Muaji i Ramazanit është muaji më i mirë dhe më me vlerë nga të gjithë muajt e vitit. Allahu i Lartmadhëruar e ka veçuar atë duke e bërë obligim agjërimin e tij dhe shtyllën e katërt nga shtyllat e Islamit. Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Islami ngrihet mbi pesë (shtylla): Dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit, dhe kryerja e haxhit në Shtëpinë e shenjtë (Qabe).”[1]
Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të bëheni të devotshëm.”[2]
Ky ajet fisnik tregon se agjërimi është një adhurim i vjetër, i cili ka qenë obligim dhe te popujt para nesh.[3]
Saktësohet nga i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, se ai i përgëzonte shokët e tij për ardhjen e muajit të Ramazanit.[4] Transmetohet nga Ebu Hurjera, radijAllahu anhu, se ka thënë: I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i përgëzonte shokët e tij duke thënë: “Ju ka ardhur muaji i Ramazanit, muaji i begatë në të cilin Allahu e ka bërë obligim agjërimin e tij. Në këtë muaj hapen dyert e xhenetit dhe mbyllen dyert e xhehenemit, ndërsa shejtanët prangosen. Në të gjendet një natë e cila është më e mirë se një mijë muaj. Kush privohet nga mirësia e saj, ai është privuar nga shumë (çdo mirësi)”.[5]
I Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i përgëzonte shokët e tij me ardhjen e këtij muaji madhështor, dhe i nxiste që përgjatë tij të përpiqen shumë në vepra të mira; në kryerjen e namazeve të obligueshme e vullnetare, në dhënien e lëmoshës, në ndihmën ndaj të tjerëve, në durim gjatë kryerjes së veprave të mira, në agjërim gjatë ditës dhe namaz gjatë natës. Të preokupohen me përmendje të Allahut, me falënderim ndaj Tij, me tesbih (subhanAllah), me tehlil (la ilahe il-lAllah) dhe me lexim të Kuranit.[6]
Dobitë që përfitohen:
E para: Ky hadith është baza për urimin që njerëzit i bëjnë njëri-tjetrit me ardhjen e muajit të Ramazanit. E si mos të përgëzohet besimtari me hapjen e dyerve të xhenetit? Si mos të përgëzohet mëkatari me mbylljen e dyerve të zjarrit? Si mos të përgëzohet njeriu i mençur me kohën në të cilën prangosen shejtanët?[7]
Shejh Meshhur Al Selman, Allahu e ruajtë, thotë: Nga ky hadith dijetarët kanë nxjerrë argumentin për lejimin e urimit me ardhjen e Ramazanit. Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Ju ka ardhur muaji i Ramazanit”, nga e cila përftohet lejimi i urimit. Imam Ahmedi nuk fillonte i pari me urim, por nëse e uronin, ai ua kthente atë.[8]
E dyta: Pritja e duhur për këtë mysafir (Ramazanin) nuk është duke u furnizuar me lloje të ndryshme të ushqimit dhe pijeve. Gjëja më e rëndësishme është mësimi i dispozitave të tij, në mënyrë që ta adhurojmë Allahun bazuar mbi argumente.[9]
Shejh Ibën Uthejmini thotë: “Është për të ardhur keq se si shumë agjërues nuk dallojnë mes ditëve kur janë agjërues dhe ditëve të tjera. I sheh në gjendjen e njëjtë sikur në ditët para agjërimit; duke folur fjalë të ndaluara, gënjeshtra, mashtrime etj. Tek ata nuk e sheh seriozitetin e agjërimit. Këto vepra nuk e prishin agjërimin, mirëpo pakësojnë shpërblimin. Madje ndodh që gjatë vlerësimit ato gjëra t’ua humbin tërë shpërblimin e agjërimit.[10]
E treta: Nxitja e njerëzve për shtimin e të mirave në këtë muaj të begatë, si; namazet vullnetare, leximi i Kuranit, dhënia e sadakasë etj. Shejh Ibën Uthejmini thotë: Ta shfrytëzojmë këtë muaj duke bërë vepra të mira, duke lexuar Kuran, duke falur namaz vullnetar, duke dhënë lëmoshë, duke u sjellë mirë me prindërit, duke i mbajtur lidhjet farefisnore dhe duke u pajisur me moral të mirë. Ngase ndodh që njeriu të mos e arrijë këtë muaj vitin tjetër.[11]
Shkroi: Unejs Sheme
————————————————–
[1] Buhariu me nr. 8, Muslimi me nr. 16.
[2] El Bekare: 183.
[3] “Mexhmu fetaua ue mekalat” vëll. 15, i Shejh Ibën Baz.
[4] “Mexhmu fetaua ue mekalat” vëll. 15, i Shejh Ibën Baz.
[5] Hadith sahih. E ka saktësuar shejh Albani në “Sahihu et-tergib”, vëll. 1.
[6] Shejh AbduRrazak el Bedër në “Istikbalu shehri Ramadan”.
[7] Hafidh Ibën Rexhebi në “Letaiful mearif”.
[8] Shkëputur nga ligjërata: “Si duhet ta presim Ramazanin?”
[9] Salih Sindi.
[10] “Fetaua Ibën Uthejmin” 1/502.
[11] “El-lika esh-shehrij.”
Dosje: Tesbih
Të Ngjashme
- Drejtësia – Themeli i qëndrueshmërisë së shoqërisë Shehul-Islam Ibn Tejmije
- Zullumi – rrënuesi i popujve dhe shoqërive Dr. Fatmir Strumi
- Një lutje që rikthen qetësinë e zemrës pas trishtimit Udha e Besimtarëve
- Përmendja e shpeshtë e Allahut Dr. Fatmir Strumi
- Agjërimi i gjashtë ditëve të Sheualit kur ka ditë të mbetura nga Ramazani Dr. Fatmir Strumi