Agjërimi më i mirë pas Ramazanit

Agjërimi i ditës së Ashures

Shejh Bin Bazi (Allahu e mëshiroftë)

“Nurun alad-derb”, vëll. 16, fq. 455, fetuaja nr. 300, ose pyetja e dytë në kasetën me nr. 108.

Pyetje: Kur fillon agjërimi i muajit Muharrem apo agjërimi i Ashures? A fillon në fillim të muajit, në mes, apo nga fundi i tij? Sa ditë agjërohet? Kam dëgjuar se agjërimi i Ashures fillon nga dita e parë e muajit Muharrem deri në ditën e dhjetë të tij. Allahu ju dhëntë sukses!

Përgjigje: Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë:  “Agjërimi më i mirë pas Ramazanit është agjërimi i muajit të Allahut el-Muharrem.” Transmeton Muslimi në Kapitullin e Agjërimit, kaptina “Mirësia e agjërimit të muajit Muharrem”, me nr. 1163.

Ky është agjërimi i Ashures. Ajo që kuptohet është agjërimi i muajit nga fillimi deri në fund. Ky është kuptimi i hadithit por veçohet me agjërim dita e nëntë dhe e dhjetë, ose e dhjetë dhe e njëmbëdhjetë për atë që nuk e ka agjëruar të gjithë muajin.

Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e agjëronte ditën e Ashures në kohën e injorancës (kohës para Islamit para se të bëhej Pejgamber). Transmeton Buhariu në Kapitullin e Meritave (Menekib), në kaptinën “Koha e Injorancës” me nr. 3831, Muslimi në Kapitullin e Agjërimit, kaptina “Agjërimi i Ditës së Ashures” nr. 1125.

Edhe Kurejshët e agjëronin deri atëherë kur Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) mbërriti në Medine dhe pa se çifutët e agjëronin atë ditë. I pyeti për këtë dhe ata i thanë: “Kjo është dita në të cilën Allahu e shpëtoi Musën dhe popullin e tij, dhe zhduku Faraonin dhe ushtrinë e tij. Agjërimi i kësaj dite është falënderim për Allahun dhe ne e agjërojmë atë.” Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) u tha: “Ne jemi më parësorë sesa ju në lidhje me Musën.” Transmeton Muslimi në ‘Kapitullin e Agjërimit’, kaptina “Agjërimi i Ditës së Ashures” nr. 1130.

Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e agjëroi atë ditë dhe i urdhëroi edhe të tjerët ta agjërojnë. Sipas Sunetit është që të agjërohet kjo ditë dhe një ditë para ose pas, siç është transmetuar nga Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) se ka thënë: “Agjëroni një ditë para (ditën e nëntë) dhe një ditë pas (ditën e njëmbëdhjetë).” Transmeton Bejhakiu në Sunenin e tij në kaptinën “Agjërimi i ditës së nëntë”, me nr. 8667.

Në një transmetim tjetër thuhet: “Agjëroni dhe një ditë para (ditës së dhjetë) ose një ditë pas.” Transmeton Ahmedi në Musned, nga hadithi i Abdullah ibn Abasit (radiAllahu anhume) me nr. 2154.

Në një transmetim tjetër i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Nëse do jem gjallë deri vitin tjetër do ta agjëroj ditën e nëntë.” Transmeton Muslimi në Kapitullin e Agjërimit, kaptina “Cila ditë agjërohet me rastin e Ashures?”, me nr. 1134.

Nëse dita e Ashures agjërohet së bashku me ditën e dhjetë kjo është më mirë, sepse në Ditën e Ashures i ndodhi një mirësi e madhe Musës dhe myslimanëve ndaj dhe Pejgamberi ynë (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e agjëronte këtë ditë.

Ne e agjërojmë atë ditë sepse e agjëroi Pejgamberi (alejhi selam) dhe e ligjëroi agjërimin e saj. Bashkë me këtë ditë e agjërojmë edhe një ditë para ose pas saj që të dallohemi nga hebrenjtë (çifutët). Dita më e mirë për t’ia bashkuar ditës së dhjetë është e nënta, sipas hadithit: “Nëse do jem gjallë deri vitin tjetër do ta agjëroj ditën e nëntë.”

Megjithatë, lejohet agjërimi i ditës së dhjetë së bashku me ditën e njëmbëdhjetë, ose agjërimi i tri ditëve së bashku (9, 10, 11) sepse agjërimi i tyre është për t’u dalluar nga agjërimi i çifutëve. Kurse agjërimi i krejt muajit është më i mirë.