Allahu i Lartësuar thotë: “Kush ndërmjetëson një ndërmjetësim të mirë do të ketë pjesë prej tij, dhe kush ndërmjetëson një ndërmjetësim të keq do të ketë barrë prej tij.” | En-Nisa: 85.
Në dy Sahihët, Profeti ﷺ ka thënë: “Ndërmjetësoni që të shpërbleheni.”
Gjithashtu, është transmetuar në Sahih se Profeti ﷺ ndërmjetësoi për burrin e Berires që kjo e fundit të kthehej tek ai pasi Aishja e kishte liruar atë. Profeti ﷺ i tha Berires: “A do të ktheheshe tek ai?”
Ajo i tha: “A po më urdhëron?” Ai i tha: “Jo, unë vetëm po ndërmjetësoj.” Por ajo nuk pranoi.
Këto tekste dhe të tjera tregojnë për vlerën e ndërmjetësimit të mirë që disa dijetarë e kanë përcaktuar si ndërmjetësimi i lejuar nga sheriati dhe jo ai që është i ndaluar.
Çdo ndërmjetësim që përfshin padrejtësi ndaj dikujt nuk konsiderohet i mirë.
Shumë njerëz ndërmjetësojnë në atë mënyrë që përfshin padrejtësi ndaj të tjerëve duke favorizuar më pak të merituarin përpara të merituarit, ose duke privuar dikë që të marrë të drejtën e tij ose duke ia vonuar atë. E megjithatë, ata mendojnë se ky veprimi i tyre është ndërmjetësim i mirë!
Është për të ardhur keq që mund të shohësh ndërmjetësuesin, atë për të cilin ndërmjetësohet, apo atë tek i cili ndërmjetësohet që bëjnë ndërmjetësime të tilla dhe konsiderohen si njerëz me vullnet të mirë.
Disa madje mburren me këtë veprim sikur të ishte një vepër e mirë, dhe shpesh ata që dëgjojnë për këtë veprim u buzëqeshin atyre pa i kundërshtuar.
Madje edhe atij që i kërkohet të bëjë një ndërmjetësim të tillë refuzon të ndërmjetësojë, por nuk e qorton ndërmjetësuesin dhe nuk ia sqaron atij se ky veprim nuk është i lejuar.
? Mësime nga hadithi:
1- Shpërblimi arrihet edhe nëse ndërmjetësimi i mirë nuk pranohet.
2- Nuk duhet të zemërohemi nëse ndërmjetësimi (i mirë) refuzohet.
3- Nuk duhet të këmbëngulim në ndërmjetësim pasi ndonjëherë e mira mund të gjendet në refuzimin e tij.
“Allahu di, e ju nuk dini.”
✍ Dr. Abdurrahman bin Salih es Sudejs.
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: Ndërmjetësimi