Abdullah bin Mesudi – Allahu qoftë i kënaqur me të – transmeton se Profeti Muhamed ﷺ ka thënë:
“Kushdo që goditet nga brenga apo trishtimi dhe thotë:
اللهمَّ إني عبدُك، وابنُ عبدِك، وابنُ أَمَتِك، ناصيتي بيدِك، ماضٍ فيَّ حكمُك، عدلٌ فيَّ قضاؤُك
أسألُك بكلِّ اسمٍ هو لك سميتَ به نفسَك، أو علَّمتَه أحدًا من خلقِك، أو أنزلتَه في كتابِك، أو استأثرتَ به في علمِ الغيبِ عندَك
أن تجعلَ القرآنَ ربيعَ قلبي، ونورَ صدري، وجلاءَ حزني، وذَهابَ همِّي
‘‘O Allah, unë jam robi Yt, biri i robit Tënd dhe i robëreshës Sate. Balli im është në Dorën Tënde, mbi mua zbatohet vendimi Yt dhe është i drejtë caktimi Yt.
Të lutem me çdo emër që është i Yti, me të cilin e ke quajtur Veten, ose që ia ke mësuar ndonjërit prej krijesave të Tua, ose që e ke zbritur në Librin Tënd, ose që e ke mbajtur për Vete në dijen e fshehtë, që ta bësh Kuranin pranverë të zemrës sime, dritë të kraharorit tim, largues të trishtimit tim dhe shuarës të brengës sime!’’
veçse Allahu do t’ia largojë brengën dhe trishtimin, dhe do t’ia zëvendësojë me gëzim.”
Dikush pyeti: “O i Dërguari i Allahut, a të mos e mësojmë këtë?”
Ai tha: “Posi, kushdo që e dëgjon, duhet ta mësojë.”
📚 Sahih – Es-Silsile es-Sahiha: 199.
Shpjegimi i hadithit:
Lutja (duaja) është vetë adhurimi, dhe ajo shpreh mbushjen e zemrës së besimtarit me besim dhe mbështetje të plotë tek Allahu i Madhëruar. Profeti ﷺ na ka mësuar kohët më të përshtatshme për lutje, si dhe mënyrën e lutjes me fjalë të përmbledhura, kuptimplota dhe me formula të veçanta në raste të caktuara.
Në këtë hadith, Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon se Profeti ﷺ ka thënë:
‘‘Kushdo që goditet ndonjëherë nga shqetësimi apo trishtimi…” – domethënë i bie mbi të dhe e prek atë – “dhe pastaj thotë: ‘O Allah…’, pra i drejtohet Zotit të tij me lutje.
Fjalët: “Unë jam robi Yt, biri i robit Tënd dhe i robëreshës Sate” janë një pohim i plotë i robërisë ndaj Allahut.
Shprehja: “Balli im është në Dorën Tënde” nënkupton se njeriu nuk ka fuqi dhe as forcë pa Allahun, dhe kjo është marrë nga fjala e Allahut në Kuran:
{مَا مِنْ دَابَّةٍ إِلَّا هُوَ آخِذٌ بِنَاصِيَتِهَا} [هود: 56]
‘‘Nuk ka asnjë krijesë që të mos jetë nën sundimin dhe drejtimin e Tij.” (Hud: 56)
Fjalët: “Vendimi Yt zbatohet mbi mua” do të thotë se gjykimi i Allahut është i pandryshueshëm dhe i realizuar në jetën e njeriut, qoftë ai urdhër hyjnor apo caktim i Tij në univers, si jeta, vdekja, dhënia apo ndalimi.
Ndërsa: “Caktimi Yt ndaj meje është i drejtë” do të thotë se çdo gjë që Allahu ka përcaktuar është me urtësi dhe drejtësi të plotë.
Më pas, lutësi i drejtohet Allahut me të gjitha emrat e Tij:
– ata me të cilët Ai e ka quajtur Veten,
– ose që ua ka mësuar krijesave të Tij si profetëve, engjëjve apo të devotshmëve,
– ose që i ka shpallur në Librat e Tij,
– ose që i ka mbajtur vetëm për Vete në dijen e së fshehtës (Gajb).
Pastaj kërkon që Kurani të bëhet:
‘‘pranvera e zemrës sime” – ashtu si pranvera ringjall tokën, Kurani ringjall zemrën me besim dhe dije;
‘‘dritë e kraharorit tim” – që zemra të ndriçohet dhe të qetësohet;
‘‘largues i trishtimit tim dhe shuarës i brengës sime” – pra të zhdukë çdo shqetësim dhe pikëllim.
Rezultati i kësaj lutjeje është se Allahu ia largon njeriut brengën dhe trishtimin dhe ia zëvendëson me lehtësim dhe gëzim.
Kur shokët e pyetën: “O i Dërguari i Allahut, a të mos e mësojmë këtë?”, ai u përgjigj:
“Po, kushdo që e dëgjon duhet ta mësojë”, duke treguar rëndësinë e madhe të kësaj lutjeje dhe nevojën e çdo njeriu për të.
Mësime nga hadithi:
- Emrat e bukur të Allahut nuk janë të kufizuar në një numër të caktuar; disa prej tyre i di vetëm Ai i Madhëruari.
- Rëndësia e lutjes dhe e kërkimit të ndihmës nga Allahu për largimin e brengave dhe vështirësive.
- Kurani është burim qetësie shpirtërore dhe shërim për zemrën.
📚 Burimi i shpjegimit: Ed-Durer es-Senije.
Përktheu: Hoxhë Mirandi Shehaj
Dosje: #Lutje #Trishtimi, Dhikri, Kurani
Të Ngjashme
- Përmendja e Shpeshtë e Allahut ﷻ Dr. Fatmir Strumi
- Kushtet e Lutjes së Pranueshme Udha e Besimtarëve
- Krenaria që të Shkatërron pa e Kuptuar Dr. Fatmir Strumi
- Agjërimi i gjashtë ditëve të Sheualit kur ka ditë të mbetura nga Ramazani Dr. Fatmir Strumi
- Astrologjia – dega e magjisë që vret teuhidin Udha e Besimtarëve