A konsiderohet jobesimtare kjo grua?

June 14, 2022

Pyetje: Nëse burri pason mendimin e atij që e konsideron pabesimtar atë që lë qoftë edhe një namaz të vetëm, ndërsa gruaja pason atë që nuk e konsideron të tillin pabesimtar. Në rast se gruaja tregohet neglizhente ndaj namazit derisa ai të dalë nga koha dhe e fal atë pas kohës pa arsye, a konsiderohet ajo pabesimtare dhe trajtohet si e tillë nga burri?

Përgjigje: Nëse burri pason atë mendim dijetarësh, kjo kërkon prej tij që të jetë më i kujdesshëm në këshillimin e gruas së tij dhe ta nxisë atë për namazin, por jo ta konsiderojë atë si të dalë nga feja dhe ta trajtojë si të tillë fetarisht me gjithë rregullat që lidhen me këtë rast. Kjo ngase nuk njohim asnjë prej imamllarëve (dijetarëve të mëdhenj) të Islamit të cilët kanë mendimin se lënësi i namazit është jobesimtar, që të zbatojë rregullat e atij që del nga feja në këtë rast. Prej këtyre rregullave janë; shkëputja e lidhjes martesore, ndalimi i trashëgimit të ndërsjellë mes bashkëshortëve (apo mes atij që lë namazin dhe familjarëve të tij), mos-larja e tij (gusli i xhenazes), mos-qefinosja, mos-falja e namazit të xhenazes, dhe mos-varrosja e tij në varrezat e muslimanëve. Këto rregulla nuk i kanë zbatuar mbi atë që e lë namazin krejtësisht, jo më ndaj atij që lë një namaz të vetëm.
Për këtë Kadi Ijadi ka thënë: “Më e sakta është se ai (lënësi i namazit) është gjynahqar por jo pabesimtar, për shkak të fjalës së Allahut të Lartësuar: “Allahu nuk fal atë që i bën ortak Atij (idhujtari), e përveç kësaj të tjerat ja fal atij që dëshiron”. Ata argumentohen gjithashtu me unanimitetin e brezit të parë se ai që s’falet varroset në varrezat e muslimanëve.” “Ikmalul mu’lim.”
Imam Neueuij ka thënë në “El mexhmu” : “Muslimanët kanë vazhduar të trashëgojnë prej lënësit të namazit dhe t’i lënë atij trashëgim pasurinë e tyre, e po të ishte pabesimtar që nuk e fal Allahu nuk do ta trashëgonin dhe as do t’i linin pasuri në trashëgim”.
Ibn Kudame, pasi përmend një grumbull argumentesh të xhumhurit (shumicës së dijetarëve) të cilët mendojnë se lënësi i namazit prej përtacisë nuk është i dalë nga feja, thotë:
“Për këtë ka unanimitet në mesin e muslimanëve. Nuk dimë në ndonjë periudhë kohe (të historisë islame) që ta kenë lënë pa e larë asnjë prej atyre që e kanë lënë namazin, pa ia falur xhenazen, pa e varrosur në varrezat e muslimanëve dhe pa e trashëguar … e as ta kenë divorcuar nga bashkëshorti për shkak të lënies së namazit nga ana e njërit prej të dyve, me gjithë shumicën e atyre që e kanë lënë namazin. E nëse ai do të ishte jobesimtar të gjitha këto rregulla do të zbatoheshin kundrejt tij. Nuk ka kundërshtim në mesin e muslimanëve se ai që e lë namazin e ka obligim ta falë atë, e nëse do të ishte i dalë nga feja nuk do ta kishte detyrë faljen e tij kaza, e po ashtu as agjërimin pas kalimit të kohës së tij.”
Është pyetur shejhul Islam Ibën Tejmije për atë njeri që falet ndonjëherë, por më të shumtën e kohës nuk falet ose s’falet (fare). A i falet xhenazja këtij personi?
Dhe është përgjigjur: Muslimanët vazhdimisht ia kanë falur xhenazen atij personi. “Mexhmuul fetaua.”
Muhammed ibn Nasr el Meruezij përmend në librin e tij “Ta’dhimu kadris salah” (Madhështia e çështjes së namazit), se Ibnul Mubarek (i cili është prej atyre dijetarëve që e quajnë pabesimtar lënësin e namazit) u pyet: A trashëgojnë prej njëri-tjetrit nëse vdes njëri prej tyre, apo nëse e ndan a quhet e ndarë prej tij?
Tha: Rregulli i kijasit (analogjia) e kërkon një gjë të tillë (ashtu do të duhej të ishte), por unë kam frikë ta pohoj një gjë të tillë.
Thotë Is’haku: Këtë metodologji kishte ai, e tillë ishte shkolla e tij e mendimit (medh’hebi i tij) në çështjet që kanë të bëjnë me rregullat. Ai tregohej i ruajtur dhe i kujdesshëm kur nuk kishte një bazë për t’u mbështetur.
Allahu e di më së miri!

Emin Bilali

Dosje:

Loading...