Çështje që lidhen me dispozitat e haxhit dhe umras Pjesa e katërt

Çështje që lidhen me dispozitat e haxhit dhe umras

Pjesa e katërt

Çfarë i lejohet të veshë muhrimit?

Mashkulli vesh izar dhe rida. Është vepër e pëlqyeshme që kjo veshje të jetë e bardhë dhe e pastër.

Është e pëlqyeshme (mustehab) që ai të veshë nallane (pantofla, shapka, sandale), kjo bazuar në fjalën e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Secili prej jush të veshë izar dhe rida (për kryerjen e haxhit apo të umrës) dhe nallane (sandale ose pantofla).”[1]

Rrobat e gruas gjatë ihramit

Pelegrines i lejohet të veshë atë që dëshiron prej rrobave qoftë me ngjyrë të zezë, jeshile etj., por duke qenë e kujdesshme që rrobat e saj mos të përngjasojnë me veshjen e burrave. Nuk i lejohet të vendosë nikab dhe dorashka gjatë kohës që është me ihram, por i lejohet ta mbulojë fytyrën e saj dhe duart, mirëpo jo me nikab dhe dorashka, ngase Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e ka ndaluar gruan pelegrine nga vendosja e nikabit dhe dorashkave. Ndërsa ajo që veprojnë disa njerëz të cilët e specifikojnë veshjen (ihramin) e gruas që të jetë ngjyrë jeshile apo e zezë, një gjë e tillë nuk ka bazë.

Forma e futjes në ritual

Pas larjes, pastrimit dhe veshjes së ihramit personi duhet t’i veprojë këto veprime:

– të bëjë nijet me zemër për fillimin e ritualit të cilin dëshiron të kryejë, haxhin ose umren, bazuar në hadithin: “Veprat vlerësohen sipas qëllimeve. E secili do marrë atë që ka pasur për qëllim.”[2] Lejohet shprehja e asaj që personi ka për qëllim.

Nëse qëllimi i tij është kryerja e umrës, thotë: “Lebbejke umraten” ose “Allahumme lebbejke umraten[3].

Nëse ka për qëllim kryerjen e haxhit, thotë: “Lebbejke haxhen” ose “Allahumme lebbejke haxhen”, sepse Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka vepruar kështu.

Nëse bën nijetin për kryerjen e umrës dhe haxhit, thotë: “Allahumme lebbjeke umraten ue haxhen[4].

Më e mira është që këtë ta thuash pasi ke hipur në mjetin e udhëtimit, sepse Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e tha telbijen për futjen në ritual pasi kishte hipur në devenë e tij duke u nisur nga mikati. Kjo është fjala më e saktë e dijetarëve.

– nuk lejohet shqiptimi i nijetit në gjëra (adhurime) të tjera përveç se kur vesh ihramin për fillimin e haxhit ose umrës, sepse kjo transmetohet nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Shqiptimi i nijetit në të gjitha adhurimet,

përveç fillimit të haxhit apo umrës

Kur fillohet me namazin, tavafin dhe adhurimet e tjera kërkohet nga personi që mos ta shqiptojë nijetin, pra mos të thotë: “Kam bërë nijet të fal kështu dhe ashtu”, “Kam bërë nijet që të bëj tavaf”, sepse shqiptimi i nijetit në këto raste është prej bidateve të shpikura dhe shqiptimi i tij me zë është gjëja më e keqe dhe mëkat i rëndë.

Nëse shqiptimi i nijetit do të ishte e ligjësuar, atëherë këtë do e sqaronte i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, do ia qartësonte popullit të tij me veprën ose fjalën e tij dhe es-selefu es-salih do ishin të parët që do e vepronin këtë.

Derisa një gjë e tillë nuk është transmetuar nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sle-lem dhe as nga shokët e tij radijAllahu anhum, atëherë u mësua se shqiptimi i nijetit me gojë është bidat. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Çështjet më të këqija janë shpikjet në to dhe çdo bidat është humbje.[5]

Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush shpik në fenë tonë diçka që nuk i përket asaj, atëherë ajo punë nuk pranohet.”[6]

Ndërsa Muslimi në versionin e tij transmeton: “Kush kryen një punë që nuk përputhet me fenë tonë, ajo do t’i refuzohet.”[7]

 

Mikatet (vendet e përcaktuara) për veshjen e ihramit

Pesë vendet e përcaktuara (mikatet) janë:[8]

  1. Dhulhulejfe:[9] është mikati i banorëve të Medines. Sot njihet me emrin “Ebjaru Alij”.
  1. El-Xhuhfeh:[10] është mikati për banorët e Shamit. Ai është një fshat i rrënuar ose i pabanuar, afër me Rabigun. Njerëzit sot e veshin ihramin në vendin e quajtur Rabig. Kushdo që e vesh ihramin te vendi Rabig, konsiderohet se e ka veshur te mikatet, sepse Rabigu gjendet pak para tij.
  1. Karnul-Menazil: është mikati për banorët e Nexhdit. Njihet me emrin “Es-Sejlu”.[11]
  1. Jelemlem:[12] është mikati i banorëve të Jemenit.
  1. Dhatu Irk:[13] është mikati i banorëve të Irakut.

Këto janë mikatet të cilat i ka përcaktuar Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për ata që u përmendëm më sipër dhe për këdo tjetër që kalon pranë tyre e që nuk është prej banorëve të atyre vendeve. Kushdo që kalon tek këto mikate, e ka për detyrë që ta bëjë nijetin për futjen në ritualin e haxhit apo umres. I ndalohet personi që t’i kalojë këto mikate pa hyrë në ritin e haxhit apo umres,[14] nëse ka për qëllim Meken dhe kryerjen e haxhit apo umrës, qoftë duke kaluar në to me rrugë tokësore apo ajrore. Bazuar në përgjithësimin e fjalës së Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kur përcaktoi këto vende (mikate): “Këto vende janë për këta banorë dhe për të tjerët që kalojnë nga to kur shkojnë për haxh apo umre.”[15]

Burimi: “Et-Tahkik uel-Ijdah likethir min mesail el-haxh uel-umra uez-zijarah

Autor: Shejh Abdulaziz bin Abdullah bin Baz (Allahu e mëshiroftë!)

Përktheu: Unejs Sheme

[1] Transmeton Ahmedi. Kjo është një pjesë prej hadithit të gjatë.  Hadithin e ka saktësuar Ibën Huzejme nr. 2601. Recensuesi i “Musnedit” të imam Ahmedit, Shuajbi, thotë: “Ky hadith është autentik.”

[2] Buhariu nr. 1 dhe Muslimi nr. 1907.

[3] Transmeton Xhabiri radijAllahu anhu se ka thënë: “Shkuam me të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem (për kryerjen e haxhit) dhe thoshim: “Lebbejke Allahumme bil haxh.” I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem na urdhëroi që ta bënim (kthenim) atë në umra.” Buhariu me nr. 1570 dhe Muslimi me nr. 1216.

[4] Transmetohet nga Enesi radijAllahu anhu se ka thënë: “Dëgjova të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem të thotë: “Lebbejke umraten ue haxhen.” Transmeton Buhariu me nr. 4353 dhe Muslimi me nr. 1232.

[5] Muslimi në “Sahihun” e tij.

[6] Buhariu dhe Muslimi.

[7] Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Veprat e mira me qëllime të mira.” Po ashtu ai (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Qëllimi i mirë, veprën e keqe nuk e konverton në të mirë.” Sh. P.

[8] Transmetohet nga Ibën Abasi radijAllahu anhu se ka thënë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem përcaktoi vendin e quajtur “Dhul Hulejfe” për banorët e Medines, për banorët e Shamit caktoi “El Xhuhfe”, për banorët e Nexhdit “El Menazil”, për ata të Jemenit “Jelemlem”. Këto vende janë për këta banorë dhe për të tjerët që kalojnë nga to kur shkojnë për haxh apo umra. Ndërsa për ata që banojnë më pranë Mekës sesa këto vende, vendi i ihramit të tyre është shtëpia e tyre. Po kështu dhe banorët e Mekës e bëjnë nijetin dhe veshin ihramin nga shtëpitë e tyre.” Mutefekun alejhi.  Transmetohet nga Ibën Umeri radijAllahu anhu se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Banorët e Medines e veshin Ihramin në “Dhul Hulejfe”, banorët e Shamit në “El-Xhuhfe” dhe banorët e Nexhdit në “Karn.” Ibën Umeri thotë: “Më kanë treguar të tjerët dhe nuk e kam dëgjuar nga i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, se ai ka thënë: “Vendi i ihramit për banorët e Jemenit është “Jelemlem.” Mutefekun alejhi. Sh. P.

[9] Ky është mikati më i largët prej Mekës. Largësia ndërmjet tij dhe Mekës është afërsisht 420 km. Ndërsa mes tij dhe xhamisë së Profetit alejhis-selam është 13 km.

[10] Largësia ndërmjet tij dhe Mekës është 186 km.

[11] Largësia ndërmjet tij dhe Mekës është 78 km.

[12] Largësia ndërmjet tij dhe Mekës është 120 km.

[13] Është emri i një mali të vogël. Largësia ndërmjet tij dhe Mekës është 100 km.

[14] Shejh Ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë!): “Kush i kalon mikatet për kryerjen e haxhit apo umrës dhe nuk e ka bërë nijetin, ai e ka për detyrë të kthehet dhe të bëjë nijetin për kryerjen e haxhit dhe umrës te mikatet, sepse i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka urdhëruar për këtë gjë.” “Mexhmu fetaua ue mekalat” vëll. 7.

[15] Buhariu me nr. 1526 dhe Muslimi me nr. 1181.