Çfarë domethënie ka fjala ‘amanet’ në ajetin Kuranor?
“Ne u ofruam emanetin (obligimet) qiejve, tokës dhe maleve, e ato nuk deshën ta marrin përsipër atë, u frikësuan prej tij, ndërsa njeriu atë e mori mbi vete; dhe ai i bëri padrejtësi vetes, dhe ishte injorant.” El Ahzab: 72
Çfarë ishte ai amanet të cilin Allahu i Madhëruar ia ofroi qiejve, tokës dhe maleve, dhe që ato u frikësuan prej tij dhe nuk deshën ta merrnin përsipër, ndërsa njeriu e pranoi dhe nuk e refuzoi atë?
Përgjigje: Lavdëruar qoftë Allahu!
Allahu i Madhëruar, ia ofroi plotësimin e dispozitave të fesë, bindjen ndaj Tij, ruajtjen e kufijve të vendosur prej Tij…, qiejve, tokës dhe maleve, në atë mënyrë që nëse ato i pranonin dhe i zbatonin obligimet ashtu siç u ishte kërkuar, do shpërbleheshin nga Zoti, ndërsa në të kundërt, nëse do t’i humbisnin dhe nuk do t’i kryenin ashtu siç duhet, do ndëshkoheshin prej Tij.
Qiejt, toka dhe malet nuk pranuan ta marrin përsipër këtë amanet, pasi u frikësuan se nuk do ishin në gjendje ta përmbushin obligimin, ndërsa njeriu e pranoi. Vërtet njeriu i bëri padrejtësi vetes dhe ishte injorant (mendjelehtë). Ky është komentimi i fjalës së Allahut “Ne u ofruam emanetin (obligimet) qiejve, tokës dhe maleve, e ato nuk deshën ta marrin përsipër atë, u frikësuan prej tij, ndërsa njeriu atë e mori mbi vete; dhe ai i bëri padrejtësi vetes, dhe ishte injorant.” El Ahzab: 72
Ibën Abasi, Hasen El Basriu, Muxhahidi, Said ibën Xhubejri, Ed Dahaku, Ibnu Zejdi si dhe shumica e komentatorëve të Kuranit, janë të mendimit se amaneti i përmendur në ajetin e mësipërm, nënkupton obligimet fetare (dispozitat e fesë).[1]
Katede ka thënë: “Amaneti është feja, obligimet e saj dhe penalitetet.”
Të tjerë kanë thënë: “Amaneti përfshin të gjitha çështjet të cilat njerëzit ia lënë në mirëbesim njeri-tjetrit.”
Po ashtu kanë thënë: “Amaneti në këtë ajet kuranor, aludon në larjen e trupit (marrjen gusul) prej xhunubllëkut (prej marrëdhënieve seksuale bashkeshortore).
Zejd ibën Muslimi ka thënë: “Amanetet janë tre: Namazi, agjërimi dhe larja prej xhunubllëkut.”
Ibën Kethiri (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Këto fjalë të sipërpërmendura nuk kundorshtohen me njera-tjetrën, përkundrazi, ato të gjitha kthehen te dispozitat dhe obligimet e fesë.
Nëse njeriu i zbaton ato ashtu siç duhet, duke i kryer me korrektësi obligimet dhe duke iu shmanguar ndalesave, ashtu siç kërkon feja, në këtë rast njeriu do të shpërblehet, ndërsa nëse tregohet neglizhent dhe i shkujdesur duke mos i zbatuar obligimet dhe duke i kryer ndalesat, meriton ndëshkimin.
Njeriu i pranoi ato, edhe pse ishte i dobët, i padrejtë dhe injorant, me përjashtim të atyre të cilëve Allahu u ka dhënë sukses.[2]
Imam Et Taberi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Fjala më e saktë në lidhje me këtë çështje, është ajo e atyre që thonë se ‘Kuptimi i fjalës amanet e cila përmendet në ajetin kuranor, përfshin të gjitha obligimet e fesë si dhe përfshin të gjitha detyrimet kundrejt njerëzve.
Kjo sepse Allahu i Madhëruar nuk e ka specifikuar fjalën amanet, por ajo ka ardhur në kuptimin gjithëpërfshirës, kështu që ajo i përfshin të gjitha amanetet.”[3]
El Kurtubi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Amaneti i përmendur në ajetin kuranor, i përfshin të gjitha dispozitat e fesë. Kjo është fjala më e saktë dhe i këtij mendimi janë shumica e komentatorëve të Kuranit.”[4]
Es Sa’di (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë[5]: “Gjithçka me të cilën Allahu i Madhëruar e ka obliguar robin e Tij, përfshihet në fjalën ‘amanet’. Njeriu duhet të tregohet i kujdesshëm për ta plotësuar siç duhet, dhe në mënyrën më të plotë atë amanet. Në të përfshihen edhe obligimet ndërnjerëzore të marra përsipër, të tilla siç janë detyrimet financiare, ruajtja e sekreteve etj. Njeriu është i obliguar t’i plotësoj të dyja ato amanete, si ato që kanë të bëjnë me fenë, ashtu edhe ato që kanë të bëjnë me obligimet kundrejt njerëzve. Allahu i Madhëruar, në një tjetër ajet, thotë:
“Vërtetë Allahu u urdhëron që amanetet e marra përsipër t`i përmbushni ndaj atyre që u takojnë” En Nisa: 58
Esh Shenkiti (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Allahu i Madhëruar, në këtë ajet fisnik, na tregon se Ai ua ka paraqitur amanetin, i cili përfshin të gjitha obligimet e fesë, bashkë me shpërblimin dhe ndëshkimin; ia ka paraqitur atë qiejve, tokës dhe maleve, mirëpo ato nuk pranuan ta marrin përsipër këtë amanet, pasi u frikësuan nga pasojat që do kishin, nëse nuk do ishin në gjendje ta kryenin atë amanet; iu trembën ndëshkimit të Allahut dhe zemërimit të Tij. Ne besojmë dhe kemi bindjen se e gjitha kjo ka ndodhur, pra, me të vërtetë Allahu i Madhëruar ia ka shfaqur atë amanet qiellit tokës dhe maleve, dhe vërtetë ato janë frikësuar nga mbajtja e tij.
Allahu i Madhëruar u ka krijuar atyre perceptueshmëri dhe kuptim, në mënyrë që ato të ishin të vetëdijëshme për ta kuptuar atë që u kërkohej dhe të ishin në gjendje ta pranon apo ta refuzonin atë amanet. Ne e besojmë se kjo ka ndodhur edhe pse nuk arrijmë ta kuptojmë se si ishte ajo perceptueshmëri dhe kuptim i cili u ishte dhënë atyre krijesave, por Allahu është i gjithëdijëshëm dhe Ai është i githëfuqishëm për gjithëçka.”[6]
Si përfundim themi se:
Amaneti të cilin Allahu i Madhëruar ia ofroi qiejve, tokës dhe maleve, dhe që ato u frikësuan prej tij dhe nuk deshën ta merrnin përsipër, ndërsa njeriu e pranoi dhe nuk e refuzoi atë, është plotësimi i dispozitave të fesë dhe kryerja e obligimeve, qofshin ato obligime kundrejt Allahut të Madhëruar, apo obligime kundrejt njerëzve. Ai i cili i plotëson këto obligime dhe detyrime do të shpërblehet, ndërsa ai i cili neglizhon në lidhje me obligimet që ka karshi Zotit të tij, apo karshi njerëzve, meriton ndëshkimin.
Allahu e di më së miri!
[1] Shiko “Tefsirin” e Taberiut (20/336-340), “Tefsirin” e Ibën Kethirit (6/488-489), “El Xhamiu li ahkemi El Kuran” (14/252-253), “Fet’hu El Kadir” (4/437).
[2] “Tefsiri” i Ibën Kethirit (6/489).
[3] “Tefsiri” i Taberiut (20/342).
[4] “El xhamiu li ahkemi el Kuran” (14/252).
[5] “Tefsiri i Es Sa’dit” (faqja: 547)
[6] Edua’u el bejan” (36/139)
Perktheu Edmond Ajdini
Të Ngjashme
- Çfarë gjykimi ka këndimi i sures el Fatihah në namazin e xhenazes? Udha e Besimtarëve
- A lejohet që një person të punojë si haxham (praktikues i hixhames)? Udha e Besimtarëve
- Bashkimi i namazit të xhumasë me atë të ikindisë Udha e Besimtarëve
- Si të veprosh kur të ftojnë në një gosti Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin
- Cila është mënyra më e mirë për të memorizuar? Meshhur Hasen