Nga Ebu Hurejrah – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – përcillet se ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të : “Kur vdes njeriu ndërpritet puna e tij, veç tre lloje (punësh): Një lëmoshë rrjedhëse (e pandërprerë), apo një dije prej së cilës përfitohet, apo një fëmijë i devotshëm që lutet për të” Transmeton Muslimi[1]
Allahu e ka bërë dynjanë vend pune, në të cilën njeriu furnizohet për në Botën Tjetër – e cila është vendi i shpërblimit – me vepra të mira ose të këqia. Neglizhuesit do të pendohen kur të zhvendosen nga ky vend (vendi i punës, dynjaja) pa u furnizuar prej saj për Botën Tjetër, gjë e cila (furnizimi) do t’i bënte ata të lumtur. Por në atë kohë nuk u bën më dobi përpjekja e tyre, dhe nuk ka mundësi njeriu tu shtojë veprave të tij të mira asnjë grimcë, e as të fshijë nga gjynahet e tij asgjë. Dhe kështu puna e njeriut është ndëprerë, përveç këtyre tri gjërave, të cilat janë gjurmë të punës së tij.
E para: Lëmosha e vazhdueshme: Dmth ajo sadeka dobia e së cilës vazhdon. Si puna e pasurisë që lihet vakëf, nga të ardhurat e së cilës përfitohet, nëse ajo është tokë, apo enët prej të cilave përfitohet, apo kafshët të cilave u hipet dhe përfitohen prej tyre dobi të tjera, apo librat dhe Kuranet që ai ka lënë pas, me leximin e të cilave njerëzit kanë dobi, apo xhami të ndërtuara, apo shkolla, apo shtëpi, e të tjera veç tyre, prej veprave të bamirësisë nga të cilat njerëzit përfitojnë.
Të gjitha këto i sjellin shpërblim vazhdimisht njeriut, për sa kohë që përfitohet prej tyre. Dhe kjo është nga mirësitë më të mëdha të vakëfit, sidomos vakëfet që ndihmojnë njerëzit në çështjet e tyre fetare, siç është dituria, apo përpjekaj në rrugë të Allahut, apo që i ndihmojnë ata të jenë të përkushtuar ndaj adhurimeve, e të ngjashme.
Për këtë dijetarët kanë vënë kusht te vakëfi, që përfitimi prej tij të shpenzohet në bamirësi dhe gjëra që të afrojnë tek Allahu.
E dyta: Dituria e dobishme prej së cilës njerëzit përfitojnë pas vdekjes së tij. Si dija që e kanë mësuar prej tij nxënësit që përgatiten për tu ngritur në dije, apo dija që ai ka shpërndarë në mesin e njerëzve, dhe librat që ai ka shkruar në dije të ndryshme, prej diturive të dobishme.
Dhe kështu sa më shumë të zgjatet zinxhiri i përfitimit prej dijes së tij, qoftë prej atyre që ai i ka mësuar drejtpërdrejtë, apo prej atyre që ai ka shkruajtur, shpërblimi i tyre rrjedh pa pushim për autorin e tyre. Sa prej dijetarëve udhëzues kanë vdekur prej qindra vitesh, ndërsa librat e tyre lexohen sot akoma, dhe zinxhiri i nxënësve dhe mirësisë së tyre vazhdon. Dhe kjo është mirësi e Allahut!
E treta: Fëmija i mirë (i devotshëm), qoftë ai fëmijë i tij, apo fëmija i djalit të tij, apo fëmija i vajzës së tij, mashkull apo femër qoftë, prindi i tij përfiton prej devotshmërisë së tij, dhe prej lutjes së tij. Ai në çdo kohë lutet për prindërit e tij që Allahu t’i falë dhe t’i mëshirojë, e tua ngrejë gradat, e tu japë shpërblim të shumtë.
Dhe këto që përmenden në këtë hadith janë të përfshira te fjala e të Lartësuarit që thotë: “Me të vërtetë Ne i ringjallim të vdekurit dhe shkruajmë atë që ata kanë punuar dhe gjurmët që kanë lënë pas” (Jasin: 12) Ajo që ata kanë punuar, janë veprat e tyre të mira apo të këqia. Ndërsa gjurmët që ata kanë lënë: janë ato që kanë ardhur si pasojë e punëve të tyre, prej veprave të mira që kanë bërë të tjerët pas tyre, apo që kanë përfituar prej gjurmëve të tyre.
Gjithçka që i arrin njeriut prej gjurmëve të punëve të tij janë tre gjëra:
- Punë që i kanë bërë të tjerët për shkak të thirrjes së tij për të mira dhe orientimit që ai u ka bërë njerëzve (sh.p.: dhe ata kanë punuar me këshillat e tij).
- Gjëra prej të cilave kanë pasur dobi të tjerët, çfarëdolloj dobie qoftë ajo, edhe prej shembullit të mirë që kanë parë tek ai, dhe ka qenë kështu frymëzim për ta për vepra të mira.
- Vepra të mira që i kanë bërë të tjerët dhe shpërblimin e tyre ja kanë dhuruar atij. Apo ndonjë sadeka që e kanë dhënë në emër të tij, apo janë lutur për të, pa marrë parasysh a është prej fëmijëve të tij fizik, apo prej fëmijëve të tij shpirtërorë që janë edukuar dhe mësuar prej duarve të tij, apo prej të afërmve, shokëve, dashamirësve, apo prej muslimanëve mbarë, sipas gradës së tij në fe, dhe sipas mirësisë që ka përcjellë tek njerëzit, apo është bërë shkak për të.
Dhe në bazë të dashurisë që Allahu ka vendosur në zemrat e njerëzve për të, e cila patjetër do të lerë gjurmë të shumta, siç janë: lutja e tyre, kërkimi i faljes për të. Të gjitha këto hyjnë në këtë hadith të ndershëm.
Dhe mund të bashkohen për robin në një gjë të vetme përfitime të ndryshme, të shumta. Si fëmija i devotshëm, dijetar, për të cilin babai është përpjekur që ai të arsimohet. Apo siç janë librat që ai i lë vakëf për mbarë muslimanët, apo që ja dhuron atij që mund të ketë dobi prej tyre.
Dhe me ketë hadith argumentohemi për nxitjen për martesë, prej fryteve të së cilës është arritja e fëmijëve të devotshëm, dhe gjëra të tjera të dobishme, si: edukimi dhe përmirësimi i gruas, mësimi i saj ato gjëra që i bëjnë dobi dhe ajo u bën dobi të tjerëve. Dhe Allahu është më i Dijshmi!
Perktheu Emin Bilali
[1] Muslimi (1631).
Të Ngjashme
- Këshillë me shumë vlerë Udha e Besimtarëve
- Kur je duke u falur me xhemat! Udha e Besimtarëve
- Kush e fal namazin e sabahut është nën mbrojtjen e Allahut Udha e Besimtarëve
- Në këtë rast nuk duhet të falesh Udha e Besimtarëve
- Fjalë të ndritura me dritën e sheriatit, të arsyes dhe të urtësisë Udha e Besimtarëve