Betimet pas ardhjes së Islamit

November 12, 2019

Betimet pas ardhjes së Islamit

Betimi në realitet është madhërim që i bëhet atij në të cilin betohesh, dhe i betuari për hir të tij thotë të vërtetën dhe nuk gënjen, e mban premtimin dhe nuk e shkel atë. Ky lloj madhërimi në këtë lloj mënyre është adhurim dhe nuk i takon veçse Allahut të Madhëruar.

Kur erdhi feja Islame me adhurimin e Allahut Një, Zotit të vetëm të njerëzve si ripërtëritje e besimit të pastër të Ibrahimit -alejhi selam- dhe e profetëve të tjerë të Allahut -alejhim selam-, patjetër që ajo do t’i pastronte edhe shprehjet e njerëzve të cilat bien ndesh me besimin e pastër. Prandaj është përmendur se profeti Muhmamed -alejhi selam- ka thënë:

Mos u betoni; as në ata që i kalojnë kufijtë (idhujt), as në ata që barazohen me Allahun, as në baballarët tuaj dhe as në nënat tuaja! Mos u betoni veçse në Allahun!”[1]

Kush betohet në diçka tjetër veç Allahut ka bërë shirk (ortak Zotit). Kush do të betohet, të mos betohet veçse në Zotin ose le të heshtë![2]

Kështu Profeti -alejhi selam- i ndaloi të gjitha betimet e kohës para-islame duke i cilësuar ato shirk dhe duke mos lënë veçse betimin në Allahun siç ishte adeti i profetëve para tij.

Rregullat e betimeve

Islami pas ardhjes së tij për të mbrojtur dhe ruajtur të pastër besimin e njerëzve dhe për të respektuar betimet e tyre, solli rregulla dhe norma të cilat janë si më poshtë:

Rregulli i parë: Betohu vetëm në Zot!

Ky rregull vjen për shkak të asaj që u tha më lart se betimi në dikë a diçka tjetër veç Allahut është shirk (ortakëri në besim). Ai nganjëherë mund të jetë shirk i madh i cili të nxjerr nga feja e Allahut, dhe nganjëherë mund të jetë i shirk vogël i cili nuk të nxjerr nga feja por që në ty dyja rastet është i ndaluar.

Shejhu i Islamit Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë çështje thotë:

“Ai (profeti -alejhi selam-) e ka quajtur atë shirk sepse betimi në dikë tjetër veç Allahut është adhurim, dhe kush betohet në dikë tjetër veç Allahut i ka bërë ortak Atij. Kush e bën këtë gjë duke besuar në adhurimin e tij (të atij që betohet në të) ai është Kafir (mohues). E nëse nuk e beson adhurimin e tij atëherë ai ka bërë shirk në fjalë i cili qëndron më poshtë se shirku i madh që të nxjerr nga feja.”[3]

Pra, ai që betohet në dikë tjetër veç Allahut, nëse në atë që është betuar ka adhurim ndaj tij me dashuri, shpresë, frikë dhe nënshtrim, atëherë betimi i tij është shirk i madh. Kjo e nxjerr atë nga feja e Allahut sepse ai kështu i ka bërë ortak Atij. E nëse betimi i tij nuk përmban adhurim të kësaj lloj natyre siç është në shumicën e rasteve betimi në baballarë dhe në gjëra të shtrenjta për jetën e njeriut si; jeta, buka, rrizku etj. atëherë betimi i tij është fjalë shirku dhe shirk i vogël i cili nuk të nxjerr nga feja. Por gjithsesi është i ndaluar sepse e dobëson dhe e zbeh besimin dhe mbështetjen në Allahun e Madhëruar.

Për të ruajtur këtë parim Islami rregulloi edhe disa forma betimesh të cilat bëheshin në gjëra të shtrenjta, si ato me rëndësi fetare si p.sh. Qabja. Kutejle bintu Sajfij El-Xhuhenije -radiallahu anha- tregon: “Një dijetar prej dijetarëve të hebrenjve erdhi tek i dërguari i Allahut dhe i tha: Ju jeni njerëzit më të mirë sikur të mos bënit shirk! Profeti -alejhi selam- i tha: SubhanAllah! Ku është shirku? Ai i tha: Ju kur betoheni thoni: Pasha Qaben! Atëherë Profeti -alejhi selam- u mendua dhe tha: Kush do që të betohet le të thotë: Pasha Zotin e Qabes!”[4]

Hadithi tregon se shprehjet e parregullta të cilat përmbajnë shirk duhen ndryshuar siç bëri profeti Muhamed -alejhi selam- me shprehjet e njerëzve të kohës së tij, dhe siç kanë bërë të gjithë profetët e Allahut me popujt e tyre përderisa edhe hebrenjtë ishin në dijeni të këtij parimi.

Kjo formë betimi mund të përdoret për çdo gjë tjetër të shtrenjtë si p.sh. në lidhje me profetin tonë Muhamedin -alejhi selam- siç bënte Aishja -radiallahu anha.

Aishja -radiallahu anha- tregon se Profeti -alejhi selam- i ka thënë asaj: “Unë e dalloj kur ti je e kënaqur me mua dhe kur je e zëmëruar. I thashë: Si e di dallon atë? Ai më tha: Kur je e kënaqur thua: Pasha Zotin e Muhamedit! Dhe kur je e zëmëruar thua: Pasha Zotin e Ibrahimit!”[5]

Muhamedi dhe Ibrahimi -alejhima selam- janë dy profetët më të mëdhenj të njerëzimit; i pari si Profeti i Islamit, fesë tonë të cilën e zgjodhi Allahu i Madhëruar për ne, dhe i dyti si simbol i njësimit të Zotit Një. Kështu, betimi kur do të nxjerrësh në pah rëndësinë e tyre nuk bëhet duke u betuar në ta, por në Zotin i Cili i dërgoi ata. Dhe thuhet: Pasha Zotin e Muhamedit, apo; Pasha Zotin e Ibrahimit!

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për betimin në kripë, bukë, zjarr, qiell, tokë etj. për ata që e kanë zakon të betohen  në to. Ata nëse duan patjetër t’i përmendin ato atëherë le të thonë: ‘Pasha Krijuesin e kësaj kripe’, apo ‘Pasha Furnizuesin e kësaj buke’, apo ‘Pasha Zotin që krijoi zjarrin’, apo ‘Pasha Krijuesin e qiellit dhe të tokës’ i Cili në të gjitha rastet është Allahu i Madhëruar dhe është betim në emrin e Tij.

Në mbrojtje dhe ruajtje të këtij parimi Islami gjithashtu solli edhe shlyerjen e betimeve të ndaluara. Nëse dikush betohet gabimisht në dikë tjetër veç Allahut, siç ndodhte ndonjëherë me sahabët sepse ata në fillimet e Islamit për shkak se gojët e tyre ishin mësuar me betime në idhuj u rrëshqiste gjuha dhe betoheshin pa qëllim në Latin dhe Uzanë.

Ebu Hurejra -radiallahu anhu- tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Kush betohet dhe thotë në betimin e tij: pPasha Latin dhe Uzanë! Le të thotë: La ilahe il-la Allah! (Nuk ka zot që adhurohet veç Allahut).”[6]

Ibn El-Kajimi -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë hadith thotë: “Kjo gjë është shlyerje për gabimin e tij sepse Profeti -alejhi selam- ka thënë: Kush betohet në dikë tjetër veç Allahut ka bërë shirk, dhe shlyerja e shirkut është njësimi i Allahut i cili është në fjalën ‘La ilahe il-la Allah’.”[7]

A lejohet betimi në cilësitë e Allahut?

Betimi në Zot përfshin emrat edhe cilësitë e Tij, që do të thotë se në betimin tënd mund të përmendësh ose një emër të Zotit ose një cilësi të Tij.

P.sh. mund të thuash: Pasha të Gjithëdijshmin! Dhe mund të thuash: Pasha dijen e Allahut!

Betimi i parë është në një prej emrave të Allahut dhe që është i Gjithëdijshmi, kurse betimi i dytë është në dijen si cilësi e Allahut duke i’a referuar atë emrit të Tij.

Shejhu i Islamit Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë çështje thotë:

Dihet, se ai që betohet në cilësitë e Tij (në cilësitë e Allahut) është sikur të jetë betuar në të (në Allahun e Madhëruar). Kur dikush thotë: ‘Pasha Krenarinë e Allahut’, apo ‘Pasha jetën e Allahut’, apo ‘Pasha Kuranin Famëlartë’. Kjo sepse është saktësuar lejimi i betimit në cilësitë e Tij nga Profeti -alejhi selam- dhe sahabët -radiallahu anhum-, dhe se betimi në cilësitë e Tij është si kërkimi i mbrojtjes prej tyre. E nëse kërkimi i mbrojtjes nuk i bëhet veçse Allahut të Madhëruar në fjalët e Profetit -alejhi selam- kur thoshte: ‘Kërkoj mbrojtjen e Fytyrës Tënde’, apo ‘Kërkoj mbrojtjen e fjalëve të Tua të përsosura’, apo ‘Kërkoj mbrojtje me kënaqësinë Tënde prej zemërimit Tënd’ etj. atëherë kështu është edhe betimi në to dhe kjo çështje është miratuar nga dijetarët. [8] Ndërsa në një citat tjetër thotë: Nuk lejohet betimi veçse në emrat e Allahut apo në një cilësi prej cilësive të Tij.[9]

A lejohet betimi mbi Mus’haf (libri ku është shkruar Kurani)?

Ska dyshim se betimi në Kuranin Famëlartë lejohet sepse Kurani është fjala e Allahut të Madhëruar, dhe fjala e Tij është cilësi e Tij ndërsa betimi në Mus’haf -siç quhet libri ku është shkruar Kurani- ndryshon. Kjo sepse fjala Mus’haf përmban dy gjëra:

E para: Fletët, boja dhe kapakët të cilat janë gjëra të krijuara dhe nuk lejohet betimi në to.

E dyta: Fjalët e Kuranit të cilat janë fjalët e Allahut dhe ajo është cilësi e Tij, dhe betimi në cilësitë e Tij lejohet.

Shejh Albani -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë çështje thotë:

Ai i cili betohet në Mus’haf është betuar edhe në gjë të lejuar edhe në gjë të ndaluar. Kjo përzierje nuk lejohet dhe në rast se duam t’a saktësojmë atë, atëherë mund të themi: Betohem në fjalën e Allahut e cila gjendet në këtë Mus’haf! Kështu betimi në këtë formë bëhet i lejueshëm.[10]

Ky është rregulli i parë i Islamit në lidhje me betimet. Lusim Allahun e Madhëruar të na ruajë neve zemrat tona, si dhe gjuhët tona nga shirku dhe idhujtaria! Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

إِنَّ الشِّرْكَ لَظُلْمٌ عَظِيمٌ

Shirku (ortakëria në besim) është padrejtësia më e madhe[11] që do të thotë; padrejtësia më e madhe e cila i bëhet Allahut Zotit të botëve është kur dikë a diçka prej krijesave të Tij e krahasojnë me Të. Betimi në to është një prej shfaqjeve të idhujtarisë apo ortakërisë në besim.

 

Dr. Abdullah Nabolli

Vijon …..

——————————————-

[1] E transmeton Omeri -radiallahu anhu- dhe e përcjell Muslimi dhe Nesaiu.

[2] E transmeton Abdurrahman bin Semura -radiallahu anhu- dhe e përcjell Buhariu, Muslimi, Ibn Maxhe dhe Ahmedi.

[3] Shih fjalët e autorit në librin e tij “Xheuab fij El-Halfi bi gajrilah”: 6.

[4] E transmeton Ahmedi, Nesaiu etj. dhe e saktëson shejh Albani.

[5] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[6] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[7] Shih librin e autorit me titull ‘El-Uabil Es-Sajjib’: 141.

[8] Shih fjalët e autorit në librin ‘El-Fetaua El-Kubra’: 4/130.

[9] Shih fjalët e autorit në librin ‘Muhtesar El-Fetaua El-Misrije’: 1/548.

[10] Shih fjalët e autorit në kasetat e tij me titull ‘El-Muteferrikat’, kaseta nr. 233.

[11] Suretu El-Lukman: 13.

Loading...