Emrat e Allahut të Madhëruar janë të gjithë të bukur. Emrat e Tij janë të përcaktuar nga Ai vet dhe nuk ka vend për logjikë në përcaktimin e tyre. Ata nuk janë të kufizuar me një numër specifik. Një pjesë e emrave të Allahut janë emërtime dhe një pjesë janë atribute. Pra, ata dëshmojnë për Allahun e Madhëruar dhe dëshmojnë për atributet dhe cilësitë e Tij. Shtrembërimi i emrave të Allahut nënkupton deformimin e tyre nga konteksti i duhur. Shtrembërimi ndahet në disa lloje. I pari; mohimi i njërit prej emrave të Allahut ose mohimi i një atributi apo veprimi që gjendet në atë emër. I dyti; paraqitja e atij atributi në një formë që i përngjan atributeve të krijesave, siç bënë ithtarët e përngjasimit. I treti; emërtimi i Allahut me emra që Ai nuk ia ka vënë Vetes, si emërtimi i të krishterëve “Ati”, apo emërtimi i filozofëve “Shkaku veprues”. I katërti; krijimi i emrave për idhujt nëpërmjet emrave të Tij, siç bënë idhujtarët të cilët nga emri “El-Aziz” krijuan emrin “El-Uzza”, dhe nga emri “El-Ilah” krijuan emrin “El-Lat” sipas një mendimi.
Allahu:
Zoti i cili është i adhuruari me të drejtë, me dashuri, shpresë dhe frikë, të Cilit i kushtohen të gjitha format e adhurimit. Ky emër i përmban të gjitha kuptimet e emrave dhe atributeve të Allahut.
Err-Rrabbu (Zoti):
Krijuesi, pronari, Planifikuesi dhe Ai i Cili kujdeset për të gjitha krijesat e Tij duke i rregulluar çështjet e tyre dhe duke u dhënë begati të ndryshme. Dhe Ai i cili kujdeset për miqtë e Tij duke ua përmirësuar atyre zemrat.
Err-Rrahmanu (I Gjithëmëshirshmi):
Ai i Cili posedon mëshirë të gjerë që i përfshin të gjitha krijesat e Tij.
Err-Rrahimu (I Mëshirshmi):
Ai që me mëshirën e Tij i mëshiron robërit e Vet besimtarë. Kjo cilësi është ekskluzive për besimtarët në ditën e gjykimit.
El Hajju (I Gjalli):
Ai i cili i posedon të gjitha kriteret e jetës së përsosur, e cila nuk paraprihet nga inekzistenca dhe nuk pasohet nga vdekshmëria. Çdo formë e jetës që gjendet në këtë gjithësi është dhuratë prej Tij.
El Kajjumu (I Përjetshmi):
Ai i Cili është vetekzistent dhe që nuk ka nevojë për askënd, dhe që çdo gjë ekziston në sajë të Tij dhe që çdo gjë ia ka Atij nevojën dhe nuk bën dot pa Të.
El Uahidu (I Vetmi):
Ai i Cili është unik në Qënien e Tij, atributet e Tij, veprimet e Tij, në të qënët Zot dhe në të qënët i adhuruar. Asgjë nuk është si Ai.
El Ehadu (Një, i Vetëm):
Ai i Cili është unik në të gjitha përsosmëritë që lidhen me emrat, atributet dhe veprimet e Tij. Ai nuk ka ortak as në të qënët i adhuruar, as në të qënët zot, dhe as në emrat dhe atributet e Tij.
El Euelu (I Pari):
I Pari para të Cilit nuk ka qenë asgjë. Të gjitha krijesat kanë ardhur në ekzistencë nga krijimi i Tij, ndërsa ekzistenca e Tij nuk ka fillim.
El Ahiru (I Mbrami):
Ai pas të Cilit nuk ka asgjë. Ai është i Përhershmi. Çdo gjë që ekziston në tokë do të shuhet dhe do të kthehet tek Ai. Ekzistenca e Tij nuk ka mbarim.
Edh Dhahiru (I Dukshmi):
Ai që është përmbi çdo gjë dhe asgjë nuk është përmbi Të, dhe Ai është Ngadhënjyes mbi çdo gjë.
El Batinu (I Padukshmi, i Brendshmi):
Ai pa të Cilin nuk ekziston asgjë. Asgjë nuk mund të jetë më pranë diçkaje se Ai. Ai i di të gjitha sekretet dhe të fshehtat.
El Uarithu (Trashëguesi):
Ai i cili ekziston pas shuarjes së krijesave. Ai i cili do të trashëgojë tokën dhe çdo gjë mbi të, dhe të gjitha gjërat rikthehen tek Ai pas shuarjes së të zotëve të tyre.
El Kuddusu (I Shenjti):
Ai i Cili madhërohet nëpërmjet atributeve të përsosura, që është i pastër nga të gjitha vetitë e mangëta dhe që asgjë nga krijesat nuk përngjan me Të.
Es Subbuhu (I Dliri):
Ai i Cili është i dlirë dhe i pastër nga çdo mangësi dhe nga çdo e metë. Ai të Cilin e lëvdon çdo gjë që gjendet në qiej dhe në tokë.
Es Selamu (I Paqshmi, i Sigurti):
Ai që është i paqshëm dhe i sigurt nga çdo mangësi dhe nga çdo cen në veten e Tij, në atributet, në emrat dhe në veprimet e Tij. Çdo formë e paqes dhe e sigurisë në këtë jetë dhe në tjetrën buron nga Ai.
El Muminu (Vërtetuesi, Siguridhënësi):
Ai që e vërteton vërtetësinë e pejgamberëve të Tij me anë të fakteve, mrekullive dhe argumentave. Ai që u jep siguri krijesave të Tij nga padrejtësitë nëpërmjet drejtësisë së Tij të përsosur.
El Hakku (I Vërteti):
Ai për të Cilin nuk ka dilemë mbi Të, as në veten e Tij dhe as në emrat dhe atributet e Tij. Veprimet, ligjet dhe fjalët e Tij janë të gjitha të vërteta dhe me vend. Ai është i adhuruari i vetëm me të drejtë. Përveç Tij nuk ka asnjë të adhuruar tjetër me të drejtë.
El Mutekebiru (Krenari, i Madhërishmi):
I Madhërishmi i Cili është i përsosur dhe absolut dhe është i pastër nga çdo ligësi, mangësi dhe cen.
El Adhijmu (Madhështori):
Ai të Cilit i përket madhështia e plotë në veten e Tij, në emrat dhe në atributet e Tij. Ai është madhështor në çdo aspekt, askush nuk është i barabartë me Të dhe asgjë e madhërishme nuk i afrohet Atij.
El Kebijru (I Madhi):
Ai është i madh në veten e Tij, në cilësitë dhe në veprimet e Tij. Asgjë nuk është më e madhe se Ai. Çdo gjë tjetër është poshtë Tij dhe është e vogël në krahasim me madhështinë e Tij.
El Aliju (I Larti):
Ai të Cilit i përket lartësia absolute nga çdo aspekt; lartësia e pozitës, lartësia e ngadhënjimit dhe lartësia e qënies.
El A’la (I Epërmi):
Ai që është mbi çdo gjë. Atij i takon lartësia absolute, lartësia e pozitës, lartësia e ngadhënjimit, lartësia e qënies. Asgjë nuk është mbi Të.
El Muteaali (I Lartmadhërishmi):
Ai është i Larti veç të Cilit nuk ka më të lartë, dhe Ai është më i Madhi veç të Cilit nuk ka më të madh. Para lartmadhërisë së Tij çdo gjë është e përulur. Asgjë nuk qëndron mbi Të në mënyrë absolute. Çdo gjë është poshtë Tij, e nënshtruar dhe e sunduar nga Ai.
El Latijfu (Njohësi i çështjeve me imtësi):
Ky emër është tregues i dijes së Allahut mbi çështjet e imëta dhe se Atij nuk i fshihet asgjë. Ai u sjell mirësi dhe dobi robërve të Tij nëpërmjet mënyrave të fshehta që ata nuk i kanë menduar.
El Hakijmu (I Urti):
Ai i Cili i vendos gjërat në vendin e tyre dhe i trajton sipas nivelit të tyre. Urtësia e Tij në krijimin e krijesave dhe në dhënien e urdhrave është absolute.
El Uaasiu (Gjithëpërfshirësi):
Atributet e Të Cilit janë gjithëpërfshirëse dhe askush nuk mund ta lëvdojë Atë sa duhet. Atij i takon kuptimi më i përsosur dhe pozita më e madhështore në çdo veti dhe cilësi. Pjesë e kësaj janë dija e Tij gjithëpërfshirëse, mëshira, falja, bamirësia dhe të gjitha cilësitë e tjera të Tij.
El Alijmu (I Dijshmi):
Ai dija e të Cilit ka përfshirë gjithçka, gjërat e dukshme dhe të padukshme, gjërat sekrete dhe gjërat publike, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Asgjë nuk mund t’i fshihet Atij.
El Meliku (Sunduesi):
Ai i Cili i sundon dhe i ka në pronësi të gjitha gjërat, dhe i Cili vepron në to i vetëm pa ortak.
El Maliku (Pronari):
Ai të Cilit i përket pronësia e qiejve dhe e tokës dhe e gjithçkaje që gjendet në to. Ai kujdeset për mbarëvajtjen e të gjithë botës me vullnetin dhe urtësinë e Tij.
El Meliku (Gjithësunduesi):
Ai të Cilit i takon të urdhërojë, të ndalojë, të sundojë dhe të ndërhyjë në çështjet e krijesave të Tij përmes urdhrave dhe vendimeve të Tij.
El Hamijdu (I Falënderuari):
Ai të Cilit i takojnë të gjitha format e falënderimit dhe të gjitha format e përsosmërisë, dhe i Cili është i denjë për të gjitha ato. Ai është i falënderuar për të gjitha veprimet dhe thëniet e Tij, për ligjet dhe caktimet e Tij. Nuk ka të adhuruar dhe as zot tjetër veç Tij.
El Habijru (I Gjithinformuari):
Ai dija e të Cilit i ka përfshirë anët e padukshme dhe të fshehta të gjërave, ashtu siç ka përfshirë anët e tyre të dukshme.
El Mexhijdu (I Lavdishmi):
Ai i Cili posedon atribute madhështore të ndryshme dhe që është i përsosur në emrat e bukur dhe atributet e larta që posedon.
El Kauiju (I Fuqishmi):
Ai të Cilit i takon fuqia absolute dhe që nuk mposhtet nga askush. Caktimi i Tij nuk ndryshohet nga askush dhe asgjë nuk mund ta sfidojë Atë në tokë apo në qiell.
El Metijnu (I Forti):
Ai i Cili posedon fuqi dhe aftësi absolute dhe që nuk preket nga dobësia apo vështirësia.
El Azijzu (Gjithëkrenari, I Plotfuqishmi):
Ai të Cilit i përkasin të gjitha format e krenarisë; krenaria e fuqisë kësisoj askush nuk e mposht dot Atë, krenaria e pavarësisë kësisoj Ai nuk ka nevojë për askënd, krenaria e ngadhënjimit kësisoj të gjitha krijesat janë të ngadhënjyera dhe të përulura para madhështisë së Tij.
El Kahiru (Mposhtësi):
Ai të Cilit i përulen dhe i nënshtrohen të gjitha krijesat dhe të gjitha i binden fuqisë dhe vullnetit të Tij.
El Kaharu (Gjithëmposhtësi):
Emri “Gjithëmposhtësi” është forma e zmadhuar e emrit “Mposhtësi”, dhe ka për qëllim që të gjitha krijesat i janë përulur Atij dhe i janë nënshtruar krenarisë, fuqisë dhe caktimit të Tij të përsosur, dhe të gjitha fytyrat e robërve qëndrojnë me respekt para Tij.
El Kadiru (I Gjithëfuqishmi):
Ai i Cili posedon fuqi dhe aftësi të plotë, të përsosur dhe gjithëpërfshirëse. Asgjë nuk e sfidon Atë dhe askush nuk i shpëton Atij.
El Kadiru (Fuqiploti):
Ai që ka fuqi absolute dhe bën çtë dojë, dhe asgjë nuk e sfidon dot as në tokë e as në qiell.
El Muktediru (Fuqimadhi):
Ky emër flet në formë të zmadhuar për fuqinë e Allahut të Madhëruar që Ai posedon në zbatimin e caktimeve hyjnore dhe në realizimin e tyre sipas përcaktimit të tyre në dijen e Tij të hershme.
El Xhebaru (I Gjithëpushtetshmi):
Ai i cili është i lartësuar mbi krijesat e Tij, Madhështori i cili e zbaton vullnetin e Tij në formë imponuese dhe detyruese mbi këdo prej krijesave. Ai i jep fuqi të dobëtit, e pasuron të varfrin, ia lehtëson situatën atij që është në gjendje të vështirë dhe i jep fuqi të sëmurit dhe të sprovuarit.
El Khaliku (Krijuesi):
Krijuesi dhe shpikësi i gjërave pa asnjë shembull paraprak.
El Khalaaku (Gjithëkrijuesi):
Ky emër tregon për gjërat e shumta që Allahu i Madhëruar krijon. Ai vazhdon të krijojë dhe vazhdon ta ketë këtë atribut madhështor.
El Baariu (Shpikësi, Zanafillësi):
Ai i Cili i solli në ekzistencë krijesat që e kishte caktuar se do t’i krijonte pa asnjë mangësi dhe pa asnjë të metë, dhe i bëri të dallueshme ato prej njëra-tjetrës.
El Musauiru (Formëdhënësi):
Ai i Cili u dha krijesave të Tij pamje të larmishme dhe forma të ndryshme, që dëshmojnë për dijen dhe urtësinë e Tij të përsosur.
El Muhejminu (Mbizotëruesi):
Ai i Cili i mbizotëron, i gjykon dhe i administron krijesat e Tij dhe asgjë nuk i shpëton dijes së Tij.
El Hafidhu (Gjithëruajtësi):
Ai i Cili i ka ruajtur dhe i ka përfshirë në dijen e Tij të gjitha gjërat që ka krijuar dhe i ka numëruar të gjitha veprat e robërve dhe shpërblimet e tyre.
El Hafidhu (Ruajtësi):
Ai i Cili i ruan miqtë e Tij nga mëkatet dhe gabimet shkatërrimtare, dhe nga të gjitha dyshimet dhe pasionet që dëmtojnë besimin e tyre.
El Ueliju (Miku i besimtarëve):
Ai i Cili i ndihmon robërit e Tij besimtarë, i do, i udhëzon, i përkrah, ua bën të mundur t’i realizojnë interesat e tyre dhe ua lehtëson gjërat që janë të dobishme për ta në fe dhe në jetë.
El Meula (Përkujdesësi):
Ai është Zoti i Cili përkujdeset për çështjet e të gjitha krijesave të Tij dhe për sundimin e Tij. Ai është Sundimtari, Zotëruesi, Krijuesi dhe i Adhuruari i vërtetë.
En Nesijru (Përkrahësi):
Ai i Cili i ndihmon robërit e Tij besimtarë dhe i përkrah ata, i mëson se si të ruhen nga armiqtë e tyre, kujdeset për gjendjen e tyre dhe është i mëshirshëm me ta në të gjitha çështjet.
En Nasiru (Ndihmuesi):
Ai i Cili u jep fitore dhe triumf robërve të Tij besimtarë kundër armiqve të Tij jobesimtarë.
El Uekijlu (Mbështetësi, Mbrojtësi):
Ai i Cili kujdeset për mbarëvajtjen e krijesave të Tij me dijen, fuqinë dhe urtësinë e Tij të përsosur dhe gjithëpërfshirëse. Ai është mbështetësi i besimtarëve të cilët ia kanë dorëzuar Atij çështjet.
El Kefijlu (Kujdestari):
Ai i Cili kujdeset për çështjet e krijesave dhe që është Garantues i ushqimit dhe i jetesës së tyre.
El Kaafi (I Mjaftueshmi):
Ai i Cili u jep mjaftueshëm robërve të Tij nga gjërat që u duhen dhe që largon prej tyre sprovat që u kanë rënë. Ai që është i mjaftueshëm për miqtë e Tij besimtarë me suksesin, ndihmën dhe mëshirën që tregon ndaj tyre.
Es Samedu (Absoluti):
Zoti i përsosur dhe sundimtari i madhërishëm i Cili është absolut në sundimin e Tij, dhe të Cilit i përgjërohen krijesat për nevojat e tyre me shpresë dhe me frikë.
Err Rraaziku (Furnizuesi):
Ai i Cili garanton furnizimin dhe jetesën e çdo krijese që gjendet në qiej dhe në tokë, qoftë ajo e mbarë apo e mbrapshtë, ndërsa miqve të Vet u jep furnizim të veçantë dhe ua shton besimin.
Err Rrazaku (Gjithëfurnizuesi):
Ky emër dëshmon për furnizimin e bollshëm që Allahu i Madhëruar u jep krijesave të Tij. Ai i furnizon ata para se t’i kërkojnë, madje edhe kur ata nuk i binden.
El Fetaahu (Zgjidhjedhënësi):
Ai i Cili i jep zgjidhje kujt të dojë dhe sa të dojë, duke i hapur thesaret e mbretërisë së Tij, të mëshirës dhe të furnizimit të Tij, sipas urtësisë dhe dijes së Tij. Ai i zgjidh çështjet e ndërlikuara të robërve të Tij. Ai gjithashtu është Zgjidhjedhënësi i cili gjykon midis robërve të Tij me drejtësi dhe i ndihmon miqtë e Tij kundër armiqve të Tij.
El Mubijnu (I Qarti):
Ai çështja e të Cilit është e qartë sa i takon njëshmërisë, urtësisë dhe mëshirës së Tij. Ai i Cili ua qartëson robërve të Tij të vërtetën.
El Haadi (Udhëzuesi):
Ai i Cili i orienton dhe u tregon krijesave të Tij gjërat e dobishme, kërkimin e rrizkut dhe shmangien e gjërave të dëmshme. Gjithashtu, Ai është i vetmi i Cili udhëzon drejt suksesit dhe drejt shpëtimit.
El Hakemu (Gjykuesi):
Ai të Cilit i përket gjykimi për çdo çështje, gjykon si të dojë dhe gjykimi i Tij midis robërve është me vend dhe i drejtë.
Err Rrauufu (Përdëllimtari):
Ai i Cili është shumë i dhembshur dhe shumë i mëshirshëm me robërit e Tij. Përdëllimi dhe dhembshuria janë forma më e lartë e mëshirës.
El Ueduudu (I Dashuri):
Ai i Cili i do miqtë e Tij dhe bëhet i dashur për ta përmes faljes dhe mirësive. Ai krijon simpati për miqtë e Tij në tokë dhe ata e duan Atë më shumë se çdo gjë tjetër.
El Berru (Bamirësi):
Ai i Cili ka një bamirësi gjithëpërfshirëse ndaj krijesave të Tij. Ai është bamirës ndaj tyre dhe përmirëson gjendjen e tyre.
El Halijmu (I Durueshmi):
Ai i Cili nuk e përshpejton ndëshkimin ndaj robërve të Tij, por i toleron dhe i fal ata kur i kërkojnë falje ndonëse është i aftë që t’i ndëshkojë.
El Gafuru (Mëkatfalësi):
Ai i Cili i mbulon mëkatet e njeriut dhe nuk e turpëron e as e ndëshkon atë.
El Gafaaru (Gjëthëmëkatfalësi):
Ky emër tregon përmasat e mëdha të faljes së Allahut ndaj robit të Tij mëkatar që kërkon falje.
El Afuu (Falësi):
Ai i Cili e fshin mëkatin, toleron dhe nuk ndëshkon ndonëse njeriu e meriton të ndëshkohet për mëkatin që ka bërë.
Et Teuaabu (Pendimpranuesi):
Ai i Cili ia mundëson njeriut të pendohet dhe mandej ia pranon pendimin, dhe Ai i Cili kënaqet me robin e Tij pas zemërimit me të.
El Kerijmu (Bujari):
Ai që jep mirësi me bollëk. Ai që fal dhunti të mëdha. Ai që jep kur i kërkohet dhe kur nuk i kërkohet dhe që i fal mëkatet dhe i mbulon të metat.
El Ekramu (Më Bujari):
Ai i Cili është më bujari në veten e Tij, në atributet dhe veprimet e Tij. Ai që posedon virtytin më të përsosur të bujarisë dhe askush nuk i përngjan Atij në bujari, e mirësitë janë të gjitha në dorën e Tij.
Esh Shaakiru (Falënderuesi):
Ai i Cili e lëvdon dhe e falënderon atë që i bindet Atij, jep shpërblim për punën e mirë edhe nëse ajo punë është e vogël, dhe i shton mirësitë në këtë jetë dhe shpërblimin në jetën tjetër në këmbim të falënderimit.
Esh Shekuuru (Gjithëfalënderuesi):
Ai që falënderon shumë dhe që për vepra të pakta jep shpërblim të madh dhe të shumëfishuar, dhe që shumë gabime i fal.
Es Semiju (Gjithëdëgjuesi):
Ai dëgjimi i të Cilit ka përfshirë çdo zë të ulët dhe sekret dhe çdo zë të ngritur dhe publik. Dëgjimi i Tij i ka përfshirë të gjithë tingujt sado të ulët apo të ngritur qofshin, dhe Ai i përgjigjet lutjes së atij që i lutet.
El Besijru (Gjithëshikuesi):
Ai shikimi i të Cilit ka përfshirë çdo gjë që ekziston sado e imët dhe e vogël qoftë, e dukshme dhe e padukshme apo e vogël dhe e madhe qoftë ajo.
Esh Shehijdu (Gjithëdëshmuesi):
Ai të Cilit nuk i fshihet asgjë dhe është në dijeni të çdo gjëje, Vëzhgues dhe Njohës i të gjitha detajeve në lidhje me çdo gjë. Ai që dëshmon për njëshmërinë dhe drejtësinë e Vet, dëshmon për sinqeritetin e besimtarëve monoteistë dhe dëshmon për vërtetësinë e pejgamberëve dhe engjëjve të Tij.
Err Rrakijbu (Gjithëvëzhguesi):
Ai që vëzhgon gjithçka, dëshmon për të fshehtat dhe sekretet, di dhe sheh çdo gjë dhe nuk i shpëton asnjë pëshpëritje apo tingull i ulët. Ai i numëron punët e robërve të Tij duke mos i shpëtuar asnjë shikim dhe asnjë mendim.
El Karijbu (I Afërti):
Ai i Cili është pranë të gjitha krijesave të Tij me dijen, informacionin, vëzhgimin dhe dijeninë gjithëpërfshirëse. Ai është në dijeni të gjendjes së tyre dhe është pranë besimtarëve me ndihmën e Tij, pranimin e lutjes dhe ruajtjen e tyre.
El Muxhijbu (Lutjepranuesi):
Ai i Cili i përgjigjet lutjes së atyre që i luten dhe kërkesës së atyre që kërkojnë prej Tij, sipas asaj që e kërkon dija dhe urtësia e Tij.
El Muhijtu (Gjithëpërfshirësi):
Ai i Cili i ka përfshirë të gjitha krijesat e Tij në dijen, fuqinë, mëshirën dhe sundimin e Tij. Asgjë nga detajet e gjendjes së tyre nuk i fshihet dot Atij, dhe çdo gjë është në dorën dhe pushtetin e Tij.
El Hasijbu (Llogarimarrësi, i Mjaftueshmi):
Ai i Cili i mjafton robërve të Tij për të gjitha nevojat e tyre fetare dhe materiale. Ai i Cili i mjafton robërve të Tij besimtarë të cilët mbështeten tek Ai, dhe Ai i Cili do t’i marrë ata në llogari për veprat që kanë bërë në jetën e dunjasë.
El Ganiju (I Panevoji/I Pavaruri):
Ai i Cili nuk ka nevojë për askënd nga krijesat e Tij ngase Ai posedon atributet më të përsosura, ndërsa krijesat kanë të gjitha nevojë për Të.
El Uehaabu (Dhuruesi):
Ai që jep shumë dhurata dhe shpërblime, si dhe i ka përfshirë të gjitha qëniet në bujarinë dhe mirësinë e Tij. Ai jep pa asgjë në këmbim, dhuron pa interes dhe begaton pa ia kërkuar.
El Mukijtu (Ushqyesi):
Ai i Cili i ka krijuar ushqimet dhe jetesën dhe i ruan ato duke garantuar mbërritjen e tyre te krijesat pa asnjë mangësi.
El Mukaddimu (Ai që e nxjerr përpara kë dëshiron):
Ai që i vendos gjërat në vendin që ato meritojnë, vendos përpara kë të dojë dhe lë prapa kë të dojë, i jep përparësi dikujt mbi dikë në sajë të dijes dhe të dhuntisë së Tij.
El Muehiru (Ai që lë prapa kë të dojë):
Ai që lë prapa gjërat që meritojnë të lihen prapa dhe i vendos ato në vendin që u takon. Pjesë e kësaj është dhe shtyrja e dënimit nga robërit e Tij në mënyrë që ata të pendohen dhe të kërkojnë falje.
Er Rrafijku (I Buti):
Ai i Cili është i butë në veprimet dhe në ligjislacionin e Tij. Ai e kryen proçesin e krijimit në mënyrë graduale ndonëse e ka fuqinë ta kryej përnjëherësh. Ai i trajton robërit e Tij me butësi duke mos i ngarkuar me detyra që nuk i përballojnë, dhe duke mos e pëshpejtuar dënimin për mëkatarët.
El Menaanu (Mirëbërësi):
Ai që jep, dhuron dhe begaton shumë dhe që fal mirësi para se t’i kërkohet.
El Xheuaadu (Gjithëbujari):
Ai që jep shumë dhe që me dhuntitë dhe mirësitë e Tij ka mbuluar të gjitha qëniet. Ndërkohë besimtarëve u takon pjesa më e madhe e këtyre dhuntive dhe mirësive.
El Muhsinu (Bamirësi):
Ai i Cili e ka krijuar çdo gjë në mënyrë të përsosur dhe të përkryer, dhe që u ka bërë mirë krijesave të Tij duke i begatuar ato me begatitë dhe dhuntitë e Tij.
Ed Dejjaanu (Shpërblyesi):
Ai të Cilit i janë nënshtruar të gjitha krijesat. Ai do t’i marrë në llogari robërit e Tij dhe do t’i shpërblejë sipas veprave që kanë bërë.
Esh Shaafi (Shëruesi):
Ai i Cili i shëron zemrat nga dyshimet dhe pasionet e paligjshme dhe i shëron trupat nga sëmundjet. Njerëzit kanë në dorë vetëm ilaçet që Allahu ua ka mundësuar kurse shërimi është vetëm në dorën e Tij.
Es Sejjidu (Sovrani):
Ai të Cilit i përket sovraniteti absolut mbi krijesat e Tij. Ai është Pronari dhe Zoti i tyre ndërsa ata janë krijesa dhe robër të Tij që zbatojnë urdhërin e Tij.
El Uitru (Teku):
Ai i Cili është një pa ortak, unik pa të ngjashëm dhe i vetmi që posedon atributet e përsosura dhe cilësitë më të bukura.
El Hajiju (I Turpshmi):
Ai të Cilit i përket virtyti i turpit në formën që i përshtatet madhështisë dhe lartmadhësisë së Tij. Turpi i Tij buron nga fisnikëria, bamirësia, bujaria, madhështia dhe lënia e gjërave që nuk përputhen me mëshirën, bujarinë, fisnikërinë dhe faljen e Tij absolute dhe gjithëpërfshirëse.
Et Tajibu (I Pastërti, i Miri):
Ai i Cili është i pastër nga çdo e metë dhe nga çdo mangësi. Ai pranon nga robërit e Tij vetëm fjalët dhe veprat që janë të pastra, të ligjshme dhe të sinqerta.
El Mu’tii, El Maaniu (Dhënësi, Privuesi):
Ai i Cili është i vetmi në realitet që jep dhe që privon. Nëse Ai jep askush nuk privon dot, e nëse Ai privon askush nuk jep dot. Bujaria e Tij nuk ka limite e as kufij. Dhurata më e madhe e Tij është besimi dhe udhëzimi.
El Xhemijlu (I Bukuri):
Ai të Cilit i përkasin cilësitë bukurisë dhe të pësosmërisë dhe i Cili është i bukur në veten dhe në emrat e Tij, në atributet dhe në veprat e Tij. Dhe çdo formë e bukurisë që gjendet te krijesat e Tij është nga Ai.
El Ilaahu (I Adhuruari, Hyji):
Ai i Cili është i denjë të adhurohet me të vërtetë, dhe që është i Vetmi që e meriton adhurimin dhe që i posedon të gjitha atributet e përsosmërisë dhe cilësitë e bukurisë.
El Khaafidu, Er Rraafiu (Ulësi, Ngritësi):
Ai i Cili ngre kë të dojë dhe si të dojë. Ai i ngre miqtë e Tij në këtë jetë dhe në jetën tjetër dhe i ul e i poshtëron tiranët dhe faraonët arrogantë.
Dhul xhelali uel ikrami (Madhështori, Nderuesi):
Ai që posedon madhështi, krenari, mëshirë dhe bujari, dhe që e meriton të madhërohet dhe të falënderohet.
Ahsenul khalikijn (Më i miri i krijuesve):
Përcaktuesi më i mirë dhe mjeshtri e formëdhënësi më i saktë. Askush tjetër nuk mund të krijojë si Ai.
Es Sittijru (Gjithëmbuluesi):
Ai i Cili e mbulon shumë herë robin e Tij dhe nuk e turpëron atë para krijesave. Ai do që robi i Tij ta mbulojë veten e tij dhe të tjerët dhe të mos i ekspozojë të metat.
El Kaabidu, El Baasitu (Mbajtësi/ Shtrënguesi, Liruesi):
Ai i Cili i mban (i merr) shpirtrat dhe e shtrëngon rrizkun, dhe Ai i Cili e liron (e shton) rrizkun për robërit e Tij në sajë të bujarisë, mëshirës dhe fuqisë së Tij, duke i sprovuar ata ashtu siç e kërkon urtësia e Tij. Ai gjithashtu i shtrin duart për të pranuar pendimin e mëkatarëve.
El Gaalibu (Ngadhënjimtari):
Ai i Cili e përmbush qëllimin e Tij nga krijesat me hir apo me pahir. Ai i Cili bën ç’të dojë në sajë të fuqisë dhe urtësisë së Tij absolute. Ai as nuk mposhtet e as nuk mashtrohet.
Përktheu dhe përshtati: Rexhep Milaqi
Dosje: Emrat e Allahut
Të Ngjashme
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli
- A mund të ndikojë mësyshi edhe në këtë rast? Emin Bilali
- Si ka mundësi që Allahu ua jep dynjanë jobesimtarëve?! Emin Bilali
- Cilat ishin fjalët e fundit që tha Profeti para se të largohej nga kjo botë? Udha e Besimtarëve
- A kthehet shpirti i të vdekurit tek familja dhe tek shtëpia e tij? Udha e Besimtarëve