Momentet para marrjes së shpirtit

February 28, 2022

Çfarë ndodh në momentet para marrjes së shpirtit?

1- Hezitimi i Allahut për t’ia marrë shpirtin besimtarit.

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmeton se i dërguari i Allahut salAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Allahu i Lartmadhëruar ka thënë: “Kushdo që tregon armiqësi ndaj dikujt që është i përkushtuar ndaj Meje, Unë do të jem në luftë me të. Robi Im nuk më afrohet me ndonjë gjë më të dashur tek Unë sesa përmes detyrimeve fetare me të cilat e kam urdhëruar. Robi vazhdon të më afrohet me vepra vullnetare derisa Unë ta dua atë. Dhe kur ta dua; Unë jam dëgjimi i tij me të cilin dëgjon, shikimi i tij me të cilin sheh, dora e tij me të cilën godet dhe këmba e tij me të cilën ecën. Nëse ai do të kërkojë (diçka) prej Meje Unë me siguri do t’ia jap, dhe nëse më kërkon strehim me siguri do t’a strehoj. Unë nuk hezitoj për asgjë aq sa hezitoj për (marrjen) e shpirtit të robit Tim besimtar. Ai e urren vdekjen dhe Unë urrej t’a lëndoj atë.”[1]

2- Prania e shejtanit në çastet e vdekjes.

Shejtani tregon kujdes të madh për të qenë i pranishëm në çastet e vdekjes së një personi, në mënyrë që fundi i jetës së këtij njeriu të shoqërohet me mëkat dhe rebelim (ndaj Allahut të Lartësuar), ashtu siç është i kujdeshshëm për të qenë i pranishëm në të gjitha veprat që kryen njeriu. Argumenti për këtë tregohet në hadithin e transmetuar nga Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Shejtani është i pranishëm me cilindo prej jush në çdo gjë që bën, madje ai është i pranishëm edhe kur njeriu ha ushqim. Prandaj, nëse ndonjërit prej jush i bie kafshata e ushqimit në tokë, le të heqë papastërtinë mbi të (ushqim) dhe t’a hajë e të mos ia lërë shejtanit. Kur të mbarojë (ushqimin) t’i lëpijë gishtat sepse nuk e di se në cilën pjesë të ushqimit qëndron bereqeti (begatia)”.[2]

 

PJESA E DYTË: Kur vjen momenti i vdekjes.

1- Jobesimtarit kur t’i vijë vdekja kërkon të kthehet përsëri në këtë botë.

Allahu i Lartësuar ka thënë: “Kur i vjen vdekja ndonjërit prej tyre (jobesimtarëve), ai thotë: O Zoti im, më kthe që të bëj vepra të mira në botën që kam lënë! Kurrsesi! Me të vërtetë, kjo është një fjalë të cilën ai (kot) e thotë. Prapa (vdekjes së) tyre do ketë një (kohë) ndarëse[3] deri në ditën kur do të ringjallen.”[4]

2- Agonitë e vdekjes.

Buhariu transmeton hadithin e Aishes, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, se i dërguari i Allahut salAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “La ilahe il-lAllah (Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut)! Vërtet vdekja paska agoni.”[5]

3- Për jobesimtarin besimi në momentet e vdekjes nuk është i pranueshëm.

Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej të dyve, transmeton se i dërguari i Allahut salAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur Allahu e fundosi Faraonin ai tha: Unë besoj se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Atij që i besuan Beni Israilët. Xhibrili më tha: O Muhamed, sikur t’a shihje sesi e mora baltën e zezë të detit dhe i’a futa në gojë nga frika se mos e arrinte mëshira e Allahut.”[6]

4-  Engjëlli i vdekjes ulet tek koka e personit që është duke vdekur. *

Engjëlli i vdekjes e përgëzon besimtarin për faljen dhe kënaqësinë e Allahut, si dhe e informon jobesimtarin për hidhërimin dhe zemërimin e Allahut. *[7]

 

Autor: Husejn el Auajshe

Shkëputur nga libri:”Jeta pas vdekjes”.

Përktheu: Fatjon Isufi

——————————————–

[1] Buhariu.

[2] Muslimi.

[3] Jeta e varrit.

[4] Suretu el Mu’minun: 99-100.

[5] E përcjell edhe Ahmedi në “Musned”.

[6] E përcjell Imam Ahmedi në “Musned” dhe Tirmidhiu, ndërsa në ”Sahih el Xhami” hadithi është me nr. 5082.

[7] Pjesët që shoqërohen me këtë shenjë (*) në fund rrjedhin nga një burim, përkatësisht nga hadithi i gjatë i Bera ibën Azib i cili përfshin shumë ngjarje të tjera. Mendova se ishte më mirë t’i sillja sipas rradhës në të cilën shfaqen në hadith.

Dosje:

Loading...