Nga gjërat më të dobishme që mund të bëjë muslimani para ardhjes së muajit të Ramazanit, është përgatitja në disa aspekte:
Përgatitja me dije (aspekti teorik)
Besimtari përgatitet duke mësuar dispozitat e këtij muaji, duke ndjekur mësimet dhe ligjëratat fetare sidomos ato që lidhen me rregullat e agjërimit. Kërkimi i dijes fetare është obligim në vetvete dhe ndër veprat më të dashura te Allahu i Lartësuar. Mjafton si tregues për vlerën e dijes fjala e Allahut:
يَرْفَعِ اللَّهُ الَّذِينَ آمَنُوا مِنْكُمْ وَالَّذِينَ أُوتُوا الْعِلْمَ دَرَجَاتٍ
“Allahu do t’i ngrejë në gradë të larta ata që besuan prej jush dhe ata të cilëve u është dhënë dija.” | El Muxhadele: 11.
Gjithashtu, Profeti ﷺ ka thënë:
من يرد الله به خيرًا يفقهه في الدين
“Atij që Allahu ia do të mirën, ia mundëson kuptimin e fesë.” (Buhariu dhe Muslimi)
Ky obligim bëhet akoma më i theksuar kur nevojitet praktikisht, si për shembull: mësimi i rregullave të agjërimit para hyrjes së Ramazanit, mësimi i rregullave të haxhit para kryerjes së tij, e kështu me radhë.
Përgatitja shpirtërore dhe praktike
Muslimani përgatitet për këtë muaj para se ai të vijë. Ai i paraprin ritualeve të Ramazanit duke shtuar agjërimin vullnetar veçanërisht në muajin para tij, ashtu siç vepronte Profeti ﷺ. Gjithashtu, ai shpeshton leximin e Kuranit, shton namazet nafile, përmendjen e Allahut, dhënien sadaka, istigfarin … etj.
Përgatitja për Ramazan fillon para hyrjes së tij
Besimtari fillimisht pastron zemrën e tij nga gjithçka që nuk i ka hije, e adhuron Allahun me sinqeritet dhe duke pasuar rrugën e Profetit ﷺ , i kërkon falje Allahut për gjynahet e tij, shkëputet dhe distancohet nga gjithçka që e hidhëron Allahun.
Gjithashtu, prej veprave të pëlqyera është shtimi i agjërimit gjatë muajit Shaban sikurse Profeti ﷺ vepronte.
Aisha, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se nuk e ka parë Profetin ﷺ të agjëronte në ndonjë muaj tjetër përveç Ramazanit, aq shumë sa agjëronte në Shaban; madje ai e agjëronte Shabanin thuajse të gjithin. (Buhariu dhe Muslimi)
Shumë prej selefëve e quanin muajin Shaban (muaji para Ramazanit) “muaji i hafizave”, pasi gjatë tij – sidomos imamët e xhamive – fillonin përsëritjen intensive të Kuranit në mënyrë që të ishin të përgatitur për namazin e Teravive dhe namazin e natës në Ramazan.
Habib bin Ebi Thabit (v. 119H) dhe Seleme bin Kuhejl (v. 122H) tregojnë se njerëzit (në kohën e tabiinëve) e quanin muajin Shaban ”muaji i hafizave”. (“Letaiful mearif”, fq. 242.)
Ndaj ai që dëshiron ta shfrytëzojë Ramazanin siç duhet le ta nisë përgatitjen që para ardhjes së tij; me njohjen e dispozitave të tij, me adhurim të sinqertë dhe me pastrim të zemrës. Lusim Allahun e Lartësuar të na mundësojë ta arrijmë Ramazanin të përgatitur, ta jetojmë me vepra të mira dhe ta përfundojmë me falje, mëshirë dhe shpëtim nga zjarri i Xhehenemit!
Dosje: Përgatitja për Ramazan
Të Ngjashme
- Festat joislame – Dita e 1 Majit Dr. Fatmir Strumi
- Kushtet e lutjes së pranuar Udha e Besimtarëve
- Agjërimi i gjashtë ditëve të Sheualit kur ka ditë të mbetura nga Ramazani Dr. Fatmir Strumi
- Vlera e agjërimit të gjashtë ditëve të Sheualit Dr. Fatmir Strumi
- Prej dispozitave të sadakasë së Fitrit Dr. Fatmir Strumi