Shejh Mukbil bin Hadij el Uadij ka thënë: Nëse ky person që u drejtohet varreve beson se të vdekurit bëjnë dëm apo dobi së bashku me Allahun apo të shkëputur në veprimet e tyre nga Allahu, ky besim konsiderohet shirk dhe idhujtari, ndaj nuk vlen namazi pas këtij personi nëse del imam. Nëse fërkohet me dheun e varreve të këtyre të vdekurve në formë bereqeti apo ulet dhe rri tek varret e tyre duke thënë: Ata kanë një pozitë të veçantë tek Allahu, – por nuk beson se ata kanë në dorë të sjellin dëm apo dobi, ky person konsiderohet bidatçi por nuk arrin deri në shirk. Duhet theksuar se në përgjithësi këta bidatçinj që janë të lidhur pas varreve dhe qëndrojnë tek to apo bëjnë tavaf rreth tyre apo fërkohen me dheun e varreve, e bëjnë këtë ngase besimi i shtrembër që kanë, siç e ka theksuar Muhamed bin Ismail el Emiri në librin e tij “Pastrimi i besimit”, duke ngritur pikërisht këtë pyetje: A mund të qëndrojë thënia se ata bëjnë kurban tek varret dhe nuk e kanë nga besimi i shtrembër?!
Vallë, a vijnë nga një vend i largët që ta njollosin varrin me gjakun e kurbanit duke mos pasur shtrembërim në akide?! Padyshim se e gjithë kjo ndodh nga besimi që ata kanë. (Mbaroi citati).
Pra nëse bidati i tij nuk arrin në shirk namazi pas tij është i saktë, duke mos harruar të themi se atij nuk i takon të prije si imam dhe të prijë dikush tjetër, sepse Allahu thotë në Kuran duke treguar lutjen e robërve të Tij të mirë: O Zot, na bëj prijësa të të devotshmëve! | Furkan: 74. Të jesh prijës si imam është nderim dhe respekt, dhe nëse lejohet ky bidatçi t’i prijë njerëzit atëherë do të mendojnë se ia aprovon bidatin e tij apo se ai ështe njeri i mirë. Prandaj nëse është e mundur duhet të shmanget dhe të largohet ky njeri nga imamllëku dhe në vend të tij të falet një person sunij. Nëse kjo nuk është e mundur atëherë ju këshillojmë të faleni në një xhami tjetër të sunetit. Nëse kjo nuk është e mundur atëherë ndërtoni vet një xhami nëse e përballoni. Kjo është më e mira të ndërtoni një xhami suneti ku të mundeni të zbatoni sunetin pejgamberik, sepse suneti nuk triumfon nëse nuk ka dallim të qartë mes palëve. Nëse nuk arrihet asnjëra, pra as nuk e largoni dot atë imam sepse mund të ndodhë fitne dhe trazirë, as nuk gjeni një xhami tjetër suneti, as nuk ndërtoni dot vetë një të tillë, atëherë ngelet gjykimi që; nëse bidati i tij nuk arrin në shirk dhe kufër, lejohet falja e namazit pas tij. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Faluni pas tyre, sepse nëse falen mirë është shpërblim për ju dhe për ata, e nëse gabojnë është shpërblim për ju dhe gabim për ata.”
Marrë nga libri: “Tuhfetul muxhib” fq. 84.
Autor: Mukbil bin Hadij
Përktheu: Shuajb Rexha
Dosje: Suneti
Të Ngjashme
- Prezantim i shkurtër mbi Islamin Udha e Besimtarëve
- Këshilla të vyera në kohë sprovash dhe trazirash Shehul-Islam Ibn Tejmie
- A i lejohet personit ta falë namazin në shtëpi dhe të mos shkojë në xhami? Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin
- Leximi gjatë namazit pa lëvizur gjuhën dhe buzët Shejh Abdulaziz ibn Abdullah ibn Baz
- Mjetet e urdhërimit për mirë dhe ndalimit nga e keqja Shejh Muhamed Xhemil Zejno