Aq e lehtë të duket çështja e borxhit?!

May 9, 2017

Tolerimi në marrjen e borxheve

A të brengosin shpenzimet që të ndjekin këmba-këmbës dhe nuk e arrin plotësimin e tyre? A ke menduar ndonjë zgjidhje për shlyerjen e të gjitha këtyre shpenzimeve? Apo gjëja e parë që të vjen ndërmend është marrja e borxhit?

Pyet veten: A po kërkoj të marr hua (borxh) për çështje të domosdoshme? A është e favorshme që pikërisht në këtë kohë të marr borxhe? Kjo shumë që kam për të huazuar a do të ndikojë në të ardhurat familjare? Si kam për ta shlyer këtë borxh dhe sa kohë do më marrë kjo shlyerje?

Duhet ditur se borxhi edhe pse është i lejuar çështja e tij është tepër e rrezikshme.

Për këtë arsye i Dërguari i Allahut alejhi salatu ues selam kërkonte mbrojtje tek Allahu duke thënë: “O Zoti ynë, kërkoj mbrojte tek Ti nga mëkati dhe borxhi.” [Buhariu me nr. 833.]

Gjithashtu, i Dërguari i Allahut alejhi salatu ues selam nuk ia falte xhenazen të vdekurit që kishte borxhe të pa shlyera. [Transmeton Tirmidhiu dhe e saktëson shejh Albani.]

Një familjar i rregullt nuk duhet ta zhysë veten e tij në borxhe për gjëra zbavitëse apo plotësuese, sepse borxhi shkakton brengë dhe stres, shpie drejt gënjeshtrave, në shkeljen e premtimit dhe shkakton probleme familjare.

Pëlqehet për huadhënësin që ti’a lehtësojë çështjet huamarrësit

Allahu i Madhëruar i ka premtuar shpërblim të madh haudhënësit i cili i largon një brengë vëllait të tij musliman.

Borxhliut nuk i lejohet ta zvarrit kthimin e detyrimeve nëse ka mundësi t’i kthejë ato. Duhet ditur se nëpërmjet qëllimit të mirë dhe të sinqertë arrihet shlyerja e borxhit. Në një hadith thuhet: “Kush merr borxh nga njerëzit me qëllimin që ta shlyejë atë, Allahu ka për ta ndihmuar që ta shlyejë. Ndërsa ai që merr borxh me qëllim që t’i prishë, Allahu ka për ta prishur këtë njeri.” [Buhariu]

 

Përktheu: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...