? Dijetari pyetet: Cila është mënyra për të lënë përgojimin?
Përgjigje: Sillni ndërmend fjalët e Allahut të Plotfuqishëm:
{… A dëshiron ndonjëri prej jush të hajë mishin e vëllait të tij të vdekur, e këtë ju e urreni…} [El-Huxhurat: 12]
Zoti i Lartmadhëruar e krahasoi përgojuesin me dikë që ha mish, dhe ky mish të jetë i kujt? Mishi i vëllait të tij. Për ta shtuar akoma më shumë neverinë dhe shëmtinë, tha ‘të vdekur’!
Vëllai yt ka vdekur ndërsa ti shqyen nga mishi i tij dhe e ha atë!
Kush është përgojuesi?
Më i keqi i njerëzve, më i ulëti i njerëzve, më i pështiri dhe më i neveritshmi i njerëzve.
Përgojuesi kërkon të metat e njerëzve.
Disa nxënës dije në emër të dijes, fatkeqësisht janë si mizat dhe qëndrojnë vetëm mbi plagë.
Besimtari nëse sheh një plagë ose nëse sheh një të metë, ose nëse sheh diçka të shenjtë e mbulon atë dhe lutet për personin që e ka.
Disa njerëz kërkojnë dhe gërmojnë si mizat, qëndrojnë vetëm mbi plagë!
Nëse ka një plagë, ka thashetheme që qarkullojnë, ky i pështirë dhe i ulët kënaqet sepse nuk ka preokupim tjetër veçse të kërkojë të metat e njerëzve.
Jo, feja nuk është kështu!
Kur i shohim disa të meta i mbulojmë ato. Tregojmë se ato janë të meta për të përmirësuar, por nuk kërkojmë zbulimin e të metave dhe nuk gërmojmë për to mes njerëzve.
Disa njerëz sido që të jenë; në këmbë, ulur, duke fjetur, shtrirë, puna e tyre është të të godasin me thikë mbas shpine. Të tillët do të kenë përfundimin e njerëzve më të këqinj dhe kthimi i tyre tek Zoti do të jetë i frikshëm.
Disa njerëz – lusim Zotin të na ruaj – nëse vdesin lëshojnë erë të keqe, trupi i tyre ndryshon shpejt, shikon errësirë në fytyrat e tyre. Këta janë që kërkojnë të metat e njerëzve dhe gërmojnë për turpet e tyre. Ndërsa disa të tjerë kur i shikon duket sikur të ishin gjallë.
Bëhu i mirë dhe mos i shiko vëllezërit e tu vetëm se me syrin e mirësisë, duke menduar për ta më të mirën. E nëse dikush të njofton për të këqijat e vëllait musliman, thuaj: Ai mund të jetë penduar!
Ebu Hamid El-Gazali në librin e tij “Ringjallja” ka thënë: ‘‘Nëse shikon apo takohesh me një mëkatar, para se të ndahesh me të duhet të besosh se ai është penduar nga gjynahu i tij.’’
Rehatoje kokën tënde duke menduar se është penduar dhe kaq, qetësoje shpirtin tënd!
Disa njerëz të thonë: Vëlla, unë e thashë këtë por u pendova më pas.
Del dikush dhe të thotë: Nuk të pranohet pendimi!
Çudi! A mos je ti Zoti i Plotfuqishëm!!?
Ai i thotë: Jam penduar! Ti ç’punë ke që përzihesh!?
Ai thotë: A nuk dëshiron të thuash se kjo është e ndaluar? E mësova të ndaluarën dhe u pendova, kaq!
Disa njerëz – lusim Zotin Fuqiplotë të na ruaj – mos e thëntë Zoti fyejnë fenë.
Kam dëgjuar një të ri duke fyer fenë – për fat të keq – e kjo ndodh shpesh në realitetin tonë dhe është e pranishme në mesin e fqinjëve dhe të afërmve tanë.
Nëse e dëgjon një njeri – na ruajt Zoti – duke e bërë këtë gabim, dhe je xheloz për fenë tënde dhe do ta qortosh duke i thënë: Kjo është haram (nuk lejohet), si e bën këtë?!
E ai të thotë: Nuk e thashë!
Mos i thuaj: Jo, e ke thënë dhe ke sharë, – por thuaj: Nëse nuk e ke thënë nuk e ke thënë, – dhe me kaq e mbyll.
Është theksuar dhe vërtetuar tek ‘Sahihul Buhari’ nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ka thënë:
‘‘Isai i biri i Merjemes pa një burrë që vidhte, dhe i tha: Ti ke vjedhur? Ai tha: Jo, pasha Allahun që është i Vetëm e nuk meriton adhurim askush tjetër përveç Tij, nuk kam vjedhur!
Atëherë Isa – alejhi selam – i tha: Unë besoj në Allahun, ndërsa sytë e mi i përgënjeshtroj!”
Transmetohet nga Buhariu (3444) dhe Muslimi (2368).
Pse Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) na tregoi për këtë? Dua të them, Pejgamberin (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) çfarë e motivoi dhe çfarë donte të thoshte duke na lajmëruar për këtë ndodhi?
Atëherë kthehemi tek gabimtari që përmendëm më sipër.
Thotë: Nuk e bëra! Atëherë kjo çështje konsiderohet e mbyllur.
Ti nuk je përgjegjës për ta, nuk do të japësh llogari për ta. Ata e kanë llogarinë tek Zoti e jo tek ti.
E rëndësishme është që Zoti të mos na fajësojë dhe mos të na bëjë përgjegjës për këtë gjynah, ose për shkak të përhapjes së tij mes njerëzve.
Pra, Zoti ju bekoftë, disa thonë se atë që përgojon shejtani e ushqen me mjaltë!
Ai që përgojon i mbulon të metat e veta duke i nënçmuar të tjerët.
Ai që përgojon vet është plot mëkate, kështu që kur ai përgojon të tjerët dëshiron të mbulojë të metat e veta duke përmendur të metat e të tjerëve.
Personin që është i drejtë dhe kontrollon të folurën e tij, përgojimi është vesi që e mërzit më shumë. Jo vetëm përgojimi por edhe njerëzit që merren me përgojim.
Nëse në një çështje je në dyshim se a është e saktë apo gabim, mbylle atë derë dhe mos e preokupo veten me të.
Më trego për gabimet e mia aq sa më mjaftojnë, dhe lute Zotin të më ndihmojë me veten time që t’i përmirësoj të metat e mia.
Lus Zotin e Madhëruar të na ndihmojë t’i trajtojmë të metat tona dhe të mos jemi të preokupuar me të metat e njerëzve!
Asesi nuk ka nevojë të kuptohet nga fjalët e mia për prijësat e devijimit dhe të prishurit se nuk paralajmërohet kundra tyre e as nuk refuzohen. Zoti na ruajt, nuk kam këtë për qëllim.
Kushdo që është i devijuar dhe devijimi i tij është i dukshëm dhe i qartë, atëherë është detyrë e jona që t’i tërheqim vërejtjen, por këtë nuk e bëjmë zanat. Paralajmërimi në të tilla raste është obligim.
Zoti i Madhëruar në Kuranin fisnik, në tregimet e popujve të mëparshëm përmend të devijuarit. Përmend Faraonin dhe Hamanin dhe shpjegon devijimin e tyre, gjithashtu edhe në histori të tjera të ngjashme.
Shejh Meshhur Hasen al Selman (Allahu e ruajt).
Mexhlisi i Fetvave së Xhumasë: 09-09-2022.
https://meshhoor.com/fatwa/f353/
Përktheu: Mirandi Shehaj
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve