Allahu i Lartësuar ka thënë: “Dhe Ai është që e bëri natën dhe ditën të zëvendësojnë njëra-tjetrën, për cilindo që dëshiron të përkujtohet ose të falënderojë.”
Duket se interpretimi më i afërt, dhe Allahu e di më së miri, është se secila prej tyre është zëvendësuese e tjetrës; nëse robi humb një vepër në njërën prej tyre ai mund ta plotësojë atë në tjetrën. Kjo është transmetuar nga Umeri dhe Ibën Abasi, si dhe nga Seid bin Xhubejr, Ikrima, Hasani, Katade dhe Mukatili.
Ky ajet sjell ngushëllim për zemrat e besimtarëve duke treguar se në atë që vjen më pas ka një zëvendësim për atë që është lënë pas. Ditët kalojnë dhe netët perëndojnë, por Zoti ynë është i Gjallë dhe Mbikqyrës. Duart e Tij janë të hapura duke dhënë pandërprerë natë e ditë, gjatë Ramazanit dhe jashtë tij.
Çdo natë në një të tretën e fundit Ai zbret, dhe thotë: “A ka ndonjë që kërkon që t’i jap? A ka ndonjë që lutet t’i përgjigjem?”
Madje, në thirrjen e ezanit të akshamit që shënon largimin e Ramazanit hapen dyert e qiellit.
Pra ngushëllohu, sepse ka takime gjatë sexhdes dhe në lutjet ndërmjet ezanit dhe ikametit, gjatë shiut, gjatë udhëtimit dhe sa herë që thua: “O Zoti im!”
Çdo ditë e jetës është një mundësi për t’u afruar me Zotin tënd; lutjet, sadakatë, leximi i Kuranit, agjërimi, bamirësia dhe mirësia, dyert për këto vepra janë gjithmonë të hapura.
Zoti yt i Madhërishëm thotë:
“Kushdo që më afrohet një pëllëmbë i afrohem një krah; kushdo që më afrohet një krah dhe kushdo që vjen tek Unë duke ecur, i shkoj duke vrapuar.”
Në çdo kohë, në çdo ditë, në çdo muaj, në çdo vit, deri në frymën e fundit.
Shkroi: Dr. Abdullah bin Belkasim
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: agjerimi
Të Ngjashme
- Si të përfitosh nga nata e 27-të e muajit Ramazan Udha e Besimtarëve
- Jemi në ditët më me vlerë të muajit Ramazan Emin Bilali
- Gëzohu që je në këto dhjetë netë të bekuara Udha e Besimtarëve
- Muaji i Ramazanit sezon i ahiretit andaj le ta shrytëzojnë muslimanët Shejh Abdulmuhsin Abad
- Kështu e ndiejmë më shumë Ramazanin Fatjon Isufi