Prejardhja e tij:
Ai është Bilal ibn Rebahi i lindur në Mekë, me origjinë nga Habesheja (Etiopia). Nëna e tij quhej Hamameh, një nga gratë e para që besuan e cila u mundua dhe u torturua për hir të Allahut ashtu si i biri i saj.
📖 (“El Isabe” i autorit Ibn Haxher.)
Islami i tij:
Kur i Dërguari i Allahut ﷺ filloi t’i ftonte njerëzit në Islam, të parët që iu përgjigjën atij ishin të dobëtit e shoqërisë, siç ishte ligji i Allahut me të gjithë profetët që e paraprinë.
Abdullah ibn Mesudi thotë:
“Të parët që e shpallën hapur Islamin ishin shtatë: I Dërguari i Allahut ﷺ, Ebu Bekri, Amari, nëna e tij Sumaja, Suhejbi, Bilali dhe Mikdadi.”
Sa për të Dërguarin ﷺ, Allahu e mbrojti përmes xhaxhait të tij Ebu Talibit, ndërsa Ebu Bekrin e mbrojti fisi i tij.
Të tjerët i kapën idhujtarët, i veshën me parzmore hekuri dhe i lanë në diellin përvëlues.
Asnjëri prej tyre nuk shpëtoi nga dënimet përveçse pasi pranoi me gojë atë që ata kërkonin, me përjashtim të Bilalit i cili nuk i dha aspak rëndësi vetes së tij në sakrificën për hir të Allahut, dhe u bë i parëndësishëm edhe për popullin e tij. Ata e dorëzuan në duart e djelmoshave të cilët e tërhiqnin nëpër rrugët e Mekës, ndërsa ai përsëriste me vendosmëri fjalët: “Ehadun! Ehadun!” (Një! Një!)
Në mesin e atyre që iu përgjigjën të Dërguarit ﷺ nuk pati ndonjë nga vetë fisi i Kurejshëve, përveç Ebu Bekrit. Të tjerët ishin prej skllevërve dhe të liruarit nga skllavëria.
Bilali ishte i pari ndër këta pas Ebu Bekër es-Siddik, Allahu qoftë i kënaqur me të dy.
📖 (“El Isabe fi temjiz es-sahabe” i autorit Ibn Haxher el Askalani.)
Qëndrueshmëria dhe durimi i Bilalit.
Paria e Kurejshëve u kthyen kundër të dobtëve që kishin pranuar Islamin, duke i torturuar dhe duke ushtruar presion për t’i larguar nga feja. Ndër ata që më së shumti e mundoi Bilalin ishte Umjeje ibn Halef el Xhumahij, i cili e nxirrte në mes të ditës kur dielli ishte në kulmin e nxehtësisë, e shtrinte përmbys në rërat e përvëluara të Mekës dhe urdhëronte që t’i vihej një gur i madh mbi kraharor. Pastaj i thoshte: “Nuk do të lirohesh derisa të vdesësh, ose të mohosh Muhamedin dhe të adhurosh Latin dhe Uzzan!”
Por Bilali qëndronte i palëkundur në atë dënim të rëndë dhe përsëriste fjalët e tij të pavdekshme: “Ehadun! Ehad!” (Një! Një!)
Ai refuzonte me vendosmëri të shqiptonte ndonjë fjalë mohimi, edhe pse e dinte se Allahu nuk e ngarkon me gjynah atë që detyrohet të thotë fjalë kufri me gjuhë, ndërkohë që zemra e tij është e qetë me besim.
Megjithatë, Bilali nuk pranoi të kërkonte lehtësim si disa prej shokëve të tij që për të shpëtuar nga dënimi kishin thënë disa fjalë nën dhunë. Ai refuzoi të bëhej tolerant ndaj vetes apo të binte në ndonjë pajtim, qoftë edhe me një fjalë të vetme me idhujtarët e Kurejshëve.
📖 (“Sunen Ibn Maxhe”, me zinxhir të besueshëm.)
Përparësia e qëndrueshmërisë dhe shembulli i saj:
Gjendja e durimit dhe qëndrueshmërisë në të cilën ndodhej Bilali, apo refuzimi i tij ndaj çdo lloj lehtësimi, është më e lartë dhe më e vlefshme sesa marrja e lehtësimit ndonëse edhe ky i fundit është i lejuar dhe i arsyeshëm.
Në qëndrueshmërinë e Bilalit u realizua kuptimi i pastër i teuhidit (njëshmërisë së Allahut), u poshtëruan idhujtarët, u forcua thirrja islame, u forcuan zemrat e besimtarëve dhe u dha shembulli për çdo njeri që do të sprovohej më pas në rrugën e së vërtetës.
Sikur të gjithë ata që u munduan për hir të fesë të kishin kërkuar lehtësim, fjala e teuhidit do ishte dobësuar ndërsa fjala e shirkut (idhujtarisë) do ishte përhapur e forcuar; padrejtësia e mohuesve do ishte shtuar, thirrja do ishte tronditur, zemrat e besimtarëve të dobët do ishin lëkundur, dhe shumë prej atyre që ende nuk kishin besuar do ishin larguar plotësisht.
S’ka dyshim se gjendja e durimit dhe e moslejimit të lehtësimit është gjendja e pejgamberëve dhe e fisnikëve ndër pasuesit e tyre, prej të cilëve shumë u vranë dhe u torturuan siç i ka përmendur Allahu në tregimet e Tij në Librin e Madhërishëm.
Liria, përkushtimi dhe shpërblimi hyjnor.
Si e fitoi lirinë Bilali?
Ebu Bekr es-Sidiku radijAllahu anhu ishte thirrës i Islamit që nga dita që besoi, dhe Bilali ishte ndër të parët që iu përgjigj ftesës së tij.
Kur Ebu Bekri pa se çfarë torturash po i bënin kurejshët Bilalit, e bleu dhe e liroi atë duke u bërë shkak që ta shpëtonte njëherësh nga tri lloj robërish: nga robëria njerëzore, nga robëria e dënimit dhe nga robëria e mohimit (kufrit).
Ai bleu dhe liroi gjithashtu nënën e tij Hamameh, si edhe disa skllevër të tjerë që ishin torturuar në rrugë të Allahut.
Sa e lartë është grada e këtij njeriu që liroi një nga njerëzit më të mirë, Allahu qoftë i kënaqur me të!
Xhihadi i tij:
Bilali mori pjesë në të gjitha betejat përkrah të Dërguarit të Allahut ﷺ.
Pas vdekjes së Ebu Bekrit ai doli drejt Shamit si luftëtar ku qëndroi si rojtar i kufijve (murabit), derisa vdiq atje.
Në betejën e Bedrit ai u përball me armikun e tij të vjetër Umeje ibn Halefin i cili dikur e kishte torturuar rëndë. Umejen e kishte zënë rob Abdurrrahman ibn Aufi, por para se të bashkoheshin robërit, Bilali e njohu dhe e vrau me dorën e vet. Kështu Allahu ia mundësoi të hakmerrej ndaj atij që e kishte munduar për shkak të fesë.
Angazhimet e tij:
Bilali ishte muezini i parë në Islam. Ai vazhdoi ta thërriste ezanin gjatë jetës së të Dërguarit ﷺ dhe – sipas një transmetimi – edhe gjatë jetës së Ebu Bekrit.
Më vonë, kur shkoi në Sham dhe erdhi atje halifi Omer ibn el Hatabi, Bilali e thirri ezanin një herë të vetme. Ajo thirrje bëri që ai vetë të qante dhe të qanin të gjithë të pranishmit sepse ezani i tij u kujtoi ditët e lumtura me Profetin ﷺ.
Shpërblimi i të Urtit (Allahut):
Bilali ndërsa përjetonte torturat e rënda në Mekë, e përmendte pa pushim emrin e Allahut Ehad! (Një!), dhe nga ëmbëlsia e besimit në Njëshmërinë e Tij dhimbja e trupit i lehtësohej.
Si shpërblim nga Zoti i Urtë, Allahu e nderoi të bëhej muezini i të Dërguarit të Tij ﷺ, i pari që e ngriti zërin mbi tokë me fjalën e teuhidit (Njëshmërinë) në ezan.
📖 Burimi: “Sira dhe biografitë e sahabëve klasikë”.
Bilali e njohu Allahun në kohën e vështirësisë, prandaj Allahu e nderoi dhe e bëri që ta njihte në kohën e begatisë.
Ai nuk e braktisi kurrë emrin Ehad (Një i Vetëm) në momentet më të vështira të jetës së tij, prandaj Allahu me urtësinë dhe dijen e Tij të përsosur e shpërbleu duke e bërë të adhurohej dhe të përmendej përmes tij, duke e detyruar publikisht të thërriste këtë fjalë të teuhidit për pjesën më të madhe të jetës së tij.
Kështu, shpërblimi ishte nga i njëjti lloj me veprën, nga Më i Urti e Më i Dijshmi.
Lavdërimi i Omerit për Bilalin.
Omer ibn el Hatabi radijAllahu anhu thoshte:
“Ebu Bekri është zotëria ynë, dhe ai liroi zotërinë tonë.” — duke nënkuptuar Bilalin radiAllahu anhu.
Omeri e përfshiu Bilalin në fjalën “zotëri” duke i dhënë atij këtë gradë të lartë për shkak të parësisë së tij në Islam, qëndrueshmërisë ndaj sprovave, përkushtimit në fe dhe pozitës që kishte tek i Dërguari i Allahut ﷺ.
Omeri i nderonte shumë të parët që kishin hyrë në Islam dhe u jepte përparësi atyre që kishin pozita të veçanta pranë Profetit ﷺ.
Madje kur biri i tij Abdullah ibn Omeri u ndie i pakënaqur pse Usame ibn Zejdi mori më shumë shpërblim se ai, Omeri i tha: “Ai ishte më i dashur tek i Dërguari i Allahut ﷺ sesa ti, dhe i ati i tij ishte më i dashur për të sesa babai yt.”
Ndonëse pozita e Omerit në virtyt është e njohur dhe e lartë, por këta ishin sahabët të cilët e harronin vetveten kur përmendnin virtytet e të tjerëve, sikur të mos kishin asnjë meritë për veten e tyre.
📖 (“Sahih el Buhari”)
Lajmërimi që ju dha Bilalit për Xhenetin.
I Dërguari i Allahut ﷺ një natë pa në ëndërr se kishte hyrë në Xhenet, dhe dëgjoi zërin e sandaleve të Bilalit që ecte përpara tij në Xhenet.
Atëherë Profeti ﷺ i tha Bilalit: “Më trego për veprën më shpresëplotë që ke bërë në Islam, për të cilën e mendon se do të sjellë më shumë dobi. Bilali u përgjigj: Nuk kam bërë ndonjë vepër në Islam që e shoh më shpresëplotë për mua sesa kjo: sa herë që pastrohem me abdes në çdo orë të ditës apo të natës, fal me atë abdes aq namaze sa më ka caktuar Allahu.”
📖 (Transmeton Buhari dhe Muslimi.)
Gjithashtu, transmetohet se ai nuk fliste asnjëherë pas ndonjë ndodhie (pa abdes) pa u pastruar dhe pa falur dy rekate.
📖 (“Musned Ahmed”)
Bilali e lidhte çdo prishje të abdesit me një abdes të ri dhe çdo abdes e shoqëronte me namaz, pra ishte gjithmonë në gjendje pastërtie duke mos u shkëputur asnjëherë pastrimi i tij nga adhurimi.
Kjo pastërti e vazhdueshme e jashtme ishte dëshmi e pastërtisë së vazhdueshme të brendshme, dhe në këtë pastërti të zemrës qëndron themeli i çdo vepre të mirë.
Bilali e kishte bërë këtë vepër duke shpresuar në shpërblimin e Allahut, dhe Allahu ia plotësoi shpresën e tij.
Prandaj, ajo që pa i Dërguari i Allahut ﷺ në ëndërr Bilalin që ecte përpara tij në Xhenet, ishte një lajm i gëzueshëm dhe një dëshmi se ai është prej banorëve të Xhenetit, dhe se do të ketë pozitë të afërt me të Dërguarin ﷺ.
📘 (Shpjegim nga transmetimet në “Sahih Buhari”, “Sahih Muslim” dhe “Musned Ahmed”.)
Shërbëtori i Profetit në dynja dhe në ahiret.
Ashtu siç kishte qenë shërbëtori i të Dërguarit të Allahut ﷺ në këtë botë, duke e shoqëruar dhe duke ecur para tij në rrugë, ashtu e pa Profeti ﷺ edhe në Xhenet duke ecur përpara tij.
Kjo është një shenjë dhe një paralajmërim se çdo mirësi që ai e fitoi, ashtu si çdo ndjekës i sinqertë i Profetit ﷺ, ishte një shpërblim për shërbimin dhe përkushtimin e tij ndaj të Dërguarit të Allahut.
Në këtë qëndron një nder i madh për Bilalin për shkak të veprës së tij fisnike, dhe një lajm i vërtetë gëzimi për shpërblimin e tij të lartë tek Zoti, Allahu qoftë i kënaqur me të!
Viti i vdekjes së tij.
Bilal el Habeshi radijAllahu anhu vdiq qetësisht në Sham (Siria e sotme) gjatë murtajës së Amvasit, në vitin 20 hixhri, afërsisht në moshën shtatëdhjetë vjeçare.
Ai u varros në varrezat e Damaskut, dhe është thënë gjithashtu se u varros në Halep (Alepo).
Allahu e mëshiroftë dhe na bashkoftë me të në shtëpinë e lumturisë së përjetshme. Amin!
Marrë nga libri: “Historitë e burrave të selefëve” fq. 41-47.
Autor: Abdul Hamid Ibn Badis
Përshtati: Fatjon Isufi
Të Ngjashme
- Ambicia që nuk njeh moshë Udha e Besimtarëve
- Si nisi Orientalizmi: gjurmët e fshehta të misionit të Raymond Lull Udha e Besimtarëve
- Kur do ta arrijmë përkushtimin e sahabëve në namazin e tyre? Udha e Besimtarëve
- Mësime nga Hendeku: Sinqeriteti dhe qëndrueshmëria e besimtarëve përballë hipokrizisë Udha e Besimtarëve
- Ofensiva e mongolëve në territoret muslimane Udha e Besimtarëve