Festat jo-islame; Dita e 1 Majit si Shembull

April 29, 2026

Enes bin Malik (radijAllahu anhu) tregon se kur Profeti ﷺ mbërriti në Medine, banorët e saj dëfreheshin dhe luanin në dy ditë të caktuara. Profeti ﷺ i pyeti: “Çfarë janë këto dy ditë?”

Ata i thanë: “Dëfreheshim në to në kohën e xhahilijes (para Islamit).”

Ai ﷺ u tha: “Allahu ua ka ndërruar ato me dy më të mira: Ditën e Fitrit dhe Ditën e Kurbanit.”

(Transmeton Ebu Daudi, Nesaiu, Ahmedi dhe Hakimi; e saktësuar nga Hakimi, Ibn Tejmije, Albani… etj).

Nga ky hadith kuptohet se nuk lejohet kremtimi i asnjë feste, përveç atyre që ka përmendur i Dërguari i Allahut ﷺ.

Festa përfshin çdo ditë në të cilën njerëzit mblidhen dhe e festojnë atë, duke e veçuar nga ditët e tjera të vitit; gjithashtu, këtu hyn edhe veçimi i një vendi të caktuar me veprime apo rituale të caktuara.

Kremtimi i festave jo-islame, në rastin më minimal, konsiderohet përgjasim me jobesimtarët, dhe kjo është e mjaftueshme për t’u konsideruar e ndaluar, e në rast se kanë prapavijë fetare apo lidhen me ideologji që bien hapur ndesh me Islamin, atëherë është akoma më e rëndë.

Të njëjtin gjykim kanë edhe festat e tjera të shpikura që praktikohen nga shumë njerëz, si: ditëlindja, dita e nënës, dita e mësuesit, dita e punëtorëve, etj. Të gjitha këto përmbajnë përgjasim me jobesimtarët.

Ndërkohë, Profeti ﷺ ka thënë: “Kush përngjasohet me një popull, ai është prej tyre.”

(Transmetuar nga Ebu Daudi dhe Ahmedi).

Në hadithe të shumta, Profeti ﷺ ka paralajmëruar se muslimanët do të ndjekin traditat e popujve të tjerë.

Ebu Seid el Hudri tregon se Profeti ﷺ ka thënë: “Do të pasoni traditat e atyre që kanë qenë para jush, pëllëmbë për pëllëmbë, derisa nëse ata hyjnë në folenë e hardhucës, edhe ju do të hyni.” I thanë: “O i Dërguar i Allahut, të jehudëve dhe të krishterëve?” Ai tha: “Të kujt tjetër?!”

(Transmeton Buhariu dhe Muslimi).

Në një hadith tjetër, Ebu Hurejra përcjell se Profeti ﷺ thotë: “Nuk do të vijë Dita e Gjykimit derisa populli im të ndjekë popujt e mëparshëm, pëllëmbë pas pëllëmbë dhe pash pas pashi.” I thanë: “O i Dërguar i Allahut, persët dhe romakët?” Tha: “E kush mund të jenë veç tyre?!”

(Transmeton Buhariu).

Ajo për të cilën na ka paralajmëruar i Dërguari i Allahut ﷺ po ndodh, pasi umeti ynë po ndjek zakonet dhe veprimet e popujve të tjerë.

Edhe nëse një festë në dukje nuk është pagane apo nuk përmban kufr në vetvete, ajo prapëseprapë mbetet e ndaluar, dhe kjo pasi çdo popull ka festat e veta, dhe festat e muslimanëve janë dy Bajramet, sikurse ka treguar i Dërguari i Allahut ﷺ.

Për shembull, në fenë Islame:

  • Punëtori: Islami urdhëron punën dhe vlerëson punëtorin gjithmonë, prandaj nuk ka nevojë për një ditë të veçantë në vit. Prej obligimeve fetare është që njeriu të punojë përderisa mundet, të sigurojë të ardhurat që i nevojiten, dhe është ndaluar rreptësisht që ai të jetojë duke kërkuar nga të tjerët.
  • Nëna: Respektohet çdo ditë, pasi ajo është portë për në Xhennet; mosrespektimi, si dhe mosbindja ndaj saj – e njëjta gjë vlen edhe për babain – është nga gjynahet më të mëdha.
  • Mësuesi: Çdo njeri që përhap diturinë e dobishme është i respektuar në çdo kohë; madje, shpërblehet edhe pas vdekjes për sa kohë që njerëzit përfitojnë nga ajo dituri.

Shejh Ibn Bazi (v. 1420H/1999G) në lidhje me festimin e ditës së nënës thotë:

“Nuk ka dyshim se veçimi i një dite të vitit për të festuar nderimin e nënës apo të familjes është prej risive të cilat nuk i ka vepruar i Dërguari i Allahut ﷺ, e as shokët e tij.

Argumentet për mirësjelljen ndaj prindërve dhe mbajtjen e lidhjeve me të afërmit janë të shumta dhe të qarta. Këto argumente obligojnë nderimin e tyre gjatë gjithë vitit.

Kjo është shumë më e rëndësishme se ajo që kanë shpikur perëndimorët – festimin e një dite të vetme, ndërkohë që pjesën tjetër të vitit e anashkalojnë mirësjelljen ndaj prindërve.

Një njeriu të mençur nuk mund t’i fshihet dëmi i madh që vjen prej kësaj, pasi është në kundërshtim me fenë e Allahut.

Të njëjtin gjykim kanë edhe festat e tjera të shpikura, si festimi i ditëlindjeve, festës së pavarësisë, marrjes së detyrës si kryetar apo mbret dhe të tjera të ngjashme.

Të gjitha këto janë të shpikura dhe njerëzit, duke i praktikuar ato, kanë imituar armiqtë e Allahut dhe kanë lënë pas dore ligjin e pastër të Allahut.”

(Mexhmu’ Fetaua ue Mekalat Ibn Baz, 5/189).

Fetua të tilla kanë dhënë edhe shejh Muhammed bin Ibrahim, shehj Albani, shejh Ibn Uthejmini..etj.

Dhe e njëjta gjë vlen të thuhet edhe për ditën e punëtorit, pasi nuk ka asnjë ndryshim nga festat e përmendura më sipër. 

Dosje: , ,

Loading...