Shpjegimi i librit “Mburoja e Muslimanit” – 6 –

September 14, 2026

Zemra e njeriut luhatet vazhdimisht mes dy gjendjeve ekstreme shpirtërore: Ndryshkut (El-Ran) dhe Depërtueshmërisë Shpirtërore (El-Basireh)

Përkujtimi i Allahut (dhikri), shoqëruar me meditim rreth përmbajtjeve dhe kuptimeve të tij, është udhëzim me anë të të cilit përmirësohen zemrat.

Ne kemi nevojë jetike për t’i përmirësuar këto zemra; kemi nevojë për shkëlqimin, pastrimin dhe largimin e turbullirave e pluhurit që grumbullohen mbi këto zemra.

Ky shkëlqim realizohet pikërisht ashtu siç ka thënë Ebu Derda (radijallahu anhu): “Çdo gjë ka një shkëlqyes (mjet pastrimi), ndërsa shkëlqyesi i zemrave është dhikri ndaj Allahut të Lartësuar” [1].

Çdo gjë ka mjetin e vet të pastrimit e shkëlqimit: hekuri, bakri dhe argjendi kanë mjetet e tyre, e po ashtu edhe zemra ka mjetin e saj. Pastrimi dhe shkëlqimi i saj bëhet përmes dhikrit ndaj Allahut – dhikër i cili rrënjoset në zemër e njëkohësisht shprehet me gjuhë.

Këto zemra ndryshken ashtu siç ndryshket hekuri dhe siç ndryshken metalet e tjera që i nënshtrohen këtij procesi, si bakri, argjendi e të tjerë. Ky dhikër e pastron zemrën duke e bërë atë si pasqyrë të qartë. Por, nëse lihet pas dore, mbi të rikthehet ajo turbullirë dhe ai ndryshk. Ashtu si pasqyra që ndryshket e mshohet nga papastërtitë duke bërë që pamja të mjegullohet e të mos jetë e qartë, në të njëjtën mënyrë ndryshket edhe kjo zemër.

Ajo ndryshket dhe sëmuret nga dy gjëra: nga pakujdesia (gafleti) dhe nga gjynahet, siç thotë el-Hafidh Ibn el-Kajjim (rahimehullah) [2]. Ndërsa pastrimi e shkëlqimi i saj nga gjynahet bëhet përmes istigfarit dhe teubes; duke bërë njeriu sa më shumë istigfar që përmban teube të sinqertë, e jo nga istigfar që mbetet thjesht në majë të gjuhës pa pasur qëllim të sinqertë për teube, largim nga gjynahu dhe kthim tek Allahu.

Sa i përket kësaj pakujdesie (gafletit), njeriu e pastron dhe e ndrit zemrën e tij prej saj përmes përkujtimit të Zotit, Shpikësit dhe Krijuesit të tij (Subhanehu ve Teala). Ndërsa, ajo zemër që mbizotërohet nga pakujdesia (gafleti) dhe e kthen mëkatin në zakon të përditshëm: duke parë gjēra që nuk i lejohen, duke konsumuar atë që nuk i lejohet, duke ngrënë atë që nuk i lejohet, duke thënë gjëra që nuk i lejohen dhe duke ecur drejt asaj që nuk i lejohet!

Çfarë mund të thuhet për gjendjen e asaj zemre, zotëruesi i së cilës ka arritur në këtë shkallë?

Një zemër e tillë bën pak dhikër dhe grumbullon shumë gjynahe; mbi të janë bërë bashkë të gjitha shkaqet e pakujdesisë (gafletit), duke e rrethuar atë nga çdo anë. Kjo zemër është mbuluar nga një ndryshk i rëndë, ndaj ka nevojë për një përpjekje të dyfishuar që ti largohet ky ndryshk përmes dhikrit të shumtë, teubes dhe istigfarit.

Ky ndryshk që bie mbi zemra krijohet në përpjesëtim të drejtë me shkallën e pakujdesisë (gafletit) dhe me përfshirjen e zemrën në epshe e gjynahe. Problemi qëndron se ky ndryshk vepron si ai që mbulon pasqyrën, për shkak të të cilit shëmbëlltyrat nuk mund të pasqyrohen më në formën e tyre reale.

​Mirëpo, zemra është edhe më e ndjeshme e më e ndikuar se pasqyra; nëse në të hidhet ky ndryshk, ajo nuk i sheh më gjërat ashtu siç janë në të vërtetë. Kësisoj, e kota i zbukurohet, e keqja (el-munkar) i paraqitet e mirë dhe konceptet nuk pasqyrohen më drejt, në mënyrë që të rrënjosen në zemër sipas realitetit të tyre. Kjo është pikërisht ajo që njihet si dobësim ose verbim i depërtueshmërisë shpirtërore (el-basireh) – basire e cila përfaqëson shikimin e vetë zemrës.

Kështu, kur prezenca e kësaj pakujdesie (gafleti) bëhet mbizotëruese, kjo do të thotë se pasqyra është mjegulluar dhe sendet nuk mund të shihen më me qartësi. Nëse xhami apo pasqyra e makinës është e mbuluar nga pluhuri dhe ndryshku në anët e saj e në mes, si do të mund t’i shohë njeriu sendet përmes saj? Do t’i shohë por të mjegulluara.

Edhe zemra preket dhe ndryshket; për rrjedhojë, ajo mund ta shohë të kotën si të vërtetë, e të vërtetën si të kotë, mund ta shohë të keqen (el-munkar) si të mirë (el-ma’ruf), dhe të mirën si të keqe. Ti mund të debatosh me disa njerëz dhe të përpiqesh t’i bindësh me argumente nga Libri (Kurani) dhe Suneti për t’u sqaruar të vërtetën, por pa asnjë dobi; sepse ai nuk i sheh më ato gjëra në trajtën e tyre reale. Ai e sheh të keqen si diçka të mirë e të drejtë. E kur robi arrin në këtë gjendje, dhe kjo rëndohet mbi zemrën e tij nga pakujdesia e lënia pas dore, atëherë aty krijohet ndryshku i rëndë (el-ran); ai grumbullohet dhe formon një shtresë të trashë e të dendur:

كَلَّا بَلْ رَانَ عَلَى قُلُوبِهِمْ مَا كَانُوا يَكْسِبُونَ

“Nuk është ashtu! Porse veprat e tyre [të këqija] u janë bërë ndryshk mbi zemrat e tyre.” [El-Mutaffifin: 14].

E kur krijohet një ndryshk i tillë (ran), zemra verbohet e zhytet në të kotë e në epshe; ajo nuk zgjohet më nga gafleti i saj, nuk kthehet nga humbja dhe nuk zmbrapset nga gjynahu, mëkati apo kryerja e harameve. Përkundazi, vazhdon e zhytet në to deri në vdekje – me përjashtim të atij që e mëshiron Allahu (Tebareke ve Teala).

Njeriu mund të arrijë një pleqëri të thyer, mund të goditet nga sëmundje të rënda e mjekët t’i thonë: “Ditët e tua janë të numëruara”, e përsëri mbetet në të njëjtën kotësi: pa teube, pa kthim, pa u sqaruar nga e vërteta dhe pa kërkuar shlyerje (falje) për ato gjynahe, të këqija e shkelje. Asnjëherë! Këmbëngulje deri në vdekje!

Kjo i shpjegon ato raste që i shohim e i dëshmojmë me sytë tanë, ku njerëzit mbeten në shkatërrim, në të keqe e humbje deri në frymën e fundit. Kjo ndodh kur zemra arrin në këtë nivel ndryshku (ran) – perde të dendura që zënë vend mbi këtë zemër, ku nuk depërton më asnjë këshillë, nuk pranohet udhëzimi dhe nuk ka asnjë ndikim, qoftë edhe nëse i paraqiten të gjitha argumentet apo i vijnë paralajmërime nga më të ndryshmet, qofshin ato materiale apo shpirtërore. Ai nuk pranon, nuk kthehet, nuk bën teube dhe nuk preket; një zemër e tillë nuk e njeh të mirën (ma’ruf) dhe nuk e lufton të keqen (munkar), ashtu siç ka thënë Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) në hadithin e njohur:

“Fitnet do t’i shfaqen zemrave [një nga një] si thurja e rrogozit, thurje pas thurjeje…” [3].

Këto sprova me të cilat përballemi ditë për ditë – diku një skenë e ndaluar e atje një tjetër, këtu një kontratë ndaluar e atje një mëkat që lidhet me ushqimin apo me diçka tjetër – secila lë gjurmën e vet: çdo gjynah prej tyre është një pikë e zezë në zemër.

“Fitnet do t’i shfaqen zemrave si thurja e rrogozit, thurje pas thurjeje. Prandaj, çdo zemër që i thith ato (fitnet), mshohet me një pikë të zezë, ndërsa çdo zemër që i refuzon ato, mshohet me një pikë të bardhë. Kjo vazhdon derisa zemrat të ndahen në dy lloje: njëra e zezë e murrme, si një enë e përmbysur, që nuk njeh të mirën (ma’ruf) dhe nuk e lufton të keqen (munker) – sepse ena kur është e përmbysur, nuk mund të mbajë asnjë pikë uji brenda saj – përveç asaj që i përshtatet epshit; dhe tjetra e bardhë si shkëmbi i lëmuar, të cilën nuk mund ta dëmtojë asnjë fitne për sa kohë të ekzistojnë qiejt dhe toka.”

E cili është shtegu drejt shpëtimit nga fitnet dhe nga të gjitha llojet e tyre?

Disa njerëz tregojnë papërgjegjshmëri ndaj këtyre çështjeve dhe thonë: “Diskutimi mbi këto tema, bisedat rreth dhikrit, diskutimet rreth veprave të zemrës, apo edhe ndalimi i të këqijave (en-nehju anil-munker) – këto janë gjëra me të cilat njeriu nuk duhet të humbë kohë.” Me se duhet të merret njeriu, sipas tyre?

Sipas pretendimit të tyre, ai duhet të merret me “reformën e përgjithshme” dhe me “çështjet e mëdha”. Por si mund të realizojë reformë të përgjithshme ai që ka shkatërruar e humbur vetë zemrën e tij?

Si mund të sjellë përmirësim ai që është i sprovuar dhe mbi të cilin godasin vazhdimisht këto fitne, ndërsa zemra e tij vijon t’i përthithë ato? Atij të cilit i është errësuar zemra, ai që nuk e njeh Zotin e tij, që nuk e përmend Atë dhe që nuk ia ka ndriçuar zemrën dhikri i Allahut (Tebareke ve Teala) – si do të mundet t’u ndriçojë rrugën të tjerëve?

Si do të mund të udhëzojë e të orientojë dikush, kur vetë zemra e tij nuk ka arritur udhëzimin e drejtë e të kërkuar?

Çështja nuk është te termat e zbukuruar dhe fjalët e qëndisura që njeriu i thur nga vetja dhe i shpërndan gjithandej, si për shembull përmes mediave bashkëkohore, ndërkohë që shfaq nënvlerësim ndaj asaj që ka ardhur nga Allahu dhe i Dërguari i Tij (salallahu alejhi ve selem) lidhur me këto çështje e të tjera si ato – me pretendimin se po merret me gjëra më të larta, më të mëdha e më të rëndësishme. Reforma fillon me reformimin e këtij nefsi dhe reformimin e kësaj zemre; sepse i verbëri nuk mund t’u prijë njerëzve e as t’u hapë sytë atyre, mirëpo secili e ka të qartë rrugën dhe burimin e vet.

Prandaj, ky epsh, kjo pakujdesi (gaflet) dhe këto mëkate – të gjitha këto e verbojnë (vulosin) zemrën. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar ka thënë:

وَلَا تُطِعْ مَنْ أَغْفَلْنَا قَلْبَهُ عَنْ ذِكْرِنَا وَاتَّبَعَ هَوَاهُ وَكَانَ أَمْرُهُ فُرُطًا

“Dhe mos iu bind atij që ia kemi bërë zemrën të pakujdesshme ndaj përmendjes Sonë, i cili i është bindur epshit të vet dhe punët e të cilit kanë marrë tatëpjetën/janë shkatërruar.) [El-Kehf: 28].

Një njeri i tillē është i humbur dhe shpërdorues.

Hafidh Ibn el-Kajjim (rahimehullah), duke komentuar këtë ajet, thotë: “Nëse njeriu dëshiron të marrë dikë si shembull – nëse dëshiron të ndjekë ndonjë nga njerëzit – le të shikojë: a është ai prej njerëzve të dhikrit apo prej të pakujdesshmëve (gafilëve)? Shenja dhe treguesi i parë është ky: a udhëhiqet ai nga epshi apo nga Shpallja (vahji)?” Më tej vazhdon: “Nëse ai udhëhiqet nga epshi dhe është prej njerëzve të gafletit, atëherë puna e tij është e shkatërruar.” [4].

Një njeri i tillë nuk meriton të merret si shembull; ai është i pakujdesshëm dhe e ka humbur detyrën që duhej ta zbatonte e ta kryente. Si mund të shpresohet atëherë shpëtim, udhëzim e pjekuri shpirtërore nga ndjekja e tij?

Po ashtu, Hafidh Ibn el-Kajjim thotë: “Njeriu duhet të vëzhgojë mësuesin, udhërrëfyesin dhe atë që e ndjek: nëse e gjen në këtë gjendje negative, le të largohet prej tij.” [5]. Por, nëse e gjen zemrën e tij të mbushur plot me dhikrin e Allahut të Lartësuar dhe gjuhën e tij të njomë me përmendjen e Tij – një njeri me zemër të gjallë, që bën shumë dhikër dhe ka lidhje të fortë me Zotin e vet – atëherë kjo është zemra që merr dritë. Për një njeri të tillë, thotë Ibn el-Kajjimi, le të kapet fort pas gjurmëve të tij, sepse ai është në rrugë të drejtë dhe mbi udhëzim të qartë.

Ky dhikër na dhuron gjallërinë e kësaj zemre dhe largon ndryshkun; dhikri për zemrën është si uji për të mbjellat.

Shejhul-Islam Ibn Tejmije (rahimehullah) thotë: “Dhikri për zemrën është si uji për peshkun” [6]. E si bëhet gjendja e peshkut kur ndahet nga uji?

Ai përplaset me panik e pastaj nuk vonon shumë, ftohet dhe ndahet nga jeta. E njëjtë është edhe gjendja e zemrës: ky dhikër është ushqimi i zemrave dhe i shpirtrave. Prandaj, nëse mes zemrës dhe dhikrit vendoset një pengesë, apo nëse njeriu e lë atë pas dore, e harron dhe e shpërfill, zemra merr statusin e trupit që privohet nga ushqimi. E çfarë i ndodh trupit në një rast të tillë?

Dobësim, zbehje, vyshkje e pastaj vdekje e sigurt! Prandaj, dhikri për zemrën është shumë më i madh e më jetik sesa ushqimi për trupin.

Ibn el-Kajjim thotë: “Një herë qëndrova me Shejhul-Islamin: ai fali sabahun dhe pastaj ndenji duke përmendur Allahun e Lartësuar pothuajse deri në mesditë” – domethënë afër kohës së drekës, një ndenjie e tërë me dhikër –

“Pastaj u kthye nga unë e më tha: ‘Ky është ushqimi im i mëngjesit; po të mos e haja, do të më binte e do të më shteronte fuqia'” [7].

Ky ishte Shejhul-Islami – i cili ishte imami i botës në kohën e tij, e nga dituria e të cilit vazhdojnë të ushqehen deri sot dijetarët që ndjekin rrugën e saktë në akide dhe që i përmbahen Sunetit! Ashtu siç thoshte një nga nxënësit e tij kur u burgos dhe u maltretua: ai i porosiste nxënësit e vet për shpërndarjen e librave dhe diturisë së ibn Tejmijes, duke u thënë: “Do të vijnë burra që sot janë ende në kurrizin e baballarëve të tyre dhe do të përfitojnë nga këta libra.” Ai i porosiste për librat e Shejhul-Islamit.

Pra ky dijetar i madh ulej deri në mesditë duke përmendur Allahun e Lartësuar dhe thoshte: po të mos e bëja këtë, do të më shteronin fuqitë.

Atëherë, çfarë mund të thuhet për ne të shkretit, të dobëtit e të pakujdesshmit?

Sa kohën e kalojmë në dhikër? Sa është ajo kohë, kur ndoshta më i miri prej nesh është ai që ulet gjysmë ore pas namazit të sabahut dhe pas namazit të ikindisë? Kjo gjë shpjegon fare thjesht e në mënyrë të qartë atë që vuajmë nga dobësia përballë sprovave e fatkeqësive – ku nuk arrijmë të përmbahemi – apo dobësinë tonë përballë epsheve, ku hedhim hapat drejt kryerjes së tyre dhe kështu e kundërshtojmë Allahun e Lartësuar mëngjes e mbrëmje! Kjo është ajo që shpjegon atë egërsi e vetmi që ndiejmë në gjokset e në zemrat tona, dhe kjo shpjegon ato frikëra me burim të panjohur që hera-herës mbizotërojnë në shpirtrat tanë.

Shejhul-Islam Ibn Tejmije thotë: “Nuk e lë dhikrin përveçse me qëllimin për t’i dhënë pushim e çlodhje vetes sime, në mënyrë që përmes këtij pushimi të përgatitem për dhikrin tjetër” [8].

Atëherë, çfarë mund të thuhet për atë që tërë kohën e ka pushim: çdo natë dalje me shoqërinë, çdo ditë në restorante, e në kohët e tjera endje këtu e atje – duke mbetur mes gjumit e argëtimit, derisa erdhën këto pajisje teknologjike që e vodhën edhe atë pak kohë që kishte mbetur?

Me të gjitha këto mjete, kur do të bëhet ky dhikër? E sheh ndonjërin se si i është tharë gjuha e pothuajse nuk e përmend fare Zotin e tij (Tebareke ve Teala), e pastaj ankohet: “Po vuaj!” Domosdo që do të vuash!

O vëllezër, të gjitha këto – ngrënia, pirja, kënaqësitë, defrimet, marrëdhëniet bashkëshortore, shëtitjet e të tjera si kjo – janë vetëm çlodhje e përkëdhelje për trupin e përbërë nga gjaku, mishi, eshtrat e nervat. Ndërsa shpirti nuk mund të ketë kurrsesi rehati, kënaqësi, gëzim e mirëqenie përveçse duke u lidhur fort me Zotin e Krijuesin e tij (Subhanehu ve Teala). Sipas shkallës së kësaj lidhjeje, me lejen e Allahut të Lartësuar asgjë nuk e dëmton atë; asgjë nuk e lëndon për sa kohë të ekzistojnë qiejt dhe toka, e prej tij do të largohen të gjitha ato frikëra dhe do të tjetërsohen ato iluzione.

Zemra ka një varfëri të natyrshme brenda vetes, ka një zbrazëti e nevojë – siç thotë Shejhul-Islami dhe siç shprehet Ibn el-Kajjim (rahimehullah) [9] – e cila nuk plotësohet përveçse me këtë dhikër, origjina e burimi i të cilit është në zemër e pastaj rrjedh në gjuhë. Ky është dhikri që e zhduk skamjen shpirtërore e e mbush zbrazëtinë, kështu që zotëruesi i tij bëhet i pasur pa përvetësuar pasuri, i fuqishëm dhe me dinjitet pa pasur fis, e me autoritet e peshë pa pasur pushtet! Ndërsa tek i pakujdesshmi (gafili) është krejt e kundërta: ai mbetet i varfër edhe pse ka bollëk, i poshtëruar edhe pse ka pushtet, e i shpërfillur edhe pse ka farefis. Po ashtu, ka edhe çështje të tjera që lidhen me zemrën, por koha nuk na premton t’i përmendim në këtë tubim.

E lus Allahut të Lartësuar t’i përmirësojë zemrat e veprat tona, të na udhëzojë drejt fjalëve e punëve më të mira, të na furnizojë neve dhe juve me sinqeritet e qëllim të pastër, si dhe të na ndihmojë në dhikrin e Tij, falënderimin e Tij e adhurimin e mirë ndaj Tij. O Zoti ynë, na fal neve, prindërit tanë dhe vëllezërit tanë besimtarë! Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe mbi familjen e tij!

Autor: Dr. Halid bin Uthman es Sebt

Përktheu: Fatjon Isufi

(1) Shuab el-Iman (2/ 63), nr. (520).

(2) El-Vabil es-Sajjib min el-Kelim et-Tajjib (fq. 40).

(3) Transmeton Muslimi, “Libri i Imanit”, Kaptina mbi sqarimin se Islami filloi si i huaj dhe do të kthehet si i huaj, nr. (144).

(4) El-Vabil es-Sajjib min el-Kelim et-Tajjib (fq. 41).

(5) El-Vabil es-Sajjib min el-Kelim et-Tajjib (fq. 41).

(6) El-Vabil es-Sajjib min el-Kelim et-Tajjib (fq. 42).

(7) El-Vabil es-Sajjib min el-Kelim et-Tajjib (fq. 42).

(8) Shih: El-Vabil es-Sajjib min el-Kelim et-Tajjib (fq. 42).

(9) Shih: El-Ubudijjeh (fq. 97), Mexhmu el-Fetava (10/ 194), dhe Medarixh es-Salikin (1/ 439).

 

Dosje: ,

Loading...