Prej dispozitave të kurbanit është që për çdo familje mjafton një kurban i vetëm. Nëse një nga pjesëtarët e familjes e kryen, ai mjafton për të gjithë.
Gjithashtu, personi i cili vendos të therë kurban nuk duhet të presë apo të heqë flokët, qimet e trupit apo thonjtë, duke filluar nga dita e parë e muajit Dhul-Hixhe (e cila këtë vit pritet të jetë të hënën më 18 Maj).
Ummu Seleme, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Kur të hyjë muaji Dhul-Hixhe dhe ndonjëri prej jush dëshiron të bëjë kurban, le të mos heqë (presë) gjë prej flokëve dhe të mos i shkurtojë thonjtë.”
(Muslimi)
Në këtë hadith sqarohet se heqja e flokëve dhe e qimeve nga cilado pjesë e trupit, është e ndaluar për atë person që ka vendosur të presë kurban.
Ky gjykim vlen vetëm për kryefamiljarin (apo atë që vendos dhe paguan për kurbanin) dhe jo për të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes, e as për ata për të cilët theret kurbani.
Ky gjykim përfshin çdo person që ka marrë vendimin për të bërë kurban, edhe nëse nuk e ther atë vetë me duart e tij.
Gjithashtu, nëse dikush nuk e ka pasur në plan të bëjë kurban por vendos për këtë pasi ka filluar muaji Dhul-Hixhe, nuk ka asnjë problem nëse i ka prerë flokët apo thonjtë më parë.
Megjithatë, nga momenti që merr vendimin për të bërë kurban, ai nuk duhet t’i prekë më flokët e as thonjtë derisa kurbani të theret.
Shejh Ibn Uthejmini (v. 1421 H /2001 G) sqaron:
Dijetarët kanë mendime të ndryshme lidhur me këtë ndalim: A është ai mekruh (i papëlqyer) apo është haram?
Mendimi më i saktë është haram sepse ky është parimi për çdo ndalim në tekstet fetare, përveç nëse ka ndonjë argument që e tregon se nuk është për ndalim të prerë, dhe në këtë rast nuk ka një argument të tillë.
Sa i përket urtësisë së kësaj ndalese – dhe Allahu e di më së miri – është se personi që dëshiron të bëjë kurban merr pjesë në një vepër të ngjashme me veprat e haxhiut, që është afrimi te Allahu me therje të kurbanit. Atëherë është nga urtësia që t’i jepen edhe disa nga rregullat e haxhiut, si ndalimi i prerjes së flokëve dhe thonjve gjatë kësaj periudhe.
(“Ahkamul ud’hije” 2/255.)
Të Ngjashme
- Hytbe e Sygjeruar për Kurban Bajramin Udha e Besimtarëve
- Kur Feja Kthehet në Tifozllëk dhe Fanatizëm Individësh Shehul-Islam Ibn Tejmije
- Paralajmërimi i shejh AbdulAziz bin Baz nga fitneja e tebdiut dhe texhrihut Dr. Fatmir Strumi
- Suneti është shpallje nga Allahu sikurse Kurani – 1 – Udha e Besimtarëve
- Festat joislame – Dita e 1 Majit Dr. Fatmir Strumi