Abdullah bin Mubarek

October 7, 2024

Historia që do të tregojmë sot ka ndodhur në qytetin Merv në Horasan, Turkistani i sotëm. Në fillimet e periudhës së shtetit Abasid aty jetonte një nga dijetarët më të mëdhenj të kohës së tij dhe një nga juristët e mëdhenj, Abdullah bin Mubarek. Mund të themi se ka ndodhur rreth 1300 ose 1250 vjet më parë. Përveçse ishte një dijetar i madh, Abdullah bin Mubarek ishte edhe një tregtar i madh.

Këtë histori e tregon një dijetar tjetër me emrin Ali bin Hasen bin Dinar. Ai thotë se kur vinte sezoni i haxhit, të gjithë përpiqeshin të ishin pjesë e shoqërimit të Abdullah bin Mubarekut. Ata përfitonin nga ai si dijetar dhe e pyesnin për çështje fetare. Udhëtimi ishte i gjatë, por ai nuk ndalonte së ndihmuari. Kur njoftonte se do të shkonte në haxh i afroheshin të afërmit e tij, kushërinjtë e parë dhe të dytë, fqinjët, dhe grupi bëhej një karvan i plotë. Ai u thoshte të gjithëve: “Më jepni shpenzimet tuaja”, dhe çdo njeri i jepte një sasi monedhash. Ai i shënonte emrat e tyre dhe i vendoste në një kuti.

Kur erdhi koha për haxh ata u nisën nga Horasani drejt Bagdadit. Udhëtimi ishte i gjatë duke kaluar nëpër qytete dhe fshatra. Gjatë gjithë rrugës ai kujdesej për ta duke u ofruar ushqime të mira dhe ëmbëlsira të shkëlqyera për kohën, siç ishte feluxha. Pasi arritën në Bagdad dhe pushuan, udhëtuan më tej në Basra, dhe më pas hynë në Gadishullin Arabik derisa arritën në Medine. Në Medine ai i pyeti një nga një se çfarë nevojash kishin dhe ai dërgonte punëtorët e tij për t’ua plotësuar të gjitha kërkesat.

Një nga shoqëruesit i tha: “O Ebu Abdurrahman, paratë e mia nuk mjaftojnë për të gjitha këto.” Ai iu përgjigj: “Zoti i begaton pasuritë e atij që bën haxh, mos u shqetëso.” Më pas kur arritën në Meke pas haxhit, ai përsëri pyeti për nevojat e tyre dhe i plotësoi ato.

Në atë vit edhe kalifi Harun Rashidi ishte duke bërë haxh. Ai ishte i rrethuar nga një turmë e madhe njerëzish, por papritur një karvan kaloi dhe njerëzit u kthyen nga karvani i Abdullah bin Mubarekut duke lënë Harun Rashidin. Njerëzit filluan të nxitojnë drejt tij duke shkaktuar pluhur dhe rrëmujë. Gruaja e Harun Rashidit pyeti: “Kush është ky?” Ata iu përgjigjën: “Ky është Abdullah bin Mubarek.” Ajo tha: “Ky është mbreti pa ushtri, jo ai që mban pushtetin me ushtarë.”

Pasi përfunduan haxhin dhe u kthyen në Merv, ai vazhdoi të shpenzonte për ta deri sa arritën në shtëpitë e tyre. Pas tre ditësh pushimi ai i ftoi të gjithë për një gosti të madhe. Pasi i nderoi dhe i shërbeu me ushqime të mira ai solli një kuti dhe e hapi. Në të ishin monedhat e tyre, secila e shënuar me emrin e pronarit të saj. Ai tha: “Merrini paratë tuaja. Kjo është pasuria juaj që u është kthyer.” Ata u habitën dhe thanë: “O Ebu Abdurrahman, ti shpenzove për ne në haxh shumë më tepër se kjo shumë që dhamë dhe tani po na i kthen paratë tona!” Ai u përgjigj: “Zoti e begaton pasurinë e atij që bën haxh.” Ai i mbuloi të gjitha shpenzimet e karvanit për haxhin me paratë e tij.

Ky ishte zakoni i tij çdo herë që shkonte në haxh. Historitë e Abdullah bin Mubarekut janë ndër më të mahnitshmet.

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...