Hadithet e Profetit ﷺ që nxisin kërkimin e natës së Kadrit janë të shumta.
Ajo është një natë që vlen më shumë se një mijë muaj adhurim, pra më shumë se 83 vite e 4 muaj.
Në hadithe të shumta theksohet se ajo është në netët teke të dhjetëshes së fundit të Ramazanit.
Shumë dijetarë janë të mendimit se nata e Kadrit është nata e 27-të.
Megjithatë, shumë të tjerë, duke u bazuar në mbledhjen e të gjitha haditheve, vlerësojnë se ajo mund të ndryshojë nga viti në vit brenda dhjetë netëve të fundit teke.
Ky i fundit konsiderohet si mendimi më i saktë, pasi në të bashkohen të gjitha argumentet e transmetuara në lidhje me natën e Kadrit.
Sidoqoftë, është e sigurt se kjo natë bën pjesë në dhjetë netët e fundit të Ramazanit, madje në netët teke.
Profeti ﷺ na ka nxitur që gjatë këtyre netëve t’i shtojmë adhurimet tona.
Muslimani duhet të përpiqet që në këto netë të shtojë:
- Namazin e natës: Duke qëndruar para Allahut me përulësi dhe sinqeritet.
- Dhikrin dhe lutjet: Duke kërkuar falje dhe duke i shprehur Allahut nevojat e tij.
- Leximin e Kuranit: Duke medituar mbi fjalët e Allahut.
- Istigfarin: Me pendim të sinqertë për gabimet dhe gjynahet.
Prej lutjeve më të mira që mund të thotë besimtari në natën e kadrit është lutja që Profeti ﷺ ia mësoi Aishes, radijallahu anha, kur ajo e pyeti:
“O i Dërguar i Allahut, nëse e gjej natën e Kadrit, çfarë lutjeje të them? Ai ﷺ u përgjigj:
اللَّهُمَّ إِنَّكَ عَفُوٌّ تُحِبُّ الْعَفْوَ، فَاعْفُ عَنِّي
Allahumme inneke afuun tuhibbul afua feafu anni.
(O Allah, Ti je Falës, e do faljen, prandaj më fal mua!)”
(Transmeton Ahmedi, Tirmidhiu, Ibn Maxheh etj.)
Ky hadith tregon qartë se lutja në natën e Kadrit është e pranuar tek Allahu i Lartësuar. Pikërisht, kjo është arsyeja pse Aisha, radijallahu anha, kërkoi një lutje specifike që t’i lutej Allahut në atë natë të bekuar.
Ndaj mos e humb këtë mundësi!
Ndoshta kjo është nata që do të ndryshojë jetën tënde përgjithmonë; nata në të cilën falen gjynahet dhe dyert e pranimit të lutjeve janë të hapura për çdo lutës.
Dosje: Muaji i Ramazanit, Nata e Kadrit
Të Ngjashme
- Agjërimi i gjashtë ditëve të Sheualit kur ka ditë të mbetura nga Ramazani Dr. Fatmir Strumi
- Vlera e agjërimit të gjashtë ditëve të Sheualit Dr. Fatmir Strumi
- Prej dispozitave të sadakasë së Fitrit Dr. Fatmir Strumi
- Përgatitja para hyrjes së muajit të Ramazanit Dr. Fatmir Strumi
- Veçimi i natës apo ditës së Miraxhit me vepra të veçanta është prej bidateve Dr. Fatmir Strumi