Analizë e mahnitshme nga Ibën Kajim el Xheuzije

November 23, 2022

Ibën Kajim el Xheuzije, Allahu e mëshiroftë, në librin “Miftah Dar es Seadeh” pohon: Ndryshimi dhe përmirësimi lidhet në një formë të panegociueshme me gjendjen në të cilën jeton shpirti.

Ai thotë: “Dituria e Zotit, të Fuqishmit dhe të Urtit, e kërkonte që shtypësi dhe zullumqari të ushqehet dhe të kënaqet në garancinë e gjynaheve të atij që i ka bërë padrejtësi. Mëkatet e të shtypurit janë prej shkaqeve më të mëdha që i sigurojnë mëshirën shtypësit të tij. Njësoj siç ndodh me atë të cilit dikush i lyp diçka për lëmoshë dhe ai e refuzon lypësin. Në këtë rast ai përfiton prej garancisë që i jep gënjeshtra e lypësit, sepse po të ishte lypësi i sinqertë ai nuk do të kishte sukses në kthimin e këtij lypësi duarbosh. E njëjta gjë thuhet për hajdutin dhe grabitësin, sepse ata jetojnë duke shfrytëzuar garancinë e pasurisë së atyre njerëzve që nuk i dhanë detyrimet ndaj Zotit. Po qe se do ta kryenin borxhin që kishin ndaj Allahut Ai do t’ua ruante atë pasuri. Edhe ky gjithashtu është një kapitull i madh i urtësisë së Zotit, ku secili shikon dhe mëson misteret e vlerësimit dhe përplasjes së njerëzve me njëri-tjetrin, si dhe fuqizimin e dhunuesve dhe të padrejtëve. Lavdia i qoftë Atij që ka urtësi të madhe dhe argumente të shkëlqyera në çdo gjë!

Edhe kafshët që i shkelin kufijtë  në pasuritë e njerëzve, në mjetet e jetesës dhe në trupat e tyre, jetojnë në garancinë e veprave që njerëzit kanë sajuar me duart e tyre. Po të mos ishte kjo askush nuk do të kishte mundësi t’i dëmtonte ata.

Mbase ky kapitull mund të jetë më i dobishmi për atë që mediton nëse e krahasojmë me kapitujt e mëparshëm, sepse kush ia jep hakun në meditim dhe reflektim atëherë dobia do të jetë e madhe. Vetëm Allahu është Ai që jep sukses!

Tregohet për disa barinj që e përzienin qumështin me ujë dhe e shisnin si qumësht të papërzier, dhe Allahu dërgoi një rrënim që i mori të gjitha bagëtitë ndërsa bariu mbeti i shtangur. Në ëndërr ai pa sikur i thanë: A u habite se si rrënimi i mori bagëtitë e tua?! Vërtetë, ato pika uji me të cilat përzjeve qumështin u mblodhën bashkë derisa u kthyen në rrënim.

Mundohu të krahasosh me këtë ngjarje veten apo dikë tjetër dhe do shohësh sesi Allahu është Ai që mban drejtësinë dhe mbikqyr çdo shpirt, duke e marrë në llogari për atë që bën. Ai nuk bën padrejtësi qoftë dhe sa grimca më e vogël.

Transmetimi nga Beni Israilët është shumë i njohur, ku tregohet për një burrë që e përziente verën me ujë dhe e shiste si verë të pastër. Me këtë ai arriti të mblidhte një qese me flori dhe më pas udhëtoi bashkë me pasurinë e tij. Ai hipi në një anije dhe me vete mbante një majmun. Kur shkoi të flinte, majmuni mori qesen e florinjëve dhe u ngjit në një vend të lartë. Pastaj ia hapi grykën qeses dhe filloi të hidhte një dinar në ujë dhe një dinar në anije, sikur donte t’i thoshte atij: Çmimi i ujit shkoi në ujë dhe nuk po të bëhet aspakt padrejtësi.

Medito gjithashtu në urtësinë e Allahut të Lartësuar kur mban shiun të mos bier, dhe sprovimin e robërve të Tij me thatësirë në momentin kur ata nuk e japin zekatin dhe i privojnë nevojtarët. Ata shpërblehen për shkak të këtij privimi që u bëjnë nevojtarëve me ndalimin e shiut që është baza e ushqimit dhe rrizkut, duke u thënë: Ju po e ndaloni detyrimin që keni ndaj nevojtarëve ndaj në të njëjtën mënyrë po privoheni! A nuk po e lini të bier ky shi duke e dhënë atë që keni si detyrim ndaj Allahut?

Medito në urtësinë e Allahut të Lartësuar sesi e largon udhëzimin dhe besimin nga zemrat e atyre që i pengojnë njerëzit prej Tij, duke i penguar në të njëjtën formë siç i pengojnë ata njerëzit. Pengim me pengim dhe ndalim me ndalim.

Medito në urtësinë e Allahut të Lartësuar sesi e shkatërron pasurinë e fajdexhijve duke hedhur mbi të lloj-lloj mjetesh shkatërruese. Pra, ashtu siç vepruan me pasuritë e njerëzve duke ua shkatërruar, në të njëjtën mënyrë u shpërblyen me shkatërrim të pasurisë. Rrallëherë do të shohësh një fajdexhi që të mos jetë fundi i tij shkatërrimi, mospasja dhe nevoja.

Medito në urtësinë Allahut të Lartësuar sesi e lëshon armikun mbi robërit e Tij në rastin kur i forti mes tyre e shtyp të dobëtin, dhe kur të dobëtit nuk i merret haku që i takon prej të fortit. Mbi ta lëshon armiqtë për të vepruar ndaj tyre të njëjtën gjë që ata vepruan me njerëzit dhe të dobëtit e tyre.[1] Ky është ligji i Allahut të Lartësuar, qysh prej kur u krijua bota e deri në momentin kur toka të paloset dhe të kthehet siç ishte në fillim.

Medito në urtësinë e Tij, më të Lartit, sesi i bëri mbretërit e njerëzve dhe zëdhënësit e tyre të të njëjtit lloj me veprat e tyre, madje duket sikur veprat e tyre mishërohen në imazhet e sundimtarëve dhe mbretërve. Kur ata drejtohen drejtohen edhe mbretërit dhe sundimtarët e tyre, nëse tregohen të drejtë edhe ata tregohen të drejtë ndaj tyre, e nëse i kalojnë kufijtë edhe mbretërit dhe sundimtarët e tyre kanë për t’i tejkaluar. Nëse mes tyre shfaqet djallëzia dhe hilet edhe sunduesit do jenë të tillë. Nëse ata i mohojnë detyrimet e Zotit dhe tregohen dorështrënguar, edhe mbretërit dhe sundimtarët e tyre do t’i refuzojnë këto detyrime dhe do tregohen dorështrënguar. Nëse ua marrin gjërat e pamerituara atyre që i shtypin në marrëdhënien me ta, atëherë edhe mbretërit do tu marrin atyre gjërat që nuk i meritojnë dhe do tu vendosin taksa dhe punë. Gjithçka që ata e marrin nga të dobëtit edhe mbretërit do t’ua nxjerrin me forcë. Sunduesit dhe përgjegjësit në këtë rast shfaqen në pamjen e veprave të tyre.

Urtësia hyjnore e ka përcaktuar që mbi të ligjtë dhe të pafetë të caktohen ata që janë të llojit të tyre, dhe meqënëse brezi i parë ishte më i miri dhe më i drejti i shekujve edhe sundimtarët e tyre ishin të tillë. Në momentin kur filluan t’i përziejnë gjërat edhe sunduesit e tyre u përzien. Urtësia e Allahut nuk e pranon që në kohën tonë të na udhëheqin njerëz si Muavija apo Umer bin Abdul Azizi, e jo më si Ebu Bekri apo Umeri. Sundimtarët tanë caktohen sipas pozitës tonë, dhe sundimtarët që jetuan para nesh u caktuan sipas njerëzve të kohës së tyre. Secilën prej këtyre dy çështjeve e kërkon urtësia.

Kushdo që ka inteligjencë dhe noton me mençurinë e tij në këtë temë, do të shohë urtësitë hyjnore sesi qarkullojnë në paracaktimet e Allahut. Ato janë të dukshme dhe të fshehta, njësoj si në krijim dhe në urdhëra. Prandaj, kurrë mos mendo me mendimin tënd të prishur se një çështje prej caktimit dhe kaderit të Tij ndodh pa urtësi absolute. Të gjitha ato që ndodhin dhe janë paracaktuar ndodhin në formën më të plotë që përmban urtësia.

Megjithatë, mendjet e dobëta për shkak të dobësisë janë të mbuluara nga perceptimi i urtësive, njësoj sikurse shikimet që nuk e durojnë dritën e diellit për shkak të dobësisë. Këto mendje të dobëta kur takohen me të kotën fillojnë vihen në lëvizje dhe qarkullojnë, flasin dhe japin ide njësoj siç ndodh me lakuriqin e natës, i cili kur gjen errësirë fillon të fluturojë dhe të lëvizë.[2]

 

Pjesë e shkëputur nga libri i shejh Meshhur Hasen Al Selman: “Metodologjia e Selefëve në trajtimin e fitneve”.

Përktheu: Fatjon Isufi

————————————————————

[1] Sa shumë më ka pëlqyer ajo që tha El Mikrizi në librin “Durar el Ukud el Feride” 1/247 në biografinë e Ahmedit, i cili njihet si Saru Sejidna. Pas një bisede të gjatë ai thotë: “Filluam t’i kujtojmë këto gjëra derisa më tha: Cila është arsyeja e vonesës së përgjigjes së duave në këtë kohë, ndërkohë që njerëzit janë të shtypur dhe të dhunuar me zullumet më të rënda? Aq sa edhe një grua e ndershme ndëshkohet për shkak të mos pagesës së taksës që ka për të dhënë për shtëpinë e saj, e cila është pronë e vetja? Ndërkohë që i dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Ruaju prej lutjes së atij që i është bërë padrejtësi, sepse mes lutjes së tij dhe Allahut nuk ka pengesë.”

Ne po i shohim sesi kanë vite që luten kundër zullumqarëve dhe nuk po u pranohen lutjet që bëjnë! Ne filluam të flisnim për këtë derisa ai tha: Arsyeja është se në këtë kohë secili ka marrë cilësitë e atij që quhet zullumqar për shkak të përhapjes së padrejtësisë, qoftë nga njerëzit por edhe nga sundimtarët e tyre. Duket sikur nuk ka mbetur më asnjë njeri që t’i jetë bërë padrejtësi. Nëse meditojmë do të shohim se çdo njeri në këtë kohë që jetojmë – edhe pse në masë të vogël – bën padrejtësi në kuptimin e mundësisë për të bërë padrejtësi.

Nuk gjejmë askënd që e lë padrejtësinë vetëm se kur nuk ka mundësi ta kryej atë, dhe në momentin që i jepet mundësia menjëherë bën zullum. Prej këtu del në pah se ata nuk e lënë zullumin ndaj të tjerëve veçse nga pamundësia dhe jo prej ndershmërisë.” Pasha Allahun, të vërtetën ka thënë! Kohë më parë kanë thënë: Zullumi është cilësi e shpirtit, e nëse gjen dikë që i largohet ai largohet për ndonjë arsye dhe vetëm për këtë nuk bën zullum.

[2] “Miftah Dar es Seadeh” 1/252-254.

Dosje:

Loading...