Shtjellimi i argumenteve që vërtetojnë se suneti është shpallje ashtu si Kurani.
Hyrje:
Nuk njihet ndonjë profet tjetër përveç profetit Muhamed ﷺ, jeta dhe suneti i të cilit t’i jetë kushtuar një kujdes kaq i madh, hadithet e tij të jenë numëruar me aq saktësi dhe të jenë regjistruar me përpikmëri të jashtëzakonshme.
Allahu i Lartësuar ka bërë shumë shkaqe dhe faktorë për ruajtjen e Sunetit të cilat hyjnë në kaderin e Allahut të Lartësuar, për ruajtjen e Kuranit, dhe gjithashtu ruajtjen e shpjegimit të Kuranit.
Kjo çështje është e kuptueshme dhe e ndërlidhur, sepse Kurani fisnik lidhet ngushtë me personin e Profetit ﷺ nga dy anë.
Nga njëra anë për shkak se ai e ka marrë nga Allahu i Lartësuar dhe ia ka përcjellë umetit, ashtu siç e ka marrë në fjalë dhe në kuptim.
Dhe nga ana tjetër, se Allahu i Lartësuar ia ka besuar atij detyrën të sqarojë për njerëzit atë që Ai ka dashur me fjalët e Tijﷻ.
Nga këto dy aspekte është krijuar një lidhje e fortë midis Kuranit dhe Sunetit, pra një lidhje e pandashme nga njëra-tjetra. Prandaj kush përpiqet të argumentohet vetëm me Kuranin duke lënë pas Sunetin, ose me Sunetin duke lënë pas Kuranin, është si ai që përpiqet të ndajë degët e pemës nga rrënja, ose të ndajë të afërmin nga i afërmi i tij.
Çdo përpjekje për t’u mjaftuar me njërin burim duke përjashtuar tjetrin është një përpjekje e kotë, një ecje në verbëri dhe një dalje nga rruga e drejtë, sepse Suneti është binjaku i Kuranit dhe shoqëruesi i tij në argumentim dhe dëshmi.
( Shiko librin “Es-sunetu en nebevijeh vahjun”, i autorit Husejn ibn Muhamed Ajet Seid, fq. 43.)
Argumente nga Kurani Famëlartë se Suneti është shpallje hyjnore
Shpallja që i është zbritur Pejgamberit ﷺ nuk kufizohet vetëm në Kuranin fisnik, por ajo është gjithëpërfshirëse për Kuranin dhe Sunetin. Ka shumë argumente që tregojnë për këtë, ndër to:
- Fjala e Allahut të Lartësuar:
وَمَا يَنطِقُ عَنِ ٱلۡهَوَىٰٓ إِنۡ هُوَ إِلَّا وَحۡيٞ يُوحَىٰ [النجم: 3-4]
“Ai (Muhamedi ﷺ) nuk flet sipas dëshirës së vet, por ajo (që thotë ai) nuk është tjetër veçse shpallje që i shpallet.” | En Nexhm: 3–4.
Muhamed ibën Nasr el Meruezi duke u bazuar në këtë ajet, ka thënë: “Prandaj i Dërguari i Allahut ﷺ shpalli ligjet (e fesë) dhe sunetet me lejen e Zotit të tij dhe me shpalljen e Tijﷻ, dhe jo nga vetja e tij. Allahu ka dëshmuar për këtë duke thënë:
“Shoku juaj (Muhamedi ﷺ) nuk ka humbur e as nuk ka devijuar dhe ai nuk flet sipas dëshirës së vet. Ajo (që thotë ai) nuk është tjetër veçse shpallje që i shpallet.” | En Nexhm: 2-4.
(Libri “Es-sunneh” fq. 14. Shiko dhe librin “Ue ma jentiku anil heua”, merkez “Ihsan lidirasat es-sunetin en nebeuijeh” fq. 12.)
Ebu Hajani ka thënë: “Kjo tregon se sunetin ia ka zbritur Allahu të Dërguarit të Tij ﷺ”.
(Tefsiri “El bahr el muhit” 4/491.)
Et Tufiu ka thënë: “Kjo dëshmon se ai (Pejgamberi ﷺ) nuk gjykonte me ixhtihad (mendim personal) por me shpallje, dhe se suneti që ka ardhur nga ai është shpallje që i shpallej atij”.
(“El isharat el Ilahije ila el mebahith el usulije” (3/291). Gjithashtu shiko “Ahkamu el Kuran” i El Xhassas (3/345), “Sherh Sahih el Buhari” i Ibn Battal (13/573), dhe “Fet’h el Kadir” (5/265).
Imam Buhariu ka transmetuar në Sahihun e tij me nr. 7274, nga Ebu Hurejra, se Pejgamberi ﷺ ka thënë:
“Nuk ka ndonjë profet prej profetëve vetëm se i është dhënë ndonjë mrekulli që njerëzit i kanë besuar për shkak të saj, ndërsa ajo që më është dhënë mua është shpallja që Allahu më ka shpallur, dhe shpresoj të kem më shumë ndjekës në ditën e Kiametit”.
Pejgamberi ﷺ sqaron në këtë hadith se mrekullia e tij më e madhe është shpallja (uahji). Kjo shpallje nuk kufizohet vetëm në Kuranin Famëlartë i cili është mrekullia më e madhe, më e dobishmja dhe më e përhershmja ngase përmban thirrjen, argumentin dhe përfitimin e vazhdueshëm prej tij deri në fund të kohës. Por përfshin gjithashtu edhe sqarimin dhe shpjegimin e Kuranit që Allahu e bëri nëpërmjet gjuhës së të Dërguarit të Tij ﷺ në Sunetin e tij të pastër.
(Shiko librin “Es sunetu en nebevijeh vahjun minAllah mehfudhatun kel Kuranil kerim”, i autorit Ebu Lubabe Husejn, fq. 18.)
Vijon…
Përgatiti: Dr. Behar Hyseni
Dosje: hadith, Kurani, Profeti, Suneti
Të Ngjashme
- Kur Feja Kthehet në Tifozllëk dhe Fanatizëm Individësh Shehul-Islam Ibn Tejmije
- Paralajmërimi i shejh AbdulAziz bin Baz nga fitneja e tebdiut dhe texhrihut Dr. Fatmir Strumi
- Prej rregullave dhe dispozitave të kurbanit Dr. Fatmir Strumi
- Festat joislame – Dita e 1 Majit Dr. Fatmir Strumi
- Një lutje që rikthen qetësinë e zemrës pas trishtimit Udha e Besimtarëve