Biografi përmbledhëse e dijetarit të shquar El Kadi Ijad[1]
(476 – 544 hixhri)
Emri i tij dhe origjina.
El Kadi Ijad, emri i plotë i tij është Ebu El Fadël Musa bin Ijad bin Umer bin Musa el Jahsubi es Sebti. Ka lindur në qytetin Sebteh në vitin 476 hixhri[2]. Ai ishte gjykatës, dijetar i hadithit, ndër juristët më të mirë, e njëkohësisht ndër komentuesit e Kuranit të madhërishëm. I përkiste shkollës juridike El Meliki.
El Kadi Ijad përvetësoi nga të gjitha llojet e diturisë që gjendeshin në periudhën në të cilën jetoi. Ai dallonte për zgjuarsi dhe mendjemprehtësi të pashembullt. Janë të pakët ata dijetarë të cilët arritën të grumbullonin të gjitha specialitetet e diturisë. El Kadi Ijad ishte dijetar i hadithit, ndër komentuesit e Kuranit të madhërishëm, ndër juristët më të mirë, njohës i mirë i bazave të jurisprudencës, ishte letrar, poet, njohës i mirë i gjuhës arabe dhe rregullave gramatikore, e njëkohësisht ishte orator dhe hatib (ligjërues).
Mbas të njëzetave, El Kadi Ijad u shpërngul në El Andalus, vend në të cilin përfitoj mjaft prej njohurive nga dijetarët më të mirë të kohës që gjendeshin atje. Pastaj u kthye përsëri në Moskat, e më vonë në Sebteh, e kjo pasi kishte marrë dituri prej pothuajse njëqind dijetarëve të specialiteteve të ndryshme.
Pasi u vendos në Sebteh, banorët e saj treguan një interes të madh për të përfituar nga njohuritë që ai kishte grumbulluar në Andaluzi, dhe për këtë i kërkuan që ai të mbante mësime dhe ligjërata në foltoret më të dëgjuara në Sebteh. Më pas atë e propozuan anëtar në dhomën e diskutimeve dhe vendimarrjes, e nuk vonoi që ta caktonin si Gjykatës në qytetin e Sebte-s fillimisht, e më von të njëjtin post e mbajti edhe në Granada të Andaluzisë. Pas kësaj u bë i famshëm me titullin “El Kadi” – Kadiu, apo Gjykatësi, kjo për shkak se shumicën e jetës së tij e kaloi në detyrën e gjykatësit, në Marok dhe Andaluzi.[3]
El Kadi Ijad ka jetuar në fundin e qeverisjes së El Murabitinëve (461-542 hixhri) dhe fillimin e qeverisjes së El Muvahidinëve (524-767 hixhri). Pra, ai i ka njohur të dyja sistemet qeverisëse dhe prijësit e të dyja palëve.
Prej dinastisë së El Murabitinëve, prijësi ishte Jusuf bin Teshfin i cili ndërroi jetë në vitin 500 hixhri, dhe më pas djali i tij, Ali bin Jusuf i cili ndërroi jetë në vitin 537 hixhri.
Ndërsa prijësit e dinstisë së El Muvahidinëve ishin: El Mehdi bin Tumurt, i cili ndërroi jetë në vitin 524 hixhri dhe pas tij, Abdulmu’min bin Ali El Kumi, i cili ndërroi jetë në vitin 558 hixhri.
Rreth vitit 553 hixhri, në Sebteh ndodhën disa revolta kundër qeverisjes së El Muvahidinëve, për të cilat u hodhën dyshime se nxiteshin nga El Kadi Ijad, e për këtë arsye ai u syrgjynos në Muraksh. Një vit pasi ishte interrnuar në Muraksh, në vitin 554 hixhri, ai ndërroi jetë dhe u varros në Beb Ilan, vend i njohur në të cilin ndodhet varri i tij.[4]
El Kadi Ijad ishte bashkëkohës i El Fet’h bin Hakan, i cili mbante postin e ministrit në Andaluzi, por gjithashtu ishte letrar dhe poet i famshëm, si dhe autor i disa librave. Ai e ka lavdëruar El Kadi Ijad-in në librin e tij “Kaleid el akjan”, libër në të cilin ka përmbledhur më të famshmit prej dijetarëve, poetëve, qeveritarëve, ministrave, shkrimtarëve etj.
Po ashtu, El Kadi Ijad ka qenë bashkëkohës i një numri të madh dijetarësh të fushave të ndryshme, ku ndër më të famshmit prej tyre ishin:
- Zejnudin Ebu Zekerija bin Muit. Ai është autori i “El Elfije-s” së famshme. Ndërroi jetë në vitin 628 hixhri.
- Mejmun El Hatabi. Ka qenë poet i talentuar, orator i madh, njeri i urtë dhe filozof i mençur. Shumë prej studjuesve e kanë krahasuar me El Mutenebi-n e famshëm.
- Ebu El Abas El Xheravui, poeti i famshëm, i cili në fushën e poezisë krahasohej me Ibën Temam-in.
- Ebu Xhafer bin Atije (517 – 553 hixhri). Ditën në të cilën është vrarë, Abdulmu’mini kishte thënë: “Shkoi Ibën Atija, e bashkë me të, shkoi dhe letërsia”.
- Ibën Habus, poeti i parë i cili recitoi për nder të Abdulmu’minit në gostinë e njohur të “Xhebel El Fet’hit”.
- Ebu Hafs El Egmeniti (530 – 603 hixhri).
- Ebu El Abas Es Sebti (524 – 601 hixhri)[5].
- Ebu Abdullah Muhamed bin Abdulkerim El Fesi, i njohur si Ibën El Keneni. Ndërroi jetë në vitin 596 hixhri.
- Abdullah bin Said El Uexhdi (495 – 510 hixhri).
- Ebu Is’hak Ibrahim bin Xhafer El Levueti, i njohur ndryshe si Ibën El Fesi. Ndërroi jetë në vitin 513 hixhri.
- Ebu Abdullah Et Temimi El Kadi, i njohur si Ebu Abdullah Muhamed bin Isa (429 – 505 hixhri).
Mësuesit e El Kadi Ijad-it
El Kadi Ijad ka mësuar prej shumë dijetarëve të specialiteteve të ndryshme, prej të cilëve përmendim:
- Ebu El Uelid Muhamed bin Ahmed bin Rrushd. Ishte dijetar dhe studjues i shkollës juridike El Meliki. Më së shumti ka marrë dituri nga Ibën Rrizku, por ka dëgjuar edhe prej El Xhijani-t, Ibën Feraxhit dhe Ibën Ebi El Afije. Ishte specialist në fushën e bazave të jurisprudencës dhe çështjeve që kanë të bëjnë me zekatin. Ishte prijësi i dijetarëve të Aqndaluzisë dhe Marokut në periudhën në të cilën jetoi. U caktua gkykatës i Kordovës për një periudhë kohe. Ka mësuar prej tij El Kadi Ijad…”[6]
- Hoxha Muhamed bin Ahmed bin khalef bin Ibrahim Ebu Abdullah Et Texhibi. Kadiu i bashkësisë islame në Kurtuba.
- Hoxha Ebu Abdullah bin Muhamed bin Es Sejid El Betlisi.
- Ebu Ali Es Sudfi Hasen bin Muhamed bin Fejrah bin Habun bin Sekrah.
- Ebu Abdullah Muhamed bin Abdurrahmen bin Ali bin Said bin Abdilah El Xhedhemi.
- Husejn bin Muhamed bin Ahmed Ebu Ali El Xhijani El Gaseni. Prijësi i dijetarëve të hadithit për periudhën në të cilën ka jetuar, në Kurtuba.
- Ebu Bekër Muhamed bin Abdullah bin Ahmed El Meafiri El Ishbili.
- Ebu Abdullah Muhamed bin Ali bin Muhamed Et Teglibi.
- Ebu Bekër bin Atije. Ka qenë dijetar i hadithit dhe jurist i njohur.
Njohje me librat dhe dorëshkrimet e El Kadi Ijad-it
El Kadi Ijad, me librat dhe dorëshkrimet e tij, i ka lënë librarisë islame një trashëgimi të pasur e të larmishme. Librat e tij më të njohur janë:
- “El Exhuibetu el mukhbirah an el meseil el muhajirah”
- “Exhuibetu el Kurtubijin ue ekhberuhum”
- “El Ialem bi hudud kavuaim el Islam”
- “Ikmel el mualim bi fevuaidi sherhi Muslim”
- “El Ilmea fi dabti err rriuajeti ue tekjidi es semea”
- “Begjetu err rraid, lime tedamenehu hadithu Umu Zer’ain min el fevuaid”
- “Tertibu el mederik ue tekribu el meselik li mearifeti medh’heb Melik”
- “El Xhemiu fi et terikh”
- “ Es sejfu el meslul ala men seb-be eshabu Err Rrasul”
- “Es Safe bi tehriri Esh Shife”
- “El Ujunu es sit-teh fi ekhberi Es Sebteh”
- “Garib esh shubuhet”
- “Gunijeh fi esmei esh shujukh”
- “Gunijetu el ketib ue begijetu et talib”
- “Mesherif el enuar fi tefsiri garib el hadith el muhtesar”
- “Dabtu el elfadh ue et tenbih ala meuedi’i el euhem ue et tes’hifet ue dabti esmei err rrixhel”
- “Kiteb el akideh”
- “El Kaueid”
- “Metalib el efhem fi sherhi el ehkem ue el mekasid el hisen fi me jelzemu el insen”
- “Sherhu el burhan ala sihati xhezmi el èdhen”
- “Esh Shubuhet el mustenbetah ala el kutubi el mudeueneh ue el mukhteletah”
- “Edaijetun ue tehmidet”
- “Esh Shife bi tearifi hukuk El Mustafe”
Përveç titujve të përmendur më sipër, janë edhe të tjera libra dhe dorëshkrime autori i të cilave njihet se është El Kadi Ijad (Allahu e mëshiroftë!).
Libri “Esh Shife bi tearifi hukuk El Mustafe” të cilin e keni në duar është më i njohuri dhe më i përhapuri ndër librat e El Kadi Ijad-it. Atë e gjen pothuajse në të gjitha libraritë islame, qoftë ajo librari e përgjithshme apo private. Madje, ky libër, për shkak të përmbajtjes që ka, shpesh është botuar edhe për qëllime jofitimprurëse nga individë dhe organizata të ndryshme.
Përktheu Edmond Ajdini
[1] Shkëputur nga libri “Keshf edh dhunun” vëllimi: 4, faqja: 52.
[2] Në librin “En Nubug El Magribi” vëllimi: 1, faqja: 88, citohet se El Kadi Ijad ka lindir në muajin Shaban të vitit 496 hixhri.
[3] “En Nubug El Magribi” vëllimi: 2, faqja: 32 dhe faqja: 142. Shiko gjithashtu “Et Tearif bi El Kadi Ijad” me korrektim të prof. Abduselam El Herras dhe prof. Said Earab, botim i Ministrisë së fesë dhe çështjeve islame; faqja: 1401 dhe 1981.
[4] “Mudhekerat min et turath El Magribi” vëllimi: 2, faqja: 273-274.
[5] “Mudhekerat min et turath El Magribi” vëllimi: 2, faqja: 276.
[6] “Ed Dibaxh” i autorit Ibën Ferhun, faqja: 129. Shiko gjithashtu librin “Esh Shedherat”, vëllimi: 2, faqja: 62 dhe “Shexheratu en nur ez zekijeh”, faqja: 129.