Bilanci vjetor i muslimanit

December 27, 2017

Në fund të vitit tregtarët e kësaj bote bëjnë bilancet e vitit. Shikojnë sa kanë fituar e sa kanë humbur. Rregullojnë hyrje-daljet që t’u dalin hesapet në rregull me shtetin dhe detyrimet që kanë ndaj tij.
Të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe tregtarët e ahiretit, bilancin vjetor. Sa kanë fituar në botën tjetër e sa kanë humbur.
Sa herë e kam lexuar Kuranin këtë vit që iku?
Si kam qenë me namazet me xhemat?
A e kam shtuar diturinë për fenë time apo jo?
A i kam mbajtur lidhjet me të afërmit? Me prindërit si jam sjellë? Po me gruan time? Po me fëmijët? A i kam edukuar siç duhet? A i kam shtuar shoqërisë Islame individë pozitivë apo problematikë?
A e kam shtuar diturinë rreth Zotit tim? Rreth Profetit tim? Si isha këtë Ramazan? Si duhet të jem te tjetri që po afron?

Këto dhe shumë pyetje të tjera duhet ta brejnë zemrën tonë, e nëse përgjigjet janë jo fort të kënaqshme atëherë të nxitojmë të përmirësojmë atë që iku e nuk kthehet më me istigfar, me keqardhje, pishmanllëk, pendim të siqertë. T’i lutemi Allahut të na japë sukses në pjesën që na ka mbetur prej jetës.

Përveç të tjerave, fundi i vitit na kujton edhe fundin tonë. Viti përfundoi dhe i mori me vete të gjitha ato që ndodhën gjatë tij; të gjitha kënaqësitë, ato që u arritën me hallall apo haram. Të vetmet që kanë mbetur janë punët tona, të mira dhe të këqija, të cilat engjëjt i kanë regjistruar me përpikmëri, ruajtur dhe arkivuar. Shumicën prej tyre ne nuk i mbajmë mend, nuk i rikujtojmë dot detajet, por ato janë ruajtur!

Kështu ikin vitet njëri pas tjetrit dhe me to edhe jeta jonë. Disa nuk e arritën fundin e këtij viti, ishin me ne në fillim të tij por s’e arritën dot fundin. Ne që e arritëm nuk ishim më të zotë se ata por mëshira e Allahut na dha edhe disa ditë më shumë, disa shanse më shumë për t’u përmirësuar dhe për të shtuar veprat tona të mira.
Allahut i kërkojmë ndihmë dhe sukses për çdo mirësi!

Emin Bilali

Dosje:

Loading...