Çfarë ndodh pas daljes së shpirtit?

February 28, 2022

ÇFARË NDODH PAS DALJES SË SHPIRTIT?

1– Shpirti i besimtarit del lehtësisht, ndërsa shpirti i jobesimtarit dënohet me vështirësi në daljen e tij. *

2– Shpirti i besimtarit del me erë si misku më i mirë që ekziston, ndërsa shpirti i jobesimtarit del me erën më të keqe të ndonjë ngordhësire që mund të ekzistojë. *

3– Besimtarit i del shpirti ndërkohë që ai falenderon Allahun e Lartësuar.

Pejgamberi (salAllahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: “Shpirti i besimtarit del nga brendësia e tij, derisa ai është duke e falenderuar Allahun”.[1]

4- Kur merret shpirti sytë e ndjekin atë. Kjo bazuar në fjalën e Pejgamberit (salAllahu alejhi ve sel-lem) i cili ka thënë: “Kur merret shpirti, sytë e ndjekin atë”.[2]

5- Engjëjt i hapin të gjitha dyert e qiejve njëri pas tjetrit për shpirtin e besimtarit, dhe të gjitha dyert i hapen atij. *

6- Dyert e qiellit nuk hapen për jobesimtarët. *

7- Allahu i Lartësuar urdhëron që shpirti i besimtarit të kthehet përsëri në tokë pasi libri i tij të jetë regjistruar në ‘Ilijjin’ – “Vendin e lartë”. *

8- Shpirti i jobesimtarit hidhet përsëri nga qielli derisa të bjerë në trupin e tij, pasi libri i tij të jetë regjistruar në ‘Sixhin’ – “Vendin më të ulët”.

9- I vdekuri e ndien praninë ngushëlluese të njerëzve të mirë tek varri i tij gjatë varrosjes, për një periudhë kohore të barabartë me kohën e nevojshme sa për të therur një deve dhe për të shpërndarë mishin e saj.

Siç transmetohet se Amër Ibën el Asi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) ka thënë: “Kur të më varrosni, qëndroni rreth varrit tim për kohën që do të duhet për të bërë kurban një deve dhe për të shpërndarë mishin e saj, në mënyrë që të ngushëllohem nga prania juaj dhe të shoh se si do t’u përgjigjem të dërguarve të Zotit tim.”[3]

10- Shtrëngimit të varrit askush nuk do t’i shpëtojë.

Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej të dyve) transmeton se i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: “Nëse dikush do të shpëtonte nga shtrëngimi i varrit ai do të ishte Sead bin Muadhi, por edhe ai u shtrëngua në varrin e tij e pastaj u lëshua.”[4]

11- Aftësitë mendore do t’u rikthehen të vdekurve në varr.

Abdullah Ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur prej të dyve) tregon se në momentin kur i dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ve sel-lem) përmendi engjëjt sprovues të varrit, Umeri pyeti: “A do të na rikthehen aftësitë tona mendore o i Dërguar i Allahut?” I Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ve sel-lem) i tha: “Po, ashtu siç janë tani”. Umeri tha: “(Engjëllit) Do t’i vë një gur në gojë!”[5]

12- I vdekuri i dëgjon hapat e shokëve të tij kur largohen prej tij. *

13- Kur merret në pyetje i vdekuri? Marrja në pyetje fillon menjëherë pas varrimit. Profeti (salAllahu alejhi ve sel-lem) sa herë që varroste dikë, qëndronte tek varri dhe u thoshte njerëzve: “Kërkojini Allahut që t’a falë vëllain tuaj dhe kërkojini Atij që t’i japë forcë, sepse ai po merret në pyetje pikërisht tani.”[6]

14- Dy engjëj vijnë për të pyetur (të ndjerin).

15- Emrat dhe përshkrimi i dy engjëjve që vijnë për t’a pyetur (të ndjerin).

Ebu Hurejra (Allahu qoft i kënaqur prej tij) transmeton se i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: “Kur të varroset i vdekuri do t’i vijnë dy engjëj me ngjyrë të zezë dhe blu. Njëri quhet Munker dhe tjetri Nekir. Ata do t’a pyesin: “Çfarë ke thënë për këtë njeri?” Ai do të thotë: Atë që thoshte vetë ai: «Ai është rob dhe i dërguari i Allahut. Unë dëshmoj se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij”. Ata do të thonë: “Ne e dinim se këtë do të thoje…”[7]

16- Allahu do t’i ndihmojë dhe forcojë besimtarët në varr.

I Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: Kur besimtari të ulet në varrin e tij, ai do të dëshmojë se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Ky është dhe kuptimi i ajetit: “Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër.”[8] Ibrahim: 27.

17- Besimtari do të përgjigjet, ndërsa jobesimtarit do t’i merret goja.

18- I drejti (i miri) para se të pyetet do të qëndrojë pa frikë në varrin e tij, ndërsa njeriu i keq do të qëndrojë në varrin e tij i tmerruar para se të meret në pyetje.

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) thotë: “Një grua hebreje erdhi dhe kërkoi ushqim në pragun e shtëpisë sime, duke thënë: “Më ushqeni, Allahu ju ruajtë nga sprova e Dexhalit dhe sprova e dënimit të varrit!” Aishja tha: E mbajta këtë grua aty derisa erdhi i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ve sel-lem) të cilin e pyeta: “O i Dërguar i Allahut, çfarë po thotë kjo grua hebreje? Ai më tha: çfarë është duke thënë? – Unë i thashë: Ajo thotë: Allahu ju ruajtë nga sprova e Dexhalit dhe nga sprova e dënimit të varrit! Aishja tha: I Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ve se-lem) u ngrit dhe çoi duart e tij (në lutje) duke kërkuar strehim tek Allahu nga sprova e Dexhalit dhe sprova e dënimit të varrit, pastaj tha: “Sa i përket sprovës së Dexhalit, nuk ka patur asnjë Pejgamber që nuk i ka tërhequr vërejtjen popullit të tij kundër tij. Por unë do t’ju tregoj diçka për të cilën asnjë Pejgamber nuk e ka paralajmëruar popullin e tij më parë. Ai (Dexhali) është me një sy e Allahu nuk është me një sy. Mes syve të tij është e shkruar [fjala] ‘Kafir’ të cilën do t’a lexojë çdo besimtar. Sa i përket sprovës së varrit (i vdekuri) do të sprovohet me mua dhe do të pyetet për mua.

Nëse ishte njeri i mirë ai do të vendoset në varrin e tij pa patur frikë e as tmerr, pastaj do të pyetet: “Çfarë thoje për Islamin? Kush ishte ky njeri që erdhi mes jush? Ai do të thotë: “Ai ishte Muhamedi i Dërguari i Allahut i cili solli argumentet e qarta nga Allahu, prandaj ne i besuam atij.” Atij do t’i hapet një çarje përmes së cilës do të shohë zjarrin e Xhehenemit, ku pjesët e tij gllabërojnë njëra-tjetrën. Atij do t’i thuhet: “Shiko nga çfarë të ka shpëtuar Allahu”. Pastaj do të hapet një e çarë përmes së cilës ai do të shohë Xhenetin me të gjitha bukuritë e tij. Atij do t’i thuhet: Ky është vendi yt ku do të qëndrosh. Do t’i thuhet: Ti pate besim të fortë dhe ke vdekur me këtë besim të fortë, dhe do të ringjallesh me besim të fortë në dashtë Allahu.

Nëse ishte njeri i keq do të vendoset në varrin e tij plot frikë dhe tmerr, dhe do t’a pyesnin: “Çfarë ke thënë?” Ai do të thotë: “Kam dëgjuar njerëzit duke thënë fjalë dhe ashtu thashë edhe unë”. Atij do t’i hapet një e çarë përmes së cilës do të shohë Xhenetin me të gjitha kënaqësitë e tij, dhe do t’i thuhet: “Shiko atë që të hoqi Allahu”. Pastaj i hapet një e çarë përmes së cilës ai do shohë Zjarrin e Xhehenemit pjesët e të cilit konsumojnë njëra-tjetrën. Atij do t’i thuhet: Ky është vendi yt ku do të qëndrosh. Ti dyshoje sa ishe gjallë, në dyshim ndërrove jetë dhe, do të ringjallesh në dyshim në dashtë Allahu. Pastaj ai do të dënohet.[9]

19- Besimtarit do t’i hapet një derë nga varri i tij ku të shohë Xhenetin. *

20- Jobesimtarit do t’i hapet një derë nga varri i tij ku të shohë zjarrin. *

21- Besimtari do t’a shohë vendin e tij në Xhenet, kurse jobesimtari do t’a shohë vendin e tij në zjarrin e xhehenemit. *

22- Besimtarit do t’i zgjerohet varri aq sa sheh syri, ndërsa jobesimtarit do t’i ngushtohet varri. *

23- Veprat e mira do të vijnë në formën e një burri të pashëm të veshur mirë, me parfum të këndshëm, i cili do t’i sjellë lajme të gëzuara. Ndërsa veprat e këqija do të vijnë në formën e një njeriu të veshur keq që mban erë të keqe, i cili do t’i sjellë lajme që do t’a shqetësojnë. *

24- Jobesimtari do të goditet me zinxhir hekuri derisa të bëhet pluhur. *

 

Husejn el Auajshe

Shkëputur nga libri: “Jeta pas vdekjes”.

Përktheu: Fatjon Isufi

————————————-——–

[1] ‘Sahih el Xhami’ me nr. (1927).

[2] Pjesë e një hadithi të cilin e transmeton Muslimi etj.

[3] E përcjell Muslimi.

[4] ‘Sahih el Xhami’ me nr. (5182).

[5] ‘Sahih Tergib ve Terhijb’ vëll. 4, me sened të mirë. Ndërsa kuptimi i fjalës së Umerit kur tha: “Engjëllit do t’i vë një gur në gojë”, e tha duke u nisur nga mendimi pozitiv për Allahun e Lartësuar për përgjigjen e mirë që do u jepte atyre (engjëjve).

[6] E përcjell Ebu Daudi. Hadithi gjendet edhe tek ‘Sahih el Xhami’ me nr. (958).

[7] Pjesë e një hadithi që përcjell Tirmidhiu. Ndërsa në “Sahih el Xhami” me nr. (737) dhe ka thënë se hadithi është i mirë.

[8] E përcjell Buhariu.

[9] E përcjell Ahmedi me sened të saktë. Hadithi gjithashtu është i përmendur në ‘Sahih Tergib ve Terhib’.

Dosje:

Loading...