Besimi në engjëj

February 11, 2023

Besimi në engjëj është pranimi i ekzistencës së tyre, i emrave që na janë përmendur dhe i punëve të tyre. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “I Dërguari (Muhamedi ) beson në çfarë i është zbritur nga Zoti i tij dhe po kështu edhe besimtarët (besojnë bashkë me të). Gjithsecili prej tyre beson në Allahun, në melekët e Tij, në librat e Tij, në të dërguarit e Tij. (Ata thanë:) Ne nuk bëjmë asnjë dallim mes të dërguarve të Tij.” |Bekare: 285|

Gjithashtu ka thënë: “Nuk është el-bir (përkushtim, drejtësi dhe çdo lloj veprimi tjetër në bindje ndaj Allahut) nëse ju e ktheni fytyrën drejt lindjes dhe perëndimit (në falje), por el-bir është; ai (cilësi e atij) i cili beson në Allahun, në ditën e fundit, në melekët, në librin, në pejgamberët.” |Bekare: 177|

Transmetohet në “Sahihun” e Muslimit nga hadithi i gjatë i Umer ibën Hatabit, radijAllahu anhu, rreth pyetjes së Xhibrilit Muhamedit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, për besimin se ai ka thënë: “Imani (besimi) është; të besosh Allahun, ëngjëjt e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, ditën e gjykimit dhe të besosh caktimin e Tij i mirë apo i keq qoftë.”

Allahu i Madhëruar i ka përshkruar engjëjt në librin e Tij duke thënë: “Të Tij janë gjithkush që është në qiej dhe në tokë, dhe ata që janë pranë Tij (melekët) nuk janë aq kryelartë (por janë krenarë që janë në praninë e Tij dhe në shërbim të Tij) dhe nuk lodhen kurrë. Ata (melekët) lartësojnë lavdinë e Tij ditë e natë dhe ata nuk plogështohen kurrë duke vepruar kështu.” |Enbija: 19-20|

Gjithashtu ka thënë: “Ata janë vetëm robër të nënshtruar e të nderuar. Ata nuk flasin derisa të ketë folur Ai dhe punojnë nën komandën e Tij.” |Enbija: 26-27|
Gjithashtu ka thënë: “Vërtet ata që janë me Zotin tënd (melekët) kurrë nuk janë kryelartë për ta adhuruar Atë, madhërojnë lavdinë e Tij dhe i bien në sexhde.” |A’raf: 206|

Ata janë robër të Allahut, krijesat e Tij madhështore dhe nuk e meritojnë adhurimin në asnjë mënyrë. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Dhe (kujto) ditën kur Ai do t’i mbledhë të gjithë së bashku dhe pastaj do t’u thotë melekëve: A ishit ju ata që u adhuruat prej këtyre njerëzve? Ata (melekët) do të thonë: I Lartësuar je Ti! Ti je Zoti ynë në vend të atyre. Përkundrazi, ata adhuronin xhindet; shumica e tyre besonin në ta.” |Sebe: 40-41|

Gjithashtu ka thënë: “As nuk do t’ju urdhëronte të merrni melekët ose pejgamberët për zota. A mos vallë do t’ju urdhëronte të mohonit pasi që ju t’i ishit nënshtruar vullnetit të Allahut (si muslimanë)?” |Ali Imran: 80|

Transmetohet në “Sahihun” e Muslimit nga Aishja, radijAllahu anha, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Engjëjt u krijuan nga drita, xhindët nga zjarri, ndërsa Ademi ashtu siç u është përshkruar (nga balta).”

Krahët janë një nga tiparet e tyre. Disa prej tyre kanë dy palë krahë, disa tre, disa katër e kështu me rradhë. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për Allahun, i vetmi Fillues (i vetmi Krijues) i qiejve dhe i tokës i Cili i bëri melekët lajmëtarë me krahë, dy, tri a katër. Ai shton në krijim çfarë do. Vërtet që Ai është i Zoti për të bërë çdo gjë.” |Fatir: 1|

Transmetohet në “Sahihun” e Buhariut nga Ibën Mesudi, radijAllahu anhu, se Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e ka parë Xhibrilin me 600 krahë.

Allahu i Madhëruar ua ka mundësuar engjëjve që të shndërrohen në forma të bukura, ashtu siç i është shndërruar Xhibrili Merjemes (nënës së Isait alejhi selam – sh.p.) në një njeri të zakonshëm; Ibrahimit alejhis-salatu ues-selam kur i erdhën si miq të nderuar; Lutit alejhis-selam kur shkuan për të zbritur dënimin në popullin e tij dhe raste të tjera të ngjashme me to.

Allahu i Madhëruar u është kundërpërgjigjur politeistëve të cilët pretendonin se engjëjt janë bijat e Allahut (Allahu qoftë i lartësuar nga ajo që thonë). Ai ka thënë: “Dhe thonë: I Gjithëmëshirshmi ka lindur bir. Lavdi i qoftë Atij! Ata (të cilët këta i quajnë fëmijët e Tij si Isai – biri i Merjemes, Uzejri etj.) janë vetëm robër e të nënshtruar të nderuar. Ata nuk flasin derisa të ketë folur Ai dhe punojnë nën komandën e Tij. Ai (Allahu) di çfarë ka para tyre dhe çfarë ka pas tyre, dhe ata nuk  mund të ndërhyjnë përveç për ata me të cilët Ai është i kënaqur, duke qëndruar me nderim nga frika ndaj Tij.” |Enbija: 26-28|

Gjithashtu ka thënë: “Pyeti ata (Kurejshët o Muhamed): A për Zotin tënd janë vetëm bijat dhe për ta bijtë? Apo Ne i krijuam melekët femra duke qenë ata dëshmitarë? Nuk ka  dyshim që është shpifje e tyre (e paganëve kurejshë) që thonë: Allahu ka lindur (melekët janë bijat e Allahut)! A paska zgjedhur Ai bijat përmbi bijtë? Ç’keni! Si gjykoni? A nuk do të përkujtoni pra? Apo keni argument të qartë? Silleni atëherë librin tuaj nëse jeni të drejtë!” |Surja Saffat: 149-157|

Pastaj ka thënë për engjëjt: “Nuk ka asnjë prej nesh (melekëve) që nuk e ka vendin e tij të njohur. Vërtet që ne (melekët) jemi të rreshtuar (në adhurim). Vërtet që ne (melekët) jemi ata që lartësojnë (lavditë e Allahut, që kryejmë falje).” |Saffat: 164-166|

Prej engjëjve është dhe Xhibrili, alejhi selam, engjëlli i ngarkuar me shpalljen. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Thuaj (o Muhamed): Kushdo që është armik i Xhibrilit (le të vdesë në zemërimin e tij), sepse në të vërtetë ai e ka sjellë këtë (Kuran) në zemrën tënde me vullnetin dhe lejen e Allahut.” |Bekare: 97|

Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e ka parë atë në luginë me 600 krahë. Trupi i tij i madh kishte zënë horizontin. Gjithashtu, e ka parë atë në natën e Miraxhit (kur është ngritur në qiell) në qiell ashtu siç thotë Allahu i Madhëruar: “Dhe vërtet që ai (Muhamedi ) e pa atë (Xhibrilin) në një zbritje tjetër (edhe një herë tjetër), afër sidreti el- munteha (pemë në kufirin më të lartë mbi qiellin e shtatë përtej së cilës askush nuk mund të kalojë). Pranë saj është vendbanimi i Xhenetit.” |Nexhm: 13- 15|

I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e ka parë atë në formën e tij të vërtetë vetëm këto dy herë, ndërsa herët e tjera në formën e një burri. Shumicën e rasteve e ka parë në formën e Dihjetul-Kelbi (një nga shokët e të Dërguarit të Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

Ka thënë Allahu i Madhëruar për Xhibrilin: “S’ka dyshim se ai (Kurani) është thënie e më të nderuarit të dërguar (Xhibrilit, prej Allahut te Muhamedi). I pajisur me fuqi dhe shkallë të lartë tek Zoti i Arshit, të Cilit i binden (melekët) të besuarit atje (në qiej). (O njerëz!) Shoku juaj (Muhamedi) nuk është i çmendur, dhe vërtet që ai (Muhamedi) e pa atë (Xhibrilin) në hapësirën e pastër (drejt lindjes).” |Tekuir: 19-23|

Prej engjëjve është edhe Mikaili. Ai është engjëlli i ngarkuar me shiun dhe shpërndarjen e tij aty ku e urdhëron Allahu i Madhëruar.

Transmeton imam Ahmedi nga Enesi, se Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i ka thënë Xhibrilit: “Pse nuk e shoh Mikailin asnjëherë të qeshur? Ai ia ktheu: Mikaili nuk ka qeshur që kur është krijuar zjarri.”

Ka thënë Allahu i Madhëruar për Mikailin: “Kushdo që është armik i Allahut, i melekëve të Tij, i të dërguarve të Tij, i Xhibrilit dhe i Mikailit, atëherë vërtet që Allahu është armik për mosbesimtarët.” |Bekare: 98|

Prej engjëjve është edhe Israfili. Ai është i ngarkuar që t’i fryjë bririt tre herë me urdhrin e Zotit të Tij. Fryrja e parë është fryrja e frikësimit, e dyta është fryrja e vdekjes, ndërsa e treta është fryrja e ngritjes për tek Zoti i botrave.

Këta tre engjëj janë ata të cilët i ka përmendur Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, në lutjen e tij në namazin e natës: “O Allah! O Zoti i Xhibrilit, Mikailit dhe Israfilit! O Krijuesi i qiejve dhe i tokës! O Njohësi i të fshehtës dhe të qartës! Ti gjykon mes robërve të Tu në ato gjëra ku kanë rënë në kundërshtim. Më udhëzo me lejen Tënde në të drejtën aty ku është rënë në kundërshtim. Me të vërtetë që Ti udhëzon kë do për në rrugën e drejtë.” Transmeton Muslimi.

Transmetohet në “Sunenin” e Nesaiut (libër nga librat e hadithit – sh.p.) nga Aishja, radijAllahu anha, se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:

“O Allah! O Zoti i Xhibrilit, Mikailit dhe Israfilit! Kërkoj mbrojtje prej Teje nga nxehtësia e zjarrit dhe nga dënimi i varrit!”

Prej engjëjve është gjithashtu edhe engjëlli i vdekjes. Ai është i ngarkuar me marrjen e shpirtrave. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Thuaju: Meleku i vdekjes i cili është vënë mbi ju do t’jua marrë shpirtrat, pastaj do të ktheheni te Zoti juaj.” |Sexhde: 11|

Prej engjëjve janë gjithashtu engjëjt e ngarkuar me ruajtjen e njerëzve në çdo situatë, qofshin banorë të një vendi apo në udhëtim, në gjumë apo zgjuar. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Është njësoj (për Të) nëse çdokush prej jush e fsheh apo e shpall hapur fjalën e tij, nëse është që fshihet i mbuluar nga nata apo që shfaqet hapur ditën. Për çdo njeri ka melekë (roje) të përhershëm para dhe mbrapa tij. Ata e ruajnë me urdhrin e Allahut. Sigurisht që Allahu nuk do të ndryshojë (për mirë) gjendjen e një populli (që bën gjynahe, që është mosmirënjohës dhe i pabindur ndaj Allahut) përderisa ata vetë ta ndryshojnë atë për mirë (duke ndryshuar shpirtin dhe punët e tyre). Por kur Allahu do ndëshkimin e një populli nuk ka më kthim mbrapa tij dhe as nuk do të gjejnë përveç Tij mbrojtës tjetër.” |Rrad: 10-11|

Ka thënë Ibën Abasi, radijAllahu anhu, për kuptimin e fjalës muakkibet (kështu ka ardhur në Kuran në gjuhën arabe në ajetin e mësipërm): “Janë engjëj të cilët e ruajnë njeriun para dhe pas tij. E kur i vjen caktimi (vdekja) largohen nga ai.”

Prej engjëjve janë gjithashtu el-kiram el-ketibijn (shkruesit e nderuar). Ata shkruajnë veprat e mira dhe të këqija të robërve. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Por padyshim që mbi ju janë ruajtësit (melekët e caktuar me përgjegjësi për njerëzit) për t’ju vëzhguar ju, kiramen ketibijn (të nderuarit që shkruajnë veprat tuaja). Ata dinë gjithçka që ju veproni.” |Infitar: 10-12|

Gjithashtu i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, na ka njoftuar: “Shtatëdhjetë mijë engjëj hyjnë në (në një transmetim tjetër: falen në) el-bejt el-mamur (Qabja e cila është në qiell) çdo ditë e nuk kthehen më në të.”

Ai që e mohon ekzistencën e engjëjve ka bërë kufër (ka dalë nga Islami) me unanimitetin e muslimanëve. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Dhe kushdo që mohon Allahun, melekët e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij dhe ditën e fundit, atëherë ai vërtet e ka humbur rrugën tepër larg.” |Nisa: 136|

 

Shkëputur nga libri: “Besimi i saktë”.

Shkroi: Abdus-Selam ibn Berxhes AbdulKerijm

Përktheu: Ardit Ulqinaku

Dosje:

Loading...