Ata e njihnin Profetin (Paqja qoftë mbi të!) ashtu siç njihnin bijtë e tyre.

Ata e njihnin Profetin (Paqja qoftë mbi të!) ashtu siç njihnin bijtë e tyre

Muhamed ibën Is’haku (rahimehullah) ka thënë: “Priftërinjtë hebrenj, murgjërit e krishterë, si dhe fallxhorët e gadishullit arabik thoshin se ishin shfaqur shenjat e ardhjes së Profetit të fundit.

Priftërinjtë hebrenj dhe murgjërit e krishterë i njihnin ato shenja pasi gjendeshin në librat e tyre. Në to tregohej për ardhjen e tij si dhe për disa nga cilësitë që spikasnin tek ai, e për të cilat kishin treguar profetët e mëparshëm. Allahu i Madhëruar thotë:

الَّذِينَ يَتَّبِعُونَ الرَّسُولَ النَّبِيَّ الْأُمِّيَّ الَّذِي يَجِدُونَهُ مَكْتُوبًا عِندَهُمْ فِي التَّوْرَاةِ وَالْإِنجِيلِ يَأْمُرُهُم بِالْمَعْرُوفِ وَيَنْهَاهُمْ عَنِ الْمُنكَرِ وَيُحِلُّ لَهُمُ الطَّيِّبَاتِ وَيُحَرِّمُ عَلَيْهِمُ الْخَبَائِثَ وَيَضَعُ عَنْهُمْ إِصْرَهُمْ وَالْأَغْلَالَ الَّتِي كَانَتْ عَلَيْهِمْ ۚ فَالَّذِينَ آمَنُوا بِهِ وَعَزَّرُوهُ وَنَصَرُوهُ وَاتَّبَعُوا النُّورَ الَّذِي أُنزِلَ مَعَهُ ۙ أُولَٰئِكَ هُمُ الْمُفْلِحُونَ

“Dhe atyre që ndjekin të Dërguarin Tonë, Profetin (Muhamedin) që nuk di shkrim e lexim, të cilin ata do t’a gjejnë të shënuar në shkrimet e tyre, në Teurat dhe Ungjill. Ai do t’i urdhërojë ata të bëjnë vepra të mira dhe do t’i ndalojë nga të këqijat, do t’ua lejojë të mirat e do t’ua ndalojë të këqijat, duke i liruar nga barrët e rënda dhe vështirësitë që kanë pasur. Prandaj, ata që do ta besojnë, përkrahin dhe nderojnë atë duke ndjekur dritën që është zbritur me të, pikërisht ata janë të fituarit.” El Araf; 157.

Gjithashtu thotë:

مُّحَمَّدٌ رَّسُولُ اللَّهِ ۚ وَالَّذِينَ مَعَهُ أَشِدَّاءُ عَلَى الْكُفَّارِ رُحَمَاءُ بَيْنَهُمْ ۖ تَرَاهُمْ رُكَّعًا سُجَّدًا يَبْتَغُونَ فَضْلًا مِّنَ اللَّهِ وَرِضْوَانًا ۖ سِيمَاهُمْ فِي وُجُوهِهِم مِّنْ أَثَرِ السُّجُودِ ۚ ذَٰلِكَ مَثَلُهُمْ فِي التَّوْرَاةِ ۚ وَمَثَلُهُمْ فِي الْإِنجِيلِ كَزَرْعٍ أَخْرَجَ شَطْأَهُ فَآزَرَهُ فَاسْتَغْلَظَ فَاسْتَوَىٰ عَلَىٰ سُوقِهِ يُعْجِبُ الزُّرَّاعَ لِيَغِيظَ بِهِمُ الْكُفَّارَ ۗ وَعَدَ اللَّهُ الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ مِنْهُم مَّغْفِرَةً وَأَجْرًا عَظِيمًا

“Muhamedi është i Dërguar i Allahut. Ata që janë me të, janë të ashpër ndaj jobesimtarëve e të mëshirshëm midis tyre. I sheh ata si përkulen dhe bien në sexhde, duke kërkuar dhuntinë dhe kënaqësinë e Allahut. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e sexhdes. Ky është përshkrimi i tyre në Teurat. Ndërsa në Ungjill, shembulli i tyre përshkruhet si një farë e mbjellë që lëshon filiza e forcohet e pastaj ngrihet e fortë me kërcellin e vet duke i gëzuar mbjellësit. (Kështu përshkruhen ata) Me qëllim që nëpërmjet tyre Ai t’i mbush me mllef mohuesit. Për ata që besojnë dhe kryejnë vepra të mira, Allahu ka premtuar falje dhe shpërblim të madh.” El Fet’h; 29.

Në suren Ali Imran thotë:

وَإِذْ أَخَذَ اللَّهُ مِيثَاقَ النَّبِيِّينَ لَمَا آتَيْتُكُم مِّن كِتَابٍ وَحِكْمَةٍ ثُمَّ جَاءَكُمْ رَسُولٌ مُّصَدِّقٌ لِّمَا مَعَكُمْ لَتُؤْمِنُنَّ بِهِ وَلَتَنصُرُنَّهُ ۚ قَالَ أَأَقْرَرْتُمْ وَأَخَذْتُمْ عَلَىٰ ذَٰلِكُمْ إِصْرِي ۖ قَالُوا أَقْرَرْنَا ۚ قَالَ فَاشْهَدُوا وَأَنَا مَعَكُم مِّنَ الشَّاهِدِينَ

“Kujto kur Allahu mori besëlidhjen nga profetët (dhe u tha): Çfarëdo që t’ju jap prej Librit dhe urtësisë kur t’ju vijë një i Dërguar, vërtetues i asaj që ju është dhënë, padyshim që duhet t’a besoni dhe t’a ndihmoni atë! A e pranoni këtë dhe barrën që po ju ngarkoj? Ata u përgjigjën: E pranojmë. (Allahu) U tha: Bëhuni dëshmitarë, se edhe Unë bashkë me ju jam dëshmitar.” Ali Imran; 81.

Transmetohet se Ibën Abasi (radijAllahu anhu) ka thënë: Sa herë që Allahu i Madhëruar dërgonte ndonjë profet, merrte nga ai premtimin se nëse në kohën e atij profeti do të vinte Muhamedi me revelatën hyjnore, ai do t’i besonte dhe do t’a përkrahte në misionin e tij! Pastaj e urdhëronte që t’u kërkonte ndjekësve të tij që edhe ata të jepnin besën se në qoftë se Muhamedi dërgohej në kohën e tyre, ata do t’a besonin dhe do t’a përkrahnin misionin e tij. [1]

Nga kjo kuptohet se të gjithë profetët i kanë përgëzuar popujt e tyre për dërgimin e Muhamedit (Paqja qoftë mbi të!), dhe i kanë urdhëruar ndjekësit e tyre që t’a pasojnë atë. Kjo vërehet në lutjen e Ibrahimit (alejhi selam) i cili lutej për banorët e Mekës duke thënë:

رَبَّنَا وَابْعَثْ فِيهِمْ رَسُولًا مِّنْهُمْ يَتْلُو عَلَيْهِمْ آيَاتِكَ وَيُعَلِّمُهُمُ الْكِتَابَ وَالْحِكْمَةَ وَيُزَكِّيهِمْ ۚ إِنَّكَ أَنتَ الْعَزِيزُ الْحَكِيمُ

“O Zoti ynë! Dërgo tek ata një të dërguar nga gjiri i tyre që t’u lexojë shpalljet e Tua, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë (rregullat e fesë) e t’i pastrojë (nga gjynahet)! Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti!” El Bekare; 129.

Imam Ahmedi transmeton nga Ebu Umameh i cili tregon: “I thashë: O i Dërguari i Allahut! Si të erdhi ty shpallja nga Zoti? Tha: Unë jam fryti i lutjes që bënte babai im (i hershëm) Ibrahimi, dhe jam ai për të cilin jepte sihariq Isai, dhe jam ai që para se të lindja nëna ime pa (në ëndërr) se prej saj doli një dritë e cila ndriçoi kështjellat e Shamit.”[2]

Të njëjtin hadith e transmeton dhe Muhamed ibën Is’haku me të tjera rrugë transmetimi nga shokët e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të!).[3]

Nga kjo kuptohet se ai ka dashur të tregojë për përhapjen e lajmit tek njerëzit dhe njoftimin e tyre për dërgimin e tij. Ai përmendi lutjen e profetit Ibrahim tek i cili kthehet prejardhja e një pjese të arabëve. Pastaj përmendi lajmin e gëzueshëm që jepte Isai se do të vinte pas tij i dërguari i përzgjedhur, e Isai ka qenë i fundit i profetëve tek bijtë e Israilit. Por nga kjo kuptohet se edhe profetët që kanë ardhur midis atyre të dyve (Ibrahimit dhe Isait) kanë lajmëruar për ardhjen e Profetit të fundit.

Përgëzimi për dërgimin e tij është ndier edhe në rajonin tonë (të autorit) këtu në Busra[4], i cili përbën zonën hyrëse për në tokat e Shamit[5]. Mbi të ka ndriçuar ajo dritë që lajmëronte lindjen e profetit të shumëpritur. Falënderuar qoftë Allahu! Prej Tij vijnë të gjitha mirësitë!

Ndërsa tek banorët e qiellit (engjëjt e lartë) çështja e tij (e profetit të fundit) ka qenë e njohur shumë kohë më parë, që para se të krijohej Ademi (alejhi selam).

Në lidhje me këtë, Imam Ahmedi në “Musnedin” e tij transmeton nga Irbad ibën Sarijeh se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Allahu ka caktuar që unë të jem vula e profetësisë që kur Ademi dergjej në baltën e tij. Do t’ju tregoj se si ka filluar e gjitha kjo. Unë jam fryti i lutjes së babait tim Ibrahimit, dhe jam ai për të cilin jepte sihariq Isai, dhe jam ai që para se të lindja nëna ime pa (në ëndërr) se prej saj doli dritë.”[6]

Gjithashtu transmeton imam Ahmedi nga Mejseratu El Fexhr[7] se ai ka thënë: “I thashë: O i Dërguar i Allahut! Kur je bërë profet? Tha: Kur Ademi ishte midis të qënit shpirt dhe trup (në fazat e para të krijimit).”[8]    – Zinxhiri i transmetimit të tij është i mirë.

Transmeton Ibën Shahini në “Delailu Nubuveti” nga hadithet e Ebu Hurejrës, i cili ka thënë: “E pyetën të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të!): Kur u ngarkove me misionin profetik? Tha: Ndërmjet kohës së krijimit të Ademit dhe fryrjes së shpirtit tek ai.”[9]

Ndërsa në një tjetër transmetim: “Kur Ademi dergjej në baltën e tij.”

Ibën Abasi transmetohet të ketë thënë: “E pyetën: O i Dërguari i Allahut! Kur je bërë profet? Tha: Kur Ademi ishte midis të qënit shpirt dhe trup.”[10]

Sa u takon fallxhorëve të gadishullit arabik, atyre u vinin djajtë (xhinët) me lajme të cilat i dëgjonin vjedhurazi në qiell. Para dërgimit të Profetit (Paqja qoftë mbi të!) ata nuk gjuheshin me zjarr (meteorë) kur ngjiteshin në lartësitë e qiellit për të dëgjuar komunikimin e engjëjve.

Kur djajtë dëgjonin ndonjë lajm, shkonin dhe u tregonin fallxhorëve (duke shtuar shumë gënjeshtra nga vetja). Kështu ka ndodhur dhe me lajmin e dërgimit të Profetit (Paqja qoftë mbi të!). Fallxhorët nuk i kuptonin të gjitha ato që djajtë tregonin rreth ardhjes së tij, por kur ai u dërgua ata e kuptuan se ai për të cilin kishin dëgjuar më herët kishte qenë profeti i ardhur në Mekë.

Kur afroi periudha e fillimit të revelatës hyjnore, djajtë u penguan nga dëgjimi i lajmeve nga qielli. Ata nuk ishin më në gjendje t’i arrinin pozicionet e larta nga ku dëgjonin komunikimet e engjëjve mes tyre, pasi ata goditeshin me meteorë të zjarrtë. Ata e kuptuan se diçka kishte ndodhur dhe se Allahu kishte urdhëruar që djajtë të pengoheshin.

Ibën Is’haku ka thënë: Në lidhje me këtë, Allahu i Madhëruar thotë:

قُلْ أُوحِيَ إِلَيَّ أَنَّهُ اسْتَمَعَ نَفَرٌ مِّنَ الْجِنِّ فَقَالُوا إِنَّا سَمِعْنَا قُرْآنًا عَجَبًا يَهْدِي إِلَى الرُّشْدِ فَآمَنَّا بِهِ ۖ وَلَن نُّشْرِكَ بِرَبِّنَا أَحَدًا

“Thuaj (o Muhamed): “Mua më është shpallur se disa prej xhindëve kanë dëgjuar (Kuranin) dhe kanë thënë: Me të vërtetë, kemi dëgjuar një Kuran të mrekullueshëm i cili udhëzon në rrugën e drejtë dhe kemi besuar në të. Prandaj kurrsesi nuk do t’i shoqërojmë askënd Zotit tonë (në adhurim)!” El Xhin; 1-2 e deri në fund të sures.

Komentimin e këtij ajeti e gjen të plotë në librin tim të tefsirit (Tefsiri i Ibën Kethirit). Njëjtë siç kemi komentuar dhe fjalën e Allahut të Madhëruar:

وَإِذْ صَرَفْنَا إِلَيْكَ نَفَرًا مِّنَ الْجِنِّ يَسْتَمِعُونَ الْقُرْآنَ فَلَمَّا حَضَرُوهُ قَالُوا أَنصِتُوا ۖ فَلَمَّا قُضِيَ وَلَّوْا إِلَىٰ قَوْمِهِم مُّنذِرِينَ قَالُوا يَا قَوْمَنَا إِنَّا سَمِعْنَا كِتَابًا أُنزِلَ مِن بَعْدِ مُوسَىٰ مُصَدِّقًا لِّمَا بَيْنَ يَدَيْهِ يَهْدِي إِلَى الْحَقِّ وَإِلَىٰ طَرِيقٍ مُّسْتَقِيمٍ

“Kur Ne dërguam te ty (o Muhamed) një grup xhindësh për të dëgjuar Kuranin. Kur erdhën, i thanë njëri-tjetrit: Heshtni! Dhe kur përfundoi (leximi), ata u kthyen te populli i tyre si këshillues. Ata thanë: O populli ynë! Ne dëgjuam një Libër të shpallur pas Musait, i cili vërteton shpalljet para tij, udhëzon për tek e vërteta dhe tregon rrugën e drejtë.” El Ahkaf; 29-30 si dhe ajetet që pasojnë.

***

Dëshmi që tregojnë se hebrenjtë ishin në pritje të ardhjes së Profetit të fundit, gjejmë edhe në transmetimin e Ibën Is’hakut i cili thotë: Më ka thënë Asim ibën Umer ibën Katade se një burrë nga fisi i tij tregonte: “Ajo që na shërbeu si shtysë që t’a pranonim fenë Islame – sigurisht që ishte mirësia dhe udhëzimi i Allahut – por sebep ishin disa fjalë që i kishim dëgjuar nga hebrenjtë.

Siç dihet ne ishim një popull idhujtar, ndërsa hebrenjtë ishin pasuesit e librit (Teuratit). Ata kishin dituri që ne nuk i kishim. Ndodhte shpesh që ne (arabët) konfliktoheshim me ata për arsye të ndryshme. Kur mblidheshim e u tregonim vendin, ata na kërcënonin duke thënë: Dijeni se ka ardhur koha e dërgimit të një profeti. Kur të vijë ai keni për të parë se çfarë do t’ju bëjmë! Do ta pësoni më keq se ç’e pësoi populli i Adit dhe Iram-it. E dëgjonim shpesh të na kërcënonin me ardhjen e tij.

Kur Allahu ia zbriti revelatën hyjnore të Dërguarit të Tij Muhamedit (Paqja qoftë mbi të!) dhe ai na ftoi në besim, ne iu përgjigjem thirrjes pasi e kuptuam se ky ishte Profeti për të cilën kishim dëgjuar nga hebrenjtë. Ne i besuam atij dhe e pasuam pa hezituar, ndërsa hebrenjtë (kur e panë se ai nuk u dërgua nga lloji i tyre) e përgënjeshtruan dhe nuk e pasuan. Për këtë aludon ajeti kuranor:

وَلَمَّا جَاءَهُمْ كِتَابٌ مِّنْ عِندِ اللَّهِ مُصَدِّقٌ لِّمَا مَعَهُمْ وَكَانُوا مِن قَبْلُ يَسْتَفْتِحُونَ عَلَى الَّذِينَ كَفَرُوا فَلَمَّا جَاءَهُم مَّا عَرَفُوا كَفَرُوا بِهِ ۚ فَلَعْنَةُ اللَّهِ عَلَى الْكَافِرِينَ

“Dhe kur një Libër që vërtetonte Shkrimet e tyre u erdhi nga Allahu, ndonëse përpara luteshin për ndihmë kundër jobesimtarëve, pra kur u erdhi ajo që e dinin se është e vërtetë ata e mohuan atë![11] Prandaj mallkimi i Allahut qoftë mbi mohuesit!” (El Bekare; 89)[12]

Transmeton Ibën Is’haku nga Seleme ibën Selameh ibën Uakshi[13] se kishte thënë: “Njëri nga fqinjët tanë ka qenë jehudi (hebre) i fisit Beni Abdil-Esh’hel. U mblodhëm një herë rreth tij në një odë në shtëpinë tonë, e ai nisi të na tregonte për ditën e kijametit, për ringjalljen, për llogaridhënien para Zotit, për peshoren e veprave, për xhenetin dhe për zjarrin. Unë isha më i vogli i atyre që ishin prezent dhe isha strukur në një qoshe ku ulesha zakonisht dhe e dëgjoja me vëmendje.

Ne ishim njerëz idhujtarë që u luteshim idhujve dhe nuk besonim në jetën pas vdekjes. Njëri nga të pranishmit i tha: Mjerë për ty o filan! A thua do të ndodhin vërtetë këto që na tregon?! Do të ringjallen njerëzit pas vdekjes e do të dalin në një botë në të cilën ka xhenet dhe zjarr, e ku do të shpërblehen për çfarë kanë punuar gjatë jetës së tyre?!

Ai tha: – Po. Pastaj u betua dhe tha se do të dëshironte sikur t’a hidhnin në një furrë prej balte të ndezur flakë, deri sa të vdiste brenda saj, vetëm e vetëm që të shpëtonte nga zjarri i asaj bote!

I thanë: Mjerë për ty o filan! Çfarë argumenti ke për vërtetësinë e asaj që thua?

Tha: Këto do t’i vërtetojë një profet i cili do të dërgohet në këto troje – dhe bëri shenjë me dorë në drejtim të Mekës dhe Jemenit.

E pyetën: Kur do të shfaqet ai? U kthye nga unë që isha më i vogli ndër të pranishmit dhe tha: Nëse ky djalosh do të ketë ymër (jetë), ka për ta parë.

Seleme tregon: Pasha Allahun! Nuk kaluan shumë ditë dhe netë  veç kur dëgjuam se Allahu i Madhëruar e kishte dërguar Muhamedin (Paqja qoftë mbi të!) me revelatën hyjnore. Ne i besuam atij (Muhamedit) ndërsa hebreu zgjodhi mosbesimin për shkak të smirës (që nuk u dërgua tek hebrenjtë por tek arabët) dhe mllefit.

Pastaj tha: Ne shkuam tek ai dhe i thamë: Mjerë për ty o filan! A nuk ishe ti që tregoje për të kështu e ashtu?! Tha: – Po, por ai është një tjetër nuk është ky!”[14]

E transmeton Ahmedi nga Jakubi, e ky nga babai i tij, ndërsa ai nga Ibën Is’haku.[15] E transmeton po ashtu Bejhakiu nga Hakimi, me zinxhir transmetimi nga Junus ibën Bekir.[16]

Transmeton Ebu Nuajmi në “Ed Delail”[17] se Muhamed ibën Seleme ka thënë: “Në fisin e Beni-Abdil Esh’hel-it jetonte një hebre me emrin Joshua. Isha veçse një djalosh i vogël kur e dëgjova të thoshte: Është afruar koha e ardhjes së një profeti i cili do të vijë pranë asaj shtëpie – dhe bëri me shenjë nga Qabja. Pastaj tha: Nëse do t’a arrini kohën e dërgimit të tij, besojini atij!

Kur dëgjuam për të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të!) ne i besuam, ndërsa hebreu i cili ishte ende në mesin tonë nuk pranoi të besonte për shkak të mllefit dhe smirës.”

Ibën Is’haku ka thënë[18]: Më ka treguar Asim ibën Umer ibën Katadeh, se e kishte dëgjuar një burrë plak nga fisi Beni Kurejdha t’i tregonte: A e di ti se si e pranuan fenë islame Tha’lebe ibën Saijah, Usejd ibën Saidi dhe Esed ibën Ubejdi? I thashë: Nuk e di (pasha Zotin), më trego rreth tyre!

Tha: Këta ishin nga fisi Benu Hedël dhe në kohën e injorancës ishin vëllazëruar me fisin Beni Kurejdha. Më vonë ata u bënë musliman të mirë dhe konsideroheshin paria e fisit të vet. Disa vite para se Muhamedit (Paqja qoftë mbi të!) t’i vinte revelata hyjnore, na erdhi një hebre nga tokat e Shamit dhe u vendos për ca kohë tek ne. Emrin ia thoshin Ibën El Hejiban. Pasha Allahun, nuk kishim parë ndonjëherë njeri që të falej pesë herë në ditë më mirë e më bukur sesa ai! Ndonjëherë kur nuk binte shi për një kohë të gjatë dhe mbizotëronte thatësira, shkonim dhe i thoshim: Dil dhe lutu për ne që të bierë shi!

Thoshte: – Jo pasha Allahun! Nuk dal nëse ju nuk jepni më parë sadaka.

Sa të japim? – e pyesnim. Një enë (sa’a) me hurma arabe, ose dy grushta drith.

Ne nxirrnim sadaka, dhe pastaj ai dilte së bashku me ne në një shesh sipër shtëpive tona dhe lutej që të binte shi. Betohem në Allahun! Ende pa u larguar nga vendi retë mblidheshin dhe fillonte të binte shi. Kjo gjë ka ndodhur më shumë se dy apo tri herë.

Ai qëndroi tek ne deri në fund të jetës së tij. Kur iu afrua vdekja, i mblodhi hebrenjtë dhe u tha: O ju hebrenj! Si mendoni ju, çfarë më bëri të largohesha nga vendi i verës dhe grurit (majasë), e të vija në këtë tokë të thatë ku mbizotëron uria? Thanë: Nuk e dimë arsyen.

Tha: Unë u vendosa në këto troje se prisja ardhjen e një profeti. Shenjat e ardhjes së tij janë shfaqur. Shpresoja t’a takoja dhe të isha nga ndjekësit e tij. Nëse ju o hebrenj dëgjoni për ardhjen e tij, bëhuni të parët që i besoni dhe e pasoni. Ai do të vijë me shpatë në dorë dhe do të grumbullojë plaçkën e luftës, por kjo nuk duhet t’ju pengojë juve që t’a pasoni.

Kur i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) u dërgua me fenë e drejtë, idhujtarët e armiqësuan dhe e luftuan atë. Hebrenjtë e fisit Beni Kurejdha u bënë palë me idhujtarët dhe deshën t’i godasin pas shpine muslimanët.

I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) i rrethoi ata dhe priti të dorëzoheshin. Disa djelmosha nga mesi i tyre thanë: O njerëzit e fisit Beni Kurejdha! Betohemi në Allahun, ai është profeti për të cilin na fliste Ibën El Hejibani.

Thanë: Jo, nuk besojmë se është ai!

Thanë: Për Zotin! Ai është. Të gjitha shenjat përkojnë me të.

Ata dolën nga fortifikimet e tyre dhe pranuan fenë islame. Në këtë mënyrë siguruan vetet, pasuritë dhe familjet e tyre.”[19]

Argument që vërteton se të krishterët e prisnin ardhjen e profetit të fundit është dhe tregimi i Ebu Sufjanit dhe takimi i tij me perandorin bizantin (Herakliun), i cili e pyeti rreth veçorive të të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të!).

Herakliu donte të dinte rreth Profetit (Paqja qoftë mbi të!) dhe për këtë arsye kërkoi t’i sillnin dikë nga tregëtarët arabë që t’a pyeste rreth tij. Kur Ebu Sufjani i cili në atë kohë nuk ishte musliman i tregoi për të, Herakliu u bind se ai ishte profeti që pritej të vinte. Ai tha: “E kam ditur që ai do të vij, por nuk e kam menduar se do të dërgohej tek ju (arabët). Sikur të mundja do të shkoja tek ai, qoftë edhe duke u zvarritur. E nëse do t’a takoja atë, do t’i laja këmbët. Po qe se këto që më tregove rreth tij janë të vërteta nuk do të jetë e largët dita kur kjo tokë ku kam vendosur këmbët, ka për të qenë nën sundimin e tij.” Dhe ashtu ndodhi vërtetë. Falënderuar qoftë Allahu, Zoti i gjithësisë!

Allahu i Madhëruar thotë:

الَّذِينَ يَتَّبِعُونَ الرَّسُولَ النَّبِيَّ الْأُمِّيَّ الَّذِي يَجِدُونَهُ مَكْتُوبًا عِندَهُمْ فِي التَّوْرَاةِ وَالْإِنجِيلِ يَأْمُرُهُم بِالْمَعْرُوفِ وَيَنْهَاهُمْ عَنِ الْمُنكَرِ وَيُحِلُّ لَهُمُ الطَّيِّبَاتِ وَيُحَرِّمُ عَلَيْهِمُ الْخَبَائِثَ وَيَضَعُ عَنْهُمْ إِصْرَهُمْ وَالْأَغْلَالَ الَّتِي كَانَتْ عَلَيْهِمْ ۚ فَالَّذِينَ آمَنُوا بِهِ وَعَزَّرُوهُ وَنَصَرُوهُ وَاتَّبَعُوا النُّورَ الَّذِي أُنزِلَ مَعَهُ ۙ أُولَٰئِكَ هُمُ الْمُفْلِحُونَ

“… dhe atyre që ndjekin të Dërguarin Tonë, Profetin[20] që nuk di shkrim e lexim, të cilin ata e gjejnë të shënuar në shkrimet e tyre, në Teurat dhe Ungjill. Ai do t’i urdhërojë të bëjnë vepra të mira dhe do t’i ndalojë nga të këqijat; do t’ua lejojë të mirat e do t’ua ndalojë të këqijat, duke i liruar nga barrët e rënda dhe vështirësitë që kanë pasur. Prandaj, ata që do ta besojnë, përkrahin dhe nderojnë atë duke ndjekur dritën që është zbritur me të, pikërisht ata janë të fituarit.” El Earaf; 157.

Imam Ahmedi sjell transmetimin[21] e një nomadi, i cili tregon: Në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të!) solla një plaçkë për t’a shitur në Medine. Kur mbarova punë, thashë me vete: Përse të mos e takoj këtë njeri që i fton njerëzit në besim, e të dëgjoj se çfarë thotë. Nuk vonoi shumë dhe e pashë tek ecte së bashku me Ebu Bekrin dhe Umerin. I ndoqa pas derisa kaluan pranë një hebreu i cili kishte hapur Teuratin dhe ngushëllonte veten duke e lexuar pranë një djali të tij që po dergjej në shtrat i sëmurë rëndë. Dukej që ai djalosh i bukur si drita po ndahej nga kjo botë.

I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) iu afrua hebreut dhe i tha: “Për hatër të Atij që ka zbritur Teuratin! Më thuaj: A përmendem unë në Teurat, dhe a tregohet për disa nga veçoritë e mia dhe të vendlindjes sime?” – Ai e mohoi me kokë d.m.th.: Jo. Ndërsa djali i tij i cili dergjej në shtrat tha: “Po, pasha Atë që ka zbritur Teuratin! Ne gjejmë se në librin tonë tregohet për veçoritë e tua dhe për vendlindjen tënde, e unë dëshmoj se ‘Nuk ka Zot tjetër të vërtetë përveç Allahut dhe se ti je i dërguari i Tij. Me t’i thënë këto fjalë djaloshi ndërroi jetë.

Profeti (Paqja qoftë mbi të!) i tha shokëve të vet: Lajeni dhe përgatiteni vëllain tuaj! Pastaj u kujdes vet që të siguronte qefin për të dhe ia fali namazin e xhenazes.”

Zinxhiri i transmetimit të këtij hadithi është i mirë dhe gjendet një dëshmi[22] në “Es Sahih” nga Enes ibën Maliku (radijAllahu anhu) që e mbështet.

Transmeton Ebul Kasim El Begavi me zinxhir transmetimi nga El Feletan ibën Asimi (për të cilin tregon se e ka dajën e tij), e i cili thotë: “Isha ulur pranë Profetit (Paqja qoftë mbi të!), kur pamë një burrë hebre i cili kishte veshur një këmishë të gjatë, tuta të gjera dhe një palë nallane[23]. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) nisi të bisedonte me të, e në një moment hebreu i tha: O i Dërguari i Allahut…!

I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) tha: A dëshmon për mua se jam i Dërguar i Zotit?

Hebreu tha: Jo!

Profeti (Paqja qoftë mbi të!) e pyeti: A e lexon Teurati? Hebreu tha: Po.

A e lexon Inxhilin[24]? Hebreu tha: Po.

Po Kuranin a e lexon? Hebreu tha: Jo, por po të duash[25] unë e lexoj.

I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) tha: “Duke qenë se ti po e lexon Teuratin dhe Inxhilin, a nuk beson se unë jam profet?

Hebreu tha: Ne gjejmë në to për disa nga veçoritë dhe shenjat e tua, dhe aty tregohet për tokën ku do të lindje. Ne hebrenjtë prisnim që të dërgoheshe në mesin tonë, mirëpo kur pamë se nuk ishe nga soji jonë atëherë preferuam të mendojmë se nuk je ti.

Profeti (Paqja qoftë mbi të!) tha: (Çudi me ju o hebrenj!) Përse vepruat ashtu?

Hebreu tha: Ne e gjejmë të shkruar në librat tanë se do të jenë shtatëdhjetë vetë nga umeti (populli) i profetit të fundit që do të hyjnë në xhenet pa u marrë fare në llogari, mirëpo ne po shohim se pasuesit e tu janë veç një tufë njerëzish!

I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!), tha: “Umeti (populli) im[26] do të jetë shumë e shumë më tepër se shtatëdhjetë mijë e kaluar shtatëdhjetë mijëve.”

Ky hadith nuk ka ardhur në rrugë të tjera me këtë tekst. [27]

Transmetohet në “Es Sahih” se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) kaloi një herë pranë vendit ku hebrenjtë mblidheshin dhe lexonin librin e tyre (Teuratin) dhe u tha: “O hebrenj! Bëhuni musliman se pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im ju i gjeni cilësitë e mia të shkruara në librin tuaj!” Hadithi është i njohur.[28]

Hilal ibën Ata ibën Jesar[29] ka thënë: Kam takuar Abdullah ibën Amër ibën El Asin[30] dhe i kam thënë: Më trego për disa nga veçoritë e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)! Tha: Do të të tregoj. Betohem për Allahun se ai ka qenë i përshkruar në Teurat me disa nga cilësitë e tij, ashtu siç është përshkruar edhe në Kuran. Allahu i Madhëruar thotë:

يَا أَيُّهَا النَّبِيُّ إِنَّا أَرْسَلْنَاكَ شَاهِدًا وَمُبَشِّرًا وَنَذِيرًا (45) وَدَاعِيًا إِلَى اللَّهِ بِإِذْنِهِ وَسِرَاجًا مُنِيرًا (46)

“O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues njëkohësisht (të kemi çuar) si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij dhe si pishtar ndriçues.” El Ahzab; 45-46.

 Për Muhamedin (Paqja qoftë mbi të!) shkruhet në Teurat se Allahu i Madhëruar thotë: “Ti je robi im dhe i Dërguari im. Ti je ai që vetëm tek Unë mbështetesh. Je mbrojtësi i arabëve të pa ditur. Je gojë ëmbël, nuk flet me fjalë fyese dhe nuk e ngre zërin në treg. Të keqen nuk e kthen me të keqe, por fal dhe s’mban mëri. Allahu nuk do t’a marrë shpirtin tënd derisa të ngrejë me ty një popull të dalluar e krenar, të cilët thonë: “La ilahe il Allah” dhe me ta, do t’i hapi sytë e verbuar, veshët e shurdhët e zemrat e mbyllura.”[31]

Hadithin e mësipërm e transmeton gjithashtu Ibën Xheriri dhe shton: Atau ka thënë: Kam takuar Keabin dhe e kam pyetur (për fjalët e Abdullahit) dhe ai nuk ndryshoi prej fjalës së tij asnjë presje.

Transmeton Bejhakiu me një tjetër rrugë transmetimi nga Ata ibën Jesari, e ky nga Ibën Selami i cili thoshte: Ne i gjejmë disa nga veçoritë dhe cilësitë e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të!) në Teurat. Aty shkruhet “O Profet! Ne të dërgojmë ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues. Ti do të jesh mbrojtësi i popullit që ka qenë në injorancë. Ti je robi im dhe i Dërguari im. Ti je ai që vetëm tek Unë mbështetesh. Je gojë ëmbël, nuk flet me fjalë fyese dhe nuk e ngre zërin në treg. Ti, të keqen nuk e kthen me të keqe por fal dhe s’mban mëri. Allahu nuk do t’a marrë shpirtin tënd derisa të ngrejë me ty një popull të dalluar e krenar, të cilët thonë “La ilahe il Allah”, dhe me ta do t’i hapi sytë e verbuar, veshët e shurdhët e zemrat e mbyllura.”

 

Ata ibën Jesari thotë: Më ka treguar El Lejthi se e ka dëgjuar Keab El Ahbarin të thotë fjalë të ngjashme me ato të Ibën Selamit.[32]

Them (El Albani): Transmetimi i Abdullah ibën Selamit është shumë i ngjashëm me atë të Abdullah ibën Amrit, por nga Abdullah ibën Amri gjenden edhe transmetime të tjera. Tregohet se në betejën e Jermukut ai gjeti dy dorëshkrime nga librat e ehli kitabit (hebrenjve dhe të krishterëve) dhe tregonte hera-herës ndonjë gjë prej tyre.

Duhet të kemi parasysh faktin se dijetarët kur thonë ‘gjendet në Teurat’, shpësh herë kanë për qëllim librat e ehli kitabit, dhe jo domosdoshmërisht  Teuratin i cili i zbriti Musait (alejhi selam) nga Allahu i Madhëruar si udhëzim për Beni Israilët.

S’ka dyshim se Muhamedi (Paqja qoftë mbi të!) përmendet në librat e tyre, e kjo është nga çështjet e njohura që duhet të pranohet nga çdo musliman. Për këtë tregojnë shumë ajete kuranore ku disa prej të cilave i kemi përmendur më herët, e Allahut i takon falënderimi! Ndër to, është fjala e Allahut të Madhëruar i Cili thotë:

الَّذِينَ آتَيْنَاهُمُ الْكِتَابَ مِن قَبْلِهِ هُم بِهِ يُؤْمِنُونَ، وَإِذَا يُتْلَىٰ عَلَيْهِمْ قَالُوا آمَنَّا بِهِ إِنَّهُ الْحَقُّ مِن رَّبِّنَا إِنَّا كُنَّا مِن قَبْلِهِ مُسْلِمِينَ

“Ata që Ne ua kemi zbritur Librin para tij (Kuranit) i besojnë atij. Kur u lexohet (Kurani) ata thonë: Ne e besojmë atë. Pa dyshim, ai është e vërteta nga Zoti ynë. Vërtet, Ne edhe para tij kemi qenë të nënshtruar ndaj Zotit.” El Kasas; 52-53.

Po ashtu, fjala e Allahut të Madhëruar:

الَّذِينَ آتَيْنَاهُمُ الْكِتَابَ يَعْرِفُونَهُ كَمَا يَعْرِفُونَ أَبْنَاءَهُمْ ۖ وَإِنَّ فَرِيقًا مِّنْهُمْ لَيَكْتُمُونَ الْحَقَّ وَهُمْ يَعْلَمُونَ

“Ata që u kemi dhënë Librin e njohin atë (Profetin) ashtu siç i njohin bijtë e tyre, por disa prej tyre e fshehin të vërtetën duke e ditur mirë.” Bekare; 146.

Po ashtu, në suren El Isra Allahu i Madhëruar thotë:

 إِنَّ الَّذِينَ أُوتُوا الْعِلْمَ مِن قَبْلِهِ إِذَا يُتْلَىٰ عَلَيْهِمْ يَخِرُّونَ لِلْأَذْقَانِ سُجَّدًا وَيَقُولُونَ سُبْحَانَ رَبِّنَا إِن كَانَ وَعْدُ رَبِّنَا لَمَفْعُولًا

“Ata që u është dhënë dija para (shpalljes së) tij bien në sexhde me fytyrat përtokë kur u lexohet ai, dhe thonë: Qoftë i lavdëruar Zoti ynë! Me të vërtetë, premtimi i Zotit është plotësuar!” El Isra; 107-108.

Allahu i Madhëruar duke treguar për disa nga priftërinjtë dhe rabinët (të cilët e pranuan të vërtetën kur e njohën), thotë:

وَإِذَا سَمِعُوا مَا أُنزِلَ إِلَى الرَّسُولِ تَرَىٰ أَعْيُنَهُمْ تَفِيضُ مِنَ الدَّمْعِ مِمَّا عَرَفُوا مِنَ الْحَقِّ ۖ يَقُولُونَ رَبَّنَا آمَنَّا فَاكْتُبْنَا مَعَ الشَّاهِدِينَ

“Kur dëgjojnë për atë (Kuranin) që i është zbritur të Dërguarit, i sheh se si u rrjedhin lotët nga sytë për shkak të së vërtetës që kuptuan. Ata thonë: O Zoti ynë! Ne besojmë, prandaj na llogarit ndër dëshmitarët e Tu.” El Maide; 83.

Nisur nga fakti se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) ka qenë përmendur më herët në librat e ehli kitabit (ithtarëve të librit), nuk ngurruan aspak t’a pranonin Islamin e të bëheshin musliman; Nexhashiu, Selman El Farisi, Abdullah ibën Selami[33] e shumë e shumë të tjerë, ashtu siç do t’i përmendim disa nga këto raste në vijim.Allahut i takon lavdërimi dhe falënderimi!

Në librin “Transmetimet e dobëta të librit Kisasul enbija” gjejmë shumë veçori të Profetit (Paqja qoftë mbi të!). Aty tregohet hollësisht për vendlindjen e tij (Mekën), vendin ku ai do të shpërngulej (Medinen). Tregohet gjithashtu për disa nga specifikat dhe veçoritë e popullit (umetit) të tij, ashtu siç e gjejmë të tregohet për popullin dhe pasuesit e tij, e cekur kjo në historinë e Musait (alejhi selam), në historinë e Shuajbit, në atë të Ermija-ut, Danielit etj.

Në Inxhil (Ungjill) tregohet për “El Fariklin – Mbrojtësin” i cili do të vinte, ku është për qëllim Muhamedi (Paqja qoftë mbi të!).

Transmeton Bejhekiu nga Hakimi, me zinxhir transmetimi deri tek Aishja (radijAllahu anha) e cila tregon se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Për të tregohet në Inxhil se: Ai është gojë ëmbël, nuk flet me fjalë fyese dhe nuk e ngre zërin në treg. Ai të keqen nuk e kthen me të keqe, por fal dhe s’mban mëri.”[34]

[Shtojcë]:

Nga Auf ibën Malik El Esh’xhai transmetohet: “Isha duke ecur me të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të!) në një nga rrugicat (e Medines) derisa u afruam tek një sinagogë e hebrenjve. Ata ishin mbledhur dhe po festonin. U futëm brenda, e kur na panë nuk u erdhi aspak mirë. Profeti (Paqja qoftë mbi të!) u tha: O ju hebrenj! Le të bëhen dymbëdhjetë burra nga ju që dëshmojnë se Nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguar i Tij. Nuk do të mbetet nën këtë qiell asnjë hebre të cilit Allahu nuk do t’ja largojë zemërimin që ka hedhur mbi ju. – Ata heshtën dhe nuk folën asnjë fjalë. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) e përsëriti dhe një herë atë që u tha herën e parë, e ata përsëri heshtën.

I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) tha: Ju refuzuat ta pranoni, por pasha Allahun se unë jam El Hashiru (Ai tek i cili do të tubohen njerëzit në ditën e gjykimit), unë jam El Akibu (ai me të cilin përmbyllet vargu i profetëve), unë jam Profeti i përzgjedhur, e pak rëndësi ka nëse ju më besoni apo jo!

Pastaj Profeti (Paqja qoftë mbi të!) u kthye të largohej, por një burrë nga ata iu afrua dhe i tha: Ndalu pak o Muhamed! – pastaj u kthye nga të pranishmit dhe u tha:

O ju hebrenj, çfarë mendimi keni për mua? Ata thanë: Ti je njeriu më i ditur në mesin tonë. Ti je më i dituri në lidhje me librin e Zotit, ashtu siç ishte babai yt para teje dhe gjyshi yt para tij. Ai tha: Unë dëshmoj para Allahut se ky burrë është Profeti i Allahut për të cilin keni lexuar në Teurat. Ata thanë: Gënjeve, nuk është ai! – dhe filluan të replikojnë me të, derisa nisën t’a ofendojnë.

I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) tha: “Ju po gënjeni (dhe jo ai). Fjala juaj është e refuzuar! A nuk e lavdëruat pak më parë?! A nuk dëshmuat se ai është njeriu më i ditur në mesin tuaj?! Përse tani që besoi po e fyeni dhe po e akuzoni se është gënjeshtar?! Fjala juaj është e refuzuar!”

Tha: Pastaj dolëm që aty vet i tretë; Profeti (Paqja qoftë mbi të!), unë dhe Abdullah ibën Selami (i cili u bë musliman). Në lidhje me këtë, Allahu i Madhëruar ka zbritur ajetin:

قُلْ أَرَأَيْتُمْ إِن كَانَ مِنْ عِندِ اللَّهِ وَكَفَرْتُم بِهِ وَشَهِدَ شَاهِدٌ مِّن بَنِي إِسْرَائِيلَ عَلَىٰ مِثْلِهِ فَآمَنَ وَاسْتَكْبَرْتُمْ ۖ إِنَّ اللَّهَ لَا يَهْدِي الْقَوْمَ الظَّالِمِينَ

“Thuaju: Më tregoni se ç’do të bëhet me ju nëse Kurani është vërtet prej Allahut e ju e mohoni, ndërkohë që një dëshmitar nga bijtë e Izraelit[35] dëshmon për vërtetësinë e tij dhe e beson atë, kurse ju tregoheni kryelartë?! Me të vërtetë, Allahu, nuk i udhëzon (në rrugë të drejtë) njerëzit e padrejtë.” El Ahkaf;10.[36]

 

Shkëputur nga Libri: Historia Profetike e Saktësuar

Përktheu: E. AJDINI

 

 

[1] Atë e përmend autori (Ibën Kethiri) kur komenton suren Ali Imran, të transmetuar nga Aliu dhe Ibën Abasi pa e përcaktuar. Siç gjendet atje e ka shënuar dhe dr. El Herrasi (në faqen 14). E ka përmendur githashtu Es Sujuti në librin “El Khasais” (vëllimi 1, faqja 22) të transmetuar nga Es Sudi, me shënimin: “Nga transmetimet e Ibën Ebi Hatimit.”

[2] “El Musned” vëllimi 5, faqja 262. Zinxhiri i transmetimit të këtij hadithi është i mirë nisur nga fakti që e mbështesin dhe dëshmi të tjera, siç është hadithi vijues.

[3] Autori e ka përmendur më herët hadithin me tekst të plotë, dhe aty e ka cilësuar ‘të mirë’ zinxhirin e tij të transmetimit.

[4] Busra, apo ‘Busra e shamit’ është një qytet në Sirinë Jugore, që i përket Qarkut Dar’a dhe gjeografikisht është pjesë e rajonit Hauran (sh.p.). Ishte i pari qytet i Shamit që u çlirua nga muslimanët. Kjo ndodhi në hilafetin e Ebu Bekër Es Sidikut (radijAllahu anhu).

[5] Vendet e Shamit janë ato vende që ndodhen në lindje të detit Mesdhe. Ato kufizohen në lindje nga lumi Eufrat, nga deti në perëndim, nga Gadishulli Arabik në jug dhe nga malet Taurus në veri. Shih: Enciklopedia e vendeve, vëllimi 3, faqja 312, dhe “Bota islame” i Mahmud Shakir, faqja 165. (Sh.p)

[6] Hadithi gjendet në “El Musned”, vëllimi 4 , faqja 127-128. Në tekstin e tij ka një shtesë që nuk gjendet tek transmetimet e tjera, e ajo është; “Kështu kanë parë ëndërr nënat e të gjithë profetëve.” Duke qenë se (në dijeninë time) ajo shtesë ka ardhur vetëm në këtë transmetim të dobët, nuk vlerësohet si e saktë. Hadithin e kam shënuar tek hadithet e dobëta, siç gjendet në librin Ed Daifeh me nr. 2085. Hadithin e kam sjellë këtu nisur nga fakti se ai shkon në të njëjtën linjë me hadithet para dhe pas tij.

[7] Ai është Abdullah ibën Ebi Xheda.

[8] Them (El Albani): Zinxhiri i transmetimi të këtij hadithi është i saktë. E kanë saktësuar Ibën Hibani, Hakimi, Dhehebiu etj. Hadithin e mbështesin dëshmi të tjera, të cilat i kam përmbledhur në librin “Es Sahiha” 1856, e ndër to është hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejra që vjen pas tij.

[9] Them: E ka shënuar po ashtu Ibën Hibani. E gjen në burimin e sipërpërmendur.

[10] E ka shënuar Ibën Hibani po ashtu. Hadithin e kam shënuar në librin “Es Sahiha” me nr. 1856.

[11] Sipas Ibn Abasit, para ardhjes së Profetit Muhamed (Paqja qoftë mbi të!) hebrenjtë e Medinës i kërkonin Allahut t’u dërgonte një profet në ndihmë kundër fiseve arabe të Medinës Eus dhe Hazraxh. Por, kur Allahu e zgjodhi Profetin nga radhët e arabëve, ata nuk e pranuan atë.

[12] Them: Zinxhiri i transmetimi të këtij hadithi është i saktë. Gjendet në “Es Sirah” vëllimi 1, faqja 225.

[13] Kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit.

[14] Them (El Albani): Zinxhiri i transmetimit të këtij hadithi është i mirë. Ai gjendet në “Es Sirah” të Ibën Hishamit, vëllimi 1, faqja 225-226. Nga e njëjta rrugë e transmeton dhe Ebu Nuajmi në Delailu en nubuveti faqja 16, dhe në fund ka shtuar: “E atë (hebrein) e thërrisnin Joshua.”

[15] Shiko Musnedin e imam Ahmedit, vëllimi 3, faqja 467.

[16] Them: Ka për qëllim nga Muhamed ibën Is’haku. E ka shënuar gjithashtu Hakimi në El Mustedrak, vëllimi 3, faqja 417-418.

[17] Nuk e kam gjetur aty, por transmetimi është me kuptim të përafërt me atë të mëparshmin.

[18] Në “Es Sirah” faqja 226-228, e nga ai e ka transmetuar Ebu Nuajmi në Ed Delail faqja: 19.

[19] Zinxhiri i transmetimit të këtij hadithi është sahih.

[20] Muhamedin (Paqja qoftë mbi të!).

[21] Në Musnedin e tij, vëllimi 5, faqja 411.

[22] Faktikisht ka më shumë se një dëshmi, dhe këtë e pohon autori (Ibën Kethiri) në librin e tij të tefsirit. Aty shprehimisht thuhet: “Ky hadith është i mirë.” Ndoshta ky është vlerësim më i drejtë sesa të thuhet “është i saktë”, kjo sepse në zinxhirin e transmetimit ndodhet Ebu Sakhr El Ukajli të cilin nuk e njoh, dhe nuk e ka përmendur Ibën ebi Hatimi në librin e tij.

[23] Sandale druri me rripa lëkure.

[24] Ungjillin.

[25] Në transmetimin e Bezarit është: “Jo, por po të dua e lexoj”, dhe kjo duket më e saktë.

[26] Them: Ka për qëllim vetëm ata që do të hyjnë në xhenet pa dhënë llogari. Në transmetimin e Bezarit ka ardhur me tekst: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im! Unë jam Profeti i fundit, dhe ata (që do të hyjnë në xhenet pa dhënë llogari) do të jenë nga umeti im, dhe do të jenë shumë më tepër sesa aq.”

[27] Them (El Albani): Zinxhiri i transmetimit të këtij hadithi është i saktë dhe të gjithë transmetuesit e tij janë të besueshëm. E ka shënuar El Hejthemi në “Mexhmeu ez zevaid” vëllimi 10, faqja 407-408, nga transmetimet e El Feletan ibën Asim por nuk e përmend dajën e tij. Aty ka shënuar: “E transmeton El Bezari dhe të gjithë transmetuesit e këtij hadithi janë të besueshëm.” E ka shënuar gjithashtu Es Sujuti në El Khasais, vëllimi 1, faqja 38, nga transmetimet e Taberaniut, Bejhekiut, Ebu Nuajmit dhe Ibën Asekirit. E transmeton gjithashtu Ibën Hibani me nr. 2107.

[28] Them: E transmeton Buhariu nga Ebu Hurejra në tre vende të ndryshme me nr 3167, 6944 dhe 7348, por pa pjesën; “Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im.” Ngjarja  ka ardhur në një kontekst të caktuar.

[29] Hilal ibën Ata ibën Jesar, ose siç njihej ndryshe me ofiqin Ebu Umer El Medeni është ndër tabiinët e shquar. Historianët kanë fjalë kontradiktore sa i përket vitit në të cilin ai ka ndërruar jetë. Disa kanë thënë se ndërroi jetë në vitin 94 hixhri, ndërsa disa të tjerë thonë se ai ka ndërruar jetë në vitin 103 hixhri. (Sh.p.)

[30] Abdullah ibën Amër ibën El Asi është sahabi i nderuar. Disa historianë kanë thënë se thirrej me ofiqin Ebu Muhamed, ndërsa historian të tjerë thonë se ofiqi i tij ka qenë Ebu Abdurrahman El Kurashij. Tregohet se Amri, babai i tij ka qenë shumë i ri kur ka lindur djali i tij Abdullahu. Thuhet se ka qenë vetëm 12 vjeç. E pranoi islamin para babait të tij Amër ibën Asit. Ishte prej atyre që e adhuronin Allahun shumë dhe ishte ndër sahabët që ka transmetuar shumë hadithe nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Madje Ebu Hurejra thoshte se Abdullah ibën Amër ibën Asi ia kalonte atij në transmetimin e hadithit, pasi ai i shkruante hadithet ndërsa Ebu Hurejra nuk i shkruante ato. Megjithatë, hadithet e transmetuara prej tij nuk patën famën që patën hadithet e transmetuara nga Ebu Hurejra. Abdullahi ka jetuar pjesën më të madhe të jetës në Egjipt, ndërsa ka ndërruar jetë në moshën 73 vjeçare në Palestinë në vitin 99 hixhri. Biografia e tij gjendet në librin El Isabe, vëllimi 6, faqja 176-177 dhe Usudu el gabeh, vëllimi 6, faqja 338-347. (Sh.p.)

[31] El Musned vëllimi 2, faqja 174. Po aty ndodhet edhe shtojca e Ibën Xheririt e cila do të vij në vijim. Gjendet edhe në Sahihun e Buhariut me nr. 2125 dhe 4838.

[32] Them: E transmeton Ed Darimi vëllimi 1, faqja 5 nga e njejta rrugë transmetimi e cila tregohet më sipër. Në të gjendet dhe Abdullah ibën Salih i cili shkruante për Lejthin, e ai është transmetues i dobët.

Dobi shtesë: Në disa transmetime të tjera nga Ibën Is’haku, citohet të jetë thënë: “Ai nuk bërtet  në tregje, nuk zbukurohet me atë që është e ndaluar dhe nuk thotë atë që s’është e drejtë. Unë do t’ia shtoj atij ç’do të mirë dhe do t’i dhuroj çdo sjellje të mirë. Qetësinë do t’a bëj veshjen e tij, respektin natyrë të tij, devotshmërinë do t’a bëj sedrën e tij. Urtësi do t’a bëj të menduarin e tij, besnikërin do e bëj natyrë të tij, faljen dhe tolerancën moral të tij, drejtësinë do e bëj qëllim të tij dhe të vërtetën do t’a bëj rrugë të tij. Udhëzimin do t’a bëj prijës të tij, ndërsa Islamin fe të tij. Ahmed (i Lavdëruar) do të jetë emri i tij. Me të do t’i udhëzoj të humburit e do t’i mësoj injorantët. Me të do të ngre të ulëtit e do t’i bëj të famshëm të panjohurit. Me të do t’i shumoj të paktët e do t’i pasuroj të varfërit. Me të do t’i bashkoj të ndarët e do t’i mbledh të përçarët. Rreth tij do të bashkoj zemrat dhe qëllimet e shpërndara. Me të do të mbledh popujt e ndryshëm e do t’i bëj një popull të vetëm i cili do të jetë më i miri i popujve.”  – Shtojcë nga përkthyesi e shkëputur nga libri “Kitabu Esh Shifa bi tearifi hukuk El Mustafa”, pjesë nga tema: “Lavdërimi që Zoti i Madhëruar i ka bërë Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe njohja e pozitës së nderuar që gëzon tek Ai.”

[33] Për pranimin e Islamit nga ana e Nexhashiut do të tregojmë kur të vijmë tek tema: Emigrimi në Abisini. Tregimi për Selman El Farisiun është përmendur pak më herët, ndërsa për pranimin e Islamit nga ana e Abdullah ibën Selamit autori (Ibën Kethiri) ka treguar nën temën “Arsyeja përse i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) preferoi të emigronte i vetëm.” Por unë kam nxjerr dhe një tjetër transmetim në lidhje me këtë, të cilën do t’a sjell në vijim në dashtë Allahu.

[34] E transmeton Hakimi, vëllimi 2, faqja 614 dhe shënon: Hadithi është i saktë dhe i plotëson kushtet e Buhariut dhe Muslimit. Vlerësimin e tij e ka aprovuar Dhehebiu. Duke e analizuar hollësisht këtë transmetim vërehet se nuk i përmbush kushtet e Buhariut por vetëm te Muslimit, me përjashtim të Ahmed ibën AbdulXhebarit nga i cili nuk ka transmetuar asnjëri nga ata të dy (as Buhariu e as Muslimi). Në lidhje me këtë transmetues El Hafidh shprehet: Është i dobët, me përjashtim të rastit kur transmeton nga “Es Sirah”.

[35] Ai është Abdullah ibën Selam, një ish-rabin hebre që pranoi Islamin në Medinë.

[36] Këtë ngjarje e ka shënuar Ahmedi, vëllimi 6, faqja 25 dhe shtojcat janë të atij. E transmeton gjithashtu Hakimi, vëllimi 3, faqja 415-416 dhe thotë: Hadith i saktë që i përmbush kushtet e dy shujuhëve (Buhariut dhe Muslimit). Vlerësimin e tij e miraton imam Dhehebiu. E vërteta është se hadithi plotëson vetëm kushtet e Muslimit, pasi Safuan ibën Amri nuk është nga transmetuesit e Sahihut të Buhariut, por ai ka transmetuar prej tij në librin “El Edebul Mufred”.