Synimet e fesë së Allahut dhe të rregullave që Ai ka vendosur i kanë sqaruar dijetarët më të mëdhenj të fesë. Prej tyre Izudin ibn Abdiselam i cili ka shkruar një libër të mrekullueshëm, me titull “El kauaidul kubra” (Rregullat e mëdha të fesë), ose “Kauaidul ahkam li islahil enam” (Parimet e mëdha për rregullimin e jetës së njerëzve). Vet titulli i librit të fut në këtë temë.
Ai shkruan: “Qëllimi me përpilimin e këtij libri është bërja e qartë e përfitimit që sjellin adhurimet për njeriun, dhe dobitë që vijnë prej dispozitave fetare që rregullojnë marrëdhëniet mes njerëzve (qofshin ato shkëmbim i të mirave materiale, martesa e ç’ka lidhet me të, normat e mirësjelljes mes të gjithë njerëzve duke filluar nga prindërit dhe fëmijët e deri tek fqinjët, deri edhe atë që njeriu nuk e njeh fare por ka mbetur në mes të rrugëve e s’arrin dot në shtëpinë e tij). Gjithashtu dobitë që vijnë prej të gjitha veprimeve fetare të kërkuara nga njeriu, në mënyrë që ai të përpiqet për realizimin e tyre.
Sqarimin e dëmeve që vijnë prej ndalesave fetare (harameve) në mënyrë që njerëzit tu shmangen atyre, dhe sqarimin e të mirave që vijnë prej gjërave të lejuara në mënyrë që njerëzit të jenë të lirë të zgjedhin prej tyre çfarë të duan.
Sqarimin e asaj se kujt i jepet përparësi prej përfitimeve (kur nuk i bën dot të gjitha apo duhet të zgjedhësh njërën prej tyre) dhe cilën prej të këqijave duhet shmangur më së pari (nëse nuk i shmang dot të gjitha). Të gjitha këto në suazat e asaj që është e mundshme për njerëzit e jo ato që s’janë të mundshme për ta e nuk i arrijnë dot.”
Pastaj tregon natyrën e kësaj feje me gjithë rregullat e saj, duke thënë: “I gjithë sheriati është këshilla për të shmangur gjërat e dëmshme ose për të arritur gjërat e dobishme.”
Pra të gjitha synimet e fesë autori i ktheu në dy gjëra: në shtimin e përfitimeve për njerëzit dhe në largimin e gjërave që i dëmtojnë ata. Madje tek e para futet edhe e dyta, prandaj mund të thuhet se e gjithë feja është në të mirë të njeriut.
E shtjelloi më shumë këtë dijetari i madh që është angazhuar me këtë shkencë Alal el Fasij, duke thënë: “Synimi i përgjithshëm i sheriatit islam është gjallërimi (ndërtimi) i tokës dhe ruajtja e sistemit të jetesës së përbashkët në të, dhe vazhdimësia e jetesës në tokë nëpërmjet vazhdimësisë së llojit njerëzor (mbrojtjes së njeriut nga shkatërrimi që mund t’i bëjë tokës apo vetes së tij). Zbatimi nga ana e tyre e përgjegjësive që u janë ngarkuar (nga Allahu) si drejtësia dhe ecja në rrugën e drejtë që Allahu u ka përcaktuar.
Ashtu siç synon edhe ruajtjen e logjikës së njeriut (duke ja ndaluar alkolin, drogën dhe çdo gjë që ja merr mendjen, duke e nxitur për tu marrë me dituri të dobishme etj.), me përmirësimin e veprave, me përmirësimin e tokës, me nxjerrjen e të mirave të saj, dhe menaxhimin e të mirave të përbashkëta në dobi të të gjithëve (njerëzve, kafshëve, natyrës).
Ajetet kuranore si një tërësi sqarojnë qartas se synimi i dërgimit të të dërguarve dhe profetëve, dhe zbritja e legjislacioneve fetare është orientimi i krijesave drejt asaj që u bën dobi. Kjo me qëllim që ata të realizojnë detyrën që u është ngarkuar dhe përgjegjësinë (e të qënit robër të vërtetë të Allahut aty ku Ai i ka lënë të lirë).”
Nga këtu mund të themi se një nga synimet e sqarimit të dobive të fesë është që njeriu t’i përmbahet asaj me plot dëshirë, me kënaqësi e me bindje intelektuale të plotë, siç thotë Sidik el Kineuxhij: “Synimi i tij (final i sheriatit) është që njeriu të mos ndiej siklet për ato gjëra që Allahu dhe i Dërguari i tij kanë gjykuar (kanë urdhëruar) dhe tu dorëzohen plotësisht dispozitave hyjnore, të kenë besim të plotë dhe të jenë të bindur dhe të qetë ndaj tyre tërësisht, t’i ruajnë ato vazhdimisht (tu përmbahen) ashtu që shpirtrat e tyre të tërhiqen drejt tyre totalisht e të mos shikojnë diçka tjetër si metodologji apo sistem jetese.”
Shiko parathënien që kanë bërë dr. Nezih Kemal dhe dr. Uthman Damirijeh librit “El Kauaidul kubra” të Izudin bin Abdiselam.
Emin Bilali
Dosje: Çfarë është shkenca e synimeve të sheriatit dhe përse shërben ajo?