Betimet në këndvështrimin Islam

Betimet në këndvështrimin Islam

Betimet janë të shpeshta në jetën e përditshme dhe njerëzit i përdorin ato për të siguruar dikë se thonë të vërtetën, ose se do të kryejnë diçka patjetër. Ato janë shumë të nevojshme në jetën e përditshme sidomos në lidhje me vërtetësinë e fjalës, sepse është e pamundur që çdo gjë të vërtetohet me fakte.

Në shoqëritë monoteiste ato të cilat besojnë në një zot, njerëzit për betim përmendin vetëm emrin e Allahut, Zotit dhe të Adhuruarit të tyre të Vetëm, ndërsa në shoqëritë idhujtare ata përmendin edhe emra të tjerë si emra të të shtrenjtëve apo shenjtëve të tyre.

Betim në Islam quhet: Përmendja e emrit te Allahut për të siguruar dikë se thotë të vërtetën, ose për të kryer diçka patjetër.[1] Ndërsa në shoqëritë idhujtare betim quhet: Përmendja e emrit të dikujt të shtrenjtë a të shenjtë për ta, ose për të siguruar dikë se thua të vërtetën, ose për të kryer diçka patjetër.

Betimet para islamit.

Është e rëndësishme të njihemi me gjendjen e arabëve para Islamit për të kuptuar më pas gjykimet e Islamit, shkaqet dhe rëndësinë e tyre.

Arabët para dërgimit të profetit Muhamed -alejhi selam- kishin fe të përzier. Disa zakone i kishin trashëguar nga feja e Ibrahimit -alejhi selam- ku prej tyre ishte betimi në Allahu. Ndërsa disa të tjera ishin pjellë e idhujtarisë së shpikur prej tyre pas kohës së Ibrahimit -alejhi selam- ku prej tyre ishte betimi në idhuj dhe në gjëra të shtrenjta dhe me vlerë për ta.

Duke parë në librat e historisë para-islame gjejmë se arabët në shoqërinë e tyre bënin këto lloje betimesh:

 Lloji i parë: Betimi në Zot.

Hatim Et-Taij, një burrë fisnik arab i cili i përket kohës para-islame, në poezitë e tij thoshte:

Nëse pi derisa të ngopem  

me pije dehëse, mos u ngopsha!

Nëse i prish dasmën komshiut,

e të fshihem në errësirë, mos u fshehsha!

Si t’a turpëroj komshien dhe t’a tradhëtoj komshiun?!

Jo, pasha Allahun, sa të jem gjallë mos e bëfsha![2]

Në vargun e fundit poeti betohet në Zot se nuk do t’ia lejojë vetes të bëjë punë të ulëta, ndaj thotë: Pasha Allahun!

Ky adet siç u tha më lart është adet i trashëguar nga feja e pastër e Ibrahimit -alejhi selam- me të cilën kanë pasur lidhje edhe arabët edhe Beni Israilët.

 Lloji i dytë: Betimi në idhujt si; Lati, Uzaja dhe Menati.

Eus bin Haxher, poet i kohës para-islame në një nga poezitë e tij thoshte:

Pasha Latin dhe Uzanë dhe kush ndjek rrugën e tyre,

Edhe pasha Allahun, sepse Allahu është më i madhi prej tyre.[3]

Këto vargje përmbajnë tre betime, dy prej tyre në idhuj dhe i treti në Allah.

Një poet tjetër i kohës para-islame Abdul-Ueza bin Uediah El-Muzenij, betohej në Menat dhe thoshte:

Jam betuar betim prej të sinqertit, 

në Menatin te vendi i fisit të Hazrexhit.[4]

Lati, Uzaja dhe Menati kanë qenë tre idhujt më të mëdhenj të Arabisë të vendosura në tre vendet më të njohura të asaj kohe: Lati në Taif, Uzaja në Meke dhe Menati në Medine. Arabët para Islamit i vizitonin ata për mbarësi siç vizitonin Qaben, bënin Kurban për to dhe u luteshin për nevojat e tyre. Për shkak të kësaj pozite që kishin tek ata betoheshin në to kur e kishin të nevojshme.

 Lloji i tretë: Betimi në gjëra me rëndësi fetare si Qabja.

Zuhejr bin Ebi Selma, poet shumë i njohur i kohës para-islame sa poezitë e tij vareshin në Qabe, në njërën prej këtyre poezive thoshte:

Betohem ne shtëpinë rreth së cilës tavaf kanë bërë

burrat që e ndërtuan atë prej Kurejshëve dhe Xhurhumit.

Ata janë më të mirët fisnikë që janë gjendur,

në çdo gjendje fuqie apo dobësie janë përgjigjur.[5]

Në vargun e parë duket qartë betimi në Qabe sepse ajo është shtëpia e Zotit rreth së cilës bëhej tavaf që nga koha e stërgjyshit të tyre Ibrahimit -alejhi selam-, dhe kujdeseshin për të fiset arabe të Kurejshëve dhe të Xhurhumit. Ata prej Ibrahimit -alejhi selam- kishin trashëguar rëndësinë fetare të saj dhe për shkak të kësaj rëndësie betoheshin në të. Mirëpo me këtë veprim dilnin jashtë zakonit të saj sepse Qabja ishte caktuar vend për adhurimin e Allahut dhe jo për adhurimin e saj, sepse Ibrahimi -alejhi selam- nuk adhuronte asgjë dhe askënd tjetër veç Allahut të Madhëruar.

 Lloji i katërt: Betimi në njerëz të shtrenjtë si p.sh. baballarët dhe në gjëra të shtrenjta për jetesën si kripa, zjarri etj.

Ebu Hirash El-Hudhelij, poet arab i kohës para-islame por që e ka arritur Islamin dhe nga fundi i jetës së tij e ka pranuar atë -radiallahu anhu-, në një nga poezitë e tij të kohës së hershme i drejtohej gruas se tij e cila i kërkonte shkurorëzimin, dhe i thoshte:

Jo pasha babanë tënd të mirë, (tjetrin) nuk ke për t’a gjetur,

as të sjellshëm kur ka pasuri dhe as durimtar në varfëri s’ke për të hasur.[6]

Në këto vargje kemi një betim të qartë në baballarë, betim i cili ka vazhduar edhe një farë kohe pas ardhjes së Islamit siç do të vijë më poshtë në temën tjetër së bashku me arsyetimin e këtij veprimi.

Një poet tjetër betohej në gjëra të tjera të domosdoshme për jetesën dhe thoshte:

U betova në kripë kur njerëzit ishin prezentë në një grumbullim të madh.

Dhe u betova në zjarr dhe në Latin sepse ai është më i madh.[7]

Në këto vargje kemi betimin në kripë dhe në zjarr si dy gjëra të shtrenjta për jetesën e njeriut. Kjo nëse ata nuk i adhuronin ato duke i konsideruar zota siç bënin persët me zjarrin, sepse ndryshe kemi të bëjmë me betim në idhuj.

Lloji i pestë: Betimi në cilësi me vlerë si amaneti.

Ky lloj betimi është përmendur në një hadith profetik ku Profeti -alejhi selam- e kritikon atë dhe thotë: “Kush betohet në amanet nuk është prej nesh.”[8]

Nuk dihet mirë se çfarë ka patur për qëllim Profeti -alejhi selam- me fjalën ‘amanet’; porositë e Zotit apo besnikërinë e burrit, sepse kjo fjalë i përmban të dyja.

Dijetari i njohur i gjuhës arabe Ibn El-Ethir -Allahu e mëshiroftë- thotë: “Me fjalën amanet emërtohen disa gjëra; bindja ndaj urdhërave të Zotit, porositë e Allahut (namazi, agjërimi, zekati, haxhi etj.), gjërat që lihen për t’u ruajtur në mirëbesim, besnikëria dhe garancia.”[9]

Nëse në hadith është për qëllim besnikëria e burrit, atëherë ai mund të ketë lidhje me ndalimin e betimit në këtë cilësi me vlerë tek njerëzit. Madje arabët kanë qenë shumë të njohur për të edhe para Islamit, dhe për shkak se e vlerësonin shumë ndoshta edhe betoheshin në të. E nëse me fjalën amanet janë për qëllim porositë e Zotit, atëherë ai ka të bëjë me muslimanët e jo me arabët para Islamit që ata të mos betohen në porositë e Allahut. Për porositë e Tij Allahu nuk ka kërkuar më shumë sesa respekt dhe bindje.

Këto ishin disa nga betimet e njerëzve para Islamit dhe shkaqet e tyre. Më pas do të njihemi me gjykimin e këtyre betimeve në Islam dhe rregullat e muslimanëve në lidhje me to.

 

Vijon………

————————————————-

[1] Shih përkufizimin e betimit dhe urtësinë e tij në librin ‘El-Meusuah El-Kuejtije’: 7/245-246.

[2] Shih librin ‘El-Bidaje uen-Nihaje’ të Ibn Kethirit: 2/ 273.

[3] Shih librin ‘El-Esnam’ të Ibn Es-Saib: 17.

[4] Shih librin ‘El-Esnam’ të Ibn Es-Saib: 14.

[5] Shih librin ‘Xhemherat Esh’ar El-Arab’ të Ibn Ebil-Khattab: 161.

[6] Shih librin ‘El-Ikhtijarein’ të El-Ekhfesh El-Esgar: 1/672.

[7] Shih librin ‘El-Bejan uet-Tebjin’ të El-Xhahidh: 3/7.

[8] E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson shejh Albani.

[9] Shih librin e autorit me titull ‘En-Nihaje’: 1/71.