesit të tyre dhe të pushtetit të Tij. Përpikmëria dhe rregulli fantastik që ekziston në qiej dhe në tokë, bukuria e krijimit dhe detajet e mrekullueshme që shfaqen në çdo lëvizje brenda tyre, janë dëshmues të padiskutueshëm për urtësinë e të Gjithëdijshmit që vendos gjithçka në vendin që i takon, për dijen e Tij të pakufishme për gjithçka që ka krijuar.

Çdo gjë e dobishme për krijesat që ndodhet në qiej, në tokë dhe mes tyre, tregon për mëshirën dhe bujarinë e madhe të Mëshiruesit si dhe për detyrën e falënderimit dhe të mirënjohjes ndaj Tij.

Pa dyshim, të tilla përsiatje bëjnë që zemra e njeriut të lidhet ngushtë me Krijuesin e këtyre mrekullive, me Atë që i solli në ekzistencë pas inekzistencës pa pasur nevojë për ndonjë shembull të mëparshëm. Këto shenja madhështore nxisin këdo që mendon drejt dhe me qetësi që të përpiqet maksimalisht për të kënaqur Allahun e Lartësuar, duke e adhuruar Atë si Një, të Vetëm e të Pashoq në çdo aspekt. Ato nxisin që robi t’i përkushtohet Allahut me dashuri, madhërim, frikërespekt, shpresë dhe bindje të plotë, duke iu larguar adhurimit dhe bindjes ndaj çdo krijese e cila nuk ka asnjë pushtet dhe mundësi në qiej dhe në tokë. Çdo i krijuar është i varfër, i dobët dhe i pafuqishëm kundrejt Zotit të qiejve dhe të tokës.

“Le ejetin li ulil elbab.” – “Ka argumente të qarta për ata që kanë dije dhe urtësi.” Allahu i Lartësuar na thotë në këtë ajet se këto shenja ndikojnë vetëm tek të mençurit, të urtët e të maturit. Ata që përfitojnë vërtet prej shenjave të Zotit janë njerëzit që vështrojnë drejt tyre me sytë e mendjes, jo vetëm me sytë e ballit.

Pastaj Allahu i Lartësuar na përshkruan gjendjen e këtyre fatlumëve:

“El-ledhijne jedhkurunell-llahe ķijemen ue kuudeu-ue ala xhunubihim.” – “Janë ata që e përmendin Allahun kur janë në këmbë, kur janë ulur dhe kur janë shtrirë.” Ata e përkujtojnë Allahun në çdo gjendje: kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë shtrirë apo të mbështetur. Këtu bëhet fjalë edhe për namazin, pra ata e falin namazin në këmbë, e nëse nuk munden e falin ulur, e nëse nuk munden as ulur e falin shtrirë.

“Ue jetefek-kerune fi  halkis-semauati uel erdi.” – “Ata thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve dhe të tokës.” Ata meditojnë rreth qëllimit të krijimit të tyre dhe i shohin si argumente të qarta. Kjo tregon se meditimi për nxjerrjen e urtësive apo dobive të krijimit konsiderohet si adhurim, madje si një nga cilësitë më të spikatura të të dashurve të Allahut. Kur meditojnë rreth këtyre shenjave, ata dalin në përfundimin se çdo gjë nuk është krijuar kot e pa qëllim, prandaj thonë:

“Rab-bena ma halekte hadha batilen subhaneke.” – “Zoti ynë! Këtë nuk e ke krijuar kot. Larg çdo të mete je Ti!” Kuptimi: Mangësia në emrat, cilësitë dhe veprat e Allahut është e pamundur.

“Fe kina adhaben-nar!” – “Na ruaj prej dënimit të Zjarrit!” Kuptimi: Na ruaj nga dënimi i Zjarrit duke na ruajtur në këtë jetë nga mendimet, fjalët dhe veprat e këqija, si dhe duke na dhënë sukses për vepra të mira. Vetëm me suksesin dhe mëshirën e dhuruar prej Teje mund të shpëtojmë nga Zjarri.[1]

Në hadithin e transmetuar nga Atau, thuhet: Ubejd bin Umejri dhe unë shkuam për të vizituar Aishen. Ajo i tha Ubejd bin Umejrit: Tashmë të erdhi koha për të na vizituar! Ai tha: Oj nëna ime, unë them siç ka thënë dikush më parë: Bëjini vizitat tuaja në intervale të gjata, dhe njerëzit do t’ju duan më shumë. Ajo tha: Na kurseni nga këto fjalë të pakuptimta!

Ibn Umejri tha: Na trego për gjënë më të çuditshme që ke parë tek i Dërguari i Allahut (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të). Ajo qëndroi e heshtur për pak kohë, pastaj tha: Një natë ai më tha: O Aishe, më lër të përqëndrohem në adhurimin e Zotit tim. Unë i thashë: Pasha Allahun, unë dua të jem pranë teje dhe e dua atë që të bën të lumtur. Ai u ngrit dhe mori abdes, pastaj filloi të lutej.

Ajo tha: Ai vazhdoi të qante derisa u lag prehëri i tij. Pastaj vazhdoi të qante derisa mjekra e tij u lag. Pastaj qau derisa toka u lag. Pas kësaj erdhi Bilali t’a thërriste për namazin e sabahut, dhe kur e pa duke qarë i tha: O i Dërguar i Allahut, pse po qan ndërkohë që Allahu ti ka falur mëkatet e kaluara dhe të ardhshme? Ai tha: A nuk duhet të jem rob mirënjohës? Natën e kaluar më zbriti një ajet dhe mjerë për atë që e lexon dhe nuk reflekton:

“Në krijimin e qiejve dhe të tokës dhe në ndryshimin e natës e të ditës ka argumente të qarta për ata që kanë dije dhe urtësi. Janë ata që e përmendin Allahun kur janë në këmbë, kur janë ulur dhe kur janë shtrirë. Ata thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve dhe të tokës (duke thënë): Zoti ynë! Këtë nuk e ke krijuar kot, larg çdo të mete je Ti! Na ruaj prej dënimit të Zjarrit!” [Al Imran 3: 190]

Transmeton Ibn Hibani në Sahihun e tij (2/286). Shih gjithashtu Silsileh es-Sahihah (1/147).

Letrari dhe mendimtari i madh Abas Mahmud al-Akad, ka shkruar një libër mbi këtë çështje të titulluar Et-Tefkir Feridah Islamijeh – Të menduarit është detyrë Islame.

https://islamqa.info

Përktheu: Fatjon Isufi

[1] Kjo pjesë është marrë nga përkthimi i Tefsirit të Seadit 1/387-388.

Loading...