Cilat ishin fjalët e fundit që tha Profeti para se të largohej nga kjo botë?

December 31, 2023

Fjalët e fundit që Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem tha para se të ndahej nga kjo botë, ishin: “O Allah, më bashko me shoqërinë më të lartë!” Imam Buhariu ka ngritur një temë në librin e tij dhe e ka emërtuar: “Fjalët e fundit që tha Profeti.” Në të ka cituar hadithin e Aishes se Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem sa ishte i shëndetshëm thoshte: “Asnjë profet nuk ka ndërruar jetë pa e parë vendin e tij në Xhenet dhe pa iu dhënë mundësia të zgjedhë midis jetës dhe vdekjes.”

E ndërsa ishte i sëmurë dhe kokën e kishte vendosur mbi prehrin tim, i ra të fikët, dhe kur erdhi në vete vështroi drejt tavanit të shtëpisë dhe tha: “O Allah, më bashko me shoqërinë më të lartë!” Aty thashë që ai nuk na zgjodhi neve, dhe e kuptova që kjo ishte ajo që ai na thoshte dikur kur ishte i shëndetshëm. Fjalët e fundit që tha ishin: “O Allah, më bashko me shoqërinë më të lartë!” Buhariu 4463 dhe Muslimi 2444.

Përsa i përket asaj që e ka cituar imam Ahmedi në Musnedin e tij me nr. 1691 nga Ebu Ubejde, se fjalët e fundit që Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem tha, ishin: “Nxirrini hebrenjt e Hixhazit dhe banorët e Nexhranit nga Gadishulli Arabik, dhe dijeni se njerëzit më të këqinj janë ata që varret e profetëve të tyre i kanë shndërruar në xhami.” Hadith i saktë sipas shejh Albanit. “Es sahihah” me  nr. 1132.

Ebu Daudi me nr. 5156 dhe imam Ibën Maxheh me nr. 2698, transmetojnë nga Aliu se fjalët e fundit që Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem tha ishin: “Kini kujdes namazin dhe kini frikë Allahun në lidhje me robërit!” Hadith i saktë sipas shejh Albanit.

Ka dhe hadithe të tjera të ngjashme me këto. Kuptimi i tyre është se këto ishin ndër fjalët e fundit që Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem tha. Këto ishin disa nga porositë e fundit që Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i la familjes, shokëve dhe udhëheqësve pas tij. Këto fjalë janë të fundit në mënyrë relative, ndërsa fjalët që janë përmendur në hadithin e Aishes ishin fjalët e fundit në mënyrë absolute. Shiko librin “Fejdul kadir” të Munavit 5/250-251).

Përktheu: Rexhep Milaqi

Dosje:

Loading...