Paralajmërimi i Shejhut Abdul Aziz bin Baz nga Fitneja e Tebdi’ut dhe Texhrihut

May 19, 2026

Shejhu i njohur Abdul Aziz bin Baz (v. 1420 H / 1999 G), Allahu e mëshiroftë, ka qenë ndër dijetarët më të mëdhenj të kësaj kohe, i shquar për dijen e tij, memorien e fortë,… etj, megjithëse që në rini e kishte humbur shikimin (ishte verbuar) plotësisht!

Krahas të dijes dhe të qenurit dijetar, shejhu gjithashtu ka drejtuar disa nga institucionet më të larta fetare në Arabinë Saudite, si:

  • Myfti i Përgjithshëm.
  • Drejor i Komisionit të Fetvave.
  • Drejtor i Komisionit të Dijetarëve të Mëdhenj.
  • Drejtor i Universitetit Islamik në Medinë në vitet e para të formimit të universitetit,… etj.

Ajo që e bënte atë edhe më të veçantë, përveç dijes fetare që zotëronte dhe pozitave drejtuese, ishte mençuria, maturia, butësia, humanizmi, durimi dhe mënyra se si i menaxhonte situatat; qoftë në raport me ata që ndanin të njëjtat mendime, qoftë me ata që mendonin ndryshe, qoftë me ata që ishin në të njëjtën akide, apo ata që kishin tjetër akide, mënyra se si i këshillonte apo ndihmonte muslimanët në çdo vend të botës qofshin.

Gërshetimi i diturisë së thellë, pozitave të larta drejtuese dhe cilësive që e dallonin, përbëjnë një bashkim veçorish që rrallëherë mund të gjenden te një dijetar i vetëm.

Prej problematikave që u shfaqën në botën islame, dhe aq më tepër në Arabinë Saudite, në vitet 1990, ishte fitneja e tebdiut; shpalljes së njerëzve të dijes bidatçinj – qofshin ata dijetarë, nxënsa dije apo thirrësa -; jo duke u bazuar në fakte dhe argumente, por për shkak të tekave apo të iluzioneve në mendjen e disave se filani apo fisteku, përderisa thonë këtë fjalë, i bie që të jenë kështu… e gjëra të ngjashme me këto, që fatkeqësisht në vendin tonë i dëgjojmë shpesh.

Është e njëjta logjikë, i njëjti sistem piramidë, vetëm se ndryshojnë personazhet.

Shejhu (Allahu e mëshiroftë) flet për fitnen e asaj kohe, dhe na duket sikur është duke folur për kohën tonë, megjithëse kanë kaluar nga ky shkrim i tij 35 vite.

♦♦♦♦♦♦♦♦

Shejh Bin Bazi, Myftiu i Arabisë Saudite, shkruante në vitin 1412 H / 1991 G, shkrim ky i botuar në disa nga gazetat arabe:

Lavdërimet i përkasin Allahut, Zotit të gjithçkaje.

Salavatet dhe selamet qofshin mbi Profetin Muhamed, mbi familjen dhe shokët e tij, si dhe mbi këdo që ndjek rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Allahu i Madhëruar urdhëron për drejtësi e bamirësi dhe ndalon padrejtësinë, shtypjen, tejkalimin e kufijve.

Ai e dërgoi Profetin e Tij, Muhamedin ﷺ, me misionin që dërguan të gjithë të dërguarit: me thirrjen për Teuhid (njëshmërinë e Allahut) dhe sinqeritetin në adhurim vetëm për Të.

Allahu e urdhëroi atë të vendosë drejtësinë dhe e ndaloi nga çdo gjë që bie ndesh me të, siç është adhurimi i dikujt tjetër përveç Allahut, përçarja, ndarja dhe cenimi i të drejtave të njerëzve.

Në këtë kohë është përhapur dukuria ku shumë njerëz, që merren me dije dhe davet, cenojnë nderin e vëllezërve të tyre thirrës të njohur dhe flasin për nderin e kërkuesve të dijes e të ligjëruesve. Këtë e bëjnë fshehurazi në tubimet e tyre, ose e regjistrojnë në audio-kaseta që përhapen te njerëzit, e ndonjëherë edhe publikisht në ligjërata nëpër xhami.

Kjo rrugë bie ndesh me atë që ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij në disa aspekte, ndër të cilat përmendim:

  • Së pari: Është cenim i të drejtave të muslimanëve, veçanërisht i njerëzve të veçantë si kërkuesit e dijes dhe thirrësit, të cilët kanë dhënë kontributet e tyre për ndërgjegjësimin e njerëzve, udhëzimin e tyre, përmirësimin e akides dhe metodologjisë së tyre, si dhe janë përpjekur në mbajtjen e mësimeve, ligjëratave dhe shkrimin e librave të dobishëm.
  • Së dyti: Kjo shkakton përçarje të unitetit të muslimanëve, në një kohë kur ata kanë nevojë urgjente për bashkim dhe largim nga ndarja e thashethemet. Sidomos kur thirrësit që po sulmohen janë nga Ehli Suneti dhe Xhemati, të njohur për luftimin e bidateve dhe besimeve të kota, si dhe për demaskimin e planeve të grupeve të devijuara. Nuk shohim asnjë dobi në këtë veprim, përveçse për armiqtë, qofshin ata jobesimtarë, hipokritë apo njerëz të bidatit dhe humbjes.
  • Së treti: Ky veprim është ndihmesë për laikët dhe ateistët, të cilët njihen për shpifjet dhe nxitjet kundër thirrësve, ndaj nuk është prej vëllazërisë islame që këta njerëz të nxituar të ndihmojnë armiqtë e Islamit kundër vëllezërve të tyre: nxënësve të dijes, thirrësve, etj.
  • Së katërti: Kjo prish zemrat e njerëzve, përhap gënjeshtra e thashetheme dhe bëhet shkak për përgojim (gibet) e bartje fjalësh (nemime). Kjo u hap dyert e së keqes njerëzve me shpirt të dobët, që kërkojnë të përhapin dyshime dhe të lëndojnë besimtarët pa të drejtë.
  • Së pesti: Shumë nga ato që thuhen nuk janë të vërteta, por janë imagjinata që Shejtani ua ka zbukuruar atyre që merren me këto gjëra.

Allahu i Lartësuar thotë:

يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ ٱجۡتَنِبُواْ كَثِيرٗا مِّنَ ٱلظَّنِّ إِنَّ بَعۡضَ ٱلظَّنِّ إِثۡمٞۖ وَلَا تَجَسَّسُواْ وَلَا يَغۡتَب بَّعۡضُكُم بَعۡضًاۚ

O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah. Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin!…” (El Huxhurat: 12)

Besimtari duhet t’i marrë fjalët e vëllait të tij në mënyrën më të mirë.

Disa nga të parët (selefët) kanë thënë: “Mos mendo keq për një fjalë që del nga goja e vëllait tënd, përderisa mund t’i gjesh asaj një kuptim të mirë.”

  • Së gjashti: Për sa i përket ixhtihadit (mendimit) të dijetarëve dhe nxënësve të dijes në çështjet ku lejohet mendimi ndryshe, personi nuk qortohet nëse është kompetent për ixhtihad.

Nëse dikush nuk pajtohet, le të diskutojë me mënyrën më të mirë për të arritur te e vërteta dhe për të larguar nxitjet e Shejtanit dhe grindjet që ai shkakton mes besimtarëve.

E nëse kjo nuk është e mundur dhe dikush e sheh të domosdoshme sqarimin e gabimit, atëherë kjo duhet të bëhet me fjalët më të mira dhe me aludimin më të butë, pa sulmuar, pa lënduar dhe pa teprime në fjalë që mund të çojnë në refuzimin e të vërtetës ose në shpërfilljen e saj.

Gjithashtu, pa i sulmuar personat, pa ua akuzuar qëllimet dhe pa shtuar fjalë të pajustifikueshme.

I Dërguari ﷺ, në raste të tilla, thoshte: “Si është puna me disa njerëz që thonë kështu e kështu?”

Ajo që u këshilloj këtyre vëllezërve, të cilët kanë prekur nderin e thirrësve dhe i kanë sulmuar ata, është që të pendohen tek Allahu i Madhëruar për atë që kanë shkruar duart e tyre apo kanë shqiptuar gjuhët e tyre; gjë e cila u bë shkak për prishjen e zemrave të disave prej të rinjve, duke i mbushur ato me urrejtje e mllef, e duke i shmangur ata nga kërkimi i dijes së dobishme dhe nga thirrja tek Allahu, duke u marrë me “çfarë ka thënë filani për fistekun”, si dhe duke gjuajtur ato që i konsiderojnë si gabime të të tjerëve, madje duke e ekzagjeruar këtë proces.

Gjithashtu, i këshilloj ata që ta shlyejnë atë që kanë bërë përmes shkrimeve apo mënyrave të tjera, me të cilat distancohen nga veprime të tilla dhe fshijnë atë që është rrënjosur në mendjet e atyre që i kanë dëgjuar.

T’u përvishen punëve të mira që i afrojnë tek Allahu dhe janë të dobishme për njerëzit.

Si dhe të kenë kujdes nga nxitimi në shpalljen e tjetrit si kafir, fasik apo bidatçi, pa prova dhe pa argumente të qarta.

Profeti ﷺ ka thënë: “Kush i thotë vëllait të vet: O kafir, kjo fjalë do të kthehet mbi njërin prej tyre” (Buhariu dhe Muslimi).

Ajo që kërkohet nga thirrësit dhe kërkuesit e dijes, nëse u paraqitet ndonjë paqartësi nga fjalët e njerëzve të dijes apo të tjerëve, është t’u drejtohen dijetarëve të besueshëm dhe t’i pyesin ata, në mënyrë që t’u sqarojnë thelbin e çështjes, t’i njoftojnë me realitetin e saj dhe t’u largojnë mëdyshjet, duke vepruar sipas fjalës së Allahut të Madhëruar:

وَإِذَا جَآءَهُمۡ أَمۡرٞ مِّنَ ٱلۡأَمۡنِ أَوِ ٱلۡخَوۡفِ أَذَاعُواْ بِهِۦۖ وَلَوۡ رَدُّوهُ إِلَى ٱلرَّسُولِ وَإِلَىٰٓ أُوْلِي ٱلۡأَمۡرِ مِنۡهُمۡ لَعَلِمَهُ ٱلَّذِينَ يَسۡتَنۢبِطُونَهُۥ مِنۡهُمۡۗ وَلَوۡلَا فَضۡلُ ٱللَّهِ عَلَيۡكُمۡ وَرَحۡمَتُهُۥ لَٱتَّبَعۡتُمُ ٱلشَّيۡطَٰنَ إِلَّا قَلِيلٗا

“Kur atyre u vjen ndonjë lajm i rëndësishëm që ka të bëjë me sigurinë ose frikën, ata e përhapin (pa e vërtetuar mirë). Por, në qoftë se këtë lajm do t’ia përcillnin (për shqyrtim) të Dërguarit dhe parisë (drejtuesve të tyre që janë dijetarët dhe prijësit), hulumtuesit do ta merrnin vesh prej tyre. Sikur të mos ishte mirësia e Allahut dhe mëshira e Tij, ju të gjithë do të ndiqnit Shejtanin, përveç një numri të vogël.” (En Nisa, 83)

Allahu është Ai prej të Cilit kërkojmë që të përmirësojë gjendjen e të gjithë muslimanëve, t’i bashkojë zemrat e tyre në devotshmëri, t’i japë sukses gjithë dijetarëve dhe thirrësve në të vërtetën drejt asaj me të cilën Ai kënaqet.

E lusim Atë që ta bashkojë fjalën e tyre në udhëzim, t’i mbrojë nga shkaqet e përçarjes, ta ndihmojë të vërtetën përmes tyre dhe ta thyejë të kotën përmes tyre. Vërtet, Ai është Mbikëqyrësi i kësaj dhe i Fuqishmi për këtë.

Salavatet e selamet e Allahut qofshin mbi Profetin tonë, Muhamedin, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi cilindo që ndjek udhëzimin e tij deri në Ditën e Gjykimit.

(Mexhmu’u Fetaua ue Mekalat Ibn Baz, 7/311)

Dosje:

Loading...